Ndërkohë që masat kufizuese lehtësohen, profesori i biologjisë Erin Bromage shpjegon se si përhapen sëmundjet infektive. Ai vlerëson rrezikun e infektimit nga koronavirusi në një sërë ambientesh, duke përfshirë evente si dasma dhe ditëlindje. Rreziku i infektimit në ambientet e jashtme është relativisht i ulët, përfundon ai.
Duket se shumë njerëz tashmë po ndihen më të lehtësuar dhe nuk jam i sigurt pse. Një kurbë epidemike ka një rritje relativisht të parashikueshme dhe pasi të arrihet kulmi, edhe rënia mund të parashikohet. Ne kemi të dhëna të qarta nga përhapjet e virusit në Kinë dhe Itali, që tregojnë se rënia e nivelit të vdekshmërisë është e ngadaltë dhe vdekjet vazhdojnë për muaj me radhë.
Nëse supozojmë se kemi arritur kulmin e nivelit të vdekjeve në shifrën 70.000, është e mundur që të ketë edhe 70,000 vdekje të tjera gjatë 6 javëve të ardhshme pas kalimit të kulmit. Kjo është ajo që do të ndodhë edhe me izolimet.
Teksa shtetet rihapen dhe ne i japim virusit më shumë karburant, nuk mund të dihet si do të vijojë situata. Unë i kuptoj arsyet e rihapjes së ekonomisë, por e kam thënë edhe më parë, nëse nuk gjendet zgjidhja tek biologjia, ekonomia nuk do të rimëkëmbet.
Shumë pak shtete kanë treguar një rënie të vazhdueshme të numrit të infeksioneve të reja. Në të vërtetë, nga 3 maji, shumica e shteteve po përjetojnë një rritje të infeksioneve dhe po vazhdojnë të rihapen. Për të treguar prirjen e pandemisë në SHBA, mjafton të përjashtojmë të dhënat nga Nju Jorku duke u përqendruar në pjesën tjetër të vendit, dhe do të shihnim se numrat e rasteve ditore janë në rritje. Pra, e vetmja arsye pse numri i përgjithshëm i rasteve të reja në SHBA duket se po ulet, është ngaqë pandemia po vihet nën kontroll në Nju Jork, epiqendrën amerikane të koronavirusit.
Pra, në pjesën më të madhe të vendit, nëse do të vazhdojë rihapja, vetëm sa do t’i shtonim më tepër benzinë zjarrit. Por kjo gjë do të ndodhë gjithsesi, prandaj qëllimi im është të përpiqem t’ju jap këshilla për të qëndruar larg situatave me rrezik të lartë.
Pse po sëmuren njerëzit?
Tashmë e dimë se shumica e njerëzve infektohen në shtëpitë e tyre. Një anëtar i familjes infektohet me virusin në komunitet dhe e sjell atë në shtëpi ku kontakti i vazhdueshëm me anëtarët e familjes përhap infeksionin. Por ku po infektohen njerëzit në komunitet? Unë dëgjoj rregullisht njerëz që shqetësohen për dyqanet ushqimore, udhëtimet me biçikletë, vrapuesit e papërgjegjshëm që nuk mbajnë maska… a janë këto shqetësime me vend? Në fakt, jo. Më lejoni t’ua shpjegoj.
Kur infektohen, njerëzit ekspozohen ndaj një doze infektive të virusit. Bazuar në studimet e dozave infektive me koronaviruse të tjerë, duket se mjaftojnë doza të vogla që të merret infeksioni. Sipas disa ekspertëve, mjaftojnë vetëm 1000 grimca virale infektive SARS-CoV2 që të transmetohet infeksioni. Duhet pasur parasysh se një pretendim i tillë duhet të përcaktohet në mënyrë eksperimentale, por ne mund ta përdorim këtë numër për të demonstruar si mund të ndodhë infeksioni.
