Mijëra nxënës braktisin arsimin e detyrueshëm çdo vit për shkak të varfërisë, emigrimit, martesave të vajzave në moshë të vogël dhe mentalitetit patriarkal, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se shifrat mund të jenë edhe më të larta nga sa raportohen.
Po shkon 11:00 e paradites dhe Kujtimja, një vogëlushe që mbushi 8 vjeç gushtin e kaluar, po pret të vijë ora e faljes para xhamisë së Oxhakut në lagjen Porcelan të Tiranës.
“Ngjitem në kat të dytë e lutem që të kemi bukë, që të kemi një shtëpi, lutem edhe për mamin se lodhet shumë ,” thotë vajza, e cila ndonëse ka mbushur moshën, nuk shkon në shkollë.
E ëma, Manjola, e cila e siguron jetesën për veten dhe dy vajzat duke mbledhur materiale të riciklueshme nëpër kazanët e mbeturinave dhe me një pension social prej 6500 lekësh në muaj, është munduar ta regjistrojë në shkollë Kujtimen, por vajza nuk është pranuar sepse nuk ka bërë ende të gjitha vaksinat.
“Në gusht shkova ta regjistroja të shkolla “Gjon Buzuku”, ku kam edhe vajzën e madhe në klasë të 6-të, por nuk ma regjistruan, pasi vajza nuk i ka bërë të gjitha vaksinat,” shpjegoi Manjola.
“Pavarësisht se iu luta dhe i tregova për gjendjen e rëndë ku ndodhemi, drejtoresha e shkollës më tha se ligji nuk e lejonte ta regjistronte, nëse nuk i ka bërë të gjitha vaksinat e kështu vajza më ngeli rrugëve,” shtoi ajo.
Sipas të dhënave të fundit të bëra publike nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, MASR vetëm gjatë viti shkollor 2016-2017, 1881 nxënës ose 0.5% e numrit të nxënësve të regjistruar në arsimin e detyrueshëm raportoheshin se kanë braktisur shkollën. Në vitin shkollor 2017-2018, MASR raportoi se lanë arsimin e detyrueshëm, 1540 nxënës, ndërsa përgjatë vitin shkollor 2018-2019 ky numër ishte 1602 të mitur që lanë arsimin e detyruar.
Paradoksalisht, Kujtimja nuk bën pjesë në këtë statistikë, pasi Ministria e Arsimit numëron vetëm ata fëmijë që regjistrohen në shkollë dhe nuk e përfundojnë sistemin e detyrueshëm.
Organizatat ndërkombëtare u bien këmbanave të alarmit se numri i nxënësve që braktisin shkollën çdo vit në Shqipëri është dy herë më i lartë nga sa raportohet në statistikat zyrtare të Ministrisë së Arsimit.
Sipas ekspertëve, arsyet kryesore që çojnë në braktisjen e shkollës janë varfëria, emigracioni, puna e të miturve dhe martesa e parakohshme të vajzave, ndërkohë që e lidhin raportimin e ulët të fenomenit nga shkollat me lidhjen e këtij indikatori me standardet e performancës, të cila mund ta penalizojnë një institucion arsimor.
“Kur flasim për nxënës jashtë sistemit shkollor, nuk është e qartë nëse u referoheni atyre që janë regjistruar një herë në shkollë apo edhe të fëmijëve që nuk janë regjistruar asnjëherë në sistemin arsimor,” tha Ministria e Arsimit në një përgjigje me shkrim.
“Vlen të theksohet se ende bëhet fjalë për fëmijë të paregjistruar nga pakicat e ndryshme në vend, si dhe për fëmijë që emigrojnë pas regjistrimit në gjendjen civile,” shtoi ajo.
Statistika të ‘korruptuara’
Ministria e Arsimit mburret se shifra e braktisjes shkollore ka shënuar një ulje të vazhdueshme përgjatë 10 viteve të fundit dhe është tregues i performancës së mirë të reformave të ndërmarra nga socialistët në arsim.
Braktisja e shkollës nuk është një fenomen as i ri dhe as i panjohur për Shqipërinë. Ministria e Arsimit ka ndjekur gjatë dy dekadave të fundit politika të ndryshme për të minimizuar braktisjen, por ende mijëra fëmijë vazhdojnë të mbeten çdo vit jashtë arsimit të detyrueshëm.
