Ish-presidenti Alfred Moisiu ndihet i befasuar nga botimi i kujtimeve të Kadri Cakranit, ish-kryekomandantit të forcave të Ballit Kombëtar gjatë Luftës, për faktin se aty përmendet me keqdashje emri i babait të tij, Spiro Moisiut.
Moisiu thotë për Dita: “Unë nuk kam nevojë të më tregojë ndokush se kush ka qenë im atë. Aq më tepër kur këtë e bën një kundërshtar politik dhe kolaboracionist me pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sepse unë dhe jo vetëm unë, e dimë fare mirë se kush është Kadri Cakrani.
E kam jetuar kohën kur ai ka qenë Komandant i forcave të Ballit Kombëtar dhe ka qenë bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë. Mjafton të kujtojmë se ai është autor i masakrës së tmerrshme të 4 shkurtit 1944 në Tiranë, kur u vranë 84 qytetarë të pafajshëm. Përpjekja për ta kthyer këtë kriminel në figurë pozitive është krejt e kotë, qoftë edhe duke botuar disa fragmente kujtimesh të tij pas kaq shumë vjetësh nga ajo luftë.
Duket se ka një prapavijë të qartë dhe të organizuar mirë për ta kthyer historinë tonë përmbys…” Në vijim, duke u ndalur tek fragmenti i kujtimeve të Kadri Cakranit, të botuar më 27 prill, zoti Moisiu thekson:
“Mendoj se duhet sqaruar këtu një problem. Kujtimet e Cakranit janë shkruar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, (nuk e di kur, pasi ai u arratis si kriminel lufte dhe vdiq si i tillë në mërgim) por ajo që është evidente dhe e kapshme nga të gjithë është se në ato gjoja kujtime janë shprehur inatet dhe mllefet e humbësve ndaj atyre që e fituan Luftën në Shqipëri.
Për të nxjerrë konkluzione në këto raste, përsa i përket figurave historike si ajo e Spiro Moisiut, gjykoj se duhen shikuar shumë burime dhe jo vetëm se çfarë ka shkruar një person, i kujtdo krahu qoftë, pa le kur ato thuhet se i ka shkruar Kadri Cakrani.
Bashkëlidhur po ju dërgoj pjesët nga libri im i parë i kujtimeve, që bëjnë fjalë për periudhën kur Spiro Moisiu ka qenë si Drejtor i Burgut të Fierit, në vitin 1935, në kontekstin e të cilave e përmend K. Cakrani.
Pjesë të nxjerra nga libri “KUJTIME”(vëllimi i parë) nga Alfred Moisiu, botim i vitit 2008 (faqe 21-24) Më 14 gusht 1935, u zhvillua kryengritja e Fierit. Atë ditë im atë nuk ndodhej në shtëpi. Ai kishte shkuar me shërbim në Berat. Që në mëngjes herët, u zgjuam nga të shtënat.
Dajë Toçi (daja im i vogël), i cili ndodhej tek ne prej disa kohësh, menjëherë shkoi tek porta për të parë se çfarë po ndodhte, ndërkohë dhe unë shkova pas tij. Daja më tha që flitej, se në qendër të qytetit ishte vrarë një gjeneral (bëhej fjalë për gjeneral Gjilardin, me origjinë hungareze, të cilin Zogu pas ardhjes në fuqi e kishte sjellë nga Austria, si këshilltar) dhe se po zhvilloheshin veprime kryengritëse kundër mbretit. Gjithë ditën qëndruam të mbyllur në shtëpi duke u marrë me fqinjët, të cilët njëri pas tjetrit (sipas rregullit të telefonit të prishur) dërgonin njoftime nga më të ndryshmet. Kështu kaloi e gjithë dita.
Të nesërmen u mor vesh se trupat kryengritëse, kishin shkuar deri në Lushnje, por atje ishin thyer nga forcat ushtarake të dërguara nga Mbreti. Pasi u shtyp kryengritja, filluan arrestimet e të dyshuarve.
