Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman, në një intervistë dhënë për Ilva Now në Euronews Albania, shprehet se zbatimi i reformës në drejtësi po ecën me hapa të ngadalta. Edhe pse, vlerësoi zhvillimet e fundit si, krijimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për ngadalësimin, tha se janë i një mendimi dhe vetë njerëzit e drejtësisë së re.
“Kemi parë shumë aspekte pozitive që kanë ndodhur me reformën në drejtësi në muajt e fundit. Kemi parë krijimin e SPAK dhe krijimin e organeve të tjera gjyqësore dhe shumë gjëra kanë ndodhur. Realiteti është se reforma po ecën më ngadalë se çdokush do të mendonte dhe kjo përfshin edhe ata që janë të përfshirë në të”, deklaroi z. Norman.
I pyetur nëse e di arsyen pse po ndodh ngadalësimi, ambasadori britanik u shpreh se, kjo vjen për disa arsye ku njëra prej tyre është “nuk është e lehtë”, por kjo nuk do të thotë se ky proces duhet ndaluar.
“Mendoj se ka shumë arsye. Është një proces i gjatë dhe i vështirë për t’u ndërmarrë, gjë që është shumë e rëndësishme për t’u çuar deri në fund. Mendoj që duhet të pranojmë faktin se nuk është e lehtë, gjithashtu për ne ndërkombëtarët t’i japim Shqipërisë mbështetje për të vijuar këtë proces dhe për shqiptarët që të shohin frytet nga ky proces dhe të ketë përfundim të suksesshëm. Kjo ka nevojë për pak kohë por kjo nuk do të thotë se duhet të ndalojmë. Ajo çka është e rëndësishme të ndodhë është që Shqipëria do të krijojë një sistem të ri që do të jetë shumë më mirë se ai i mëparshmi. Ky është qëllimi kryesor”, tha më tej z. Norman.
Sa i takon nivelit të korrupsionit në vend, ambasadori britanik nënvizoi: “Ne nuk presim të shohim rezultate brenda natës por presim të shohim që qeveria shqiptare të qëndrojë e përkushtuar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim dhe ta monitorojmë gjithë procesin”.
Edhe pse vetë Britania e Madhe do të jetë tashmë që pas 31 Janarit, jo më pjesë e Bashkimit Evropian, ambasadori në Tiranë thotë se, vendi i tij mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë si vijim i proceseve të reformave.
Sa i takon faktit sesi do të jenë marrëdhënies mes dy vendeve pas Brexit, Norman tha se Britania do të rrisë akoma edhe më shumë prezencën në Tiranë, nga 5 diplomatë që kishte tre vite më parë, në fund të këtij viti do të ketë 18.
Intervista e plotë
Ilva: Duncan Norman, faleminderit që erdhët në Euronews Albania për këtë intervistë.
Duncan: Faleminderit për ftesën.
Ilva: Zoti Ambasador, Mbretëria e Bashkuar nuk do të jetë më pjesë e Bashkimit Europian duke filluar nga 31 Janari. Çfarë do të thotë kjo për Mbretërinë e Bashkuar dhe çfarë është Brexit?
Duncan: Ajo çfarë ka ndodhur është se, më 26 Qershor 2016, britanikët votuan në referendum për t’u shkëputur nga BE. Në zgjedhjet dhjetorin e kaluar, Partia Konservatore mori shumicën e votave dhe kjo konfirmoi pikëpamjen e popullsisë që Mbretëria e Bashkuar të dalë nga BE. Çfarë po themi është se këtë muaj, këtë të Premte, Mbretëria e Bashkuar po respekton rezultatin e referendumit dhe ajo do të largohet nga BE.
Ilva: Përse ishte kaq e vështirë të kishte një marrëveshje për t’u larguar nga Bashkimi Europian?
Duncan: Është shumë e komplikuar. Mbretëria e Bashkuar ka qenë pjesë e Bashkimit Europian për dekada me radhë dhe sistemet janë ndërthurur dhe e gjithë mënyra e punës ka qenë e lidhur ngushtë. Veçanërisht, shumë çështje janë ngritur rreth Irlandës dhe ka qene e rëndësishme që të vazhdonte të mos kishte një kufi të jashtëm mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Kjo ishte një nga përpjekjet e para për të arritur një marrëveshje dhe ajo çfarë pamë në tetor ishin rezultatet që çuan në marrëveshjen që Mbretëria e Bashkuar tanimë e ka kthyer në ligj.