Pas viteve ‘90, kur u shënuan edhe rekordet e braktisjes së shkollave, ky fenomen u konsiderua kundravajtje administrative dhe u përfshi në ligjin e arsimit parauniversitar, i cili sanksiononte ndëshkime me gjobë.
“Kur nxënësit e moshës 6 deri 16 vjeç, të cilët i përfshin detyrimi shkollor, mungojnë pa arsye në shkollë ose e braktisin atë, prindërit e tyre dënohen për kundërvajtje administrative me gjobë nga 1000 deri në 10000 lekë”, shkruhet në nenin 59 të këtij ligji.
Me ligjin e ri të arsimit, ky penalizim është zgjeruar dhe synon të ndëshkojë jo vetëm personat fizikë, por edhe ata juridikë, nëse bëhen pengesë për ushtrimin e së drejtës së arsimimit te fëmijët e arsimit të detyrueshëm, penalizim që shkon deri në 80 mijë lekë.
Ndonëse zyrtarisht raportohet se vendi ynë ka ndër shifrat më të ulëta të braktisjes shkollore në rajon, shifrat e publikuara Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNESCO – që mbledhin statistika për arsimin dhe kulturën në mbarë botën, janë dy herë më të larta se statistikat e Ministrisë së Arsimit.
OBSH përllogarit qënë vitin 2016 e braktisën shkollën 3988 nxënës përkundër 1767 nxënësve të raportuar nga Ministria e Arsimit, ndërsa në vitin 2017, OBSH raporton se numri i nxënësve që hoqën dorë nga arsimi parauniversitar ishte 3628
Ndryshime të mëdha mes shifrave të raportuara nga Ministria e Arsimit dhe organizatat ndërkombëtare vihen re edhe përgjatë 2018-ës. Kështu ndërkohë që Ministria e Arsimit raporton se në vitin shkollor 2017-2018 e braktisën shkollën 1540 nxënës, OBSH raporton se ishin 4085 nxënës që braktisën arsimin e detyruar përgjatë 2018-ës.
Isa Halilaj, zv.president i Sindikatës së Pavarur të Arsimit pohon se shifrat e raportuara nga MASR, fshehin përmasat e vërteta të braktisjes shkollore në Shqipëri.
Halilaj, i cili bashkë me Federatën e Pavarur të Arsimit po mbështeten nga International Education [një prej organizatave më me peshë në fushën e arsimit] për uljen e numrit të nxënësve braktisës dhe atyre në rrezik braktisje, shprehet se kjo shifër mund të jetë disa herë më e lartë se sa raportohet nga MASR.
“Nuk e dimë me saktësi se sa mund të jetë shifra reale, por duke u nisur nga ajo që shohim në terren, kjo shifër mund të shkojë deri në 5 mijë”, tha Halilaj.
Në vitin 2015, braktisja e shkollës u përfshi si një ndër kriteret në kartën e performancës së shkollës. Mirëpo në vend që të ndihmonte në nxjerrjen në pah të fenomenit, ekspertët e shohin si kriter ndëshkues, i cili i shkurajon shkollat për ta raportuar atë.
“Nëse burimi i parë, por edhe i fundit për braktisjen është shkolla dhe nga ana tjetër, në standardet e performancës ti i vë shkollës si kriter penalizues ose vlerësues braktisjen, do të thotë se e ke detyruar vetë që ta korruptojë këtë të dhënë,” argumenton Majlinda Keta, eksperte arsimi dhe lektore në Universitetin e Tiranës. “Nuk ka asnjë institucion që ta vetëdeklarojë,” shtoi ajo.
Sipas Ministrisë së Arsimit rrethet me numrin më të lartë të braktisjes janë: Korça 2.33%, Dibra 1.33% dhe Kruja 1.21%, ndërkohë që qytete si Vlora, Përmeti, Hasi, Kolonja, Peqini, etj. e kanë nivelin e braktisjes zero.
Sindikata e Pavarur e Arsimit sapo ka mbyllur një projekt dy vjeçar për braktisjen në Kamëz dhe prej disa muajsh po punon në qytetin e Korçës. Sipas Halilajt, situata nuk është aspak optimiste as në qytetin e shkollës së parë shqipe. Madje, ai deklaron se bëhet fjalë për braktisje të lartë të shkollës në Korçë.
“Mund të them se në çdo shkollë të Korçës ka mesatarisht 20-25 nxënës braktisës,” tha ai, duke shpjeguar se sindikata po punon për të luftuar fenomenin në shkollat “Naim Frashëri” dhe “Sotir Gurra”.