Pra infeksioni mund të merret përmes 1000 grimcave virale infektive që thithen me një frymëmarrje apo merren duke fërkuar sytë, ose 100 grimca virale që thithen me çdo frymëmarrje 10 herë, ose 10 grimca virale që thithen me 100 frymëmarrje. Secila prej këtyre situatave mund të çojë në një infeksion.
Sa është sasia e virusit që lëshohet në ambient?
Në banjë: Banjat kanë shumë sipërfaqe që preken shpesh, dorezat e dyerve, rubinetet, etj. Kështu që rreziku i transferimit në këtë mjedis mund të jetë i lartë. Ende nuk e dimë nëse një person lëshon material infektiv në jashtëqitje apo thjesht virus të fragmentuar, por e dimë se shkarkimi i tualetit shkakton aerosolizimin e shumë piklave. Kini kujdes të veçantë në banjot publike (sipërfaqe dhe ajër), derisa të dimë më shumë rreth rrezikut.
Një kollë: Një kollë e vetme lëshon rreth 3,000 pikla, të cilat udhëtojnë me 50 milje në orë. Shumica e piklave janë të mëdha dhe bien shpejt (në sajë të gravitetit), por shumë prej tyre qëndrojnë në ajër dhe mund të përhapen nëpër një dhomë brenda disa sekondave.
Një teshtitje: Një teshtitje e vetme lëshon rreth 30,000 pikla, të cilat udhëtojnë deri në 200 milje në orë. Shumica e piklave janë të vogla dhe përhapen në distanca të mëdha (lehtësisht në një dhomë).
Nëse një person është i infektuar, piklat në një kollë ose teshtitje të vetme, mund të përmbajnë deri në 200,000,000 (dyqind milionë) grimca të virusit, të cilat mund të shpërndahen në mjedisin përreth.
Një frymë: Një frymë e vetme lëshon 50-5000 pikla. Shumica e tyre kanë shpejtësi të ulët dhe bien shpejt në tokë. Frymëmarrja me hundë lëshon edhe më pak. Dhe për shkak se gjatë frymënxjerrjes nuk ushtrohet forcë, grimcat virale në zonat e poshtme të frymëmarrjes nuk dalin jashtë.
Ndryshe nga teshtitja dhe kollitja që lëshojnë sasi të mëdha të materialit viral, piklat e lëshuara nga frymëmarrja përmbajnë vetëm nivele të ulëta të virusit. Nuk kemi ende një numër konkret për rastin e SARS-CoV2, por mund të përdorim gripin si udhëzues. Studimet kanë treguar se një person i infektuar me grip, mund të lëshojë deri në 33 grimca infektive virale në minutë. Por le të supozojmë 20 për lehtësi matematikore.
Mbani mend formulën: Infektimi i suksesshëm = Ekspozimi ndaj virusit x Koha
Nëse një person kollitet apo teshtin, 200,000,000 grimca virale përhapen kudo. Disa viruse qëndrojnë në ajër, disa bien në sipërfaqe, shumica bien në tokë. Kështu që, nëse ndodheni ballë për ballë me një person duke biseduar dhe ai teshtin ose kollitet para jush, është shumë e thjeshtë të kuptohet si është e mundur të thithni 1000 grimca virusi dhe të infektoheni.
Por edhe sikur kolla ose teshtima të mos ishte e drejtuar nga ju, disa pikla të infektuara – tepër të vogla – mund të qëndrojnë pezull në ajër për disa minuta, duke mbushur çdo cep të një dhome me madhësi modeste me grimca virale infektive. Kështu që mjafton të hyni në një dhomë disa minuta nga kolla/teshtima dhe të merrni frymë disa herë dhe ka shumë mundësi që të keni marrë një sasi të mjaftueshme virusi për të krijuar një infeksion.
Por me një frymëmarrje të zakonshme që përhap në ambient 20 grimca virale në minutë, edhe nëse çdo virus do të përfundonte në mushkëritë tuaja (tepër e pagjasë), do të duheshin 1000 grimca virale pjesëtim për 20 në minutë = pra 50 minuta.
