Një denoncim i fortë vjen së fundmi nga gazetari Basir Çollaku.
Ai shprehet se bashkë me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar javën e kaluar, është shkatërruar dhe rrjeti i serverave të sistemit TIMS, duke e lënë sipas tij Shqipërinë për rreth një javë të pambrojtur nga hyrja në territorin tonë të personave me rekorde kriminale.
Gazetari gjithashtu shton se prej një jave, qoftë në Ministri, në Drejtorinë e Përgjithshme, në Rinas apo pikat e e tjera të kalimit kufitar, pajisjet janë një kaos, një rrëmujë, e cila i bën doganat, pikat e hyrje-daljeve, një gardh pa roje dhe pa sistem.
Ndër të tjera ai shton se janë bërë përpjekje të shumta për rekuperimin e sistemit, por të gjitha kanë dështuar.
SHKRIMI NE SHIJAK TV
Lakmia dhe babëzia për rrënimin e Teatrit Kombëtar, kanë sjellë një tjetër dëm me përmasa të mëdha. Bie sistemi TIMS. Dhuna e shfrenuar sjell një telash të rrezikshëm. Teatri ka pasur viktima të shumta në aksionin, thuajse terrorist të shembjes së tij në fundjavën e shkuar dhe sistemi i kontrollit ka qenë viktima më e madhe e asaj ore të hershme të mëngjesit.
Fadromat dhe mjetet e shkatërrimit kanë masakruar dhe rrjetin e serverave, ushqyesve të tyre (ups) dhe linjës, duke e bërë sistemin qendror të menaxhimit të informacionit TIMS, një kafaz bosh jashtë funksionit. Prej një jave, qoftë në Ministri, në Drejtorinë e Përgjithshme, në Rinas apo pikat e e tjera të kalimit kufitar, pajisjet janë një kaos, një rrëmujë, e cila i bën doganat, pikat e hyrje-daljeve, një gardh pa roje dhe pa sistem.
Alarmi që ka përfshirë policinë e shtetit, veçanërisht atë kufitare, duket tashmë se ka futur në ngërç shërbimin që nuk po gjen dot rrugëdalje. Përpjekjet për të marrë kompaninë e huaj dhe rregulluar defektin e shkatërrimit, nuk kanë rezultuar me sukses. Një kontratë e mbaruar dhe një mosdakordësi në një marrëveshje të re, e kanë shtuar rrëmujën më tepër. Kjo ka hapur një biznes të ri për atë pjesë të policisë së implikuar dhe kontigjent i rrjeteve kriminale. Tashmë kalimi i kufirit në të dy anët në ardhje dhe ikje, është një biznes i majmë për personat me rekorde kriminale. Mjafton një kuotë e natyrisht e majme financiare dhe vetëm një regjistër me laps nuk do ta ndalojë dot personin e kërkuar. Një shteg i mirë ky edhe për trafikantët e drogës, pasi nuk është se kontrolli do të kalojë nëpër filtrat e dyshimit dhe rriskut, të magazinës së emrave e të dhënave që janë në sistem. Një javë është një kohë e mjaftueshme për të qarkulluar dhjetëra e qindra persona problematikë.
Delikat dhe i frikshëm, është fakti se mund të jenë dhe të dyshuar si terroristë, të cilët kapërcejnë pragun e aeroporteve, porteve, e kufijtë tokësor, duke shkuar në destinacionet e tyre dhe duke qenë një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe rendin.
Ministria apo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk kanë mundësi dhe potenciale të mjaftueshme për të identifikuar persona të mundshëm për t’u ndaluar thjesht me sy të lirë. Së paku janë të detyruar të vulosin pasaportat e atyre që hyjnë dhe dalin, sikur të gjithë janë në rregull. Lakmia e fadromave për t’i bërë qejfin shefit, që të shembej sa më shpejt Teatri e plaçkitet prona, kanë bërë shembjen e menjëhershme të investimit më të rendësishëm të sigurisë, kontrollorit TIMS. Përpjekjet e shumta për të rikuperuar deri të dielën paradite kanë qenë të dështuara. Por, rënia e të gjithë institucioneve nuk mund të mos shoqërohej dhe me këtë rënie të sistemit, e ta bënte Shqipërinë zonë të lirë për çdo lloj krimi.