Britania nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian.
Ky vend i ka dhënë fund anëtarësisë 47-vjeçare në bllokun evropian, duke e lënë atë me 27 anëtarë.
Britania tani e tutje do të konsiderohet nga BE-ja si shtet i tretë dhe Përfaqësimi i saj i Përhershëm në këtë bllok do të shndërrohet në mision të jashtëm.
Pas largimit, Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në një periudhë tranzitore 11-mujore, në të cilën do të zbatojë rregullat e bllokut evropian mirëpo nuk do të përfaqësohet në institucionet e tij.
Kjo periudhë pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.
Epokë e re për Britaninë
Mbështetësit e Brexitit e kanë konsideruar këtë ngjarje si fitore, si “ditë të pavarësisë” dhe nisje të një epoke të re për shtetin e tyre.
Disa prej tyre janë dëgjuar duke kënduar “Zot ruaje Mbretëreshën”, derisa të tjerë janë përqafuar nën dritën e fishekzjarreve.
“Lufta ka përfunduar, ne fituam”, ka thënë Nigel Farage, udhëheqës i fushatës për largim të Britanisë nga BE-ja.
“Ky është një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të shtetit tonë”, ka thënë mes tjerash ai.
Një mbështetëse e Brexitit ka festuar në orët e para të së shtunës para sheshit të Parlamentit.
“Absolutisht, është gëzim dhe optimizëm”, ka thënë Emma Sandercock, shtetase britanike.
Liderët më të fuqishëm të BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, e kanë konsideruar largimin e Britanisë si moment të trishtë dhe pikë kthese për Evropën.
BE-ja ka paralajmëruar se largimi do të jetë më i keq sesa qëndrimi brenda bllokut.
Presidenti amerikan, Donald Trump për dallim nga liderët evropianë, ka mbështetur Brexitin.
Në selinë e BE-së në Bruksel, flamuri britanik është larguar.
E ardhme e paqartë
Kundërshtarët thonë se Brexiti do të dobësojë perëndimin, dhe do të dëmtojë ekonominë.
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka premtuar se do të nënshkruajë marrëveshje për tregti të lirë me BE-në, njëherësh bllokun më të madh tregtar në botë.
Mirëpo Brexiti konsiderohet të ketë qenë gjithmonë më shumë sesa çështje e lidhur me Evropën. Referendumi i vitit 2016 ka shpërfaqur ndasitë e thella që ekzistojnë brenda vetë Mbretërisë së Bashkuar dhe ka ngritur debate për Britaninë moderne dhe imigrimin.
Reagimet për largimin e Britanisë nga BE-ja
Kryeministri britanik, Boris Johnson
“Puna jonë si qeveri, puna ime, është që të bashkoj këtë vend dhe të shkojmë përpara”.
Lideri opozitar në Britani, Jeremy Corbyn
“Vendi i Britanisë në botë nuk do të ndryshojë kurrë. Pyetja është se çfarë drejtimi marrim ne tani”.
Ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk
“Miqtë e mi britanikë. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë komunitet. Asnjë Brexit nuk do ta ndryshojë këtë gjë”.
Shefi negociator i BE-së, Michel Barnier
“Mendimet e mia janë për miliona qytetarë britanikë, që janë të mërzitur sikurse ne sot”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo
“Populli britanik dëshiroi të ishte jashtë tiranisë së Brukselit. Ata duan të kenë kapacitet për të marrë vetë vendime. Edhe ne e duam këtë gjë për popullin britanik”.
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair
“Unë e kam kundërshtuar Brexitin me secilën pjesë të qenies sime politike. Ndihem keq, si politikisht ashtu edhe emocionisht”. Radio Evropa e Lire