Kam kënaqësinë dhe nderin që këtë intervistë po e zhvilloj me një terapiste zhvillimi shumë aktive siç jeni ju. A mund të na thoni shkurtimisht diçka për jetën dhe shkollimin tuaj?
Unë jam Migena Kurushi, themeluese dhe drejtuese e fondacionit “Hyperactivity Albania”. Kam mbaruar bachelor në Universitetin e Vlorës në degën Pedagogji e Specializuar, e cila konsiston në trajtimin e shëndetit mendor dhe nevojave të veçanta. Më pas mbarova masterin professional në degën Psikologji Klinike. Prej 5 vitesh, puna ime ka konsistuar në menaxhimin e shëndetit mendor në individë me autizëm, çrregullime të sjelljes, A.D.H.D etj., pranë fondacionit “Ndërto të Ardhmën”, të cilin e themelova 5 vite më parë, dhe sot pësoi metamorfozë në “Hyperactivity Albania”, me fokus primar në A.D.H.D (attention deficit hyperactivity disorder), çrregullimi i vëmendjes me/pa hiperaktivitet. Trajtimin e tij si simptomë parësore ose dytësore, pra individës që shfaqin A.D.H.D të pastër ose çrregullim të një lloji tjetër me A.D.H.D të mbivendosur.
Ju jeni drejtoreshë ekzekutive e zyrës terapeutike “Hyperactivity Albania”, puna e së cilës ka në fokus fëmijët me nevoja të veçanta. Cilat janë sfidat më të cilat përballeni në këtë rrugëtim tuajin?
Sfida më e madhe me të cilën përballem në trajtimin e individëve pranë qëndrës tonë terapeutike është regresi. Shkaku primar i regresit nuk është përdorimi i metodave nga specialistët tonë, por është ajo çfarë ndodh pas trajtimit. Fëmijët e kanë jetike një seancë terapeutike për aftësimin në jetë, por nuk është gjithmonë e mjaftueshmë. Puna më e madhe është mjedisi me të cilin prezantohen, fillimisht familja dhe më pas shkolla. Teoria nuk është e mjaftueshme për përvetësimin e një koncepti, duhet me patjetër praktikë. Kjo sfidë është dhe do të jetë një ndër pengesat më të mëdha për progresin e individëve me çrregullim mental, andaj “Hyperactivity Albania” ka menduar një listë me strategji për të luftuar këtë problem. Mjetet më të rëndësishme janë ndërgjegjësimi dhe informimi i prindërve në rradhë të parë, specialistëve të shëndetit mendor e më pas popullatës.
Duhet të të ketë marrë shumë vendosmëri dhe këmbëngulje për t’u kujdesur për këta fëmijë për shkak se kanë nevojë për shumë dashuri dhe përkushtim. Cilat kanë qënë disa nga momentet më zhgënjyese, dhe si keni arritur të përballoni?
Këtë nismë para 5 vitesh e kam marrë e vetme, pa mbështjen e askujt. Vetë ideja që nuk i kisha shpatullat e ngrohta ishte një sfidë më vete, të cilën mu desh koh dhe mund për ta provuar të rreme. Një sfidë tjetër me të cilën përballem çdo ditë është paraqitja ime. Pavarësisht se populli shqiptar është mësuar më një bashkëjetesë fetare, ka pafund armiq të ideologjisë me të cilën jetoj. Ka njerëz të cilët nuk mjaftohen me frytet e një individi, por sulmojnë vazhdimisht sipërfaqen. Kjo gjë nuk më ka penguar asnjëherë, më ka dhënë forcë dhe motivitim, sepse qëllimi im nuk ka qenë kurrë për të ndriçuar veten dhe të ardhmen time; lumturia më e madhe është dhurimi i saj. Buzëqeshjet plot dritë që marr nga fëmijët pranë qëndrës tonë terapeutike janë dhurata më e madhe që mund të marr, e cila përveç lumturisë së pamasë, më jep motiv dhe forcë për tu zgjuar në mëngjes e palodhur, më bën të kuptojë dita ditës që lumturia nuk është një vendodhje për tu arritur, është një rrugë për tu ndjekur, dhe kjo rrugë që po ndjek është lumturia ime.
Sa e rëndësishme është që prindërit, veçanërisht ata fëmijët e të cilëve kanë ADHD të kujdesen për veten?
Në botën e kujdesit shëndetësor, preventimi është primar, më pas kurimi. Prindi mban vendin kryesor në piramidën e menaxhimit të çdo çrregullimi mental tek fëmija. Prindi është shembulli të cilin fëmija do ndjek në të ardhmen. Prezantimi i çdo sjelljeje të prindit ka një ndikim të jashtëzakonshëm në psikologjinë e fëmijës. Prindi duhet të mos humbasë kurrë durimin dhe motivimin, andaj kujdesi vetjak është shumë i rëndësishëm për menaxhimin e A.D.H.D.
