Ditën e sotme konfirmohen 42 raste të reja me koronavirus në Shqipëri.
Kjo shifër shënon dhe numrin më të lartë të të prekurve që prej fillimit të pandemisë.
Mësohet se 21 raste janë në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 2 në Krujë, 2 në Lushnje, 1 në Pukë, 1 në Berat dhe 1 në Urën Vajgurore.
Në komunikimin zyrtar Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se në 24 orët e fundit janë testuar 311 persona, ku kanë rezultuar pozitiv 42 prej tyre.
Deri më tani në total numri i personave të prekur nga COVID-19 ka shkuar në 1341, 980 janë shëruar, ndërsa numri i rasteve aktive është 327 pacientë, nga të cilët vetëm 46 janë të shtruar në spital.
Bilanci i 24 orëve të fundit
Rekord të infektuarish ditorë – Kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me Covid19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve. Sot është dita me numrin më të lartë të rasteve të reja. Në 24 orët e fundit janë kryer 311 testime nga të cilat janë konfirmuar 42 raste pozitive, përkatësisht, 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnje, dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Durrës, Berat, Pukë, Shkodër.
5 mjekë të infektuar – Rastet e Krujës janë qytetarë të cilët kanë marrë pjesë në një ceremoni mortore, ndaj ju bëjmë thirrje edhe njeherë që të shmangni grumbullimet masive në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit. Ne 24 orët e fundit janë testuar dhe ritestuar 80 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të prekur 5 personel, ndërsa janë shëruar 8 mjekë dhe infermiere. Vetëm në 24 orët e fundit janë referuar në spitalet infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” 9 pacientë të dyshuar të cilët janë konfirmuar pozitivë dhe janë shtruar në spitalin infektiv, ku vijon të rritet numri i të shtruarve, kryesisht nga Tirana.
Rritet numri i të shtruarve te Infektivi – Aktualisht janë 46 të shtruar pozitivë me Covid-19. Është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive. 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive, njëri prej tyre në intubim. Ndërsa një pacient ka dalë nga intubimi falë punës së stafit mjekësor të spitalit infektiv. Lajmi tjetër i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 20 të prekur nga Covid19 mes të cilëve 8 personel shëndetësor, duke e çuar në 980 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë.
327 persona aktivë – Në vendin tonë janë aktualisht 327 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë dhe Shkodër, ku ka transmetime komunitare. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 19 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1341 raste.
COVID-19 – Statistika (10 Qershor 2020)
Testime totale 19271
Raste pozitive 1341
Raste të shëruara 980
Raste Aktive 327
Humbje jete 34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 205
Shkodër 38
Krujë 27
Kamëz 19
Durrës 14
Mat 9
Lushnje 6
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Lezhë 1
Pukë 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1
Apeli për qytetarët – Numri i rasteve të rritura në ditën e fundit e ka vendosur sistemin shëndetësor në gadishmëri të shtuar, por në të njejtën kohë është edhe një apel për të gjithë qytetarët për të qenë bashkëpunëtorë në këtë betejë duke respektuar rregullat, duke ruajtur distancën nga njëri-tjetri, duke mbajtur maskat në ambientet e mbyllura ku nuk është e mundur të ruhet distanca, duke ruajtur higjienën personale, duke ruajtur veten dhe të tjetër në mënyrë që të kufizojmë sa më shumë që të jetë e mundur përhapjen e Covid19. Mos neglizhoni asnjë shenjë të sëmundjes. Në rast se ju apo një i afërm i juaji keni shenja klinike të Covid19, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.