Presidenti Ilir Meta ka kthyer sot në Kuvend ligjin për ‘statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve’. Sipas tij, ky ligj shkel sigurinë juridike dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Njoftimi i Presidentit:
4 Mars 2020 Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 15/2020 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit
D E K R E T
PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 15/2020 “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 96/2016, ‘PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’, TË NDRYSHUAR”’
Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
D e k r e t o j
Kthimin për rishqyrtim në Kuvend, të ligjit nr. 15/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”’ për rishikim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
Nr. Dekretit 11444
Tiranë, më 02.03.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Argumentat e kthimit të ligjit nga Presidenti:
Të nderuar deputetë,
Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 12 shkurt 2020, ka miratuar ndër të tjera dhe ligjin nr. 15/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ky ligj me shkresën me nr. 664 prot, datë 14.02.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Sipas dokumentacionit parlamentar rezulton se projektligji i paraqitur Kuvendit për shqyrtim është iniciuar nga një grup deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të njëjtët deputetë të mazhorancës (Adnor Shameti, Alket Hyseni dhe Edmond Leka) që kanë propozuar edhe nismën antikushtetuese që ka marrë numër ligji 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit të praktikës parlamentare (relacionit shoqërues të projektligjit, Raportit të Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut), edhe ky ligj synon ndryshimin e rregullimeve ligjore për kryerjen e ceremonisë publike të betimit, si dhe ndryshimin e procedurës së pezullimit të magjistratit, përmes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkaqe që lidhen me verifikimin e pasurisë së tij. Pavarësisht se disa prej dispozitave janë rishikuar me ndryshimet fundit, të miratuara vetëm në Korrik të vitit 2019 për shkak të vakumit ligjor të krijuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 34/2017, propozimi nëpërmjet riformulimit të tyre (si neni 152 i ligjit) deklarohet se justifikohet me nevojën që ka lindur për shkak se hetimet disiplinore mund të zgjasin deri në një vit.
Para së gjithash, Presidenti e mirëpret shtesën e bërë përmes nenit 1 të ligjit nr. 15/2020, që duke saktësuar shtesën për vështirësi pune për magjistratët që ushtrojnë funksionin pranë Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndikojnë në forcimin e statustit të tyre, si mjet për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 15/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe konstaton se nenet 2, 4, 5, dhe 8 të tij, bien në kundërshtim me nenet 7, 42, 116, 140, 145, 147/a dhe 147/d, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Për këto arsye, këto dispozita duhen rishikuar, së bashku me dispozitat e tjera të ligjit që lidhen procedurialisht dhe materialisht me to.
Konkretisht, këto dispozita, të miratuara në mungesë të një konsultimi gjithëpërfshirës, shkelin:
1) Parimin e sigurisë juridike;
2) Parimin e pavarësisë dhe paanësisë së gjyqësorit;
3) Parimin e hierarkisë së normave kushtetuese dhe rezervën kushtetuese;
4) Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu, në tërësi ky ligj, karakterizohet nga një teknikë e dobët legjislative, që i bën dispozitat konfuze dhe të paqarta. Ky element, ndërthurur me antikushtetutshmërinë e parashikimeve, cenon akoma më rëndë parimin e sigurisë juridike.
Për arsyet, që do të parashtrohen në vijim, në bindje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës së parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, si Presidenti i Republikës kam vendosur që ligji nr. 15/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, i duhet kthyer Kuvendit, për rishqyrtim.
I. Parashikimi i nenit 2 të ligjit nr. 15/2020, që shton pikën 3, në nenin 37 të ligjit nr. 96/2016, si dhe parashikimi i nenit 4 të ligjit nr. 15/2020, që bën shtesa dhe ndryshime në nenin 61 të ligjit nr. 96/2016 mbi procedurën e betimit, shkel disa parime dhe dispozita të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke nisur nga neni 136 i Kushtetutës.
1. Parashikimi i një alternative të ceremonisë së betimit, duke synuar që betimi me shkrim jo në prani të një autoriteti të lartë shtetëror dhe dërgimi/postimi i tij, të kthehet në një rregull të përgjithshëm, synon të deformojë rëndë këtë institut, që tregon përgjegjshmërinë, ndërgjegjshmërinë dhe angazhimin e subjektit që merr një detyrë të rëndësishme.
2. Synimi për ta kthyer këtë përjashtim nga rregulli, pra betimin individual me copa letre, jashtë institucionit të njohur nga ligji, në rregull të përgjithshëm, e tregon edhe neni 3 i ligjit nr. 15/2020, që në nenin 38, pika 2, të ligjit nr. 96/2016, duke parashikuar që pjesë e dosjes personale të magjistratit të bëhet edhe “akti i betimit sipas pikës 3 të nenit 37 të këtij ligji”, tinëzarisht e kthen këtë formë betimi (pra mos thirrjen e tij para Këshillit por dërgimin e aktit të betimit të nënshkruar) në një rregull të përgjithshëm. Përndryshe, nuk ka pse dispozita e nenit 38, pika 2, të ligjit, të rendisë në aktet që administrohen në dosjen personale të magjistratit, aktin e betimit vetëm kur nuk e thërret Këshilli. Dispozita, që ka për qëllim të parashikojë elementët që duhet të përmbajë dosja personale e magjistratit, mund dhe duhet të kishte parashikuar pa referencë ligjore, si pjesë të dosjes, thjesht aktin e betimit të bërë para autoritetit që kërkon dhe nënkupton Kushtetuta, dhe të nënshkruhet rregullisht gjatë ceremonisë së betimit në prani të tyre.
3. Ndryshimet e bëra në nenin 61 të ligjit nr. 96/2016, përmes nenit 4 të ligjit nr. 15/2020, krijojnë diferencim mes momentit të nisjes së detyrës për anëtarin e Gjykatës së Lartë që zgjidhet mes juristëve të spikatur dhe atyre që vijnë nga rradhët e gjyqësorit. Gjykata e Lartë, pas ndryshimeve kushtetuese është kthyer në një Gjykatë Ligji, sipas nenit 141 të Kushtetutës, dhe pavarësisht mënyrës së përzgjedhjes apo emërimit në të, gjyqtarët që marrin detyrën në këtë Gjykatë, duhet të betohen njësoj, para nisjes së ushtrimit të këtij funksioni. Çdo parashikim i ndryshëm ligjor, krijon ndasi edhe mes vetë anëtarëve që marrin detyrën.
4. Ky parashikim, sa i përket prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, zhbën praktikën e mirë të deritanishme, kur që nga nisja e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurorët e saj janë betuar rregullisht para Presidentit të Republikës.