Cilat janë disa nga shërbimet dhe burimet që ju i keni parë më të dobishme si terapiste zhvillimi për një fëmijë që ka ADHD?
Terapia e sjelljes është terapia që mban peshën kryesorë në menaxhimin e A.D.H.D. Puna jonë në “Hyperactivity Albania” i ka krijuar një fokus të veçantë terapisë së sjelljes, e cila ka rezultuar shumë positive dhe e frytshme. Gjatë terapisë së sjelljes, fëmija me çrregullim të vëmendjes me/apo hipraktivitet stërvit trurin të krijojë disa “dhomëza” vëmendjesh, në të cilat terapia i ndihmon të fokusohen. Kjo gjë përveç vëmendjes, ndihmon dhe në trajtimin e impulsivitetit, dy nga faktorët që kërkojnë më shumë menaxhim në A.D.H.D. Bashkë me terapinë e sjelljes, “Hyperactivity Albania” është duke punuar në sjelljen e disa kombinimeve novatore për ti ardhur në ndihmë këtij çrregullimi, si aktiviteti fizik, ngjyrat, lojrat, eksursionet dhe mjete të tjera të cilat do publikohen së shpejti në platformën tonë në Facebook (“Hyperactivity Albania”) dhe më gjerë.
A mjafton vetem terapia zhvillimore, apo janë të nevojshme dhe mënyra të tjera për t’u kujdesur për ta?
Siç u përmend edhe më sipër, terapia zhvillimore si çdo terapi tjetër kërkon një kombinim me mjete didaktike apo mënyra trajtimi të derivuara nga personaliteti i vetë fëmijës. Shpesh, fëmijieve u mësohet përqëndrimi i fokusimit në mënyrë vizuale, nëpërmjet ngjyrave, pikturës dhe formave. Fëmijët janë eksplorues në këtë botë, kjo është arsyeja përse ata bëjnë pytje për çdo gjë me të cilën përballen gjatë jetës. A.D.H.D i privon motivin fëmijëve për të qëndruar në këtë eksplorim. Detyra jonë është ngjallja e këtij motivimi dhe lufta kundrejt çdo shpërqëndrimi. Ngjyrat dhe format bazike janë gjuha universale me të cilën mund ti mësohet aftësitë e duhura këtyre fëmijëve.
A mund të na tregoni diçka për stresin dhe traumën? Sa jemi të traumatizuar ne si popull? Si mund të menaxhohet stresi, veçanërisht në këtë situatë paniku që ndodhet vendi ynë për shkak të COVID-19? Një këshillë…?
Populli shqiptar gjithmonë ka jetuar nën presionin e faktorëve të ndryshëm politik apo ekonomik. Traumat që ndikojnë në jetën e të rriturve pasqyrohen direct në psikologjinë e fëmijëve. Fëmija e shikon prindin si shembull në të cilin bazon vazhdueshmërinë e jetës së tij, andaj ndihma më e mirë për menaxhimin e stresit tek fëmijët është manipulimi i stresit tek prindërit. Mënyra më e mirë për të përballuar me një vështirësi është të shikohet ana tjetër e medaljes. Përballja me covid19 po sjell një prezantim të ri me ambientin familjar, të cilin disa prej nesh po e përjetojnë për herë të parë, e disa të tjerë i kishin harruar shijen. Një familje e shëndetshme kërkon menaxhim optimal, andaj “Hyperactivity Albania” këshillon prindërit të ndjekin listën e mëposhtëme për të reduktuar sa më shumë pasojat negative që mund të sjellë karantinimi në psikologjinë e fëmijëve, me fokus në çrregullimin e vëmendjes me/pa hiperaktivitet.
1. Mbaje fëmijën të interesuar me detyra komplekse.
Krijoni lojra të cilat zhvillojnë të menduarit kritik tek fëmija, ktheni pas lojrat të cilat ju prindër keni luajtur në fëmijëri, shtet-qytet, fjalëkryqe, gjeagjëza. Lojra të tilla përveç zhvendosjes së vëmëndjes nga problemi aktual, ndihmojnë fëmijën të zhvillojë një mendim kritik i cili do ta ndihmojë atë në të ardhmen. Për moshat e vogla, sygjerohen lojra vizuale, lojë me hije, pikturë etj.
2. Shfaq inkurajim.
Bëji të ditur fëmijës që me zgjidhjen e këtij problemi apo loje, merr vlerësimin e çdo anëtari të familjes. Diçka e tille i rrit fëmijës besimin në vetvete dhe sjell lehtësim me përballjen e sfidave në të ardhmen.