Burgu i Fierit u mbush plot me të arrestuar, të implikuar në veprimet kryengritëse. Interesante ishte se ruajtjen e burgut dhe në tërësi, drejtimin e veprimeve në burg ia ngarkuan ushtrisë, ndërsa babai im, i cili deri në atë kohë kryente detyrën e komandantit të batalionit të këmbësorisë rezervë “Tomorri”, u emërua drejtor i burgut. Në atë kohë ai kishte gradën kapiten i I-rë.
Besimi ndaj ushtrisë u rrit më shumë, për faktin se xhandarmëria e Fierit mori pjesë në kryengritje. Pas procesit gjyqësor, njëmbëdhjetë xhandarë dhe nënoficerë të tyre u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan. Ajo që vlen të përmendet është se në burg ishin edhe disa shokë të ngushtë të tim eti, të cilët unë i njihja mirë, sepse vinin shpesh në shtëpinë tonë për të luajtur poker deri natën vonë. Njëri nga ata ishte edhe togeri i xhandarmërisë.
Përveç tij, ishte edhe Mustafa Kaçaçi, i cili në atë kohë punonte në post-telegrafën e qytetit.
Mustafa Kaçaçi ishte një element me prirje të majta. Gjatë kohës së Luftës së Dytë botërore ai u bë eksponent i dëgjuar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare, veçanërisht në rrethin e Krujës, prej edhe nga ishte. Mustafai u vra në vitin 1944, në luftimet për çlirimin e Krujës. Bashkë me ta, vinte edhe një tjetër, të cilin nuk mund ta them me saktësi kush ishte, por në rast se nuk gabohem ishte një farmacist. Im atë tregonte disa histori të çuditshme për ato kohëra.
Disa prej tyre i përsëriste edhe më vonë. Kështu, kur përgatisnin për gjyq të arrestuarit, ndodhte që të lidhnin me pranga bashkë me bejlerët edhe ndonjë arixhi ose evgjit, të cilët gjithashtu ishin arrestuar sepse kishin marrë pjesë në kryengritje. Kur familjarët e tyre i shikonin, veçanërisht pasi u ishte dhënë dënimi me vdekje, ngashëronin nga dhimbja.
Ata, duke kaluar rrugës të shoqëruar, u thoshin njerëzve të tyre të mos qanin sepse, ishte nder të vdisje duke qënë i lidhur së bashku me një bej! Është e çuditshme, të mendosh se si është e mundur që humori njerëzor edhe në momentet më kritike të jetës së njeriut, jo vetëm qëndron i gjallë, por është edhe inkurajues. Aty shfaqen pikërisht edhe disa ndjenja që tregojnë se njeriu gjithmonë, edhe në rastet më të vështira, gjen forca humori për t’i dhënë kurajo vetes dhe të tjerëve. Bashkëkohësit tregojnë se Spiro Moisiu me të arrestuarit sillej në mënyrë njerëzore, duke u përpjekur të kryente detyrën e tij shtetërore.
Kjo ndodhte jo vetëm për arsye të ndjenjave humane dhe demokrate që e karakterizonin si njeri, por edhe për faktin se im atë kishte mes tyre edhe shokët e tij, me të cilët ndante mendimet përparimtare dhe atdhetare.
Mënyra dinjitoze e sjelljes së tim eti ndikoi së tepërmi në qëndrimet dhe veprimet brenda normave etike të oficerëve dhe ushtarëve të tij gjatë ushtrimit të detyrave të caktuara.
