Shqipëria do të përballet shumë shpejt me një emergjencë, teksa investimet e huaja janë në rënie, si rrjedhojë e mbarimit të TAP dhe krizës së Covid-19, në një kohë që sipërmarrësit shqiptare po preferojnë që të investojnë fondet e tyre të lira jashtë vendit. Në tre muajt e parë të 2019-s, sipërmarrjet shqiptare investuan 12 milionë euro jashtë.
Banka e Shqipërisë raportoi në bilancin e pagesave të tremujorit të parë 2020 se investimet direkte (neto) ishin 214 milionë euro ndaj 285 milionë euro në një vit më parë. Rënia është gati 25%.
Kjo ecuri, sipas bankës, reflekton së bashku, nivelin më të ulët të flukseve hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte dhe zgjerimin e pjesëmarrjeve në investime direkte jashtë.
Zotërimet tona jashtë – mjetet financiare në formën e investimeve direkte jashtë, u zgjeruan me 12 milionë euro, nga një fluks negativ neto prej 1.2 milionë euro në 2019, tha banka.
Ndërsa investimet e huaja direkte neto ishin 227 milionë euro, me një tkurrje prej gati 20% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Në total, Investimet e huaja direkte kanë regjistruar fluks kapitali prej 257 milionë euro, dhe në të njëjtën kohë marrëdhëniet e borxhit mes kompanive të lidhura derivuan një fluks negativ prej 30 milionë euro, duke i çuar investimet neto në 227 mln euro).
Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia është e përqendruar kryesisht në sektorin e energjitikës ku investimet në projektet kryesore janë drejt fazës finale të realizimit. Nga ana tjetër, vijon përqendrimi i investimeve në sektorin e hidrokarbureve të cilat kanë ndjekur trendin rritës.
Ky është niveli më i ulët i investimeve të huaja direkte, që prej tremujorit të dytë 2018.
Pritshmëria e investimeve të huaja
Për rreth katër vjet, Investimet e Huaja Direkte kanë qëndruar në nivele të larta, për shkak të dy projekteve të mëdha në energjetikë, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga Statkraft dhe gazsjellësi TAP. Së bashku, të dy investimet llogariten në rreth 2 miliardë euro, nga të cilat 1.5 miliardë euro janë për gazsjellësin TAP, sipas burimeve zyrtare.
Tashmë të dy këto investime janë drejt fundit, ndërkohë që kriza e Covid-19 pritet që të ulë interesin e investitorëve, të paktën në një të ardhme afatshkurtër.
Edhe kompanitë hidrokarbure, që nxitën investimet në tremujorin e parë janë në krizë, teksa ato u detyruan të ndalnin për herë të parë prodhimin gjatë muajit prill.
Investimet e bizneseve shqiptare jashtë
Bizneset shqiptare po hedhin sytë jashtë për investime, kryesisht në rajon. Maqedonia ka qezultuar tërheqëse për ta për shkka të zonave të lira, lehtësive fiskale, rregullave të qëndrueshme, si dhe një politike agresive të qeverisë maqedonase për tërheqjen e investimeve të huaja.
Kompania Sagen ka nisur investimin në Maqedoni për ndërtimin e një fabrike që do të prodhojë ilaçe. Grupi Balfin është përqendruar në investime në pasuritë e paluajtshme, në zhvillimin e një zone shumëfunksionale në periferi të Shkupit. Kompania AGNA ka plane për prodhimin e një fabrike biskotash, më e madhja në Ballkan.
Revista Monitor