“Të dyja këto shkolla me rreth 200 nxënës numërojnë20 nxënës braktisës dhe 70-80 nxënës kontingjent braktisës,” shtoi Halilaj, i cili nënvizon se bashkë me mësuesit, po punojnë me familjet e fëmijëve, të cilët janë lënë të vetëm në këtë betejë.
Situata konfirmohet edhe nga Leonard Trebicka, përfaqësues i sindikatës në Korçë. Sipas tij, thuajse çdo shkollë në këtë qytet ka një numër prej 5% të braktisjes.
“Në shkollën “Naum Veqilharxhi”, e cila ka 180 nxënës, janë 17 nxënës braktisës dhe disa të tjerë kontigjent braktisës që kanë bërë një numër shumë të lartë mungesash,” tha Trebicka.
Ndriçim Mehmeti, ekspert i politikave arsimore jep disa arsye se pse sipas tij, shifra e deklaruar nga Ministria e Arsimit është larg asaj të vërtetës, të cilën ai e vlerëson diku mes 5%-7%.
Mehmeti, i cili ka drejtuar për disa vite me radhë arsimin parauniversitar në MASR gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike pohon se deklarimi i saktë i braktisjes është një “siklet” i përhershëm, pasi është tregues i ecurisë së reformave.
“Lufta politike ka zbehur thelbin e reformave në arsim, ndaj them se Ministria e Arsimit po gënjen që të dalë mirë dhe opozita të mos e përdorë si argument. Edhe në kohën tonë është zbukuruar shifra, por nuk është gënjyer,” pohoi ai.
Nora Malaj, zëvendësministre e Arsimit për dy mandate radhazi – një me demokratët dhe një me socialistët, pranon se realiteti i braktisjes së shkollës shfaqet krejt ndryshe nga shifrat zyrtare që raportohen.
“Ne kemi fshehur kokën, por vazhdojmë të themi se po bëjmë shumë gjëra, ndërkohë që jemi shumë larg nga ajo që duhet të bëjmë,” tha Malaj. “Për mua shifra e vërtetë e braktisjes varion nga 10 mijë deri në 11 mijë fëmijë që janë braktisës të rregullt dhe braktisës sezonalë. Është dhimbshme si shifër, por ekziston,” shtoi ajo.
Majlinda Keta, e cila ka drejtuar më herët drejtorinë arsimore të kryeqytetit, e shikon këtë statistikë të korruptuar, pasi Ministria e mat braktisjen shkollore me masën që shkon në institucione për t’u regjistruar, jo me masën që duhet të shkojë në institucion për t’u regjistruar.
“Kjo krijon një handikap që në nisje, pasi i tërë vendi ka një informalitet të inventarit human dhe ne bëjmë gabimin e dytë: fillojmë blatojmë pjesën e pasaktësisë dhe nxjerrim statistika mbi të cilat ndërtojmë edhe politikat arsimore,” tha ajo.
“Ne kemi një mediokritet në raportim, pasi ne e marrim të mirëqenë kur fëmija shkon në shkollë, por ne kemi një kontigjent tjetër fëmijësh që nuk janë të regjistruar fare në gjendjen civile, ndonëse mosha e tyre e ka kaluar moshën për t’u futur në shkollë dhe ky është një inventar totalisht i humbur,” shtoi Keta.
Ndryshe nga kolegët, Fatmir Vejsiu me një eksperiencë mbi 30 vjeçare në mësimdhënie në arsimin parauniversitar i beson shifrat e publikuara nga Ministria, ndërsa shton se interpretimet janë të gabuara.
“ Shifrat që jepen mendoj se janë të sakta, por ka interpretime të gabuara, pasi në të nuk mund të jenë vetëm braktisës, por mund të ketë ndikuar rënia e numrit shkollor të nxënësve, lëvizjet demografike, emigrimi apo arsye të tjera, siç mund të jenë “martesat” apo ‘vdekjet’,” tha Vejsiu.
Megjithatë ai shton se dhe nëse numri i braktisësve është 1900 – aq sa deklarohet, ai është vërtet alarmues.
“Nëse është e saktë si shifër është alarmuese, sepse nëse braktisin shkollën çdo vit 1900 fëmijë, do të thotë që pas 10 vitesh, do të kemi 19 mijë fëmijë braktisës, që është alarmuese pa llogaritur këtu mbetësit,” shpjegon ai.
