Kjo që shihni, është pema gjenealogjike që rrjedh nga Konstandin Shallvari, e deri te stërnipërit. Konstandini, i trashëgoi djalit të tij Miltjadhit një çiflig me rreth 3500 hektarë tokë, me shtrirje nga grykëderdhja e lumit Erzen në Rrushkull, e deri në hidrovorin e Hamallajt, afër fshatit Bizë. Çifligu shtrihej në 8 kilometër vijë bregdetare siç duket nga matjet në hartë.
Familjet trashëgimtare Konomi, Veveçka, Goxhomani dhe Mima, prej vitit 1993 janë interesuar për kthimin e tokave. Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qarku Durrës dhe Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë refuzuan kërkesat. Në këtë kohë, gjyqtari Skerdilajd Konomi, përgatiti betejën juridike dhe iu drejtua Gjykatës përmes avokatëve.
“Skerdi tregoi një personalitet, në ushtrimin e detyrës, profesionalizëm, kam dëgjuar vetëm fjalë pozitive”, tregon Gerd Hoxha, gjyqtar.
Me vendimin numër 2653, të dates 5.10.2009, gjykata pranoi kërkesën e Ana Veveçkës, Fotaq Konomit, Vasillaq Goxhomanit, Elena Mimës, Polikseni Mimës dhe Marjeta Mimës.
Familjeve, iu njihej e drejta e pronësisë për një hapësire prej 157.59 hektarësh tokë në zonën kadastrale 1925 që shtrihej buzë detit Adriatik. Nga kjo pronë, kthehej në natyre 150.75 hektarë dhe kompensohej 6.84 hektarë.
Së dyti, trashëgimtarëve u njihej pronësia për një hapësirë tjetër prej 164.7 hektarësh në zonën kadastrale 1925 në Hamallaj. Nga kjo sipërfaqe u kthehej në natyre 150.54 hektarë ndërkohë 14.42 hektarë kompensohej.
Së treti, familjeve u njihej e drejta e pronësisë për një hapësirë prej 2229.41 hektarësh tokë në zonën kadastrale 3241 në Rrushkull që kishte si kufi grykëderdhjen e lumit Erzen. Nga kjo hapësirë, u kthehej në natyrë plot 826.35 hektarë ndërkohë kompensoheshin për 140.3 hektarë.
Në total, bëhej fjalë për një hapësirë marramendëse tokësore prej 1.127 hektarësh, një pronë në bregdet me vlerë dhjetëra miliona euro. Pjesa tjetër që u ishte ndarë fshatarëve të zones në bazë të ligjit 7501 nuk mund të rikthehej.
Por, cili ishte historiku i pronësisë së asaj toke që ka një konflikt 100-vjeçar?
Pronari i tokës Miltiadh Shallvari, i cili e trashëgonte nga babai, ndërron jetë në 17.05.1933. Nga regjistri i pasurive të paluajtshme të vitit 1940, rezulton se prona ishte regjistruar në emër të bashkëshortes së tij italo-kroate Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo sipas një testamenti të lënë nga Miltjadhi në datë 08.05.1929.
Në vitin 1940, në regjistrin e pasurive të paluajtshme regjistrohet një procesverbal heqje dorë nga pjesa e trashëgimisë në favor të Ljubicës nga Edita Shallvari e Nikolo Shallvari, përkatësisht motra dhe vëllai i Miltiadhit. Pra, gruaja italo-kroate bëhej pronarja e vetme. Në fakt nuk ishte përjashtuar nga pronësia Pinelopi Shallvari, motra tjetër e Miltiadhit e cila kishte ndërruar jetë para këtij të fundit.
Pikërisht trashëgimtarët e saj, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqi Goxhomani dhe Ariadhni Konomi, e kanë kundërshtuar testamentin duke ngritur padi në Gjykatën e Paqit Durrës që në vitin 1934, gjykim i cili ka përfunduar me vendimin nr.52, datë 02.03.1946. Vendimi i vitit 1946, i njihte ankuesit bashkëpronarë të çifligut sipas pjesëve takuese. Ky vendim konkludoi se testamenti ishte i pavlefshëm pasi Miltiadh Shallvari, kishte probleme mendore në momentin e nënshkrimit. Ky dokument me rëndësi që anoi gurin e peshores nga fitorja e Konomit me familjet e tjera, u atakua nga Avokatura e Shtetit që depozitoi padi në prokurori për falsifikim.
Pretendimi ishte se faqja e tretë e vendimit të shkurtuar, është e shkruar me makinë të ndryshme shkrimi nga dy faqet e para. Prokurori Drini Pali, nga verifikimi që kreu me vendimin origjinal në arkivin e gjykatës, konkludoi se kopja e paraqitur në procesin gjyqësor ishte e njëjtë me atë në arkivë. Përmes vendimit të marrë në 12 Prill të vitit 2010, që Top Story disponon, prokurori vendosi mosfillimin e procedimit penal.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, u rrëzua në Apel me vendimin numer 210, datë 14.05.2010, duke i mohuar edhe njëhere të drejtën e pronësisë trashëgimtarëve të Shallvarit. Çështja shkoi në Gjykatën e Lartë e cila në 14 qershor të vitit 2011 riktheu në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Pak muaj më vonë, më 9 Shtator të vitit 2011, ende pa marrë në dorë vendimin e zbardhur për marrjen e pronave, Skerdilajd Konomi ekzekutohet barbarisht. Kur çështja u be publike me vrasjen e tij, Gjykata nxitoi të zbardhë vendimin pas 3 muajsh vonesë.
Marrë nga Top Story.