4.1 Në 19 Dhjetor 2019, është zhvilluar ceremonia solemne e betimit para Presidentit të Republikës, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: znj. Elida Kaçkini, znj. Enkeleda Millonaj, z. Edvin Kondili, z. Behar Dibra, z. Arben Kraja, z. Klodian Braho, z. Ened Nakuçi dhe z. Altin Dumani. Në datën 31 Janar 2019, u zhvillua ceremonia e betimit të znj. Doloreza Musabelliu. Këto ceremoni betimi janë zhvilluar:
i. në praninë e disa prej autoriteteve më të larta shtetërore (Kryetari i Kuvendit; Avokati i Popullit, Kryetarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë), si dhe ambasadorë;
ii. me ekzekutimin e himnit kombëtar;
iii. me leximin e vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë; dhe
iv. duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët janë betuar: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”
Të gjitha këto procedura të betimit, janë bërë në kohën e duhur, brenda një kohe të shkurtër, sipas kërkesave dhe në rakordim të plotë me Këshillin e Lartë të Prokurorisë.[1]
4.2 Ndërsa ndryshimet në nenin 61 të ligjit nr. 96/2016, zhbëjnë këtë element formal, ceremonial, që shenjon nisjen e detyrës me përgjegjësi nga ana e anëtarëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme, dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
4.3 Ashtu siç është theksuar edhe në arsyetimin që shoqëron Dekretin me nr. 11443, datë 2.03.2020 të Presidentit, mbi kthimin për rishqyrtim të ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Kushtetuese sa i përket betimit, risjellim sërish në vëmendjen tuaj se:
Betimi është shenjë besnikërie ndaj Kushtetutës së vendit. Aq i rëndësishëm është ky moment për personin që nis zyrtarisht detyrën pas procesit të betimit, sa protokollet e vendeve të tjera (përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës), kërkojnë dhe lejojnë që në një moment të tillë të jenë të pranishëm dhe familjarët e personit, për të kuptuar edhe ata rëndësinë e detyrës që merr përsipër të kryejë i afërmi i tyre.
Betimi, është një garanci për mbajtësin e pushtetit publik – vetë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, që lidh subjektin që merr një funksion të rëndësishëm shtetëror, me angazhimet që i janë deleguar organeve përmes Kushtetutës. Si i tillë, akti i betimit, nuk tregon vetëm për nga përmbajtja angazhimin e individit që merr detyrën për të përmbushur atë konform ligjit themeltar të shtetit dhe ligjeve të tjera në fuqi, por për nga forma, ceremoniali, pra vetë kryerja e këtij akti betimi para Kreut të Shtetit si përfaqësues i unitetit të popullit, është element thelbësor përmbajtësor, që tregon gatishmërinë dhe ndërgjegjësimin në marrjen përsipër të kësaj detyre.
Prania dhe zhvillimi i betimit sipas një porocedure dhe ceremoniali tek autoriteti shtetëror, në këtë rast tek Kreu i Shtetit, tregon:
– ndërgjegjshmërinë dhe kuptueshmërinë e personit që kryen betimin mbi veprimet që po ndërmerr;
– krijon bindjen e Kreut të Shtetit se ky person nuk po e kryen këtë veprim duke qenë i mashtruar, i kanosur, në lajthim ose për shkak të nevojës së madhe, çka do të sillte pavlefshmërinë e tij, si për çdo veprim tjetër juridik.
Betimi para Presidentit të Republikës, përveç pasojave të kërkuara institucionale për fillimin e ushtrimit të detyrës, sjell garanci morale, dhe forcim të angazhimit për mbrojtjen e detyrimeve të paraqitura në tekstin e Kushtetutës, për këta funksionarë të rëndësishëm siç janë anëtarët e Gjykatës së Lartë, apo prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
4.4 Ndryshimet në nenin 61 të ligjit, mbi deformimin e procedurës së betimit, duke parashikuar për pasojë edhe momente të ndryshme të fillimit të mandatit për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që vijnë nga rradhët e juristëve të spikatur dhe prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bien ndesh me frymën e nenit 136 të Kushtetutës.
Pikat 1 dhe 2 të këtij neni, sanksionojnë se:
“1. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.
1. Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit. Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.”
Për sa kohë organi që emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë është Presidenti i Republikës, edhe betimi i gjyqtarëve që do të shqyrtojnë çështjet lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit, duhet të bëhet para Kryetarit të Shtetit.
Betimi përpara Kreut të Shtetit, është një garanci më shumë për njohje të parimit të sovranitetit kombëtar dhe lirive e të drejtave themelore të popullit. Për rrjedhojë, anëtarët e Gjykatës së Lartë, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njësoj si dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që do të shërbejnë në ushtrimin e funksioneve të tyre si garant të të drejtave dhe parimeve të një shoqërie demokratike që përcaktohen në Kushtetutë, legjitimitetin që i rrjedh nga Kushtetuta, dhe vullnetin për ta ushtruar atë nuk mundet ta deklarojnë dhe ta garantojnë askund tjetër veçse para Kreut të Shtetit personalisht. Ndërkohë që Prokurori i Përgjithshëm, duhet ta bëjë betimin përpara Kuvendit, siç përcaktohet në ligjin organik[2] dhe siç ka ndodhur.
Betimi para Presidentit të Republikës, përveç pasojave të kërkuara institucionale për fillimin e ushtrimit të detyrës, sjell garanci morale, dhe forcim të angazhimit për mbrojtjen e detyrimeve të paraqitura në tekstin e Kushtetutës.
II. Neni 5 i ligjit nr. 15/2020, që shton nenin 124/1 në ligjin nr. 96/2016, bie ndesh me nenet 140, 147/a dhe 147/d, pikat 1 dhe 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
1. Propozimi i bërë në nenin 124/1 që parashikohet të shtohet, mban titullin “Verifikimi i pasurisë dhe figurisë”. Ky parashikim lejon që, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, të kërkojë informacion nga një sërë institucionesh publike apo subjekte private, për verifikimin e pasurisë dhe të figurës në lidhje me çdo shkelje tjetër disiplinore. Dhe po kjo dispozitë, në paragrafin e fundit, parashikon se në rast se nga verifikimi i pasurisë dhe figurës rezulton se ka dyshime të arsyeshme për kryerjen e ndonjë shkeljeje tjetër disiplinore, përveç rastit kur shkelja përbën vepër penale, merr vendim për të shtuar ose ndryshuar objektin e hetimit, sipas përcaktimeve të nenit 125 të këtij ligji.
1.1 Një parashikim i tillë, bie në kundërshtim me nenin 147/d, pikat 1 dhe 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që kanë të përcaktuara qartë kompetencat dhe fushën e veprimit së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Këto dispozita parashikojnë se:
“1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.
2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.”
