Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Tiranës Erion Veliaj, ka njoftuar planin e masave ndaj depozitave të ujit.
Kryebashkiaku tha se për shkak të konstruksionit mbajtës të tarracave, që lidhet drejtpërdrejtë me sigurinë e jetës dhe shëndetit të banorëve që jetojnë në këto objekte, Këshilli Bashkiak i Tiranës duhet të miratijë heqjen e të gjithë depozitave të ujit nga tarracat.
Përpra se kjo nismë të votohej, Veliaj argumentoi se ato shkaktojnë një peshë të jashtëzakonshme mbi tarraca që është në mënyrë konstante rrezik për jetën.
“Ju propozojmë një vendim të Këshillit Bashkiak, ku Bashkia emeton për të gjithë administratorët e pallateve dhe banorët e Tiranës një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat. Një peshë e jashtëzakonshme mbi tarraca që është në mënyrë konstante rrezik për jetën, ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë, dhe nuk duam të jemi ata që nuk mësojmë nga historia, ne duhet të jemi ata që mësojnë nga historia. Lipset të bëjmë disa gjëra me këtë vendim të KB:
Së pari, marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët per të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha Veliaj.