‘Nuset’ e mitura të Torovicës
Është thuajse ora 10:00 e paradites dhe Aurela nuk ka shumë që është zgjuar nga gjumi. Është vetëm 15 vjeç, por ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj që nxitojnë për në shkollë, Aurelën nuk e lë babai që të ndjekë ëndrrën për dije. E pafuqishme për të dalë kundër vullnetit të të atit, 15-vjecarja, e cila ndoqi vetëm për tre muaj vitin e parë të gjimnazit, është dorëzuar.
“Po edhe babi s’e ka keq, më duhet të shkoj vetëm deri në Balldren e do ishte mirë të mos shkoja vetëm…..Po të kishte gjimnaz këtu në Torovicë, do të ishte ndryshe,” tha Auerela me një zë të nënshtruar.
Familja Nikaj zbriti në fillim të viteve 2000 nga Lekbibaj i Tropojës në Torovicë të Lezhës dhe ka 4 fëmijë. Aurela është fëmija e dytë i familjes.
“Na prishi punë që u mbyll gjimnazi në fshat. Për zotin nuk mund të dal kundër burrit, “ thotë Shpresa, e ëma e Aurelës, që e shikon të bijën në dritë të syrit.
“Ai nuk pranon ta çojë në shkollë, jo se ka frikë se vajza mund të bëjë diçka që na turpëron, por janë shtuar njerëzit e këqij,” shtoi ajo, duke nënvizuar se nëse gjimnazi do të ishte në fshat, vajza nuk do të gjendej në këtë situatë.
I hapur vetëm dy vite më parë, gjimnazi në Torovicë u mbyll shtatorin e vitit të kaluar për shkak të numrit të paktë të nxënësve. Këtë vit, Drejtoria Arsimore Lezhë ka siguruar transport falas për fëmijët që do shkojnë në gjimnazin e Balldrenit, por vitin tjetër nuk dihet se çfarë do të ndodhë.
“Pati një rënie drastike të numrit të nxënësve. Nëse para 4 vitesh, shkolla 9-vjeçare kishte 340 nxënës, këtë vit kemi vetëm 148 nxënës,“ thotë Kujtim Koldreu, drejtor i shkollës 9-vjeçare. “Vetëm gjatë një viti na ikën në emigracion 13 nxënës nga gjimnazi. Torovica po braktiset, nuk ka punë,” shtoi ai.
Lula Bregu, mësuese e gjuhës shqipe në shkollën 9-vjeçare të Torovicës nuk e fsheh hidhërimin për Aurelën.
“Nuk e imagjinon dot sa më dhimbset. E ka mbaruar 9-vjeçaren me notat maksimale…dhe ta dish çfarë lufte kemi bërë dhe sa i jemi lutur të atit që ta çonte në gjimnaz. Kur e mora vesh që e ka ndaluar më theri në zemër,” thotë mësuese Lula.
Trishtimi i mësueses bëhet edhe më i madh kur na tregon se Aurela ka edhe një motër në klasë të 8. “Po me sa duket, edhe atë nuk do e lërë kush të shkojë në shkollë,” shtoi ajo.
Edhe pse Aurela është vetëm 15-vjeç, familja e saj ka marrë disa kërkesa për martesë, por ka qenë e dyzuar nëse duhet ta lidhte vajzën.
“Joo, nuk kemi ndërmend ta martojmë, megjithëse na kanë ardhur nja tre-katër kërkesa, por ende se kena nda mendjen,” tregoi Shpresa.
Historitë e vajzave që i martojnë sapo mbushin moshën e Aurelës këtu në Torovicë nuk janë të rralla.
“Kisha një vajzë vjet që mbaroi klasën e 9, e kishin fejuar në qershor sapo mbaroi shkolla dhe në shtator e martuan,” kujton mësuese Lula. “Më pikoi në zemër kur e mora vesh, ndoshta asaj i ecën mbarë, por ishte veçse një fëmijë dhe ky nuk është një rast i vetëm,” shtoi ajo.
Sipas Ndriçim Mehmetit, vajzat regjistrojnë dhe shifrat më të larta të braktisjes së shkollës, në pjesën më të madhe për shkak të martesës, duke krijuar një rreth vicioz.
“Jemi shumë në faj ndaj femrave, pasi vazhdon të jetë e diskriminuar. Shkolla është larg, herë pas here nuk kanë tualete dhe familjet zgjedhin t’i martojnë, përgjithësisht me emigrantë për t’i siguruar një jetë më të mirë,” thotë Mehmeti, i cili sjell ndërmend edhe shprehjen e Sami Frashërit: “Të arsimojmë femrën, sepse bashkë me qumështin e nënës, ajo është mësuesja e parë. Po ishte ajo e paditur, i paditur do të behët fëmija i saj dhe e gjithë familja” – përfundon ai.