Ilva: Disa analistë besojnë se, BE nuk do të jetë e njëjta pa Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit, ku ju ishit një pjesëtar i rëndësishëm. Çfarë do të thotë kjo për Bashkimin Europia? A ka unioni më një kuptim? Ju nuk besoni në vlerat e familjes europiane?
Duncan: Ne besojmë shumë në Bashkimin Europian dhe ne duam që të ketë sukses dhe jam i sigurtë se do të ketë sukses. Por, fakti është që ne ikëm dhe kjo ishte gjëja e duhur për Mbretërinë e Bashkuar, për shkak se kjo ishte dëshira e popullit britanik. Mirëpo kjo nuk është një pasqyrim i vetë BE-së. Unë jam i sigurtë se BE do të vazhdojë të ketë sukses të madh dhe ata do vazhdojnë të jenë një nga partnerët tanë më të afërt.
Ilva: Cila do të jetë marrëdhënia që ju do të keni me BE pas 31 Janarit?
Duncan: Viti i parë do të jetë ajo që ne e quajmë periudhë tranzicioni; edhe pse ne ikëm nga BE do të vazhdojmë të ndjekim rregullat e saj deri në fund të këtij viti. Pra, do të kemi marrëdhënie të afërta këtë vit. Pas saj, e vërteta është se marrëdhënia jonë do të vazhdojë të jetë e fortë sepse ne jemi partnerë të afërt dhe kemi qëndrime te njëjta në shumë çështje. Nuk do të ketë ndarje dramatike sepse Mbretëria e Bashkuar ka një marrëdhënie shumë të afërt me BE-në dhe shtetet anëtare po ashtu.
Ilva: Çfarë prisni ju të ndodh gjatë kësaj periudhe tranzicioni të një viti?
Duncan: Gjatë periudhës së tranzicionit do të na duhet të finalizojmë marrëveshjet, disa gjëra që do të ndryshojnë. Mënyra se si ky divorc do të ndodhë nëse doni ta quajmë kështu. Do të duhet të finalizohen një serë marrëveshjesh dhe disa çështjesh teknike si peshkimi apo pjesë të tjera të legjislacionit. Gjëja më kryesore që duhet të ndodhë është marrëveshja tregtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE. Pra, të vendosim termat tregtare që do te jenë në fuqi kur mos të jemi më pjesë e BE.
Ilva: Z. Ambasador, çfarë duhet të presë një qytetar britanik, midis tyre edhe motra ime e cila është një qytetare britanike, pas periudhës post-Brexit?
Duncan: Ata do të shohin një shtet më të pavarur ndërkombëtarisht. Ajo çka do të ndodhë është se ne do të vendosim prioritetet tona, do të kemi partneritet te mirë me Europën dhe kjo është diçka e rëndësishme. Së dyti, Mbretëria e Bashkuar do të jetë një mbështetëse e fortë e tregtisë së lire në botë dhe së treti, Mbretëria e Bashkuar do të jetë një forcë e së mirës, të promovojmë atë çka është e rëndësishme për ne siç është demokracia dhe të drejtat njerëzore si dhe veçanërisht mjedisi.
Ilva : A do të ketë ndonjë shqetësim për qytetarët europianë të cilët jetojnë në Angli? Do të kenë ata ndonjë ndërlikim? Po ashtu, për qytetarët britanikë që jetojnë dhe punojnë në Europë?
Duncan: Kjo ishte një nga gjërat kryesore që shqetësonte njerëzit kur kjo nisi dhe në t, Mbretëria e Bashkuar i siguroi 3 milionë qytetarët që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian që jetojnë në Angli por edhe 1 milion britanikë, të cilët jetojnë jashtë Britanisë, se gjërat do të vazhdojnë pak a shumë të pa ndryshuara. Pra, nuk do të ketë një efekt të jashtëzakonshëm mbi personat që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar prej shumë kohësh por edhe qytetarët anglezë që jetojnë jashtë saj duhet të vazhdojnë jetën e tyre si normalisht.
