Mbrëmjen e djeshme është kapur një rast flagrant i korrupsionit në universitet, ku me para në dorë, studentët shndërrohen nga ngelës në kalues, madje me një notë të mirë në librezë.
Kamera e fshehtë “Stop” tregoi sesi një studente Masteri e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, që kishte ngelur në provim, takoi pedagogun Besnik Faskaj, i cili pasi mori paratë, notën 4 e bëri 8. Për 150 euro, ai “tejkaloi” edhe vështirësinë e faktit, se notat ishin hedhur në sistem.
Studentja në fjalë pretendon, se pedagogu Faskaj e bën në mënyrë masive këtë pazar me notën.
Jam një studente e Universitetit të Mjekësisë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike. Mes shumë provimesh që kam pasur këto dy vjet, vitin e parë kam pasur një provim me profesor Besnik Faskaj, lënda “Urgjencë kirurgjikale”, në vit të parë të Masterit Shkencor. Pasi kam shkruar tek ky provim për notën 7 ose 8, profesori më ka vlerësuar me notën 4. Kisha dëgjuar nga shumë studentë që për të marrë notën në këtë lëndë me këtë profesor duhej të paguaje një shumë lekësh prej 150 Eurosh. Gjithsesi kur shkova vetë të takoja profesorin për t’i kërkuar tezën për një rivlerësim të notës, ai më konfirmoi të njëjtën gjë. Që domethënë se më kërkoi 150 Euro për një notë kaluese. Unë e dhashë përsëri këtë provim në vjeshtë dhe përsëri profesori më vlerësoi me të njëjtën notë”, u shprehte një natë më parë studentja.
Menjëherë, ajo u vu në kontakt me pedagogun Faskaj. Kamera e fshehtë e “Stop” filmoi edhe momentin kur profesori merr 150 Euro.
Studentja: Gjithsesi profesor, unë e kam këtu, që më është bërë ferr ky provimi. E kupton? Më është bërë shumë ferr edhe…A, i paskam këtu (për lekët).
Pedagogu Besnik Faskaj: Aman o ti, si e kanë bërë të tjerët. Ata kanë kopjuar, i kanë bërë, s’i kanë bërë etj.
(I jep 150 Euro)
Pedagogu Besnik Faskaj: Sa e vret mendjen ti.
Studentja: Jemi në rregull bashkë?
Pedagogu Besnik Faskaj: Mbetet… ja t’i them asaj.
Studentja: Profesor, unë kam edhe këtë pjesën, që kam mesatare edhe e kupton? E dua një farë note!
Pedagogu Besnik Faskaj: Do ta shohim atë ne!
Studentja: Në qoftë se s’prish punë, ma thuaj!
Pedagogu Besnik Faskaj: E di ku është…Ajo sforco më e madhe, është të bëj ndryshimin. E ke parasysh? Nuk ka rëndësi nota. Të bëj ndryshimin atje, që mos të kem konflikte.
Studentja: Ishalla bëhet, po gjithsesi më telefono dhe më thuaj!
Pedagogu Besnik Faskaj: Gjithsesi do të njoftoj!
Në sistem studentes i ishte hedhur nota 4, por pas marrjes së parave, profesori Faskaj ndërhyn dhe e ndryshon duke e çuar në 8. Sot Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) sekuestroi pamjet filmike dhe materialet shkresore, për të nisur hetimet për rastin në fjalë.
Nga ana tjetër zëvendësdekani Gentian Stroni tha pas mbledhjes së dekanatit, se është bërë pezullimi i pedagogut Faskaj, pasi kjo është kompetenca maksimale e dekanatit.
“Qysh dje pas transmetimit të rastit, sigurisht që u bë një komunikim midis rektoratit dhe dekanatit dhe u la që sot të bëhej një mbledhje në dekanat ku të jepej mendimi për rastin konkret. Doli në një vendim që “distancohemi totalisht nga veprime të tilla” dhe në të njëjtën kohë bëmë një pezullim të këtij pedagogu për dhënien e mësimit deri në momentin kur të sqarohet kjo si situatë”, tha Stroni.
Ai ka shpjeguar edhe sesi funksionon procedura e hedhjes së notave të provimeve dhe kush ka akses në sistem.
Gentian Stroni: Çdo pedagog ka një “User ID” ose përdoruesin dhe kodin e tij. Secili prej nesh ka një kod personal, ku asnjëri përveç meje nuk mundet të ndryshojë notën. Në momentin kur pedagogu ka vendosur notën përfundimtare dhe ka printuar këtë procesverbal, i cili ka notën përfundimtare, nga ky çast as pedagogu nuk e ndryshon dot, por edhe asnjë tjetër nuk e ndryshon dot këtë lloj note.
Gazetarja: Flasim konkretisht për rastin e djeshëm, kur pedagogu, Besnik Faskaj, ka përmendur emrin e sekretares që ai e kishte shumë të vështirë që ta ndryshonte pasi notat kishin kaluar te Margi, që është kryesekretarja.
Gentian Stroni: Mendoj që është një artificë dhe nuk është e saktë. Sistemi nuk ta lejon.
Gazetarja: Afati kohor i ndryshimit të notës ka qenë 11 Shtator me 16 Nëntor. Si ka mundësi të ndodhë kjo?
Gentian Stroni: Sistemi hapet në periudhë sezoni. Sipas rregullores një pedagog do të duhet që të mund të hedhë notat jo më shumë se një periudhë 2-javore. Por këtë nuk e pengon dot sistemi. Kjo është në rregulloren e pedagogut, por jo të sistemit, sepse sistemi e ka hapësirën më të gjatë se u jep mundësi të gjithë pedagogëve./tvklan.al