Publikohen emrat e subjekteve nga ‘Open Corporates Albania’, një databazë me të dhëna për kompani biznesi kryesisht kontraktore të Institucioneve Qeveritare, ka shtuar një katalog me Informacion për Subjekte Ekonomike të cilat kanë përfituar nga marrja në përdorim e Pronave Publike (shtetërore) me vetëm 1 Euro pagesë për Kontratë.
Ky kontraktim me vlerë simbolike bëhet me kushtin që Subjektet Ekonomike të ofrojnë një nga kriteret si vijon:
- Veprimtari prodhuese me nivele investimi mbi treqind milion lekë.
- përpunim aktiv të mallrave, që do të sigurojnë jo më pak se 50 vende pune.
- Veprimtari të agrobiznesit si grumbullim përpunim dhe shitje të produkteve bujqësore ose blegtorale, me nivele investimi mbi njëqind milion lekë.
- Veprimtari në fushën e arsimit, mediave me nivele investimi mbi dyqind milion lekë.
Veprimtari për konstruksion, shërbim mirëmbajtje, rekonstruksion të mjeteve detare lundruese me nivele investimi mbi pesëqind milion lekë. Kontratat Shqipëria 1 Euro aplikohen për prona shtetërore me sipërfaqe mbi pesëqind metra katrorë. Në vitin 2019, Qeveria Shqiptare ka lidhur tetë kontrata të tilla me shtatë subjekte ekonomike.
Subjektet përfituese janë publikuar nga Open Corporates Albania
Viti 2019 Shqipëria 1 Euro, Prona Shtetërore të Dhëna me Qira për vetëm 1 euro nga Qeveria Rama sipas Përfituesve
Në total qeveria ka dhënë sipërfaqe të përgjithshme prej 537 503 metër katorë me qëllim punësimin e 916 punonjësve. Pronat janë kryesisht ish objekte ushtarake dhe ish objekte industriale. Vec sipërfaqes ato kanë edhe ndërtime dhe infrastrukturë specifike e cila jepet brenda çmimit simbolik shqipëria 1 euro për kontatë. Gjatë vitit 2019 pronat janë shpërndarë në zonat e Tiranës, Elbazanit, Librazhdit, Fierit, Gramshit dhe Durrësit.
Punëdhënsi më premtues rezulton projekti i shoqërisë Koreane Yura Co.Ltd me 516 punonjës. Të tjerët varjojnë me punësime nga 33 deri 100 punonjës të rinj.
Rozafa shpk, me zotërues kryesor zotin Gjegj Luca ka lidhur gjatë vitit 2019 dy kontrata me Këshillin e Ministrave si përfitues i programit Shqipëria 1 Euro. E para është kontrata e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 526 të miratuar në datën 25 korrik 2019, për Pasurinë Publike të emërtuar Ish Reparti Ushtarak nr 5012/20 në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes në Çekrez të Gramshit. Sipërfaqja e përgjithshme është 28 960 metra katrorë dhe sipërfaqe ndërtimi është 4185.48 metër katrorë. Nga këto sipërfaqe funksionale është 24 774.52 metër katrore. Afati i qiradhënies është njëzet vite. Kontrata është e afishuar në Pasaportën për këtë shoqëri përfituese e Kontratave Shqipëria 1 Euro në databazës Open Corporates Albania. Rozafa shpk duhet të përdorë këtë objekt në qëllim ndërtimin e një fabrike për përpunimin e karkalecit nëpërmjet përpunimit aktiv të mallrave. Financimi i Projektit Parashikohet në vlerën 62 711 974 (gjashtëdhjetë e dy milion e shtatëqind e njëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë pa TVSH. Për këtë kontratë në plan afatgjatë subjekti duhet të punësojë të paktën 60 punonjës.
Po Rozafa shpk me Vendim të Këshillit të Ministrave nr 701, datë 30 tetor 2019 ka përfituar kundrejt qirave vetëm 1 Euro, për 20 vite pronën me emërtesë Sektori Autopark, ish Parku i Minierës së Hekur Nikelit, Përrenjas, me sipërfaqe të Përgjithshme 10 287,3 metër katrorë ku sipërfaqe ndërtimore është 1 090.5 metër katrorë dhe sipërfaqe funksionale 9 196.8 metër katrorë. Sipërfaqe e përgjithshme 28 960 metër katrorë në të cilën përfshihet Ish Reparti Ushtarak 512/20 me vendndodhje Përrenjas, Librazhd në administrim të Ndërmarrjes Industriale. Investitori do të financojë projektin për Fabrikë përpunim karkaleci me vlerën 86 709 411 (tetëdhjetë e gjashtë milion e shtatëqind e nëntëmijë e katërqind e njëmbëdhjetë) Lekë me TVSH.