E folura rrit lëshimin e piklave të frymëmarrjes me rreth 10 herë; pra lëshohen afërsisht 200 grimca virusi në minutë. Sërish, duke supozuar se thithet çdo virus, do të duheshin 5 minuta bisedë ballë për ballë për të marrë dozën e nevojshme.
Formula virus x kohë është baza për gjurmimin e kontakteve. Kushdo që kalon më shumë se 10 minuta ballë për ballë me një person të infektuar, ka gjasa të jetë infektuar gjithashtu. Kushdo që ndan një hapësirë me një të prekur (për shembull një zyrë) për një kohë të gjatë, mund të preket gjithashtu nga virusi. Prandaj është kritike që njerëzit me simptoma të qëndrojnë në shtëpi. Teshtitjet dhe kollitjet lëshojnë aq shumë virus sa mund të infektohet një dhomë e tërë me njerëz.
Cili është roli i njerëzve asimptomatikë në përhapjen e virusit?
Njerëzit simptomatikë nuk janë burimi i vetëm që përhapin virusin. Të paktën 44% e të gjithë infeksioneve – dhe pjesa më e madhe e transmetimeve të marra në komunitet – kanë ndodhur nga njerëz që nuk shfaqin simptoma (njerëz asimptomatikë ose para-simptomatikë). Ju mund të keni lëshuar virus deri në 5 ditë para se të ndjeni simptoma.
Njerëzit infektues janë të të gjitha moshave dhe të gjithë lëshojnë sasi të ndryshme virusi. Grafiku më poshtë tregon se pavarësisht moshës (boshti x), ju mund të keni pak ose shumë virus (boshti y).
Sasia e virusit të lëshuar nga një person i infektuar ndryshon gjatë rrjedhës së infeksionit dhe varion nga personi në person. Ngarkesa virale në përgjithësi rritet deri në pikën kur personi bëhet simptomatik. Pra, edhe para shfaqjes së simptomave, ju lëshoni një sasi të madhe virusi në mjedis. Të dhënat tregojnë se vetëm 20% e të infektuarve janë përgjegjës për 99% të ngarkesës virale që mund të lëshohet në mjedis.
Le të hyjmë në thelbin e çështjes. Ku ndodhen vendet me rrezik pas rihapjes?
Kur mendoni për grupe infeksionesh, cilat janë vendndodhjet e para që ju vijnë ndër mend? Shumica e njerëzve do të thoshin kroçierat. Por kjo është e gabuar. Përhapja e infeksionit në anije, megjithëse është shqetësuese, nuk përfshihet as në 50 përhapjet kryesore të virusit deri tani.
Përveç rasteve të tmerrshme në azile, infeksionet përhapen në masë nëpër burgje, ceremoni fetare dhe vendet e punës, si fabrikat e paketimit të mishit dhe Call Center. Çdo mjedis i mbyllur, me qarkullim të dobët të ajrit dhe densitet të lartë të njerëzve, është problematik.
Disa nga vendet ku përhapet më tepër virusi, janë:
Fabrikat e paketimit të mishit: Në impiantet e përpunimit të mishit, punëtorët e shumtë në numër dhe pranë njëri-tjetrit, duhet të komunikojnë mes tyre në një ambient shurdhues nga zhurma e makinerive industriale dhe me temperatura të ulëta, mjaft të volitshme për zhvillimin e virusit. Tashmë virusi është përhapur në 115 fabrika në 23 shtete amerikane, me më shumë se 5000 punëtorë të infektuar dhe 20 të vdekur.
Dasma, funerale, ditëlindje: përbëjnë 10% të eventeve ku ka ndodhur përhapja e hershme.
Rrjeti i biznesit: Takimet e biznesit ballë për ballë si Konferenca Biogen në Boston në fund të shkurtit.
Ndërkohë që rikthehemi në punë ose shkojmë në një restorant, le të shohim se çfarë mund të ndodhë në ato mjedise.
