Ish-ministri socialist i Financave Arben Malaj ka bërë së fundmi një deklaratë të fortë.
Sipas tij ka ardhur koha që Arben Ahmetaj të japë dorëheqjen nga posti i ministrit të Rindërtimit.
Ai shton se Ahmetaj i cili pretendon të menaxhojë 1.8 miliardë borxhe që do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, rezulton të jetë mik me biznesmenë që akuzohen brenda dhe jashtë vendit, për skandale korruptive.
REAGIMI I PLOTE I ARBEN MALAJT
Është koha për dorëheqjen. Kjo ishte përgjigjia dashamirëse që u ktheva sot disa kolegëve që më pyesnin lidhur me Ahmetaj. Ministri që pretendon të manaxhojë 1.8 miliardë borxhe që do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, rezulton të jetë mik me biznesmenë që akuzohen brenda dhe jashtë vendit, për skandale korruptive.
Ata janë përfitues të kontratave qindra milionë euro nga Rama, në një nga fushat preferenciale të mafiozëve, përpunimin e mbetjeve. Aq miqësi ka ministri Ahmetaj me këta të akuzuar, sa në aksidentin e qershorit 2017 pas udhëtimit për turizëm “kulturor” në Rumani, sipas dëshmimtarëve që i nxorrën nga makina bashkë me të ishin edhe dy të shumë akuzuarit për korrupsion, por lista e plotë e të plagosurëve dhe të shtruarëve në spitalin e Tetovës, nuk u bë publike.
Kur ndonjë kolegu i sugjeron dorëheqjen, ata armiqëson me ju, por kur më vonë ju rezulton më keq, ata ankohen se shefat e tyre i kanë keqpërdorur deri në palcë. Ministri e ka akoma një mundësi t’i shërbejë vetes, familjes dhe vendit të tij, të fitojë statusin e të penduarit, jo thjesht për të shpëtuar vetveten. Ahmetaj e kupton më mirë në anglisht rastin e miliarderit amerikan Jeffrey Epstein, që ju shërbeu me “turizëm seksual”, shumë njerëzve të plotëfuqishëm, të cilët e braktisën, deri sa ai preferoi ”vetëvrasjen”.
Statusi i të penduarit të jep edhe mbrojtje fizike, pasi për këdo që ka shërbyer për korrupsion e kapje shteti, vjen një moment, që të fortët që e kanë keq përdorur mund t’i rrezikojnë edhe jetën. Le të shpresojmë që ata që pretendojnë se janë shumë të mençur të mos bëjnë zgjidhje jo të mençura për veten, familjen por edhe për vendin e tyre.