1.2 Pra në asnjë moment, sipas normës kushtetuese, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk i është dhënë tagri për të kryer verifikimin e pasurisë. Verifikimi i pasurisë dhe figurës, për magjistratët në detyrë, është zgjidhur me ligjin e posaçëm për rivlerësimin kalimtar, në zbatim të parashikimeve kushtetuese. Ndërsa për kandidatët për gjyqtarë apo prokurorë, verifikimi paraprak i pasurisë dhe figurës së tyre, bëhet si në momentin e fillimit të Shkollës së Magjistraturës, ashtu dhe pas përfundimit të saj dhe para emërimit sipas ligjit (neni 135 dhe neni 148/ç i Kushtetutës). Ky verifikim kryhet në mënyrë të detajuar nga Këshillat përkatës, siç përcakton dhe neni 32 i ligjit nr. 96/2016.
1.3 Përveçse është ky parashikim në tejkalim të kompetencave kushtetuese të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, dhe mbivendos kompetencat e Këshillave, një parashikim i tillë nuk përputhet as me konceptin e nisjes së një procesi hetimor, sipas kuptimit që i ka dhënë vetë ligjit nr. 96/2016. Nisja e hetimit sipas dispozitave të neneve 123 dhe 124 të këtij ligji, kryhet me nismë të ankuesit, ose me vetë iniciativën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Dhe për nisjen e hetimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë merr vendim për fillimin e hetimit dhe ky vendim duhet të jetë i arsyetuar, duke përcaktuar rrethanat faktike të verifikueshme (sipas përcaktimeve të nenit 123, pika 2 dhe 124, pika 2, të ligjit nr. 96/2016). Për pasojë, sipas parashikimit që propozohet në nenin 124/1 të shtuar, pasi është marrë vendimi për fillimin e hetimeve, paraprakisht duhet të ketë dalë Inspektori i Lartë i Drejtësisë me vendim të arsyetuar. Ky vendim i njoftohet dhe ankuesit, magjistratit dhe Këshillit. Ky vendim mbi fillimin e hetimeve lidhet me një rrethanë të caktuar që mendohet se përbën shkak për nisjen e procedimit disiplinor. Për pasojë, nuk mundet Inspektori i Lartë i Drejtësisë, të hetojë, përtej kësaj rrethane, duke hyrë në kompetencat e organeve të tjera për verifikimin e figurës dhe pasurisë, siç janë Këshillat respektivë përmes marrjes së informacioneve prej institucioneve apo autoriteteve të njohura nga ligji. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kompetenca kushtetuese dhe ligjore të verifikojë shkeljet disiplinore sipas veprimeve të magjistratëve, dhe jo pasurinë e tyre.
Për sa më sipër, kjo dispozitë është në shkelje të Kushtetutës, dhe në kundërshtim me dispozitat e tjera të vetë ligjit nr. 96/2016, si më poshtë sqaruar. Parashikimi i një procedure të tillë dhe dhënia e kompetencës Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nuk është gjë tjetër veçse shndërrimi i procesit të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve, nga një masë e jashtëzakonshme dhe e përkohshme, në një mjet të përhershëm, që rrezikon në mënyrë flagrante pavarësinë e gjyqtarëve dhe parimin e palëvizshmërisë në detyrë të tyre, shmangien e magjistratëve nga detyra gjer në kapjen politike të sistemit nga forca që kontrollon procesin, pra që ka emëruar Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.[3]
III. Neni 8, i ligjit nr. 15/2020, që ndryshon nenin 152 të ligjit nr. 96/2016, është në shkelje të neneve 42, 140, 145, 147/a dhe 147/d të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
1. Neni 152 i riformuluar, parashikon se:
“1. Kur ka dyshim të arsyeshëm se vazhdimi i magjistratit në detyrë dëmton rezultatin e procedimit disiplinor, pengon konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt, ose diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen menjëherë një hetim paraprak për të verifikuar besueshmërinë e burimit të informacionit, sipas nenit 124, të këtij ligji, ose ankesës së paraqitur nga subjektet e përcaktuara në nenin 119 të këtij ligji. Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon bindjen se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar, i paraqet Këshillit përkatës raport të arsyetuar, bazuar në faktet dhe provat e mbledhura deri në atë moment për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra.
2. Këshilli, për rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, ose në nenin 138, të këtij ligji, pezullon magjistratin nga detyra, kur vazhdimi i magjistratit në detyrë dëmton rezultatin e procedimit disiplinor, pengon konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt, ose diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit. Këshilli mund të kërkojë, informacion mbi shkeljen e pretenduar pranë çdo institucioni publik ose subjekti privat. Në rastin e procedimit disiplinor, sipas pikës 1, të këtij neni, Këshilli vendos menjëherë, por jo më vonë se tre ditë nga data e paraqitjes së kërkesës, duke i dhënë mundësinë magjistratit për të parashtruar argumentet e tij në mbledhjen e Këshillit.
3. Pezullimi, sipas këtij neni, zgjat deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Këshilli mbi kërkesën për procedim disiplinor, me përjashtim të rastit kur Këshilli vendos të revokojë pezullimin, sipas nenit 156 të këtij ligji.
4. Pavarësisht parashikimeve të nenit 138, pika 5, të këtij ligji, Këshilli, kur çmon se ka nevojë për hetime të mëtejshme për shkeljen disiplinore, i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë këto hetime, pa qenë nevoja për të specifikuar elementet që mungojnë dhe afatin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen me përparësi hetime të mëtejshme për këto shkelje dhe i paraqet Këshillit raportin dhe dosjen e hetimit.”
1.1 Pra sipas këtij parashikimi, propozohet që pezullimi nga detyra, tashmë të aplikohet pa marrë më parë një vendim për fillimin e procedimit disiplinor, dhe pa kryer as edhe një hetim të mirëfilltë për ankesën dhe shkeljen e pretenduar.
1.2 Edhe hetimi që dispozita parashikon se kryhet, së bashku me Raportin e arsyetuar që i përcillet Këshillit, përgatitet për vetëm 3 ditë.
1.3 Një parashikim i tillë, shmang hetimin që i paraprin fazës së fillimit të procedimit disiplinor, dhe referon në një vendimmarrje të kryer në kushtet e urgjencës, që dukshëm ul garancitë procedurale mbrojtëse të magjistratit. Një parashikim i tillë, shoqëruar me parashikimin antikushtetues që propozohet të shtohet përmes dispozitës 124/1, që i lejon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të kryejë verifikim të pasurisë, krijon problematika të rënda pasi:
– Përveçse mbivendos kompetencat e disa organeve kushtetuese, siç janë organet e rivlerësimit kalimtar, dhe Këshillat sa i takon procesit të verifikimit të pasurisë dhe figurës për magjistratët e rinj dhe për vijimin e ruajtjes së standartit të pasurisë dhe figurës në të ardhmen;
– Krijon edhe skenarin e mundshëm për t`u përdorur në mënyrë selektive për të gjithë ata magjistratë që ende nuk kanë kaluar procesin e vettingut, ose edhe ata që e kanë kaluar me sukses atë, por që me vendimmarrjet e tyre kanë treguar se janë të paanshëm dhe të pandikueshëm nga presioni politik.
