Voltana Ademi, kryetare në detyrë e Bashkisë Shkodër, ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Shkodër, ku iu vendos tritol administratorit të Vllaznisë. Në një reagim në Facebook, Ademi i jep një mesazh të ashpër Edi Ramës dhe Sandër Lleshaj për situatën e krijuar me krimin në Shkodër.
Ajo shkruan se Rama dhe Lleshaj e kanë lënë Shkodrën zonë të lirë për krimin dhe qytetarët ndihen të pasigurtë, dhe shton se “sot ishte administratori i Vllaznisë Suad Lici, por nesër mund të jetë kushdo pre e krimit, që duket se në Shkodër i është lënë fushë e lirë veprimi”.
Reagimi i plotë
Shkodra u trondit sërish këtë të dielë! Ditën për diell krimi nuk ka frikë, duke i sjellë shkodranëve pasiguri, mungesë shprese për jetën, rendin dhe sigurinë në Shkodër. Fatmirësisht, lënda plasëse nuk shpërtheu, çka do ta bënte akoma më tragjike këtë të dielë, ndërkohë që për familjen e Administratorit të KF Vllaznia, orët e para të paradites të së dielës kanë qënë orë ankthi dhe pasigurie. Sot si Kryetare e qytetare e Shkodrës, si nënë, si grua, kërkoj nga të gjitha strukturat e shtetit, të gjitha organeve ligjzbatuese në vend: Reagoni me forcën e ligjit! Krimi në Shkodër po godet çdo ditë shkodranët. Sot ishte administratori i Vllaznisë Suad Lici, por nesër mund të jetë kushdo pre e krimit, që duket se në Shkodër i është lënë fushë e lirë veprimi. Kam shprehur gjithnjë mbështetjen ndaj forcave të Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe të gjithë organeve të zbatimit të ligjit. Kam ofruar gjithmonë bashkpunimin në luftën kundër krimit, sepse shkodranët nuk duhet të kenë frikë të ecin, të flenë apo të zgjohen në shtëpitë e tyre, në qytetin e tyre. Nuk duhet të jetojnë në panikun e tronditjes së tritolit, krismave të armëve në rrugët ku kalojnë çdo ditë.Sot, si çdo shkodran tjetër, jam pranë familjes Lici. Por sot Shkodra pyet se kush do ta ketë radhën nesër ?! Kjo, pasi fatkeqësisht është ngjarja e 4-ët e vendosjes së lëndëve plasësë në Shkodër në më pak se dy muaj, ndërkohë që asnjë nga këto ngjarje nuk është zbardhur. Shkodranët kanë nëvoje për siguri për jetën, për familjen, për bisnesin! Ata nuk kanë nevojë për shoë-n e rradhës dhe as për deklaratat boshe të cilat duket qartë se nuk trembin krimin, mesa duket të veshur me “pushtet” në Shkodër. Ngjarja e sotme, ashtu si dhe të tjerat më përpara, janë këmbanë alarmi për Shkodrën dhe shkodranët, duhet të jetë këmbanë alarmi për këtë qeveri e cila, nga dita në ditë po jep prova se vetëm krimin nuk e lufton. Ngjarjet e rënda të njëpasnjëshme në Shkodër, tregojnë më së miri se askush nuk ka frikë nga shteti, sidomos krimi dhe eksponentët e tij. Ndërkohë që tek ata që kanë kanë zgjedhur të jetojnë e të punojnë në Shkodër, çdo ditë është e mbushur me frikë, me ankth për të punuar, për të rritur fëmijët dhe për të jetuar në këtë qytet. Shkodra ka nevojë për siguri dhe rend. Strukturat shtetërore, agjensitë ligjzbatuese e kanë detyrë kushtetuese garantimin e tyre. Por mbi të gjitha, duhet treguar vullnet në përballjen me krimin e eksponentët e tij, vullnet që akoma nuk po ndihet në Shkodër. Si qytetare e parë e Shkodrës, kjo është thirrja ime drejtuar të gjitha institucioneve që duhet ta bëjnë këtë qytet të jetueshëm për banorët e saj.