3. Krijoji një strukturë.
Bëji një plan ditor, sot në orën 4 kemi orën e pikturës, në orën 6 ushqimin e kështu me rradhë. Kjo gjë ndihmon fëmijën të orientohet dhe të mësohet me disiplinë.
4. Inkurajoje fëmijën të kryejë aktivitete fizike.
Një mëndje e shëndoshë në një trup të shëndoshë. Aktiviteti fizik ul nivelin e stresit, ankthit dhe depresionit, stimulon trurin dhe ndihmon në përmirësimin e gjumit.
5. Mësoji fëmijës të mbajë higjienë vetjake.
Përveçse ndihmon në rastin konkret të përhapjes së virusit, uji më vete shërben si një terapi për aftësimin gjatë jetës.
6. Kalo më pak kohë në telefon, televizor e kompjuter, jepi vëmendjen e duhur fëmijës. Krijoji platforma fizike, bëje pjesë të bisedave familjare. Fëmijët kanë nevojë të dëgjohen, jo të anashkalohen duke i dhënë telefonin në dorë. Fëmija ka nevojë të shprehet, të thotë një poezi, të pikturojë dhe të marrë përkrahje nga familja, të krijojë dhe të lundrojë në imagjinatën e tij.
7. Mos shfaq stres dhe ndjenja negative. Fëmijët kopjojnë gjithçka, madje dhe sjelljen tuaj. Ata priren të ekzagjërojnë një situatë, andaj mos i jep arsye.
8. Ki durim, ki durim, ki durim. Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi. Ji pranë fëmijës tënd, të duash do të thotë të sakrifikosh. Sado të lodhesh nga këto ditë, mos harro që ti je gjithçka për fëmijën tënd, andaj justifikoje këtë gjë.
Po ju si po e përjetoni këtë situatë? Prindërit e këtyre fëmijëve? A vazhdon mësimdhënia?
Në pamundësi për të qenë pranë prindërve, “Hyperactivity Albania” përdor mjetin e vetëm me te cilin afrohemi sa më shumë me prindërit, platformën tonë në Facebook. Përditësojmë statuse në lidhje më menaxhimin konkret të problemeve dhe i përgjigjemi pyetjeve që na vijnë çdo ditë. Personalisht, mundohem të mos e ekzagjëroj dhe përhap panik në këtë kohë pasi krijon stres dhe ankth në popullatë, por të njëjtën rëndësi ka dhe nënvlerësimi i këtij problem, diçka e cila nuk duhet bërë pasi rreziqet janë gjithmonë valide. Prindërit e fëmijëve të trajtuar në familjen e “Hyperactivity Albania” fatmirësisht janë të përgjegjshëm dhe plot njohuri ndaj menaxhimit personal kundrejt fëmijëve. Deri më tani ka pasur vetëm fryte pozitive.
Nëse do të mund të jepnit një këshillë për prindërit ose kujdestarët e një fëmije me ADHD, çfarë do të ishte?
Mesazhi ynë mbetet gjithmonë vlerësimi. Fëmijët me A.D.H.D janë fëmijë me potencë magjike në vetvete. Ata hasen me vështirësi në eksplorimin e kësaj bote, por me një menaxhim ideal imagjinata dhe potenca e tyre sjell fryte te jashtëzakonshme. Duhet bërë durim i madh dhe sado lodhje të kesh, duhet të reflektosh dhe të përdorësh këtë reflektim për vetë-motivimin. Fëmija përveç faktit që është i ri në këtë rrugëtim, ka nevojë për mbështetje të madhe, ndryshe nga të tjerët. Slogani ynë si “Hyperaktivity Albania” është “Të jesh ndryshe nuk do të thotë të jesh më pak”, të jesh ndryshe do të thotë të jetosh në një platform ndryshe, të cilën prindërit, specialistët e shëndetit mendor dhe të gjithë njerëzit, mund ta krijojnë që sot, me dashuri, durim dhe përkrahje.
Nuk ka shërim për ADHD, por ekzistojnë trajtime të cilat mund të ndihmojnë në menaxhimin e tij. Cilin trajtim u rekomandoni pacientëve, veçanërisht fëmijëve?
Siç u përmend edhe më sipër, trajtimi ideal është kombinimi i terapisë së sjelljes me mjete didaktike dhe terapi të derivuara nga personaliteti i vetë fëmijës. Terapia më e mirë është të empatia, individëd me A.D.H.D kanë nevojë të kuptohen nga ne, kanë nevojë për dikë të kuptojë gjuhën e shpirtit të tyre dhe kjo gjë arrihet thjeshtë, nuk është aspak e pamundur. Rëndësinë e mëshojmë tek prindërit. Janë ata të cilët duhet në jenë front, janë ata të cilët duhet të informohen dhe zbatojnë mjetet ndihmëse ndaj këtij çrregullimi.