Nuk kanë qënë të pakta rastet kur magjistratë janë denoncuar publikisht nga eksponentë të mazhorancës, vetëm se kërkesat e depozituara në gjykatë apo vendimet e dhëna, nuk u kanë shkuar për shtat interesave të tyre.
Një rregullim i pasaktë i normës ligjore, që i lë shteg zbatuesit t’i japë asaj kuptime të ndryshme dhe që sjell pasoja, nuk shkon në përputhje me qëllimin, stabilitetin, besueshmërinë dhe efektivitetin që synon vetë norma[4], si në rastin konkret, kur parashikimi i propozuar synon të krijojë hapsira për kryerjen e hetimeve jashtë objektit për të cilin administrohet një ankesë dhe jashtë kompetencave ksuhtetuese dhe ligjore për të kryer këto hetime.
Edhe për analogji, mund të mbahet në konsideratë shembulli i gjykimit të drejtpërdrejtë në procesin penal. Në procesin penal, prokurori mund të kërkojë direkt gjykimin e të pandehurit pa hetime paraprake, kur situata është në gjendje flagrance dhe kur i pandehuri jep pëlqimin. Por në rastin konkret, ligji nuk merret me situatën e flagrancës, kur provat janë të mbledhura aty për aty të shkeljes disiplinore, por fut konceptin e “hetimit paraprak” dhe të “dhënave të besueshme”, që janë koncepte shtesë të reja. Vetë ligji nr. 96/2016, është cilësuar nga Gjykata Kushtetuese[5] si ligj i vështirë dhe se detyrë e ligjvënësit ishte thjeshtimi i tij dhe jo ndërlikimi i mëtejshëm.
Ndërkohë, që logjika e Kushtetutës është që Inspektori i Lartë i Drejtësisë heton, ndërsa momenti që ai depoziton kërkesën për procedimin disiplinor të magjistratit në Këshill është momenti që fillon procedimi disiplinor. Dhe sipas neni 140 të Kushtetutës, vetëm në këtë moment lejohet pezullimi i tij.
Ndërsa këto koncepte të reja, si “hetim paraprak” dhe “të dhëna të besueshme”, janë të paqarta, krijojnë konfuzion dhe sjellin rrezikun e abuzimit, duke cenuar parimin e sigurisë juridike dhe nevojës së patjes së një ligji me parashikime të qarta dhe të sakta, që nuk lënë hapsira për interpretime subjektive që rrezikojnë të çojnë më pas edhe në aplikime selektive të dispozitave ligjore.
Ky rrisk shtohet edhe më tepër, nëse mbahet në konsideratë mënyra se si u lejua për kandidim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (me një vendimmarrje jo unanime) dhe si u zgjodh Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ndërkohë që, subjekti i emëruar, përveç lidhjeve familjare me deputetë të mazhorancës aktuale, ishte para pengesës ligjore të kandidimit sipas nenit 237 dhe 199/1/dh të ligjit nr. 115/2016[6], pasi ky funksionar kishte mbajtur funksion politik sipas ligjit të kohës, çka përbën shkak për ndalim kandidimi.
2. Neni 140 i Kushtetuës, që u amendua me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, përcaktoi qartësisht rastet e shkarkimit apo të pezullimit nga detyra të gjyqtarit. Paragrafi 3 i këtij neni, parashikon, citojmë:
“3. Gjyqtari pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor kur:
a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;
b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;
c) kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.”
2.1 Pra, vetë Kushtetuta ka parashikuar në nënyrë taksative, shteruese, 3 rastet e pezullimit nga detyra. Shkronja “c)” e paragrafit të sipërcituar të Kushtetutës, pezullimin e lejon vetëm kur ka nisur “procedimi disiplinor, sipas ligjit”. Ndërkohë që parashikimi i nenit 152 të ligjit nr. 15/2020, shkel hapur këtë garanci kushtetuese që i është njohur gjyqtarit në funksion të ruajtjes së pavarësisë dhe paanësisë së tij, duke bërë që pezullimi të bëhet ende pa nisur procedimi disiplinor, por vetëm me një hetim të kryer për 3 ditë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ky hetim i kryer në këtë afat kohor 3 ditor, nuk duket se ofron garanci për ndjekjen e procesit të rregullt, i cili kërkon që shkelja të hetohet me mjetet dhe afatet e duhura nga organi i ngritur nga Kushtetuta për këtë qëllim – Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ndërsa parashikimet e ligjit nr. 15/2020, ndryshojnë detyrën kushtetuese të ILD-së për të hetuar, duke sanksionuar në këtë rast se, nuk ka nevojë për hetim.
2.2 Justifikimi i kësaj nisme sipas relacionit shoqërues, shpjegohet me faktin se, nevojitet një mekanizëm ligjor në dispozicion për të vendosur pezullimin nga detyra të magjistratit, në rastin kur, për shembull, magjistratët dyshohet të jenë të përfshirë në një krim, por që nuk janë në kushtet e një mase sigurimi “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” dhe përpara marrjes së cilësisë së të pandehurit. Sanksionimi i një rregullimi ligjor pikërisht për këtë qëllim, përveçse shkel në mënyrë të rëndë parimin e prezumimit të pafajësisë, është haptazi në kundërshtim me nenin 140, pika 3, shkronjat “a)” dhe “b)” të Kushtetutës, që pikërisht në mbrojtje të këtij parimi themelor, ka parashikuar pezullimin vetëm kur ndaj gjyqtarit caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale; ose kur ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje. Në kundërshtim me këtë garanci kushtetuese, Kuvendi ka miratuar një ligj që cenon pikërisht këto dy parashikime.
Ligji e shton më tepër paqartësinë sepse dublon pa asnjë shkak Kodin e Procedurës Penale për dy arsye:
a) Kodi i Procedurës Penale përcakton procedura të sakta hetimore për krimet, ku përfshihen edhe masat e sigurimit, një prej të cilave është pezullimi nga detyra, që e vendos gjykata dhe nuk ka nevojë për investimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe të Këshillit;
b) Një prej risive që solli Ligji nr. 96/2016 është marrëdhënia që ekziston midis procedimit penal dhe procedimit disiplinor, ku merr përparësi procedimi penal, pasi ligji parashikon që procedimi disiplinor pezullohet gjersa procedimi penal të zgjidhet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
3. Neni 147/a i Kushtetutës, përcakton në pikën 1 funksionet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke renditur në shkronjën “b”, funksionin që ka ky Këshill “për të vendosur për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”.
4. Paraqitja nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, para Këshillit, e kërkesës për pezullimin e magjistratit nga detyra siç parashikohet në ndryshimet që i bëhen nenit 152 të ligjit nr. 96/2016, nëpërmjet nenit 8 ligjit nr. 15/2020, tejkalojnë në mënyrë flagrante dispozitën Kushtetuese të nenit 147/d , paragrafi 1, si dhe janë në shkelje të hierarkisë së akteve ligjore në fuqi të parashikuara në nenin 116 të Kushtetutës.