Ilva: Për sa i përket Ekonomisë, a do ta vuajë ajo shkëputjen nga BE, po tregtia europiane? Çfarë pritet nga kjo?
Duncan: Ka disa vlerësime të ndryshme për atë çka mund të ndodhë dhe mund të mos ndodhë por sigurisht kjo varet sesi marrëveshjet e tregtisë së lirë do të zhvillohen me BE-në, sesi do të zhvillohen edhe me Shqipërinë por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi besim se ne do të kemi sukses me ekonominë me një tregti më të pavarur sepse Mbretëria e Bashkuar ka qenë një shtet tregtie gjithmonë. Në një farë mënyre po kthehemi tek rrënjët tona.
Ilva: Ambasador Norman, jam e sigurt që jo të gjithë qytetarët britanikë pranuan çështjen Brexit për t’u shkëputur nga BE. Si do të ndryshojë jetën e tyre ky vendim?
Duncan: Ne jetojmë në demokraci, patëm një referendum dhe shumica e personave votuan që të largoheshim. Kjo është diçka që duhet respektuar nga qeveria dhe është ajo çka po bëjmë. Kryeministri vuri theksin për t’u bashkuar sërish dhe për këtë Brexit ka qenë çështje shumë përçarëse për vendin tonë, ka marrë një kohë të gjatë për ta zgjidhur këtë, rreth 3 vite e gjysmë tanimë.
Ilva: Që nga Qershori i 2016… Çfarë ka ndryshuar në negociimet e vështira me BE-në? Çfarë ndodhi që më në fund Brexit u realizua?
Duncan: Pjesërisht ishte një negociatë shumë e gjatë, pasi rrugës u paraqitën vështirësi. Si do t’i përgjigjesha kësaj pyetje? Qeveria britanike asokohe nuk kishte një mandat politik solid dhe kjo çoi në dështimin që parlamenti të miratonte draftin e kryeministres May për marrëveshjen dhe më pas kjo solli kryeministrin aktual në këtë pozicion që çoi në marrëveshjet e reja me ardhjen e zgjedhjeve të reja që i siguroi një shumicë të fortë që i lejonte të kalonte draftin. Ka pasur shumë ndërlikime politike, ky ishte rasti kur Mbretëria e Bashkuar ishte vërtetë e ndarë, 48% me 52, vendi gati i ndarë përgjysmë. Pas kësaj, politika ka ecur përpara, zgjedhjet treguan mazhorancë për ata që suportojnë Brexit dhe kjo lejon që te finalizohet një proces shumë i gjatë për të gjithë.
Ilva: Z.Norman ka disa analistë dhe shqetësime rreth pozicionit të Mbretërisë së Bashkuar në botë jo vetëm rreth çështjeve politike dhe politikave të jashtme por edhe për pozicionin që Mbretëria e Bashkuar ka pasur gjithmonë në rrafshin ndërkombëtar? A mendoni se duke u larguar nga BE do ta dobësojë pozicionin e saj apo do ta forcojë atë?
Duncan: Mendoj se duhet të kujtojmë se Mbretëria e Bashkuar është ende ekonomia e pestë më e madhe në botë dhe është një nga pesë pjesëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Anëtare e NATO dhe grupeve të tjera të rëndësishme përfshirë dhe “Commonëealth”. Pra ne nuk po i braktisim këto organizata por vazhdojmë të luajmë një rol tek ato. Çka na lejon ne të bëjmë është të fokusohemi tek prioritetet e politikës së jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe siç thashë është e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të tregojmë se jemi lojtarë kryesorë në botë dhe është kjo çka po bëjmë, me fokusin që të bëjmë gjërat e duhura për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe mjedisin sigurisht. Kemi “COP26” në Glasgoë në Nëntor, një nga samitet mjedisore më të mëdha ku Mbretëria e Bashkuar do të ketë një rol kryesor në çështjet botërore.
Ilva: A do të fuqizojë Mbretëria e Bashkuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara pas largimit nga BE?
Duncan: Mbretëria e Bashkuar ka pasur gjithmonë lidhje të forta me Shtetet e Bashkuara dhe kjo do të na mundësojë që ne të kemi marrëdhënie të ndryshme tregtare me ta dhe mendoj se do ta shohim këtë pasi të përfundojë periudha e tranzicionit. Politikisht, marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara ka qenë gjithmonë e fortë dhe gjithmonë do të jetë.
