30 mjekët e infermierët shqiptarë që udhëtuan drejt zonave të ‘nxehta’ të Italisë, për të luftuar kundër pandemisë së COVID-19 dhe fjalimi prekës i Kryeministrit Rama në momentin e përcjelljes bëri xhiron e medieve në të dyja anët e detit Adriatik.
Pati shumë falënderime dhe mesazhe mirënjohje, madje edhe nga vete Kryeministri italian Xhuzepe Konte, por duket se ky udhëtim i këtyre 30 mjekëve dhe infermierëve nuk u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ishte fillimisht gazeta italiane “Corriere Della Sera” që raportoi dje për një gjobë ndaj stafit mjekësor shqiptarë, e cila ndihmoi kundër pandemisë së koronavirusit në Breshia, të cilët kishin thyer rregullat e hotelit, duke organizuar festa me muzikë dhe alkool. Lajmi i medieve italiane që u shpërnda edhe në Shqipëri me një shpejtësi të madhe, fliste për një sjellje të papërgjegjshme të stafit mjekësor shqiptar, të cilët kishin organizuar disa herë festa me muzikë dhe alkool në një nga dhomat e hotelit, por për më tepër kishin shqetësuar edhe klientët e tjerë.
Pas këtij lajmi, gazeta “Panorama” kontaktoi me hotelin, ku mjekët dhe infermierët qëndruan për 1 muaj. Nga hoteli “Regal”, ku qëlloi që recepsionistja të ishte shqiptare na u dhanë mundësia që të flisnin edhe me drejtorin, Luca Andriani. Ky i fundit na tregoi gjithë historinë se si kishte filluar prej disa ditësh dhe ishte përmbyllur me mbërritjen e Policisë italiane, që mori edhe masat përkatëse kundrejt.
Andriani tregoi për gazetën se kishte pasur shqetësime të vazhdueshme nga 30 shqiptarët që ishin akomoduar në hotelin e tij që prej fundit të muaj mars. Në bisedën telefonike, drejtori i hotelit “Regal” theksoi se ndihet mirënjohës për kurajën e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, të cilët shkuan në Itali për të ndihmuar në luftën ndaj COVID-19, por shtoi se shkelja e rregullave dhe sjellja e pahijshme rrëzon gjithë sakrificën.
Kemi parë lajmin që u publikua në mediet italiane për mjekët shqiptarë që erdhën për të ndihmuar në vendin tuaj. Mund të na tregoni se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në hotelin që ju drejtoni?
Luca Andriani: Për fat të keq, qëndrimi i mjekëve shqiptarë këtu në hotelin tonë nuk shkoi dhe aq mirë. Dhe këtu e kam fjalën te sjellja, pasi që në momentin e parë që ata erdhën në hotelin tonë ne iu kemi treguar rregulloren e brendshme që duhej të ndiqnin. Për më tepër kishim përfshirë edhe rregullat e reja që imponohen nga pandemia e COVID-19, pra, jo grumbullime dhe takime dhe gjithmonë sipas procedurës. Unë e kuptoj shumë situatën e tyre dhe vështirësinë, por në mbrëmje mblidheshin të gjithë në një dhomë dhe një gjë e tillë, përveçse është një rrezik i shtuar për situatën e pandemisë që po kalojmë, por edhe sepse klientët e tjerë që ne kemi në hotel ankoheshin për gjithë rrëmujën dhe zhurmën që bëhej. Çdo mëngjes ne gjenim shishe birrash, uiski dhe ka pasur disa episode të tjera që më detyruan të merrja në telefon Policinë lokale dhe kjo e fundit ka bërë detyrën e saj. Rregullat e vendosura për të parandaluar pandeminë duhet të respektohen edhe nga mjekët.
Pra, thyerja e rregullave dhe festat nuk kanë ndodhur vetëm 1 natë?
Luca Andriani: Jo. Ishte një sjellje që u përsërit disa herë. Ishin të paktën 4 herë, rastet kur ne kemi kapur përmes kamerave të sigurisë festa dhe grumbullime në një dhomë, ku pinin këndonin dhe kërcenin apo edhe hidhnin sende nga ballkoni. Madje, kishte shumë raste kur i harronin maskat në restorant dhe kjo sjellje ishte e gabuar.
Kur erdhi Policia çfarë ndodhi, është e vërtetë që ka pasur një përplasje?
Luca Andriani: Kur erdhi Policia u njoh me situatën që ndodhte dhe pa që ishin 8 veta në një dhomë, të paktën kjo për natën e fundit para se të largoheshin. Konstatoi festat që bënin, por edhe grumbullimet për të pirë cigare. Disa nga këto veprime në një kohë normale, janë gjëra që mund të bëhen, por në këtë periudhë emergjence që jemi duke kaluar, nuk mund të bëhen. Kur erdhi Policia iu komunikoi se nuk mund të qëndrojnë në një dhomë 8 vetë, duke festuar dhe duke pirë. Por më pas, dy nga pjesëtarët e grupit ngritën zërin dhe pati një lloj konfrontimi me Policinë. Por dua të nënvizoj edhe një fakt tjetër. Këtu në hotel ne kemi dy punonjës shqiptarë, të cilët shumë shpesh kanë dëgjuar të shara dhe ofendime në shqip. Ishin disa raste, kur kameriereve apo pjesëtarëve të tjerë të shërbimit i ngrinin zërin dhe iu thoshin ofendime në shqip dhe është një gjë që nuk tregon edukatë.
Në mendimin tuaj, a e ul sakrificën e bërë kjo sjellje që thoni se ka ndodhur?
Luca Andriani: Unë dua të shtoj edhe se kam vlerësim për kurajën dhe ndihmën që ata dhanë për ne në këto momente të vështira. Por e përsëris se kjo nuk mund të justifikojë një sjellje të tillë. Ata nuk zbatuan rregullat. Dhe me këtë sjellje bie çdo gjë, pasi vjen këtu për të ndihmuar në mënyrë vullnetare dhe pastaj bën një sjellje të tillë, nuk shkon. Unë e kuptoj që ata ishin të rinj dhe ndoshta pa shumë eksperiencë dhe kjo ardhje në Itali mund të ketë qenë një gjë që do e mbajnë gjithmonë mend, por sjellja nuk ishte e duhura./ ///Marre nga Gazeta Panorama