Varfëria, emërues i përbashkët
Shkolla në Shqipëri nuk braktiset vetëm në fshatrat e Lezhës, por edhe në Tiranë.
Sindi duhet të ndiqte klasën e shtatë, por prej muajsh e ka lënë shkollën dhe kujdeset për dy motrat e saj, 6 vjeçe dhe 3-muajshe.
“Deri në klasë të tretë e kam pasur te shkolla “Gjon Buzuku”, “ thotë Ana, e ëma e Sindit.
Ajo tregon se pas klasës së tretë, bashkëshorti e hoqi dhe e çoi në një shkollë private dhe këtë vit Sindi duhet të ishte në klasë të 7. Në qershor 2019, ai e braktisi familjen duke marrë me vete edhe të gjitha kursimet, ndërsa nuk kishte paguar as shkollën e vajzës.
“Në këto kushte ku jam, e kam të pamundur ta dërgoj në shkollë, sepse duhet të kujdeset për dy vajzat e vogla se nuk kam ku i lë,” thotë Ana, ndërsa pohon se ka trokitur në dyert e njësisë bashkiake nr.4 ku edhe është banore, por askush nuk e ka marrë në konsideratë rastin e saj.
“Unë kam nevojë për ndihmë ekonomike, asistencë…jam e vetme me tre fëmijë, qiranë nuk e kam paguar, dritat jo, ndaj edhe m’i kanë prerë…Unë e kam mendjen si t’u siguroj një copë bukë për të ngrenë, jo ta çoj në shkollë,” përfundon ajo.
Për ekspertët që e njohin situatën e shkollave, mentaliteti është vetëm njëra nga arsyet që çon në braktisje të shkollave. Sipas tyre, varfëria është emëruesi i përbashkët i të gjithë atyre që braktisin shkollën, ndaj puna duhet të nisë pikërisht me kurimin e varfërisë.
“Rrënjët e çdo braktisjeje, përtej elementit kultural, lidhen me varfërinë. Duhet të kurohet varfëria që të mos kemi braktisje, por ne nuk duhet të presim braktisjen për të kuruar varfërinë. Përkundrazi, sepse kështu kemi pohuar se kemi dështuar edhe në politikat sociale, edhe në politikat arsimore,” thotë Majlinda Keta, e cila sugjeron se duhet të rikonceptohet matrica me të cilën funksionon koncepti i braktisjes.
“…një politikë e mirë arsimore do të ndihmonte shumë se ku duhet të shkojë edhe politika e asistencës sociale dhe politikat me reduktimin e varfërisë,” shtoi Keta.
Banka Botërore e klasifikoi Shqipërinë në 2018-ën si vendin me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon. Sipas BB, një e treta e popullsisë shqiptare jeton me më pak se 5 dollarë në ditë, ndërsa sipas INSTAT, 23% e popullsisë së vendit ose 671 mijë shqiptarë jetojnë nën kufirin e varfërisë.
“Varfëria është thelluar dhe kjo do të pjellë braktisje, pasi në shtëpi duhet të shtohen krahët e punës,” thotë Ndriçim Mehmeti. “Në zonat kufitare, shkollat por edhe pushteti lokal e di që fëmijët emigrojnë së bashku me prindërit dhe punojnë në punë sezonale,” shtoi ai.
Sipas Isa Halilajt, zv/kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, janë disa kategori të fëmijëve që braktisin shkollën, kryesisht nga grupet e margjinalizuara.
“Janë fëmijët e emigrantëve që i kanë lënë nën kujdestarinë e nënës ose gjyshërve ( e lënë, e fillojnë, e lënë sërish); romët dhe egjiptianët; vajzat për hir të mentalitetit që i martojnë dhe djemtë sepse i përdorin për punë; dhe sigurisht kushtet e vështira ekonomike,” tha ai.
“Klasat e fillores braktisen kryesisht për shkak të gjendjes së keqe ekonomike dhe klasat e rritura nga djemtë, që përdoren si krah pune për familjen,” shpjegoi Halilaj.
