Gjermania ka nevojë për fuqi të huaj punëtore, ndaj qeveria po përshpejton procesin e ardhjes së ekspertëve të huaj. Në Bonn është hapur një shërbim i ri që do të koordinojë procesin e njohjes së diplomave.
Ekonomia gjermane varet nga fuqia e jashtme punëtore. Qeveria federale për këtë shkak ka nisur një program për sjelljen e fuqisë së huaj punëtore dhe ekspertëve nga vendet tjera në Gjermani, nën moton – „Make it in Germany“. Ky është prioriteti nacional. “Pa ekspertë të huaj nuk mund ta mbajmë mirëqenien e tanishme. Nuk është e mundur që të presin tepër gjatë këta njerëz, duhet të punojmë për mundësinë e ardhjes së tyre“, deklaroi ministri i Punës Hubertus Heil.
Enti gjerman për statistika pohon se numri i shtetasve të gatshëm për punë në Gjermani do të zvogëlohet deri në vitin 2035 për katër deri në gjashtë milionë punëtorë. Në shumë fusha ekonomike ka mungesë të fuqisë punëtore. Sipas të dhënave të Odës gjermane për Industri dhe Tregti (DIHK), madje 56 përqind të sipërmarrjeve mendojnë se mungesa e fuqisë punëtore është për momentin problemi më i madh i tyre.
Çdo e treta sipërmarrje gjermane në vitet e kaluara ka angazhuar fuqi punëtore nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, respektivisht nga vendet e treta. Shumë sipërmarrje gjermane për shkak të mungesës së fuqisë punëtore nuk mund të pranojnë kërkesa të reja dhe janë duke përjetur dëme të mëdha financiare.
Vendi i migrantëve
Qeveria federale i ka kuptuar më në fund kërkesat e sipërmarrjeve dhe kohët e fundit është duke punuar intensivisht për krijimin e kushteve për ardhjen e fuqisë punëtore nga vendet e tjera. Pas një debati të gjerë është miratuar ligji për ardhjen e fuqisë punëtore dhe në këtë mënyrë qeveria ka pranuar se Gjermania është një vend i migrantëve – dhe ate gjashtë dekada pas valës së parë të ardhjes në këtë vend të gastarbeiterëve.
Anja Karliczek, CDU ministre për Arsimin dhe Shkencën
Qëllimi kryesor i këtij ligji është që të lehtësojë ardhjen e punëtorëve të huaj në tregun gjerman të punës – në të gjitha fushat ekonomike. „Në parim është tërësisht e njëjtë se kush nga cili vend vjen, më e rëndësishmja është që të dëshmojë se është i gatshëm të integrohet në këtë vend, e që do të bashkëpunojë dhe të jetë pjesë e kësaj shoqërie. Nuk është me rëndësi prejardhja e personit por vetëm dëshira për t’u integruar në shoqëri“, deklaroi ministrja federale për Arsim Anja Karliczek, në një deklaratë për Deutsche Wellen.
Të hënën e kaluar ajo së bashku me kolegun e saj, ministrin për Punë Hubertus Heil, ka hapur në Bon të Gjermanisë një Qendër për njohjen e kualifikimeve (ZSBA), të arritura në vendet e tjera. Shtypi gjerman njofton se në këtë vend do të koordinohen rreth 1400 shërbime të ndryshme, të cilat do të merren me njohjen e diplomave.
Procesi i njohjes së diplomave ka qenë deri tani tepër i komplikuar dhe ka zgjatur tepër kohë, shumë më gjatë se në vendet skandinave, SHBA apo Kanada dhe shumë vende të tjera. Gjermania nuk mund t’i lejojë vetes që këto procedura të vazhdojnë dhe që në këtë mënyrë të humbë ekspertët që do të vinin këtu. Ky shërbim ka filluar punën këtë muaj me shpresë se këto procedura do të korrigjohen.
Procedura më e thjeshtë dhe e shpejtë
Gjatë një vizite në këtë Qendër, Karliczek dhe Heil kanë demonstruar se si do të duhej të dukej kjo në jetën e përditshme. Personat që janë të interesuar për punë në Gjermani duhet fillimisht të kontaktojnë Qendrën ZSBA, e cila do t’ju ndihmojë në përgatitjen e dokumentacionit të plotë që nevojitet për njohjen e kualifikimeve. Zyra mund të këshillojë në forma të ndryshme: përmes chat, me postë elektronike apo dhe me telefon. Kërkesat e personave do të shpërndahen dhe dërgohen tek institucionet e duhura në nivelin e landeve.
Por ajo që në njërën anë ndihmon Gjermaninë (me rregullat e reja për ardhje në këtë vend), në anën tjetër krijon probleme të mëdha – nga juglindja e Evropës nuk po largohen vetëm kuadrot më të kualifikuara me diploma universitare, por edhe forca sanitare, automekanikë dhe punëtorë të tjerë. Nga Kroacia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina largohen për në Gjermani rreth 100.000 persona.
A është qeveria gjermane e vetëdijshme se çfarë do të thotë kjo për tregun e punës në këto vende? Përgjigja e Heil ishte: “Ne kemi bërë disa marrëveshje bilaterale, për shembull që të mos tërheqim sanitarët nga vendet që kanë nevojë për këtë fuqi punëtore. Megjithatë mendoj se duhet të respektohet liria e lëvizjes dhe nga organizimi i mirë mund të përfitojnë të gjitha palët. Kjo në fund forcon edhe raportet mes vendeve tona.“
Karliczek me ministrin e Punës, Hubertus Heil jatë hapjes së qendrës për njohjen e diplomave
Mirë për Gjermaninë, keq për Ballkanin?
Më 1 mars të këtij viti në Gjermani futet në fuqi ligji i ri për ardhjen e fuqisë punëtore. Me këtë ligj duhet të lehtësohet ardhja e fuqisë punëtore, por edhe kërkimi i fuqisë së nevojshme për punë nga vendet që nuk janë anëtare të BE. Në të ardhmen nuk do të vlejnë më rregullat sipas së cilave përparësi u jepet personave nga vendet anëtare të BE. Një nga rajonet e synuara nga punëdhënësit gjermanë është Ballkani Perëndimor. Punëtorët nga këto rajone kanë një reputacion të mirë: „Në të kaluarën kemi pasur shumë kërkesa nga Ballkani Perëndimor, që është një prej rajoneve shumë të rëndësishme për ne. Atje kemi gjetur dhe gjejmë fuqi shumë të mirë, të kualifikuar dhe ekspertë, e atje kemi edhe shumë njerëz që zotërojnë gjuhën gjermane, që është një prej përparësive të mëdha për integrim të shpejtë në punë dhe shoqëri“, thotë për DW Torsten Rolfsmeier nga Enti federal për punësim.
Motivi për shkuarje në Gjermani nuk janë vetëm rrogat më të mira, por edhe korrupsioni, mungesa e perspektivës dhe mungesa e sundimit të ligjit në vendet prej nga vijnë ata. OSBE pohon se vetëm nga Serbia në periudhën prej vitit 2000 – 2015 janë larguar 650.000 persona – gati një e dhjeta e banorëve. Situata të ngjashme kemi edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ndër ta janë shumë të rinj, me kualifikime të larta, pas të cilëve mbetet një boshllëk i madh në tregun e punës në këto vende dhe forcohet problemi i lëvizjeve demografike. Nga ana tjetër këta persona dërgojnë remitenca në vendin e origjinës dhe kështu ndihmojnë në ruajtjen e qetësisë sociale në këto vende. Deutsche Welle