Fiks Fare ka të sjellë fakte të reja nga denoncimi i abuzimit seksual i minorenes nga Saranda. Vajza ka regjistruar ballafaqimin me babain e saj, ku e akuzon se ai e ka rrahur dhe i ka sjellë shokët tij në shtëpi.
Në këto audio regjistrime babai rrugës për në polici, i premton vajzës se nuk do të sjellë më në shtëpi as shokët e tij dhe as Bajram Tushën. Një natë para se vajza të pyetej nga psikologu presioni i prindërve, policisë dhe Bajos ndaj saj, ishte shumë i madh.
Vajza ka regjistruar babain kur e rreh pasi ajo i kërkon të nxjerrë nga shtëpia Bajon. Bajo, siç e thërrasin ata Bajram Tushën, qëndron në shtëpinë e tyre deri në orët e para të mëngjesit. Në momentin kur vjen policia, inspektori i zonës Bujar Nikolla i kërkon të largohet madje dëgjohet t’i thotë se ai duhet të ikë pasi nuk lejohet që të ketë armë. Armë me të cilën Bajram Tusha dëgjohet që të qëllojë para se të vinte policia.
Policia u njoftua nga babai i vajzës pasi ai dyshonte se djali Denito Ruçi, i dashuri i vajzës ishte shumë afër më shtëpinë dhe mund të rrëmbente vajzën. Gjatë kohës që Tusha qëllon me armë, dëgjohet se babai e inkurajon atë, madje i thotë që ta qëllojë “qenin” duke ofenduar me fjalë banale.
Pasi policia vjen në banesë, prindërit e mbyllin vajzën brenda shtëpisë dhe nuk e lejojnë atë që t’i takojë ata vetëm. Vajza i përgjërohet policëve që ta dëgjojnë, por ata i thonë se nëse nuk pushon do ta dërgojnë në spital dhe se djalin do ta fusin në burg. Vajza ndihet shumë e frikësuar dhe gjatë gjithë kohës dëgjohet të bërtas dhe të kërkojë ndihmë. Njëri nga policët i kërkon asaj të dalë në dritare. Kur polici afrohet, vajza i flet me një zë shumë të ulët, pas kësaj dëgjohet nëna e cila i ulëret duke thënë “Mos e beso, mos e beso sepse të gënjen”.
Në këto audio, kuptohet se vajza është nën presionin e vazhdueshëm të prindërve të cilët duan me çdo kusht ta largojnë nga djali. Më i “devotshëm” duket të jetë Bajram Tusha i cili edhe pasi vjen policia nuk pranon të ikë në shtëpinë e tij, pasi sipas tij duhet të ruaj vajzën.
Kur vajza ballafaqohet me të atin. Babai i lutet vajzës te heq dorë dhe i premton se nuk do të sjellë asnjë nga shokët e tij në shtëpi. Sidomos Bajon “Bajon s’ta sjell” i thotë ai. Gjatë kësaj kohe në bisedë futet edhe e ëma e cila pranon që babai e ka rrahur vajzën. Në një moment ai i rrëmben vajzës telefonin pasi sipas saj dyshoi se ajo ishte duke regjistruar. Vajza dëgjohet të ulërasë, të kërkoj ndihmë dhe e quan atë “pedofil i dreqit”
Situata në këtë familje duket të qetësohet vetëm në orët e para të mëngjesit, kur policia i thotë vajzës që nëse ajo nuk rri urtë, atëherë atë do ta çojnë në spital dhe sipas tyre me këtë sjellje ajo do të marrë në qafë edhe djalin, të dashurin, i cili do të përfundojë në burg.
Hetimi i prokurorisë
Pas marrjes së deklaratës së djalit, dhe pyetjes së vajzës nga psikologu, që në orët e para të hetimit prokuroria nxorri urdhër arresti për Bajram Tushën. Gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se ka kryer marrëdhënie me vajzën, por kjo nuk ka qenë kundër dëshirës së saj. Nën hetim nga prokuroria vazhdojnë të jenë edhe tre persona të tjerë, ndër ta dyshohet të jetë edhe babai i minorenes.
Pas këtyre ngjarjeve, brenda pak orësh Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve në bashkëpunim me prokurorinë nxorrën një urdhër mbrojtje për vajzën. Pas përfundimit të proçedurave ajo u dërgua menjëherë në një qendër rehabilitimi në Tiranë, ku edhe ndodhet aktualisht.
Gjykata e Rrethit Sarandë ka vlerësuar si të vlefshëm arrestin e Bajram Tushës, masa e arrestit me burg është lënë në fuqi. Por pavarësisht këtyre fakteve prindërit e minorenës kanë bërë disa deklarata në media, ku akuzojnë për Denito Ruçin si manipulator dhe përdhunues të vajzës së tyre. Ata kanë kërkuar lirimin e Bajram Tushës, si i pafajshëm, edhe pse ky i fundit gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar të ketë kryer marrdhënie me minorenen./TopChannel