Toni Treska, aktualisht pedagog pranë Universitetit Europian të Tiranës, i cili është njëherazi edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar thotë se ligji i arsimit paraunviersitar dhe politikat e MASR, në mënyrë të padrejtë penalizojnë familjet për braktisjen e shkollës.
“Unë mendoj që përgjegjësia e prindit dhe e familjes është ndër të fundit për të zbatuar ligjin për arsimin e detyrueshëm bazë,” tha ai.
Braktisja e ‘fshehtë’ e shkollës
Donald Dervishi dhe Borsion Spaho dy mësues për disa vite në Vëndreshë Mal të Skraparit, i kaluan pushimet e verës së dy viteve më parë duke u ndërtuar nxënësve të tyre një shkollë të re, me paratë që mblodhën nëpërmjet donacioneve përmes internetit.
Borsion Spaho shpjegon se nëse nuk do të ishte ndërtuar ajo shkollë në mënyrë vullnetare e ardhmja dhe arsimimi i 5 fëmijëve të atij fshati do të ishte i paqartë. Sipas tij, në shumë shkolla në zona rurale fëmijët e braktisin shkollën për arsye të ndryshme, por këto braktisje rrallë herë regjistrohen.
“Unë di plot raste kur nxënësit nuk shkonin në shkollë për muaj të tërë, se ndihmonin familjet në punë sezonale, e prapë nuk raportohen,” tha ai.
“Mendoj se braktisja reale mund të jetë tek 5-7%,” shtoi Spaho.
Donald Dervishi, i cili ka drejtuar shkollën në njësinë administrative Vëndreshë njëkohësisht edhe ideatori i projektit vullnetar, pohon se kjo formë braktisjeje e shkollës nuk raportohet, sepse shkollat duan të ruajnë numrin e nxënësve nëpër klasa, që të mbajnë mësuesit në punë.
“Në disa raste braktisja mbetet e fshehtë, sepse drejtoritë nuk e paraqesin si të larguar nga shkolla, derisa nxënësi të mbushë moshën e caktuar në ligj, kohë në të cilën saktësohet se nxënësi duhet të çregjistrohet nga përgjegjësia e shkollës,” shpjegon Dervishi.
Sipas Nora Malajt, gjatë muajve të pranverës në zonat rurale, një pjesë e nxënësve nuk shkojnë në shollë për shkak se punojnë në bujqësi.
“Një pjesë e mirë ndihmojnë familjen, sidomos gjatë periudhës së pranverës, për të mbjellë tokën dhe kjo është braktisja e fshehtë që është edhe më e keqja e mundshme, që prodhon edhe analfabetizmin funksional,” tha ajo.
“Dhe pikërisht raporti i fundit i PISA që e renditi Shqipërinë shumë keq, tregon se kjo lloj situate ka precipituar në një nivel alarmant,” shtoi Malaj.
Për ish-drejtoreshën e arsimit të Tiranës, Majlinda Keta nuk janë të panjohura rastet kur fëmija nuk e frekuenton shkollën, por qëndron në regjistrat e shkollës dhe merr dëftesën. Ajo i quan këto “mekanizma korruptues’ që gjen shkolla për t’u çliruar nga ‘ndëshkimi’ i ministrisë së Arsimit për performancë të dobët.
“Ka raste kur karta e performancës nuk del atje ku duhet, apo edhe më keq, për shkak të rënies së numrit të nxënësve mund të preket edhe numri i mësuesve,” shpjegoi ajo.
Kapital i krimit
Markelian Cungu, 23 vjeç, konsiderohet si tmerri i policisë në kryeqytetit. Vetëm në komisariatin nr. 3 ka të regjistruar mbi 70 vjedhje, ndërsa në të gjithë komisariatet e Tiranës ai mban autorësinë e mbi 500 vjedhjeve. Ndonëse i ati ishte mësues, shkolla për të nuk ishte një opsion dhe e braktisi atë në moshë të re.
Sipas Nora Malajt, ngjashëm me Markelian Cungun, një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve që braktisin shkollën, bien pre e krimit.
“Ata që sot duhet të ishin në shkollë, por nuk janë, nesër kanë tendencën për një kapital të ardhshëm të krimit, të shfrytëzim të qenieve njerëzore,” tha Malaj, duke ilustruar opinionin e saj me rastin e tre 16-vjeçarëve në Mallakastër, që në këtë fillim të vitit tronditën vendin me vrasjen e një gruaje. “Të rinjtë ishin të paarsimuar,” shtoi Malaj.