Ilva: Duket si paradoksale që Mbretëria e Bashkuar ka qenë një avokate e zgjerimit të BE-së por tani është jashtë saj. A do ta mbështesni ju këtë zgjerim, në rastin e Shqipërisë do ta mbështesni Shqipërinë për hapjen e negociatave?
Duncan: Vetëm pse ne votuam se BE nuk është vendi i duhur për Mbretërinë e Bashkuar, kjo s’do të thotë se këndvështrimet tona për BE-në kanë ndryshuar. E shohim, pse Shqipëria do t’i bashkohet BE-së dhe jemi mbështetës të këtij procesi për ta ndihmuar Shqipërinë të vijojë proceset e reformave të cilat janë të nevojshme. Sigurisht që do të vazhdojmë të jemi mbështetës të Shqipërisë dhe për të qenë i sinqertë nuk mendoj se është çështje a je pjesë e BE-së apo jo. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu mbështetës të fortë për aleancën e Shqipërisë me BE-në dhe ne do të jemi plotësisht të këtij mendimi.
Ilva: Pra, si i shikoni ju marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar pas Brexit?
Duncan: Kemi kohë që përgatitemi për këtë, në 2018 ne patëm Samitin e Londrës për Ballkanin Perëndimor si pjese e procesit të Berlinit dhe angazhimi ynë për Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë s’ka qenë ndonjëherë më i mirë se kaq. Shohim se ka ndryshime siç është një rritje e madhe e sasive të parave që shpenzojmë në programe të Ballkanit Perëndimor, 18 milionë paund për vit tanimë. Kemi rritur stafin në ambasadat në të gjithë rajonin. Rasti më i mirë ai i Shqipërisë ku kemi nisur nga 5 diplomatë tre vite më parë në 15 tani dhe do të kemi 18 diplomatë në fund të këtij viti. Rritje shumë e madhe e cila tregon se angazhimi ynë për Ballkanin Perëndimor është rritur. Përpos Brexit ne mendojmë se Ballkani Perëndimor është një rajon shumë i rëndësishëm i Europës por edhe për Mbretërinë e Bashkuar dhe do të jetë gjithmonë.
Ilva : Z.Norman, jam e sigurt që e keni dëgjuar më parë por do të më duhet t’ju pyes. Nëse keni patur ndonjë rol në atë çfarë është thënë në media për të ulur së bashku partitë opozitare dhe mazhorancën në një dialog të hapur për reformën elektorale, cili ishte roli juaj?
Duncan: Ne kemi qenë gjithmonë mbështetës të përfshirjes në politikë dhe mendojmë se është shumë e rëndësishme që të jenë të përfshirë të gjithë aktorët, sidomos për reformën zgjedhore. Është diçka që e kemi mbështetur dhe monitoruar. Kjo është diçka që do ta bëjmë gjithmonë. Në një mënyrë kemi ndihmuar ta çojmë përpara këtë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Do ta monitorojmë dhe mbështesim reformën zgjedhore në linjë me rekomandimet e ODIHR derisa të përfundohet.
Ilva : Pra, ju pranoni faktin se ju ishit një nga diplomatët të cilët ndihmuan për të lehtësuar dialogun?
Duncan: Kjo është diçka e rëndësishme për ne dhe nëse do të luajmë një rol për t’i ndihmuar ata është ajo çka do të bëjmë.
Ilva: Çfarë është ajo çka Mbretëria e Bashkuar pret nga kjo reformë elektorale dhe nga partitë politike?
Duncan: Ajo çka duam nga reforma elektorale është të nisë nga rekomandimet e ODIHR dhe ka një afat të caktuar deri më 15 mars por është e mundur të bëhen shumë ndryshime.
Ilva: Ose afati mund të shtyhet?
Duncan: Afati mund të shtyhet por mendoj se pasja e një afati është diçka e rëndësishme ndryshe gjërat do të zgjateshin përgjithmonë. Mendoj se po shkojmë në pikën ku po ndodh një progres i vërtetë dhe nëse do të shohim që këto rekomandime të miratohen, do të jetë shumë e rëndësishme dhe, nëse partitë shqiptare e arrijnë këtë në 15 mars do të ishte akoma edhe më mirë.