Gjatë 2019 një tjetër subjekt partner kontraktor me Qeverinë Shqiptare me kontratat Shqipëria 1 Euro është Fondacioni Fundjavë Ndryshe themeluar nga Arbër Hajdari. Ky fondacion përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave me numër 118 datë 13 mars 2019 ka marrë me qira për 20 vite me çmim simbolik vetëm 1 Euro sipërfaqen e përgjithshme prej 43 169 metër katrorë njohur si prona Riparim Artilerie, dhe disa sipërfaqe truall funksional dhe objekte me vendndodhje në Brar të Tiranës. Qëllimi i kontratës është dhënia në gëzim të përkohshëm të objektit për ngritje të një kompleksi administrativ, arsimor dhe shërbime falas për ndihmën dhe rehabilitimin e njerëzve në nevojë. Projekti emërtohet Qendra e Solidaritetit. Fondacioni do të fillojë punë me një numër prej 10 punonjësit për të arritur gradualisht në të paktën 50 në përfundim të projektit. Investimet nga Fundjavë Ndryshe do të jenë të ndara në tre faza ku plan biznesi parashikon në fazën e parë dy vite pas marrjes në dorëzim të objektit dhe nxjerrjes së lejeve përkatëse një vlerë investimi prej 40 400 000 (dyzet milion e katërqind mijë) lekë, në fazën e dytë një vlerë prej 39 400 000 (tridhjetë e nëntë milion e katërqind mijë) lekë dhe në fazën e tretë 26 101 560 (njëzete gjashtë milion e njëqind e një mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë) lekë. Në total projekti parashikon si kosto investimi minimumi 105 901 560 (njëqind e pesë milion e nëntëqind e një mijë e pesëqind e gjashtë dhjetë) Lekë.
Fondacioni Fundjavë Ndryshe është regjistruar në Gjykatën e Tiranës në datën 1 dhjetor 2015, ky fondacion ka si drejtor ekzekutiv Arbër Hajdarin dhe anëtarë të bordit personalitete si Emina Cunmulaj, Ermal Mamaqi, Saimir Kodra, Saimir Kristo, Agim Baçi, Florjan Binaj dhe Flori Karaj. Fondacioni deklaron në faqen e tij zyrtare se ka qarkulluar pesë milion euro me burim bamirësi nga themelimi deri në dhjetor 2019. Ky është një rast tipik ku Programi Shqipëria 1 Euro përzgjedh si kontraktor një subjekt jo fitimprurës, dhe jo një investitor drejtpërdrejt shoqëri biznesi. Ky fondacion është mbështetur edhe me fonde publike nga Agjencia për Mbështetje të Shoqërisë Civile dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.
Kompania nga Koreja e Jugut Yura Corporation e zotëruar nga Yura Co.Ltd e themeluar më 1970 ka themeluar një degë në Shqipëri me emërtesën YURA Corporation Albania shpk. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr 70 të datës 13 shkurt 2019, është miratuar kontrata e qiramarrjes emfiteozë me vlerë vetëm 1 euro për këtë shoqëri. Sipas vendimit objekti qiradhënie është pasuria me emërtesën Baza e Tubove me sipërfaqe të përgjithshme prej 49 347 metër katrorë në fshatin Zhupan Fier pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, për një periudhë gjashtëdhjetë vjeçare. Më parë YURA Corporation Albania shpk ka aplikuar në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe Komitetin e Investimeve Strategjike të saj, për të marrë statutin e investitorit strategjik me të drejtën për të zhvilluar projektin e investimit të huaj për Projektim, Ndërtim, Pronësi, Mirëmbajtjen dhe Operimin të një strukture industriale fabrikë dhe objekte të tjera për prodhimin e sisteme dhe pjesëve elektrike për automobil, me një vlerë investimi prej 6 459 000 (gjashtë milion e katërqind e pesëdhjetë e nëntë mijë) Euro për një plan punësimi prej pesëqind e gjashtëmbëdhjetë punëmarrës. Sipërfaqja e pronës është 49 347 metër katrorë pjesë e zonës kadastrave 3934. Sipas kontratës YURA CO. Ltd u themelua në 1970 në Korenë e Jugut dhe ushtron aktivitetin e saj një sektorin e prodhimit të sistemeve elektrike dhe pjesëve elektrike për automobile në gjashtëdhjetë fabrika në njëmbëdhjetë vende të botës, duke punësuar njëzet e tetë mijë punonjës.