4.1 Inspektori i Lartë i Drejtësisë, sipas paragrafit 1, të nenit 147/a të Kushtetutës, ka kompetencën kushtetuese për të kryer verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.
4.2 Inspektori i Lartë i Drejtësisë, nuk ka kompetencën të bëjë kërkesë për pezullimin e magjistratit nga detyra, siç parashikohet në pikën 1, të nenit 152 të propozuar për t`u riformuluar. Ky parashkim, cenon rëndë jo vetëm dispozitat kushtetuese të sipërcituara, por edhe parimet kushtetuese për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, sanksionuar në nenet 7[7] , 42[8] , dhe 145[9] të Kushtetutës.
5. Parashikimet e pikës 4, të nenit 152, të riformuluar me ligjin nr. 15/2020, bien ndesh dhe krijojnë mbivendosje edhe me parashikimet e neneve 123, 124 dhe 138 të vetë të ligjit bazë nr. 96/2016, si dhe vendosin një rregull që rrezikon të paragjykojë dhe të krijojë presione për hetimin disiplinor të gjyqtarëve, duke cenuar rëndë të drejtat e tyre procedurale gjatë këtij procedimi.
5.1 Neni 138 i ligjit nr. 96/2016, parashikon se:
“1. Nëse ka dyshime të arsyeshme që magjistrati ka kryer shkelje disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë fillon procedimin disiplinor, duke paraqitur raportin e hetimit së bashku me dosjen hetimore.
2. Këshilli:
a) përcakton datën për seancën dëgjimore, e cila duhet të jetë brenda një muaji nga dita e marrjes së dosjes nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë;
b) njofton palët për datën e seancës dëgjimore të paktën 15 ditë para saj.
3. Këshilli mund të zgjasë afatin e parashikuar në pikën 2, shkronja “a”, të këtij neni, deri në dy muaj, për shkaqe të rëndësishme, të cilat duhet të bëhen publike.
4. Këshilli:
a) shqyrton të gjithë faktorët që kanë rëndësi për çështjen;
b) merr prova shtesë, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve;
c) kur e konsideron të përshtatshme, thërret ekspertë ose i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të thërrasë ekspertë.
5. Këshilli mund t’i kërkojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kryerjen e hetimeve të mëtejshme, duke specifikuar elementet që mungojnë dhe afatin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen veprimet hetimore sipas kërkesës së Këshillit.”
5.2 Neni 123, pika 3, e ligjit nr. 96/2016, parashikon se:
“3.Vendimi i arsyetuar për fillimin e hetimit i njoftohet ankuesit, magjistratit dhe Këshillit. Vendimi duhet të përmbajë të paktën:
a) emrin e inspektorëve të ngarkuar me hetimin;
b) objektin e hetimit, duke treguar shkeljen e dyshuar;
c) parashtrimin e rrethanave të faktit të pretenduara;
ç) provat e mbledhura;
d) periudhën kohore përkatëse për hetimin;
dh) parashtrimin e të drejtave të magjistratit në lidhje me hetimin disiplinor, si dhe të drejtën e magjistratit dhe të ankuesit për të dorëzuar parashtresë dhe dokumente mbështetëse, Brenda tre javëve nga marrja e vendimit”.
5.3 Neni 124, pikat 2 dhe 3, e ligjit nr. 96/2016, parashikojnë se:
“2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë vendos me vendim të aryetsuar për fillimin e hetimit me iniciativën e tij, duke parashtruar rrethanat faktike të verifikueshme.
3.Rregullat e parashikuara në pikat 2 deri në 4, të nenit 123, të këtij ligji, zbatohen edhe në rastin e fillimit të hetimit me iniciativën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.”
5.4 Ndërsa parashikimi i bërë në pikën 4, të nenit 152, të riformuluar me ligjin nr. 15/2020, sanksionon se:
“Pavarësisht parashikimeve të nenit 138, pika 5, të këtij ligji, Këshilli, kur çmon se ka nevojë për hetime të mëtejshme për shkeljen disiplinore, i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë këto hetime, pa qenë nevoja për të specifikuar elementet që mungojnë dhe afatin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen me përparësi hetime të mëtejshme për këto shkelje dhe i paraqet Këshillit raportin dhe dosjen e hetimit;”
5.5 Ky parashikim që lejon shtrirjen e hetimeve përtej objektit për të cilin është nisur hetimi (pa dalë me një vendim të dytë të arsyetuar për zgjerimin e objektit të hetimit, vendim ky që i njoftohet palës) dhe pa specifikuar elementët e verifikueshëm (që sigurisht tejkalojnë në këtë rast objektin fillestar të hetimit) bie ndesh me dispozitat e sipërcituara të ligjit nr. 96/2016 (nenet 123, 124 dhe 138). Një parashikim i tillë, përveçse kapërcen kompetencat kushtetuese dhe ligjore të ILD-së, krijon premisë të rrezikshme për të kapërcyer objektin e hetimit, për të verifikuar elementë jashtë tij dhe që duhen specifikuar në vendimin e arsyetuar për nisjen e hetimit, duke u mohuar magjistratëve të drejtën për t`u njohur me faktet që rëndojnë ndaj tyre dhe për t`u mbrojtur.
5.6 Procesi i hetimit dhe procedimit disiplinor, është një proces i një rëndësie të veçantë, arsye kjo për të cilën si kushtetutëbërësi, ashtu dhe legjislatori, janë kujdesur ta detajojnë, duke përcaktuar kufijtë e hetimit sipas objektit të tij, dhe garancitë e palëve në proces. Ky parashikim i propozuar ligjor, tashmë shkel këto garanci. Ky parashikim ligjor, nuk siguron garancinë kushtetuese që buron nga e drejta për një proces të rregullt ligjor për mbrojtje efektive dhe barazi të armëve gjatë procedimit disiplinor të gjyqtarëve[10]. Këto garanci nuk janë të rastësishme. Ato i shërbejnë pavarësisë dhe paanësisë së gjyqësorit.
