Ngjarja e rëndë që ka goditur Kosovën pasditen e së enjtes, ku vëllai ka vrarë me armë zjarri e më pas ka djegur vëllain, po dyshohet se ka ndodhur për shkak të disa parave që viktima kishte sjellë nga Zvicra në Kosovë.
Pas gati dy muajve kur ishte shpallur i zhdukur, 64-vjeçari nga fshati Bërnjak i Rahovecit, u gjet i djegur nga vëllai i tij 59-vjeçar.
Si shenjë identifikuese u gjetën eshtrat e të ndjerit, të cilat policia i gjeti në oborrin e vëllait të tij, i cili tashmë edhe e ka pranuar se ka vrarë me armë zjarri vëllain e më pas e ka djegur trupin e tij të pajetë.
E krejt kjo ngjarje e rëndë, po dyshohet se ka ndodhur për shkak të të hollave që viktima kishte sjellë nga Zvicra në Kosovë. 35 mijë franga e 8 mijë euro ka gjetur policia gjatë bastisjes, e të cilat dyshohet se janë të viktimës.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express Drejtori i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta.
“Dyshohet se vrasja është kryer për motive me qëllim përfitimin. Viktima ka pasur me vete një shumë të parave, dyshohet se i dyshuari ka qenë në dijeni për ato të holla dhe ky është motivi. Gjatë bastisjes, policia ka gjetur rreth 35 mijë franga dhe 8 mijë euro, që dyshohet se janë të viktimës. Trupi i pajetë pas vrasjes dyshohet se është djegur në oborrin e shtëpisë se të dyshuarit”, ka deklaruar Graishta.
Ndërkohë, se i ndjeri kishte pasur të holla me vete kur kishte ardhur në Kosovë, policisë i kishte treguar edhe bashkëshortja e tij.
Në mungesë të kontaktit me bashkëshortin, gruaja erdhi nga Zvicra në Kosovë, për të ditur se ç’po ndodhte me fatin e burrit të saj. Ajo e kishte shpallur të zhdukur burrin e saj më datën 14 shkurt.
Por personi i zhdukur tashmë u lokalizua, por si i vdekur. Ngjarjen e rëndë e ka zbuluar Policia e Kosovës, e cila përmes analizave të ADN-së arriti të gjejë pjesë të djegura kockore të cilat nga forenzika janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Këto kocka janë gjetur në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit.
Por, pasi e kishte vrarë me armë zjarri vëllain, 59-vjeçari ishte kujdesur që të zhdukte gjurmët e krimit.
Ai kishte ndezur një zjarr të madh, i cili i kishte rënë në sy edhe policisë, të cilët kishin shkuar në vendin e ngjarjes. Por, i dyshuari e kishte kamufluar krejt ngjarjen, duke djegur edhe mbeturina, e kështu e mashtroi edhe policinë, duke deklaruar se po e pastron oborrin dhe po i djeg mbeturinat.
Por, pas ballafaqimit me provat, i dyshuari e pranoi se e ka vrarë me armë zjarri e më pas e ka djegur vëllain.
Ndërkaq, edhe Prokuroria e Gjakovës ka dhënë detaje për këtë krim.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është arrestuar dhe më pas është ndaluar personi me inicialet G.K. nga fshati Bërnjak i Rahovecit, i cili sipas hetimeve të para dyshohet për veprën penale “Vrasja e rëndë” të vëllait të tij, personit me inicialet B.K., i cili pasi që kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, fillimisht ishte paraqitur i zhdukur nga familjarët e tij, që nga data 14.02.2020.
Me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, me dyshimin e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe ndaj tij, brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë./GazetaExpress/