Nga Artur Nura
Kujtdo që i bie të drejtojë një automjet në rrugët e kryeqytetit, pa dyshim që i bie gjithashtu të nervozohet me veten dhe qarkullimin kaotik të mjeteve që rrjedh pa dyshim nga mungesa e rregullave të pastudiuara racionaliste.
Personalisht, më rezulton se të gjithë tashmë i japin automjeteve në mënyrë të nervozuar dhe kanë kënaqësinë e buzëqeshjes së qetë ndaj tjetrit vetëm kur ecin në këmbë apo zbresin nga mjeti pasi kanë gjetur një vend parkimi pas një kërkimi të gjatë dhe kohë humbës.
Numri i këtyre mjeteve tashmë është bërë monstruoz dhe ditët kur shikonim me habi dhe zili revista të Perëndimit me rrugët e qyteteve të mbushura plot me automjete të parkuara, i kemi tashmë përpara shtëpive, syve dhe na sjellin veç nervozizëm.
Tashmë e dimë që një “arritje” e tillë të mbyt si nga pikëpamja ambientale ashtu ekonomike e pse jo edhe shpirtërore. Sigurisht nëse nuk hartojmë politika racionale të cilat mund ta menaxhojnë situatën me mire.
Më rezulton që shumë biznesmenë kanë filluar të mbajnë shofer vetëm për shkak të pamundësisë të parkimit kur shkojnë nëpër takime pune të ndryshme. Nëse nuk kanë shofer, atyre u duhet të xhirojnë për afro 20-30 minuta për të gjetur parkim dhe pa dyshim të arrijnë me vonesë në takim.
Në fakt, kjo është një zgjidhje individuale të cilën mund ta bëjnë vetëm sipërmarrës, d.m.th. pjesa më e vogël e shoqërisë dhe kurrsesi jo njerëzit e thjeshtë. Atyre u duhet të harxhojnë kohë pa fund për të parkuar dhe pasi kanë kaluar në vështirësi qarkullimi po pa fund!
Po ta shohësh këtë lloj realiteti kompleks në kryeqytet me sy racional, do të kuptosh se gjithçka është mbjellë në mungesë të politikave proteksioniste racionale dhe largpamëse nga ana e bashkisë ne favor te qytetarit dhe jo dëshirores për te mbledhur leke dhe gjoba lekesh.
Për fat të keq, ndoshta ne do të kemi politika të tilla vetëm atëherë kur edhe kryetari i bashkisë së kryeqytetit z. Erion Veliaj, por edhe ministra të mazhorancës të mos kenë një vend të ruajtur parkimi për mjetin e tyre dhe sigurisht të mos kenë shofer…!
Një politikë më racionale urbanistike në lidhje me qarkullimin rrugor?
Pa dyshim që i gjithë ky kaos urbanistik është i ndërthurur me mungesën e politikave organizative të Bashkisë së Tiranës të cilat rezultojnë të përgjumura për t’u paraprirë këtyre realiteteve apo të paktën për ta ndryshuar këtë realitet të vështirë për shumicën e kryeqytetasve, por jo për te mbledhur leke parkimi i gjobash.
Së fundi, me shumë bujë u reklamuan në ekranet e shumta televizive si arritje ndarja e rrugëve me një drejtim të kryeqytetit në dy korsi, ku njëra është planifikuar parimisht vetëm për autobusët, ambulancat dhe se fundi për biçikletat.
Parimisht, kjo gjë do të ishte e drejtë vetëm po të ishte paraprirë nga një politikë e bashkisë e cila do të kishte përmirësuar më parë linjat urbane të autobusëve të cilat për fat të keq janë “për ibret jalem”, siç më tha një qytetar i vjetër i Tiranës ndërsa prisnim autobusin në stacion!
Në këtë kaos ndihmon për më shumë rrëmujë edhe Policia Bashkiake e cila është shumë prepotente si në ndjekjen e praktikave, ashtu edhe në formën e penaliteteve që lëshon ndaj qytetarëve pa paralajmërim dhe pa përdorur aspak logjikën qytetare, siç bën me mire policia rrugore në vartësi të Ministrisë së Brendshme.
Ky institucion nuk mendon aspak se sa e vështirë është për qytetarët gjetja e një parkimi në rrugët e Tiranës apo pranë pallateve të tyre. Këta punonjës policie sikur të mos jenë përfaqësues të asaj bashkie e cila nuk ka kërkuar asnjë mënyrë ligjore për stabilizimin e qarkullimit rrugor, në mënyrë masive vë “gjoba” duke imponuar edhe një goxha ngarkese financiare për qytetarët e varfër, kjo plus tarifës se kripur dhe arbitrare për parkimin ne kryeqytet.
Korsite e biçikletave kane shume me tepër hapësire nga sa ka nevoje realiteti kryeqytetas për fat te keq! Nuk do ishte keq qe shumica te përdorte biçikleta, por sa e ka bere Bashkia te interesuar qytetarin e saj për këtë sport ekonomik?!
Sigurisht aspak dhe vetëm e ka nervozuar atë duke lëne korsi biçikletash bosh ndërsa trafiku ne pjesën tjetër te rrugës është i tmerrshëm! Ky institucion harron se duhet të jetë bashkia ajo që të propozojë nisma ligjore të cilat mund të konsistojnë si edhe në praktikën perëndimore me lejen e qarkullimit sipas një kategorie targash në ditë të caktuara të javës, apo edhe politika më fleksibile në vendosjen e tabelave të qarkullimit në rrugët e brendshme të kryeqytetit.
Nuk behët fjalë për një plan urbanistik të plotë të cilin kryetari i Bashkisë së Tiranës ua ka premtuar qytetarëve të Tiranës që në fushatën e parë elektorale kur konkurronte për t’u zgjedhur kryetar i bashkisë së kryeqytetit, por thjesht për nisma ligjore të cilat mund të stabilizojnë këtë kaos automobilistik te qarkullimit…