Referuar Vjetarit Statistikor që publikon ministria e Drejtësisë, në vitin 2018 janë dënuar për vepra të ndryshme penale plot 296 të mitur, kryesisht për vjedhje. Ndërsa 2200 fëmijë të tjerë janë të dyshuar si të përfshirë në konflikt me ligjin.
“Një pjesë e madhe shesin çdo ditë në rrugë, një pjesë i shohim çdo ditë të mbushin kronikat e lajmeve, pasi përfundojnë në grackën e kriminalitetit,” tha Ndriçim Mehmeti.
Por jo të gjithë fëmijët që braktisin shkollën ndjekin rrugën e krimit.
Meti, një djalë modest dhe i ndrojtur mban një pirg me libra ndër duar dhe kërkon klientë në lokalet e Tiranës. Vjen çdo ditë nga Elbasani në orën 9 të mëngjesit për t’u kthyer pas orës 7 të pasdites në shtëpi.
“E lashë shkollën në vitin e dytë të gjimnazit, sepse babai bëri një ndërhyrje në zemër dhe nuk mund të punonte më…kështu që më duhej ta mbaja unë familjen,” thotë ai.
Meti sot është 24 vjeç dhe pasi ka provuar disa profesione të tjera, e ka gjetur veten si librashitës. Gjatë verës, ai shkon për të shitur në plazhe, pasi atje ka më shumë blerës. Meti tregon se haset shpesh me paragjykime, sidomos nga të rinjtë që shpesh mundohet t’i evitojë.
“Në shumë raste më thërrasin e fillojnë e tallen, i mbajnë librat një orë në dorë e nuk blejnë gjë,” shpjegoi ai, ndërsa shton se edhe pse nuk e përfundoi shkollën, nuk do të thotë se nuk i pëlqen të lexoj.
“Të paktën motrat ta mbarojnë shkollën,” lutet i riu, ndërsa shton se njërën motër e ka në gjimnaz dhe tjetrën në 9-vjeçare.
Buxheti anemik i arsimit
Arsimi konsiderohet prioritet kombëtar, por buxheti i akorduar ndër vite tregon se ky prioritet mbetet vetëm në letra.
Në vitin 2020, buxheti i akorduar i arsimit është 41.9 miliardë lekë, ose rreth 2.21% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Buxheti për arsimin është luhatur në të njëjtat shifra përgjatë gjithë periudhës së qeverisjes nga socialistët, shumë larg prej vitit 2013, kur arsimi mori edhe fondin më të madh prej 3.54% të PBB.
Banka Botërore dhe institucionet e tjera kanë bërë apel të vazhdueshëm që buxheti për arsimin duhet të jetë së paku 5% e PBB-së, aq sa është edhe mesatarja e vendeve të BE-së.
“Fëmijët tanë e fillojnë shkollën keq,” tha Isa Halilaj. “Duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi kopshtit dhe parashkollorit, por për këtë duhen më shumë fonde, ndërsa buxheti i akorduar nga qeveria është qesharak,” shtoi ai.
Isa Halilaj tregon se më 25 nëntor ishin njoftuar për të marrë pjesë në Komisionin e Edukimit në parlament, ku do të diskutohej edhe projektbuxheti për arsimin, por pas situatës së krijuar nga tërmeti që goditi vendin një ditë më pas, askush nuk u kujtua më për ta.
“Ne jemi në errësirë sa i përket buxhetit të arsimit, askush nuk na ka bërë pjesë të diskutimeve apo aq më pak, të marrë në konsideratë sugjerimet tona,” tha sindikalisti.
“Ne e morëm vesh vetëm pasi u miratua, dhe pamë që këtë vit është premtuar ndërhyrje në 20-25 shkolla, nga 2500 që kemi në të gjithë vendin. Kjo është tallje, çfarë mund të presësh me kaq para,” pyet ai.
Nora Malaj mendon se problemi i braktisjes do të zhdukej brenda 4 viteve nëse do të kishte vullnet të mirë nga politika.
“Nuk e ekzagjeroj se ky fenomen do të zhdukej brenda 4 viteve, nëse bëhet një skanim i saktë i fenomenit, nëse ka politika të dedikuara dhe rrit buxhetin në 5 %, ky fenomen minimizohet,” tha ajo.
“Nëse do ta lëmë arsimin në rënie të lirë, do të jetë jashtë mase e vështirë dhe këtu nuk flas për arsimin e lartë, por për arsimin bazë që është shtylla kryesore e të gjithë sistemit arsimor. Jemi në moment thirrjeje SOS,” shtoi Malaj.