6. Ky ligj rifut mundësinë e pezullimit diskrecional të magjistratit përpara fillimit të një procedimi disiplinor, kamufluar nën një titull tjetër, edhe pse kjo masë e parashikuar në ligjin fillestar nr. 96/2016 është shfuqizuar me vendimin nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese. Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara me ligjin nr. 15/2020 shmangen procedurat e përcaktuara në nenin 138, të ligjit nr. 96/2016, duke e rikthyer pezullimin mbi bazë diskrecioni[11], që ishte parashikuar fillimisht në ligjin nr. 96/2016 dhe që u shfuqizua me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
6.1 Vetë Gjykata Kushtetuese, në paragrafët 57 dhe 58 të vendimit nr. 34/2017, është shprehur se:
“57.Edhe në lidhje me pezullimin e magjistratit, Gjykata vëren se përveç nenit 110, që përcakton rregullat për pezullimin për një periudhë nga 3 muaj deri në dy vjet, shoqëruar me një pagë minimale, neni 152 parashikon edhe pezullimin mbi bazë diskrecioni, duke i njohur Këshillit autoritetin për të pezulluar magjistratin nëse: a) ndaj magjistratit ka filluar hetimi penal; b) kur ndaj tij është caktuar masa e arrestit për një vepër penale të kryer nga pakujdesia; c) kur ndaj tij kanë filluar hetimet ose procedimet disiplinore për shkelje disiplinore.
58. Në vështrim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se ligjvënësi në nenet 104 dhe 152 ka parashikuar raste të tjera shkarkimi apo pezullimi për magjistratin, në mungesë të delegimit të shprehur të nenit 140 të Kushtetutës, duke cenuar kështu nenin 116 të Kushtetutës. Në këtë kuptim, Gjykata vlerëson se edhe ky pretendim i kërkueseve është i bazuar dhe duhet pranuar.”
6.2 Pavarësisht këtij qëndrimi të shprehur të Gjykatës Kushtetuese, duke përfituar pikërisht nga fakti i mosqënies funksionale tashmë prej dy vitesh të kësaj gjykate, çka i vë palët e interesuara në pamundësi për t`iu drejtuar kësaj gjykate pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit, bëhet i pamundur shqyrtimi i kushtetutshmërisë së propozimeve të miratuara me ligjin nr. 15/2020.
6.3 Neni 140, i Kushtetutës, edhe siç është shprehur Gjykata Kushtetuese në vitin 2017 me vendimin e sipërcituar, ka përcaktuar qartë rastet kur mund të pezullohet nga detyra gjyqtari, me vendim të KLGJ-së, dhe një ndër këto raste, është “kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjt”. Neni 152 i propozuar me ligjin nr. 15/2020, shkel këtë parashikim dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duke sanksionuar pezullimin ende pa nisur procedimi disiplinor, me afate aq të ngushta kohore që i mohojnë palës së interesuar të drejtën për t`u njohur me faktet që rëndojnë kundër tij dhe për të përgatitur mbrojtjen.
6.4 Respektimi i afateve të arsyeshme ligjore, respektimi i hapave procedurale për nisjen e procedimit disiplinor, apo qoftë marrja e masës së pezullimit nga detyra vetëm pasi të jenë respektuar garancitë kushtetuese dhe ligjore, janë të lidhura ngushtësisht ndërmjet tyre dhe mbi këto standarde kushtetuese duhet të orientohet veprimtaria ligjvënëse me qëllim moscenimin e statusit të gjyqtarëve, të drejtave dhe përfitimeve që ata duhet të gëzojnë për shkak të detyrës që kryejnë[12]. Ndërkohë, këto garanci shkelen nga ligji nr. 15/2020.
6.5 Po në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese është shprehur se, statusi i gjyqtarëve synon sigurimin e kompetencës, pavarësisë dhe paanësisë së tyre, elemente këto që çdo individ i pret në mënyrë legjitime nga gjykatat dhe nga çdo gjyqtar, të cilit i është besuar mbrojtja e të drejtave të individëve. Por krijimi i premisave përmes këtyre ligjeve antikushtetuese, për rrëmbimin e kësaj pavarësie dhe paanësie të gjyqtarëve, cenon direkt interesin publik dhe mirëadministrimin e drejtësisë, parime këto që mbrohen nga Kushtetuta e vendit tonë.
7. Neni i shtuar 124/1 dhe ndryshimet e nenit 152, cenojnë rezervën kushtetuese. Ajo çfarë është e shkruar në Kushtetutë, nuk mund të ndryshohet, deformohet, keqinterpretohet nga pushteti ligjvënës i Kuvendit. Me fjalë të tjera, “ligji i sovranit” (Kushtetuta) nuk mund të ndryshohet nga “ligji i deputetëve”. Është e njëjta logjikë që vepron në “rezervën ligjore” ku një ligj i deputetëve nuk mund të ndryshohet nga një akt i qeverisë, përveçse kur vetë Kuvendi, delegon këtë të drejtë tek autoritete të tjera. Në rastin e “rezervës ligjore” thelbësor është neni 118 i Kushtetutës, i cili vendos kufijtë fanatikë për ruajtjen e pushtetit legjislativ dhe “delegimin” për aq sa dëshiron të porcioneve të këtij pushteti tek organe të tjera. Akoma dhe më e ngurtë, paraqitet rezerva kushtetuese. Sipas saj, diçka e cila është e shkruar në Kushtetutë është drejtpërdrejtë e zbatueshme, përveç se kur autorizohet dikush tjetër (në shumicën e rasteve Kuvendi) që me akte rregullatore ta përplotësojë atë. Por ligji nr. 15/2020, nuk bën gjë tjetër veçse nenin 140 të Kushtetutës, e transformon në dimensione të zbatimit, duke e ndryshuar praktikisht thelbin e tij. Në fakt me këtë ligj ndodh ndryshimi i Kushtetutës. Por Kushtetuta ka parashikuar qartësisht rastet e ndryshimit të saj në nenin 177 të saj. Është kjo dispozitë që garanton thelbësisht “rezervën kushtetuese”. Në thelbin e saj, rezerva kushtetuese, është një masë apo një mekanizëm që i kundër drejtohet pikërisht mundësisë së abuzimit të Kuvendit me pushtetin legjislativ. Rezerva kushtetuese kërkon që çështje të caktuara të disiplinohen ekskluzivisht nga teksti i Kushtetutës dhe nga asnjë akt tjetër.
E kundërta ka ndodhur me nenin 152 të ligjit nr. 96/2016, të ndryshuar përmes ligjit nr. 15/2020, që duke parashikuar pezullimin e magjistratit vetëm mbi bazën e “dyshimit të arsyeshëm” që vlerësohet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë sipas një hetimi “paraprak” 3 ditor, të shkelë rëndë nenin 140 të Kushtetutës dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, që është shprehur një herë mbi rëndësinë e respektimit të rasteve taksative për pezullimin, të përcaktuara në nenin 140 të Kushtetutës.
8. Nga ana tjetër, qëllimi i parimit të sigurisë juridike është të sigurojë besimin e individit dhe shoqërisë te shteti e ligji, madje edhe vetë gjyqtarët, të cilët administrojnë drejtësinë, duhet të gëzojnë një besim të tillë. Ligjvënësi ka detyrimin të rregullojë, në mënyrë më të hollësishme, të drejtat dhe garancitë e parashikuara në Kushtetutë. Në kuadrin e këtij rregullimi ai mund të vendosë edhe kufizime, por këto kufizime duhet të bëhen vetëm për një interes publik, për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve me mënyra dhe forma që të jenë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar ndryshimin dhe pa prekur thelbin e së drejtës dhe garancisë[13]. Ndërkohë, parashikimet e ligjit nr. 15/2020, që synojnë të zgjerojnë në mënyrë antikushtetuese kompetencat e ILD-së.