Ajnshtajni thonte: Më lehtë është të thyesh një atom se një paragjykim.” Atëherë, pse paragjykojmë dhe si mund t’i thyejmë paragjykimet, stereotipet e ndryshme që kemi ndaj personave me nevoja të veçanta?
Në momentin e përballjes me nje ideologji apo individ ndaj të cilit ke mospërpuethshmëri, ndalu dhe merr frymë 10-20 sekonda. Gjatë këtyre 20 sekondave mendo dhe reflekto, njeriu është një qënie e cila priret të marrë vendime shumë shpejt, e në të shumtën e rasteve, shumë të gabuara. Reflektimi sjell një gjykim ideal, i cili zhduk paragjykimet. Mendo për diversitetin, mundohu të heqësh perden e ideologjisë nga sytë e tu, mos shiko ngjyrën, veshjen, sjelljen. Shiko ndjenjën, shiko zemrën, dëgjoji frymëmarrjen dhe lehtësoi vështirësinë. Vendose veten në këpucët e tij, mundohu të krijosh një ide për pengesat që ka ai individ në jetë, dhe shikojë veten tënde si një të tillë përpara se të paragjykosh. Kësaj bote i nevojitet empatia më shumë se kurrë, jo gjykimi, sepse në të shumtën e rasteve është i gabuar. Sot janë kthyer të gjithë në analistë, doktorë e shkenctarë. Në këtë botë plot gjeni, bëhu empat. Përqafo diversitetin, vlerëso unitetin, zhduk përçarjen stopuar helmin që sjell një fjalë apo një vepër e pamenduar mirë.
Kalojmë në një temë tjetër, atë të besimit shpirtëror. Si mund të jetë besimi frymëzim dhe motiv për punë të mira? Dhe e kundërta, qasja e maksimizimit të lirisë së pafund, duke eleminuar kështu konceptin e përgjegjësisë, drejt një krize morale. Si reflektohen këto dy aspekte të kundërta në anën psiqike të njeriut?
Personalisht, mendoj që besimi shpirtëror është arma më e mirë ndaj problemeve të sotshme në këtë botë. Personat të cilët shprehen se nuk besojnë në botën shpirtërore, nuk besojnë në Zot, nuk besojnë në asgjë përveç materialit, janë personat më të prirur ndaj papërgjegjshmërive. Ateizmi në vetvete është një besim, çdo ideologji është një besim, shkenca është një besim, ekzistenca e virusit është besim, ekzistenca e materies së zezë është një besim, egoja, subkoshienca, janë besime. Jemi ne ata që kemi në dorë ngjyrosjen e këtyre besimeve, por jemi përsëri ne që priremi ndaj afrimit të rreziqeve, pasi duke i dhënë vetes liri të tepruar, sjellim pasoja shkatërrimtare. Besimi im fetar më ka ndihmuar të jem falenderuese për zgjimin në mëngjes, për buzëqeshjet plot dritë që marr nga fëmijët, madje dhe për sfidat dhe paragjykimet, sepse nuk shoh të sotshmen asnjëherë, shoh mësimet që marr nga to, të cilat më bëjnë më të fortë. Një njeri me lekundje shpirtërore fillon të krijojë deluzione, të cilat shpeshherë janë deluzione madhështie. Psikoza e tyre helmohet nga vetpëlqimi, fillojnë sfidojnë çdokënd duke menduar që e drejta e tyre, është ingranazhi i jetës së tyre, i cili në shumicën e rasteve, përveç helmimit vetjak, sjell dhe helmimin e popullatës. Sot përveç empatisë, njërëzit kanë harruar limitet e të drejtave. E drejta ime fillon atje ku mbaron e drejta jote, por cili është limit ii të drejtës time dhe tëndes vallë?
Mesazhi juaj në fund për lexuesit e Fast News Albania?
Njihuni me çrregullimin e vëmendjes me/pa hiperaktivitet (A.D.H.D), bashkohuni me nismën e “Hyperactivity Albania” për t’i ardhur në ndihmë zemrave të cilat kanë nevojë për pak dritë dhe ngrohtësi. Mos i jep vetes arsye për tu kthyer në pengesë, vendose veten në këpucët e këtyre individëve dhe mundohu të ndihmosh sa më shumë, pasi me të vërtetë kanë nevojë. Bëhu pjesë e ndërgjegjësimit, jo verbimit. Ndihmo në krijimin e një platforme ndryshe, sepse të jesh ndryshe, nuk do të thotë të jesh më pak.
Intervista me Migena Kurushi për “Fast News Albania” u realizua nga Merjeme Tota.