Majlinda Keta konsideron se me shifrat e larta të braktisjes së shkollës, vendi po korr atë që ka mbjellë. Ajo nënvizoi se prej 30 vitesh, politikanët në fushata elektorale bëjnë premtime për arsimin më të mirë, por e korruptojnë këtë premtim me buxhete skandaloze kur vijnë në pushtet.
“Duhet të kishim arritur së paku në 5% të PBB-së, aq sa është edhe rekomandimi, por vazhdojmë të mbetemi shumë larg,” tha Keta.
“Të mos çosh një vajzë në shkollë sepse atje nuk funksionojnë tualetet, nuk ka infrastrukturë, nuk ka rrugë për të shkuar deri tek shkolla, është treguesi më i qartë se ne kemi dështuar të gjithë dhe duhet të na shërbejë si kambana e fundit e alarmit,” shtoi ajo.
Zgjidhja e vështirë, por jo e pamundur
Kthimi i arsimit në një prioritet “de facto”, duke dhënë më shumë fonde është një skenar që debatohet prej vitesh. Por ekspertët ofrojnë edhe zgjidhje që jo domosdoshmërish kanë kosto të mëdha financiare.
Majlinda Keta rendit si pikë të parë ndërtimin e inventarit human nga pushteti lokal, në mënyrë që shkolla të mos nisë me statistika qorrazi.
Ministria duhet të rifreskojë statistikat, pasi kështu është veçse një statistikë e vakët dhe e vetëkënaqur për të thënë jemi mirë apo nuk jemi mirë me rajonin, por realisht nuk e dinë se ku i kanë fëmijët, “tha ajo, duke shtuar se duhet të ketë patjetër edhe mbështetja financiare.
“Libra falas, mjete didaktike falas, kurse plus dhe është domosdoshmëri që pas 30 vitesh, shkolla shqiptare duhej të kishte një vakt ushqim të detyruar për 9-vjeçaren – varfëria ta heq edhe atë që ke mësuar brenda orës së mësimit,” shtoi ajo.
Ndriçim Mehmeti thotë se shkollës shqiptare i pikon çatia në shumë vende, ndaj qeveria duhet ta zgjidhë qesen për arsimin, në mënyrë te veçantë tek trajtimi i mësueseve, që sipas tij janë të pamotivuar.
Mehmeti thotë se një mësues gjimnazi në Kosovë e ka pagën 642 euro, ndërsa tek ne 500 euro. Ai nënvizon se qeveria jep 26 mijë lekë të reja në muaj bonus për një mjek specializant që shkon në një spital tjetër, ndërsa për mësuesin që përgatit këtë mjek e që shkon në një fshat të thellë, nuk jep as lekët e rrugës. Ai shton se shkollat nuk kanë ujë të ngrohtë e të ftohtë dhe ka ende 30 mijë fëmijë me klasa kolektive.
Mehmeti është pesimist për të ardhmen dhe shprehet se braktisja është një fenomen që “do të na shoqërojë edhe për 20-vjeçarin e ardhshëm”.
“Ne nuk do të kemi braktisje sa kohë që ekonomia jonë përmirësohet. Sot nuk ka një strategji të veçantë, dhe në mungesë të strategjisë nuk ka as masa,” tha ai. “Jam për një bonus, që as ai nuk është i mjaftueshëm, por është një stimul. Gjithashtu këta fëmijë duhet t’i ndihmojmë me setin e librave, mjeteve ndihmesë, fletore pse jo edhe veshje,” shtoi ai.
Për Mehmetin, ofrimi i ushqimit në shkolla është urgjencë, ndërsa fëmijët duhet ta shohin shkollën si një mundësi për të dalë nga varfëria. Ai përmend rastin e studimit të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, sipas të cilit 30% e fëmijëve 8-vjeçarë në shkollat e Kamëz ishin të paushqyer dhe nënpeshë.
“Urgjentisht duhet të fillohet me ushqimin, të paktën një vakt të ngrohtë dhe t’i mbajmë deri në orën 2, sepse kemi një numër të madh me mësues ndihmës,” tha Mehmeti. “Ata që vijnë nga shtresat në nevojë… në këtë mënyrë ne i ndihmojmë ata – ta bëjmë shkollën joshëse dhe ta bëjmë të mendojë se me shkollë mund të shpëtojë nga varfëria,” përfundoi ai.
Marrë nga Reporter.al