Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një koment në lidhje me situatën e COVID-19 dhe përhapjen e gjerë në ditët e fundit te stafi mjekësor.
Në një analizë të tij për këtë lloj përhapje, Berisha rendit tre faktorë kryesorë, ku ndër më të rëndësishmit ai thekson fshehjen dhe manipulimin e të dhënave që ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë.
Komenti i plotë i Berishës:
QSUT, institucioni mjekësor nr. 1 i vendit, përfundon në bombe virale tejet të rrezikshme. Në dy ditë rezultojnë të infektuar 25 mjekë dhe infermierë dhe 8 të semurë! Kjo është shkalla më e lartë i infektimit të personelit mjekësor! Ky është një kërcënim serioz madhor për përhapjen e infeksionit të COVID-19 dhe jetën e të sëmurëve të shtruar me sëmundje të ndryshme në këtë institucion!
Strategjia e ndjekur nga kryepidemiologu xhahil i Surrelit shndërroi në bombë biologjike virale qendrën më kryesore mjekësore të vendit, e cila duke qenë e vetmja e këtij lloji në Shqipëri duhej mbrojtur në mënyrën më të sigurtë.
Shpjegimet e këtij zhvillimi tejet negativ me gjoja një infermiere të infektuar apo një paciente të infektuar, përgjegjëse për shndërrimin e QSUT në bombën biologjike me rrezikshmëri të lartë, janë thjesht përralla me mbret, mashtrime vulgare.
E vërteta është se zbulimi vetëm në 48 orë në QSUT i 25 mjekëve dhe infermierëve dhe 8 pacientëve të infektuar me COVID-19 nuk është rastësi as dhe reçente.
Shkaqet e këtij zhvillimi dramatik janë:
1 – Fshehja dhe manipulimi i të dhënave për epideminë e COVID-19 nga Sulltan Salep Surreli. Që nga fundi i marsit, qytetarë dixhitalë në mënyrë të përsëritur kanë informuar se COVID-19 ishte i përhapur në QSUT, por kjo fshihej duke refuzuar bërjen e testeve me urdhër të kryepidemiologut xhahil të Surrelit.
2 – Situata kontagioze në QSUT u krijua nga ndrikull Hajni Maska, që me vendosjen e mjediseve për trajtimin e rasteve me COVID-19 në Urgjencën e këtij spitali, gjë që u dënua me forcën më të madhe tek qytetari dixhital nga mjekë të asaj qendre, në fb!
3 – Lënia pa mjetet mbrojtëse të punonjësve dhe të sëmurëve në pavionet e këtij spitali ndaj COVID-19 për shkak të vjedhjeve të shfrenuara me blerjen e maskave, kostumeve madje edhe të skaduara, mungesën e ujit, sapunit, dezinfektantëve në pavione, siç është denoncuar me zë dhe figurë nga pacientë të shtruar, madje edhe me COVID-19.
Kështu që mund të thuhet se kemi të bëjmë me një bombë virale të paralajmëruar. Por shndërrimi i QSUT në një bombë virale, përbën një kërcënim madhor dhe një problem tejet serioz për vendin.
Së pari, të infektohen në dy ditë 25 punonjës, mjekë dhe infermierë, shënon në proporcion një rekord botëror në ritmin e infektimit të bluzave të bardha. Me këtë rast iu uroj të gjithë mjekëve dhe infermierëve të infektuar, shërim të shpejtë dhe të plotë.
Së dyti, QSUT është qendra spitalore në të cilën shtrohen qindra e qindra të sëmurë të të gjitha moshave për sëmundje nga më të ndryshmet, të cilat në tërësi përbëjnë faktor madhor rrisku për mbivendosjen e COVID-19 dhe prognozën e të infektuarëve.
Përhapja e epidemisë si dhe fshehja e kësaj përhapjeje në QSUT janë me pasoja vërtet tejet serioze. Vetëm paraliza e punës së këtij institucioni do të kushtonte shumë e shumë jetë njerëzish.
Duke dënuar edhe një herë me forcë si përgjegjësin më kryesor, Edvin Hajdutin, për shndërrimin e QSUT në bombë tepër të rrezikshme virale, kërkoj testimin urgjent dhe të plotë të të gjithë punonjësve dhe të sëmurëve, akt ky i domosdoshëm për të pasur sa më të qartë gjendjen reale të përhapjes së COVID-19 në këtë qendër.
Natyrisht, këtë nuk mund ta lejojë kryepidemiologu xhahil i Surrelit. Ai ka zgjedhur në krye të radhës mashtrimin, manipulimin e statistikave, me testet, rezultatet e tyre, rastet e infektuara, gjë të cilën e dëshmon kurba sui generis dhe gazi i botës i ecurisë së pandemisë.
Por e garantoj se e gjithë përgjegjësia për shndërrimin e QSUT në bombë biologjike tejet të rrezikshme, do të bjerë personalisht mbi të.