9. Këto propozime të sjella me ligjin nr. 15/2020, përveçse tejkalojnë kërkesat kushtetuese dhe u mungon qartësia, shkelin edhe qëndrueshmërinë që duhet të kenë dispozitat ligjore.
Konkretisht, e njëjta dispozitë, ajo e nenit 152, që ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, u draftua dhe hyri në fuqi me ligjin nr. 48/2019, vetëm në muajin korrik 2019. Ndërkohë që, për më pak se 6 muaj, ky nen riformulohet sërish duke shkelur Kushtetutën. Këto ndryshime do të sjellin pasoja të rënda negative për statusin e magjistratit, pavarësinë dhe paanësinë e tij, që do të reflektohet direkt në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve të vendit tonë, të cilëve Kushtetuta u garanton gjykimin nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme.
IV. Ligji nr. 15/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, bie ndesh me nenin 116 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
1. Ndryshimet ligjore të miratuara nuk kanë marë parasysh parashikimet e nenit 116 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë duke tejkaluar hierarkinë e normave juridike, pasi ligjet që dalin për zbatim të një norme kushtetuese nuk mund të tejkalojnë kriteret të cilat vetë norma Kushtetutuese i ka parashikuar në dispozitat e saj.
2. Gjykata Kushtetuese, në jurisprudencën e saj, është shprehur se parimi i shtetit të së drejtës detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese. Aktet juridike, që nxirren nga këto organe, duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta, si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material.
Respektimi i hierarkisë së akteve normative është një detyrim që rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës dhe i koherencës në sistemin ligjor. Kushtetuta në nenin 116 të saj përcakton hierarkinë e burimeve të së drejtës, si një prej vlerave themelore të shtetit të së drejtës, ku pushteti ligjvënës ka rol primar. Përcaktimi në Kushtetutë i hierarkisë së akteve, si dhe sanksionimi i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në ushtrimin e funksioneve të organeve kushtetuese, të cilat ushtrohen nëpërmjet nxjerrjes së akteve normative, është mishërimi më i plotë i parimit të shtetit të së drejtës në një sistem parlamentar. Kjo piramidë aktesh normative ka në majë të saj Kushtetutën, e cila shërben si burim për aktet e tjera juridike. Kushtetuta, përveç kësaj, mund të parashikojë hollësisht dhe shprehimisht rastet për të cilat nuk mund t’i lerë hapësira rregullimi ligjvënësit të zakonshëm.[14]
3. Mos marrja në konsideratë e hierarkisë së normave juridike sipas nenit 116 të Kushtetutës, dhe shmangia e interpretimeve të bëra qartë mbi këto parime por edhe mbi përmbajtjen e dispozitave të ligjit nt. 96/2016 nga Gjykata Kushtetuese, nuk ka se si të konsiderohet “lajthitje” në kuptimin e dispozitave dhe parimeve kushtetuese. Është një veprimtari e ndërmarrë dhe e kryer me qëllimin e qartë të devijimit të Kushtetutës, për sa kohë nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale për të mbrojtur këta parime.
V. Ligji nr. 15/2020, si propozim qeveritar i kamufluar nën propozimin e 3 deputetëve, ka shmangur procesin e konsultimit dhe ka cenuar parimin e sigurisë juridike.
1. Pas miratimit të ligjit nr. 96/2016, u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 34/2017, disa prej dispozitave të tij që lidheshin me: “papajtueshmerine ambientale”, “transferimin pa pëlqim”, ”veprimtaritë jashtë funksionit”, “pushimet vjetore”, “uljen e ngarkesës”, “kohëzgjatjen në detyrë të magjistratit”, “nivelet e vlerësimit”, “shkeljet disiplinore në lidhje me ushtrimin e funksionit”, “shkeljet disiplinore dhe çështjet e veprimtarisë”, “shkeljet disiplinore jashtë ushtrimit të funksionit”, “shkeljet disiplinore për shkak të kryerjes së veprës penale”, “të drejtat dhe detyrimet e palëve gjatë procedimit disiplinor”, “Pezullimin mbi bazë diskrecioni” dhe me dispozitat kalimtare.
2. Me ligjin nr. 48/2019, sipas dhe relacionit shoqërues të këtij akti[15], u miratuan ndryshimet në ligjin nr. 96/2016, për rregullimin dhe plotësimin e vakumit ligjor të krijuar në përmbajtjen e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, pas shfuqizimit të plotë apo të pjesshëm të disa neneve të këtij ligji, me vendimin nr. 34/2017 të Gjykatës Kushtetuese. Po sipas këtij relacioni, shtesat dhe ndryshimet e propozuara janë konsideruar të domosdoshme me qëllim:
“- Plotësimin e vakumit ligjor të krijuar nga shfuqizimi i dispozitave të lidhura me shkeljet disiplinore të magjistratëve. Plotësimi i këtij vakumi ligjor është i nevojshëm për të garantuar zbatimin e parimeve të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, bazuar në elementet e procesit të rregullt ligjor, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare;
– Garantimin e mirëfunksionimit normal dhe në përputhje me kompetencat e parashikuara në ligj, të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si organi përgjegjës për hetimin e shkeljeve të kryera nga gjyqtarët dhe prokurorët.
– Garantimin e mirëfunksionimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si organet përgjegjëse për të vendosur në lidhje procedimin disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe masat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.”
Ky ligj u miratua në datën 18.07.2019.
3. Jo më shumë se 6 muaj pas këtyre ndryshimeve, të propozuara po nga deputetë të mazhorancës dhe të miratuara me ligjin nr. 48/2019, propozohen sërish ndryshime në të njëjtin ligj. Po sërish ndryshimet e shqyrtuara nën asistencën e ekspertëve të misionit EURALIUS V, nuk morën në konsideratë vetë sugjerimet që ky mision, përmes asistencës së tij teknike dhe me integritet në vitin 2010, ka lënë pas një dokument që ka orientuar për vite me rradhë procesin e hartimit të ligjeve, duke këshilluar se:
“Çdo projekt për hartimin e një ligji duhet të paraprihet nga vlerësimi dhe vërtetimi i arsyeve pse ligji nevojitet, në veçanti justifikimi i tij politik dhe ligjor. […] Ata të cilët do të përgatisin ligjin duhet të përcaktojnë se në çfarë mase dhe në cilin drejtim ligji i ri do të kërkojë të ndryshojë skemën ekzistuese legjislative, cilat do të jenë pasojat e ligjit të ri për interesa të ndryshme që preken dhe cilat do të jenë kostot e ligjit të ri […] Ndryshimi i shpeshtë i ligjeve duhet realizuar me kujdes. Kjo praktikë mund të ulë sigurinë e zbatimit të ligjit, dhe mund të krijojë dyshime mbi stabilitetin e ligjit dhe të lëkundë besimin në të. ”.[16]
Këto parime nuk janë mbajtur në konsideratë në rastin konkret, kur ndërmerret nisma për të amenduar ligjin brenda më pak se 6 muajve, si nismë e tre deputetëve, në shkelje të Kushtetutës dhe në zbatim të urdhërimeve sipas skenarëve të paracaktuar nga mazhoranca parlamentare qeverisëse, pasi u sigurua se Inspektori i Lartë i Drejtësisë u emërua personi afër mazhorancës, vëllai i një prej deputeteve të Partisë Socialiste.