Ilva : Z. Ambasador cili është vlerësimi juaj për fazën aktuale të zbatimit të reformës në drejtësi? Jeni i lumtur me fazën që jemi tani?
Duncan: Kemi parë shumë aspekte pozitive që kanë ndodhur me reformën në drejtësi në muajt e fundit. Kemi parë krijimin e SPAK dhe krijimin e organeve të tjera gjyqësore dhe shumë gjëra kanë ndodhur. Realiteti është se reforma po ecën më ngadalë se çdokush do të mendonte dhe kjo përfshin edhe ata që janë të përfshirë në të.
Ilva: E dini arsyen e kësaj përse po ndodh kjo?
Duncan: Mendoj se ka shumë arsye. Është një proces i gjatë dhe i vështirë për t’u ndërmarrë, gjë që është shumë e rëndësishme për t’u çuar deri në fund. Mendoj që duhet të pranojmë faktin se nuk është e lehtë, gjithashtu për ne ndërkombëtarët t’i japim Shqipërisë mbështetje për të vijuar këtë proces dhe për shqiptarët që të shohin frytet nga ky proces dhe të ketë përfundim të suksesshëm. Kjo ka nevojë për pak kohë por kjo nuk do të thotë se duhet të ndalojmë. Ajo çka është e rëndësishme të ndodhë është që Shqipëria do të krijojë një sistem të ri që do të jetë shumë më mirë se ai i mëparshmi. Ky është qëllimi kryesor.
Ilva: Pamë indeksin e Transaprency International, i cili thoshte se kemi bërë hapa prapa për sa i përket nivelit të korrupsionit. Cili është komenti juaj se si po i luftojnë institucionet korrupsionin dhe krimin e organizuar?
Duncan: E vërteta është se çdo shtet vuan nga korrupsioni dhe krimi i organizuar e sidomos me krimin e organizuar dhe është një problem i përbashkët. Ne punojmë së bashku me qeverinë shqiptare sepse grupet shqiptare të krimit të organizuar nuk prekin vetëm Shqipërinë por edhe Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu. Kjo është një çështje mbi të cilën po punojmë me ministrin e Brendshëm dhe me agjencitë e tjera po ashtu. Ka shumë anë pozitive po ashtu dhe një bashkëpunim të mirë në reformat në institucionet e vuajtjes së dënimit si edhe me krijimin e një laboratori kriminalistik . Por këto gjera, ashtu si reforma në drejtësi, sigurisht kanë nevojë për kohë. Ne nuk presim të shohim rezultate brenda natës por presim të shohim që qeveria shqiptare të qëndrojë e përkushtuar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim dhe ta monitorojmë gjithë procesin.
Ilva: A keni një nivel bashkëpunimi momentalisht për strukturat?
Duncan: Ne jemi kryesisht të fokusuar në reformat e burgut dhe hetimet, por dhe për të lejuar agjencitë ligjzbatuese që të punojnë së bashku.
Ilva: Çështja e cila është diskutuar shumë në Shqipëri është ajo e ligjit të ri të medias, ose ligji antishpifje. Pasi Presidenti kërkoi disa përmirësime, tani Këshilli Europian ka kërkuar nga Komisioni i Venecias që të japë opinion. Cili është komenti juaj për këtë ligj? Keni ndonjë shqetësim të veçantë?
Duncan : Vendet e tjera janë të shqetësuara për këtë, duket si një hap mbrapa lidhur me lirinë në media. Jam i kënaqur të shoh se Këshilli i Europës i ka kërkuar Komisionit të Venecias që ta konsiderojnë këtë çështje dhe sigurisht që Mbretëria e Bashkuar është një pjesëtar lider i Këshillit të Europës, ne nuk do të largohemi nga ky Këshill. Ky është një hap i mirë dhe le të shohim atë çka Komisioni i Venecias do të bëjë.
Ilva: Pra, edhe nëse parlamenti e miraton ne duhet të presim për Komisionin e Venecias?
Duncan : Po, i është referuar Komisionit të Venecias.
Ilva: Faleminderit për këtë interviste tek “Ilva Now”.
Duncan : Faleminderit.
(Marrë nga EuroNews Albania)