Restorantet:
Duke përdorur një metodë të vjetër e të thjeshtë, disa epidemiologë demonstruan qartë efektin e një mbartësi të vetëm asimptomatik në një mjedis restoranti (shiko më poshtë). Personi i infektuar (A1) u ul në një tryezë dhe hëngri darkë me 9 miq. Darka zgjati 1 deri në 1.5 orë. Gjatë vaktit, i infektuari asimptomatik lëshoi nivele të ulëta të virusit në ajër, gjatë frymëmarrjes.
Ajri në restorant qarkullonte nga e majta në të djathtë (nga ventilatorët e restorantit). Afërsisht rreth 50% e njerëzve në tryezën e personit të infektuar u sëmurën gjatë 7 ditëve të ardhshme. 75% e njerëzve që ndodheshin në tryezën ngjitur nga drejtimi i qarkullimit të ajrit, u infektuan. Madje edhe 2 nga 7 personat në tryezën ngjitur në drejtim të kundërt me qarkullimin e ajrit, u infektuan gjithashtu (që besohet të ketë ndodhur nga fluksi i turbullt i ajrit). Askush në tavolinat E ose F nuk u infektua, sepse ata ndodheshin jashtë rrjedhës kryesore të ajrit që qarkullonte nga kondicioneri në të djathtë tek ventilatori në të majtë.
Vendet e punës:
Një shembull tjetër i shkëlqyer është përhapja e virusit në një Call Center (shiko më poshtë). Një punonjës i infektuar erdhi për të punuar në katin e 11-të të një ndërtese. Në atë kat ndodheshin 216 punonjës. Gjatë një jave, 94 prej tyre u infektuan (43.5%: ndenjëset ngjyrë bojëqielli). 92 nga 94 prej atyre personave u sëmurën (vetëm 2 mbetën asimptomatikë). Shihni sesi njëra anë e zyrës është kryesisht me njerëz të infektuar, ndërsa ana tjetër ka shumë pak të infektuar.
Ndërsa numri i saktë i personave të infektuar nëpërmjet frymëmarrjes në krahasim me ata të infektuar nga kontaktet me prekje (dorezat e dyerve, ftohësit e përbashkët të ujit, butonat e ashensorit etj.) nuk njihet. Qëllimi është të vihet në dukje se thithja e të njëjtit ajër në një hapësirë ??të mbyllur dhe për një periudhë të zgjatur, i rrit shanset për ekspozim dhe infektim. 3 persona të tjerë në katet e tjera të ndërtesës u infektuan, por autorët nuk ishin në gjendje të gjurmonin infeksionin në grupin fillestar në katin e 11-të. Edhe pse kishte një ndërveprim të konsiderueshëm midis punonjësve në katet e ndryshme të ndërtesës nëpër ashensorë dhe sallone, përhapja u kufizua kryesisht në një kat të vetëm. Kjo thekson rëndësinë e ekspozimit dhe kohës në përhapjen e SARS-CoV2.
Kori i komunitetit:
I tillë ishte kori i komunitetit në Uashington. Njerëzit ishin të vetëdijshëm për virusin dhe ndërmorën hapa për të minimizuar transmetimin e virusit; p.sh. shmangën shtrëngimet e duarve dhe përqafimet e zakonshme, sollën disqet e tyre të muzikës për të mos i ndarë, dhe mbajtën distancë gjatë praktikës. Madje, anëtarëve të korit iu kërkua që të shkonin në shtëpi nëse ndienin simptoma. Por një mbartës i vetëm asimptomatik infektoi shumicën e pjesëmarrësve. Kori këndoi për 2 orë e gjysmë, brenda një salle provash të mbyllur, e cila ishte përafërsisht sa madhësia e një fushe volejbolli.
Këndimi i aerozolizon piklat e frymëmarrjes shumë më tepër se e folura. Frymëmarrja e thellë gjatë këndimit e bën më të lehtë që piklat e virusit të futen thellë në mushkëri. Dy orë e gjysmë ishin të mjaftueshme që njerëzit të ekspozoheshin ndaj virusit dhe të infektoheshin. Gjatë një periudhe 4-ditore, 45 nga 60 anëtarët e korit përjetuan simptoma, 2 vdiqën. Më i riu që u infektua ishte 31 vjeç, por mosha mesatare ishte 67 vjeç.
