Mëngjesin e sotëm është mbledhur Task-Forca në Rinas, përsa i përket masave kundër koronavirusit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së saj ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se në vendin tonë ka patur 6 raste te dyshuara por pas analizave kanë rezultuar të gjithë negativë.
Ajo ka bërë thirrje që mos ketë panik, pasi nuk ka asnjë rast me këtë virus në Shqipëri.
“Nuk është koha që paniku t’i zërë vendin arsyes. Koha për fakte. Koha për mendimet e ekspertëve. Kemi ekspertët më të mirë të Institutit të Shëndetit Publik dhe strukturave tona për ndjekjen e planit të Task- Forcës.
Jemi përballur dje me lajme të rreme, me mesazhe që nuk ishin të vërteta dhe të cilat kemi reaguar. Dua që t’ju them ju si media që ndiqni këto lajme dhe dua t’ju falenderoj për ato çfarë keni përcjellë. Qytetarët t’i referohen vetëm informacioneve zyrtare që dalin nga Ministria e Shëndetësisë dhe informacioni ditor që jep për publikun dhe mediat dhe informacionet të Institutit të Shëndetit Publik.
Eshtë normale të kesh shqetësime në këtë situatë por paniku nuk duhet të na çojë në drejtime që nuk bazohen në fakte reale. E kërkoj me mirëkuptim dhe ne do të jemi të hapur. Me shumë përgjegjësi do të administrojmë këtë ngjarje, kemi përballuar situata të tjera si tërmeti ku kemi treguar profesionalizëm. Shqipëria deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar. Ju kemi informuar për rastet që kanë qenë të dyshuara ku 6 raste janë analizuar kanë rezultuar negative”- deklaroi Manastirliu.