4. Ndryshimet në ligj, mund të justifikoheshin me nevojën e adresimit të problematikave të shfaqura. Dhe nga aktorët e vetëm që mund të hidhnin dritë mbi këto problematika, siç është Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vetëm një çështje është kërkuar të adresohej përmes ndryshimeve ligjore. Konkretisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shkresën me nr. prot. 1095/1, datë 21.02.2020, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. prot. 979, datë 26.02.2020, ka informuar se:
“[…] Ndërkohë, në draftin final të këtij projektligji të futur për shqyrtim në Komision, vetëm një nga propozimet e Këshillit është përfshirë, ai për ndryshimin e shkronjës “d”, pika 5, të nenit 12, në lidhje me komponentin e pagës “shtesë për vështirësi pune” për magjistratët e gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të Prokurorisë së Posaçme. Për propozimet e tjera të Këshillit për shtesa dhe ndryshime në këtë ligj, aty është bërë e ditur se do të trajtoheshin në vijim në kuadër të një grupi të zgjeruar pune.”
Ky fakt, tregon qartë tashmë se shqetësimi i deputetëve nismëtarë dhe atyre votues të këtij ligji, nuk ka qënë adresimi i problematikave që kanë lindur nga zbatimi i ligjit, si justifikim i vetëm që mund të përdoret për rishikimin e një ligji të ndryshuar jo më vonë se 6 muaj më parë, por vënia nën trysni e çdo gjyqtari apo prokurori, përmes kompetencave që i jepen ILD-së, jashtë rolit dhe funksionit të tij, sipas Kushtetutës dhe ligjit.
5. Ligji nr. 96/2016, miratuar në kuadër të Reformës në Drejtësi, me vullnetin dhe dakordësinë maksimale të të gjithë aktorëve, në momentin e miratimit, solli pikërisht si risi procedimin disiplinor, ku citojmë nga relacioni[17] i këtij ligji:
“Procedimi disiplinor rikonceptohet si një sistem garantues ku janë të ndara përgjegjësitë e institucioneve që kryejnë hetimin, institucioneve që marrin vendimin dhe institucioneve që shqyrtojnë ankimin e ushtruar ndaj vendimeve për masat disiplinore, duke i garantuar magjistratit në të gjitha hallkat e kësaj procedure, të drejtën për një proces të rregullt. […]
Bazuar në standartet ndërkombëtare, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe proceduriale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve. Standartet ndërkombëtare rekomandojnë që parashikimet normative të mos lenë hapësirë për paqartësi ose dykuptueshmëri, pasi në të kundërtën masat disiplinore nuk i shërbejnë qëllimit të tyre në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, por mund të përdoren në mënyrë abuzive si një mjet për të cënuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit.[18]
Kështu, sikurse CCJE rekomandon, projektligji liston të gjitha ato veprime/mosveprime të cilat përbëjnë shkelje disiplinore, si dhe garanton elementët e procesit të rregullt ligjor për shqyrtimin e këtyre shkeljeve, vendosjen e sanksioneve proporcionale në përputhje me shkeljen e kryer, si dhe të drejtën e ankimit në një organ tjetër më të lartë e të pavarur ”.[19]
Këto citime në relacion, reflektojnë qëndrimin që ekspertët e misionit Euralius kanë patur për ligjin që u theksua se reformoi procedimin disiplinor dhe hetimin nga ILD, në përputhje me standartet më të mira europiane. Atëherë, si mundet që Kuvendi, në kundërshtim me çfarë ka pranuar 3 vite më parë, të bëjë ndryshime që vijnë kundër praktikave më të mira të modeleve europiane.
6. Miratimi i ndryshimeve në ligjin nr. 96/2016, kamufluar si propozim i tre deputetëve, por që sipas Relacionit shoqërues të të cilit dallohet qartë angazhimi qeveritar për finalizimin e saj, lidhet ngushtësisht dhe pandashmërisht me nevojën antikushtetuese të mazhorancës për dhënien e kompetencave antikushtetuese Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në funksion të ushtrimit të ndikimit ndaj pushtetit gjyqësor dhe prokurorisë.
6.1 Nisma e 3 deputetëve, si çdo nismë ligjore, shoqërohet me Relacionin shoqërues. Po të lexohet Relacioni që mban firmën e 3 deputetëve nismëtarë, vërehet qartë që në fakt është një nismë qeveritare, që siç është vërtetuar nga komunikimet institucionale, është hezituar t`i nënshtrohet procesit të konsultimit.
6.2 Relacioni shoqërues ka të njëjtin format si relacionet e projektakteve që propozohen nga Këshilli i Ministrave. Çfarë duhet të përmbajë një relacion shoqërues, përcaktohet në Vendimin nr. 584, datë 28.08.2003 “Për miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, i ndryshuar. Por kjo përmbajtje dhe ky format është i detyrueshëm vetëm për propozimet e Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, edhe sikur për lehtësi të jetë marrë si model ky relacion nga 3 deputetët, në Kreun II të relacionit citohet: “Projektligji nuk është përfshirë në programin analitik të akteve, por është në përputhje me objektivat madhorë dhe politkat e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për konsolidimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.”
6.3 Në një nismë të tre deputetëve që investojnë Kuvendin për të adresuar përmes ndryshimeve ligjore një situatë që ata e vlerësojnë shqetësuese, kurrsesi nuk mund të referohet dhe të adresohet në të, shqetësimi i Këshillit të Ministrave dhe angazhimet e këtij të fundit përmes programit analitik të akteve që synojnë të përmbushin objektivat madhorë vetëm të qeverisë, jo të Kuvendit! Deputetët përfaqësojnë sovranin që i ka votuar, jo Këshillin e Ministrave!
6.4 Deputetët nuk mund të referojnë dhe argumentojnë nisma ligjore sipas programit analitik të akteve të Këshillit të Ministrave, duke u angazhuar dhe në mënyrë proaktive përmes nënshkrimit të tyre.