Sportet në mjediset e brendshme:
Në Kanada, ku kjo veprimtari është e zakonshme, eventi shkaktoi përhapje në masë të virusit në një ambient me 72 të pranishëm. Gjatë eventeve të tilla sportive, garuesit dhe pjesëtarët e ekipit janë në kontakt të ngushtë në një ambient të ftohtë e të mbyllur, duke marrë frymë thellë për një periudhë të zgjatur. Nga ky turne u infektuan 24 persona.
Festa ditëlindjesh/funerale:
Kjo është një ngjarje e vërtetë që ka ndodhur në Çikago dhe na tregon sa i lehtë është transmetimi i infeksionit. Emri është i rremë. Bobi ishte infektuar, por nuk ishte në dijeni. Ai hëngri në shoqërinë e dy anëtarëve të familjes. Darka zgjati 3 orë. Të nesërmen, Bobi mori pjesë në një funeral, ku përqafoi anëtarë të familjes dhe të pranishmit e tjerë për të shprehur ngushëllimet. Brenda 4 ditësh, dy anëtarët e familjes që hëngrën darkë në shoqërinë e Bobit, u sëmurën. Edhe një anëtar i tretë, i cili përqafoi Bobin në varrim. Por kjo nuk ishte e gjitha. Bobi mori pjesë edhe në një festë ditëlindjeje me 9 persona të tjerë. Ata u përqafuan dhe ndanë ushqim gjatë 3 orëve. Shtatë njerëz u sëmurën.
Zinxhiri i transmetimit nuk mbaron ende. Tre nga njerëzit që Bobi infektoi në ditëlindje shkuan në kishë, ku kënduan, hëngrën etj. Disa anëtarë të kishës u sëmurën. Në përgjithësi, Bobi ishte drejtpërdrejt përgjegjës për infektimin e 16 personave nga 5 deri në 86 vjeç. Tre prej tyre vdiqën.
Përhapja e virusit brenda familjes dhe më pas në komunitet nëpërmjet funeraleve, ditëlindjeve dhe mbledhjeve në kisha, besohet të jetë përgjegjëse për transmetimin më të gjerë të COVID-19 në Çikago.
Bashkësia e përhapjes së infeksionit
Këto raste na tregojnë përhapjen e COVID-19 në grupe. Të gjitha këto evente ishin në ambiente të mbyllura, me njerëz pranë njëri-tjetrit, duke biseduar, duke kënduar ose duke bërtitur. Burimet kryesore të infektimit janë shtëpia, vendi i punës, transporti publik, grumbullimet sociale dhe restorantet. Ato përbëjnë 90% të të gjitha rasteve të transmetimit. Në të kundërt, përhapjet e infeksionit gjatë blerjeve janë përgjegjëse për një përqindje të vogël.
Nga vendet që kryejnë siç duhet gjurmimin e kontakteve, vetëm një rast përhapjeje është raportuar në një mjedis të jashtëm (më pak se 0.3% e infeksioneve të gjurmuara).
Rikthehemi në pikën fillestare.
Hapësirat e brendshme, me qarkullim të kufizuar ajri dhe me shumë njerëz, janë shqetësuese nga pikëpamja e transmetimit. Ne dimë se 60 persona që ndodhen në një dhomë me madhësi sa një fushë volejbolli, përhapin infeksionin në masë. E njëjta gjë vlen për restorantet dhe Call Center. Udhëzimet për distancimin social nuk vlejnë për hapësirat e brendshme ku kaloni shumë kohë, pasi këto raste na tregojnë se janë infektuar njerëz në të gjithë dhomën.
Parimi është ekspozimi viral gjatë një periudhe të gjatë kohe. Në të gjitha këto raste, njerëzit janë ekspozuar ndaj virusit në ajër për një periudhë të gjatë (disa orë). Edhe sikur të ishin 50 metra larg (kori ose Call Center), edhe një dozë e vogël e virusit në ajër gjatë një periudhe të mjaftueshme, do të shkaktonte infeksion dhe në disa raste, edhe vdekje.