Një tjetër kontratë Shqipëria 1 Euro është ajo me shoqërinë shqiptare Alliance Resource shpk. Kjo shoqëri është themeluar në me adresë Bradashesh Elbasan. Shoqëria ka si zotërues shtetasen Shqiptare Mbarime Koroci dhe shtetasin kinez Ëen Ming. Shoqëria kundrejt 1 euro qira do të marrë për një periudhë 20 vite sipërfaqen e përgjithshme prej 57 390 metra katrorë në të cilën përfshihen Depo e Koncentratit të Hekurit me sipërfaqe 2 655 metra katrorë nga ku sipërfaqe ndërtimore 1500 metra katrorë dhe sipërfaqe funksionale 1155 metër katrorë si dhe Objekt Vaskat e Betonit me sipërfaqe të përgjithshme 400 metra katrorë nga ku sipërfaqe ndërtimore 400 metra dhe truall po 400 metra katrorë me truall të lirë dhe sipërfaqe të përgjithshme 54 335 metra katrorë ë përgjegjësi administrimi të Ndërmarrjes së Prodhimit të Çeliqeve Elbasan. Investitori do të ndërtojë një Fabrikë Prodhimi i Oksideve të Zinkut dhe hekur nikelit me një vlerë për rikonstruksion dhe makineri prej 340 000 000 (treqind e dyzet milion) lekë. Investimi parashikohet të bëhet nga fonde të vetë shoqërisë dhe partnerëve në biznes konkretisht kompania Koroci dhe shoqëria Alliance Resource Investment Limited ltd Kinë.
Blu Imperial shpk është investitori që ka përfituar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr 508 datë 17 korrik 2019 një kontratë për 1 Euro qira për njëzet vite të objektit ish grup depot e Repartit Ushtarak nr 2045 me sipërfaqe të përgjithshme 353 686 metër katrorë nga ku sipërfaqe e objektit është 8 553.58 me pesë tunele me sipërfaqe 3 424.6 metër katrorë. Me vendndodhje në Qafëmollë Dajt Tiranë nën administrim të Ministrisë së Mbrojtjes. Qëllimi i biznesit është ndërtimi i një Kapanoni brenda të cilës do të montohen dy linja të reja për mbushjen e ujit mineral të gazuar dhe të pa gazuar në shishe. Shoqëria Blu Imperial shpk në pasurinë shtetërore të sipërshënuar do të investojë brenda vitit 2020 një total prej 942 346 300 (nëntëqind e dyzet e dy milion lekë e treqind e dyzet e gjashtë mijë e treqind) lekë për blerje të linjave të reja të prodhimit për mbushjen e ujit mineral me kontratë të lidhur me kompaninë gjermane Krones AG, ndërtim magazinash dhe blerje të automjeteve për shpërndarje. Numri i detyrueshëm i të punësuarve është jo më pak se pesëdhjetë. Shoqëria drejtohet nga Haredin Kastrati.
Shoqëria UNIERO shpk ka lidhur një kontratë për përfitim nga projekti Shqipëria 1 Euro me Bashkinë Durrës në datën 28 mars, kontratë që është miratuar më pas me Vendim të Këshillit të Ministrave numër 507 datë 17 korrik 2019. Kontrata ka objekt qiradhënie për vlerën totale 1 euro një sipërfaqe prej 930 metrash katrorë ku 900 metra janë ndërtim kati i parë i ish repartit të URT-së. Afati i kontratës është tetë vite. Qëllimi i kontratës është prodhimi i çantave prej letre dhe tekstili si dhe mallrave fason. Kontrata është firmosur nga Kryebashkiu i kohës Vangjush Dako dhe administratori i Shoqërisë UNIEURO Arian Gjyzeli.
Shoqëria MTCS shpk është qiramarrës i një pasurie shtetërore në Tiranë me njohur si Ish Ndërmarrje Metalike Tirana Reparti i Orëve, me sipërfaqe prej 4021.5 metër katrorë nga të cilat sipërfaqe ndërtimore është 1624.4 si zonë kadastrave 8220 ne përgjegjësi administrimi i Ndërmarrjes Industriale nr. 1 Tiranë. Afati i qiradhënies është një njëzet vite. Pronarë i shoqërisë MTCS është gazetari Carlo Bollino. Projekti i parashikuar në këtë kontratë qiradhënie përkon me një televizion me parametra teknik bashkëkohor dhe ambiente pune të përshtatshme dhe cilësore duke instaluar makineri të teknologjisë moderne të cilat do të mundësojnë rritje të sasisë dhe cilësisë së programeve në funksion të ngritjes të një qendre mediatike të transmetimeve radio televizive bashkëkohore. Financimi i projektit parashikohet në vlerën 205 000 000 (dyqind e pesëmilion) Lekë pa TVSH dhe do të përfundojë i ndarë në tre faza brenda gjashtëdhjetë muajve. Deri në përfundim të fazave numri i të punësuarve do të jetë rritur me të paktën tridhjetë e tre punonjës të rinj/ Open Data Albania.