Komisioni hetimor i drejtohet Komisionit të Venecias lidhur me shtimin e objektit të hetimit ndaj presidentit Ilir Meta. Kërkon opinion lidhur me 5 pyetje sa i takon emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Ilir Meta thotë se kërkesa që maxhoranca i ka dërguar Komisionit të Venecia, është një tentativë për të mbrojtur kreun e KED, Ardian Dvoranin.
Mazhoranca ka dërguar për interpretim në komisionin e Venecias dekretin e presidentit për emërimin e Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa në emision “Tempera”, Meta tha se do të dërgojë edhe ai disa pyetje për Komisionin e Venecias, ndërsa përsëriti se ai nuk ka kryer asnjë shkelje në procedurat përgjatë emërimit të anëtarëve të GJK.
“Kjo është një gjë fare normale, edhe sikur e kam konfirmuar edhe më parë, edhe unë do t’i drejtoj pyetjet e mija Komisionit të Venecias lidhur me dy seancat e Kuvendit të Shqipërisë, për arsye se është e qartë që jo vetëm në rastin e parë presidenti ka patur të drejtë, dhe kjo kërkesë është më shumë një përpjekje për të marrë në mbrojtje Dvoranin, dhe njëkohësisht është një përpjekje për të mbajtur një “fake” çështje, nuk ekziston asnjë shkelje nga presidenti por vetëm nga personi në fjalë.
Unë jam presidenti, unë kam një detyrë që nga momenti që kam vënë dorën mbi Kushtetutë, deri sa të dal nga zyra. Tani është tentuar kapja e Gjykatës se Kushtetuta u dhuna, u ekzekutua. Unë e gjykoj si tentativë për të mbrojtur një person që është nën hetim nga prokuroria për krime shumë të rënda”, u shpreh Meta.