Rregullat e distancimit social shërbejnë për t’ju mbrojtur gjatë ekspozimeve të shkurtra ose ekspozimeve në mjediset e jashtme. Në këto situata, nuk ka kohë të mjaftueshme për të arritur sasinë infektive virale kur ndodheni 6 metra larg ose kur era dhe hapësira e madhe zvogëlojnë ngarkesën virale. Efektet e dritës së diellit, nxehtësisë dhe lagështisë e minimizojnë rrezikun e transmetimit.
Kur vlerësoni rrezikun e infeksionit (përmes frymëmarrjes) në një dyqan ushqimor ose qendër tregtare, duhet të merrni parasysh vëllimin e hapësirës ajrore (shumë të madhe), numrin e njerëzve (të kufizuar), sa kohë njerëzit kalojnë në dyqan (punëtorët – gjithë ditën; klientët – një orë). Po të marrim të gjitha faktet së bashku për një person që kryen pazare: densiteti i ulët, vëllimi i lartë i ajrit në dyqan, së bashku me kohën e kufizuar që kaloni në dyqan, do të thotë se mundësia për të marrë një dozë infektive është e ulët. Por punëtorët e dyqanit, që kalojnë atje një kohë të gjatë kanë shanse më të larta për të marrë një dozë infektive dhe për këtë arsye puna e tyre bëhet më e rrezikshme.
Ndërkohë që punët po nisin të rihapen dhe ne nisim të dalim jashtë më tepër, duke rifilluar aktivitetet brenda zyrës, duhet të shikoni mjedisin tuaj dhe të bëni gjykime. Sa njerëz ndodhen brenda, sa qarkullon ajri rreth meje, dhe sa kohë do të jem në këtë mjedis. Nëse jeni në një zyrë të hapur planifikimi, duhet ta vlerësoni rrezikun në mënyrë kritike (vëllimi, njerëzit dhe rrjedhja e ajrit). Nëse jeni në një punë që kërkon komunikim ballë për ballë ose edhe më keq, duke bërtitur, duhet të kini parasysh se rreziku do të jetë më i madh.
Nëse jeni ulur në një hapësirë të ventiluar mirë dhe me pak njerëz, rreziku është i ulët.
Nëse ndodheni jashtë dhe ecni pranë dikujt, kini parasysh se për marrjen e infeksionit është e nevojshme “doza dhe koha”. Që të ketë një mundësi infeksioni, ju duhet të ndodheni në rrjedhën e tyre të ajrit për më shumë se 5 minuta. Megjithëse vrapuesit mund të lëshojnë më shumë virus për shkak të frymëmarrjes së thellë, mos harroni se koha e ekspozimit është gjithashtu më e paktë për shkak të shpejtësisë së tyre. Ju lutemi ruani distancën fizike, por rreziku i infektimit në këta skenarë është i ulët.
Këtu jemi përqendruar në ekspozimin ndaj virusit me frymëmarrje, por ju lutem mos harroni edhe sipërfaqet. Piklat e infektuara të frymëmarrjes do të zbarkojnë diku. Lani duart shpesh dhe mos prekni fytyrën!
Tani që na lejohet të lëvizim më lirisht në komunitetet tona dhe të jemi në kontakt me më shumë njerëz në më shumë vende, rreziqet për veten dhe familjen janë të konsiderueshme. Edhe nëse jeni pro rihapjes dhe rifillimit të punës si zakonisht, duhet të bëni pjesën tuaj dhe të vini maskë për të zvogëluar atë që lëshoni në mjedis. Kjo do t’ju ndihmojë të gjithëve, përfshirë edhe biznesin tuaj. Ky artikull u frymëzua nga një shkrim i Jonathan Kay në quillete.com, me titull “Eventet e përhapjes në masë të COVID-19 në 28 vende: modelet kritike dhe mësimet”. Revista Monitor