Kështu në librin e tij “Burgu”, botim i vitit 1935, Haki Stërmilli shkruan: “Ushtarët e gjindarmët ashtu edhe graduatët që janë ngarkue me shërbimin e rojes s’onë, janë skrupulozë në të kryemit e detyrës, por njëkohësisht të njerëzueshëm dhe gjentilë. Urdhnat e eprorëve i venë në zbatim pikë për pikë dhe detyrën e kryejnë pa as ma të voglën mungesë, por gjithmonë tue mbajtë një sjellje fisnike kundrejt nesh.” (faqe-308). Më poshtë po në atë libër thuhet: “Edhe këtu, megjithë që në kthinë mbrenda, na lidhën dy nga dy me kllapa hekuri dhe kështu do të qëndrojmë gjithnji. . .
Mbas lutjeve që i bamë aspirant Selim Kërlukut dhe ma vonë kapiten Z. Spiro Moisit na i hoqën kllapat e hekurta që na mbajshin të lidhun dy nga dy. Me këtë mënyrë mbaroi ajo robni e dyfishueme që vazhdoi nja dy orë.” (faqe-317). Në vitin 1988, kur isha për ngushëllim tek Tahir Minxhozi, me rastin e vdekjes së nënës së tij, më tregoi që Mustafa Kaçaçi, gjatë luftës i kishte thënë se kur ishin të burgosur në burgun e Fierit, gjykata ushtarake kishte dënuar me vdekje 25 vetë. Të gjithë të dënuarit me vdekje mbaheshin në një dhomë të madhe, veç nga të tjerët.
Gjatë inspektimit të radhës, Mustafai, me marifet, i thotë Spiros që të krijonte mundësinë për të gjithë që të linin porositë e fundit për të afërmit dhe shokët. Veçanërisht, kishte rëndësi t’u dërgoheshin mesazhe atyre që mundën të shpëtojnë pa u arrestuar dhe gjykuar. Atëhere Spiro Mosiu, krijoi një truk. Thërriti një nga kapterët dhe i tha që një nga të burgosurit, të dërgohej në qelinë e të dënuarve me vdekje. Kapteri iu përgjigj: -“Zoti kapiten, ai nuk e ka vendin aty”.
Kapiten Spiro ia ktheu: -“Hajt se e di unë këtë, zbato urdhërin”. Kuptohet që kapteri pas kësaj duhej të zbatonte urdhërin e kapitenit. Personi që u fut në dhomë ishte i besuari i Mustafait dhe të burgosurve tjerë. Pikërisht ai, më vonë mundi të dërgonte mesazhet në vendet e caktuara.
Pasi personi në fjalë u la disa orë në qelinë e të dënuarve me vdekje, Spirua shkoi rishtas në qeli dhe kur e pa të burgosurin midis të dënuarve me vdekje dhe pasi mori sinjalin nga Mustafai se gjithshka ishte në rregull, thërriti kapterin dhe me tërsëllimë i tha se çfarë donte ai person në atë qeli?! Pastaj u dha urdhër që menjëherë ta largonin. Kapteri i habitur nga këto veprime e dërgoi të burgosurin në vendin e tij. Në këtë mënyrë u realizua dërgimi i mesazheve jashtë burgut në destinacionet përkatëse. Këtë ngjarje e kisha dëgjuar edhe nga im atë.
Më vonë Mbreti Zog, i ndodhur nën presionin ndërkombëtar, i fali të dënuarit me vdekje, duke i zëvendësuar vendimet kapitale me burgime të ndryshme. Nga të dënuarit me vdekje, u ekzekutuan me pushkatim vetëm xhandarët si dhe Hekuran Maneku, i cili u ekzekutua me varje. Ai ishte i pa rëndësishëm dhe nuk krijonte probleme.
Në të njëjtën kohë, Mbreti u tregua rigoroz ndaj atyre që ngritën krye kundër shtetit. Të mjerin Hekuran, e lanë gjithë ditën varur në mes të Fierit, në mënyrë që ta shikonin të gjithë. Ishte hera e parë në jetën time që shikoja një të varur. Sigurisht për moshën që kisha, më bëri mjaft përshtypje dhe më erdhi shumë keq për atë njeri./Tpz.al