Më 2003, një koronavirus që ka vrarë një në 10 pacietë të infektuar, ka pasur origjinën në Kinë, mirëpo është shpërndarë edhe në shumë shtete tjera. Më pas, brenda tetë muajve të infektimit, ai është zhdukur papritur.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur një prej virologëve më të mirë në botë, se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.
Kur kjo fotografi ishte bërë më 29 prill të vitit 2003, bota ka qenë në mesin e asaj që kishte kërcënuar të kthehej në pandeminë e parë të shekullit 21. SARS-i ka qenë koronavirus i ri, që ka lënë të vdekur 10 për qind të njerëzve që ka infektuar, kryesisht për shkak të bllokimit të mushkërive me ujë.
Viruset mund të barten prej kafshëve në njerëz përmes inhalimit të frymëmarrjes së kafshës, ngrënies së mishit të helmuar apo shkëmbimit të lëndëve trupore, siç mund të ndodhë kur një kasap punon me dorën e plagosur.
Një bartje e tillë e infektimit në mes të gjallesave është e zakonshme, mirëpo koronavirusi që ka infektuar pacientin zero me SARS më 2002, ka zhvilluar diçka që mund të shkaktojë kërdi globale: aftësinë për të kaluar shumë lehtë në njerëz.
Teksa dhjetëra, më vonë edhe qindra persona në Kinë kanë vdekur nga sëmundja e re, Partia Komuniste në pushtet ka nisur të fshehë krizën në stilin e tragjidisë së Çernobilit. Mjekët janë shtypur derisa udhëtimet janë kryer pa kontrolle shtesë.
Më 21 shkurt të vitit 2003, mjeku kinez, Liu Jianlun, i cili fshehur ka trajtuar pacientët me këtë sëmundje, e cila më vonë ka marrë emrin SARS, ka udhëtuar nga Guangdongu në Hong Kong për të marrë pjesë në një dasmë. Pasi ka hyrë në dhomën e tij në katin e nëntë të hotelit, situata me temperaturën që ka pasur, i është përkeqësuar. Më vonë ai është shtruar në spital me simptoma të theksuara të virusit ndërkohë që shumë turistë që kanë qëndruar në Hotelin Metropol veçse ishin infektuar, me siguri si rezultat i vjelljes së mjekut Liu në hapësirat e hotelit. Ai ka vdekur më 4 mars, pasi u ka pranuar mjekëve tjerë se është përballur me një shpërthim të çuditshëm të një virusi në Kinë.
Autoritetet në Hong Kong kanë vepruar shpejt për të parandaluar përhapjen e virusit, mirëpo derisa është aktivizuar alarmi, shumë mysafirë të hotelit veçse ishin larguar dhe pa vetëdije kanë bartuar virusin në vendet e tyre.
Një grua në moshë është larguar nga hoteli për në Kanada më 23 shkurt, dhe ka përqafuar djalin e saj. Në më pak se tri javë, të dy kanë vdekur dhe Kanadaja është kthyer në një nga qendrat e përhapjes së viursit në botë.
Edhe mysafirët tjerë të hotelit nga Vietnami dhe Singapori kanë bartur virusin në vendet e tyre, duke ndihmuar në shpërthime tjera në botë. Deri në qershor të vitit 2003, të paktën 774 persona kanë vdekur nga virusi. Dhe më vonë virusi është ndalur.
Profesori i Virologjisë, John Oxford i ka thënë Radios Evropa e Lirë se arsyeja pse shpërthimi i virusit SARS më 2003 ka përfunduar me më pak se 1 për qind të vdekjeve të sëmundjes COVID-19, ka të bëjë shumë me fat.
“Mendoj se dy viruset janë shumë të ndryshme”, ka thënë Oxford.
“Ne kemi qenë shumë me fat në aspektin e virusit SARS më 2003. Nuk është përhapur as afër në përmasat e (sëmundjes Covid-19)”, ka thënë ai. Por me masa të ashpra të kufizimit, ai është ndalur në shumicën e shteteve kur është shfaqur dhe “më pas nuk ka infektuar njerzit, vetëm është zhdukur”, ka thënë ai.
Profesori Oxford ka thënë se është vështirë që të mësohet pse koronavirusi që ka shkaktuar pandeminë e fundit ka kapacitet që të përhapet kaq lehtë:
“Pse një lloj i qenit ka këmbë të shkurtra dhe një tjetër lloj i qenit ka këmbë më të gjata? Ky është evoluim. (Koronavirusi i ri) është shpërndarë shumë më shpejt, ka shkaktuar shumë infeksione pa simptoma e shumë vdekje. Ka karakteristika të ndryshme”.
Studimi i fundit në Kinë ka sugjeruar se dallimi i koronavirusit të ri nga të kaluarit qëndron të aftësia e infektimit nga një person në tjetrin edhe kur nuk ekzistojnë simptoma, ose siç ka thënë edhe profesori Oxford, bartja e infektimit pa vetëdije. Pacientët që janë infektuar me virusin SARS më 2003 kanë qenë tejet të sëmurë, andaj edhe u kanë dhënë punëtorëve shëndetësorë kohë për të izoluar pacientin e infektuar.
Cilado që do të jetë arsyeja e konfirmuar e përhapjes së koronavirusit të ri në botë, Oxford ka thënë se sëmundja Covid-19 është më dinamike sesa SARS-i i vitit 2003 që ka qenë më vdekjeprurës por më pak infekues.
“Unë dyshoj se do të vazhdojë të ketë këto karakteristika”, ka shtuar ai.
Radio Evropa e Lirë