Ankimi i prokurorit Artur Selmani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit duket se ka shkaktuar debat dhe ndasi mes pesë anëtarëve të trupës, ndonëse nuk e ka ndryshuar verdiktin e shkallës së parë të vetingut për shkarkimin nga detyra.
Në Kolegj, çështja e Selmanit është gjykuar nga trupa e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ardian Hajdari, Luan Daci e Rezarta Schuetz. Në vendimin e arsyetuar, Kolegji i ka cilësuar përgjithësisht të drejta gjetjet e Komisionit për problemet me pasurinë e Selmanit.
Megjithatë, anëtarët e trupës e kanë rrëzuar me tre vota konstatimin e Komisionit se përfshirja e prokurorit Selmani në lotari sportive ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Artur Selmani e ka filluar karrierën në institucionin e akuzës në fillim të viteve ’90, fillimisht si hetues dhe më pas si prokuror. Ai ishte pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme prej më shumë se një dekade, ku ka mbajtur edhe role drejtuese. Paralelisht me punën në Prokurori, Artur Selmani ka punuar edhe si pedagog dhe ekspert trajnues pranë Shkollës së Magjistraturës.
Selmani u shkarkua nga detyra më 26 nëntor 2018 për shkak të problemeve me burimet e pasurisë së tij dhe profesionalizmin.
Lotot sportive ndajnë Kolegjin
Deklarimi i prokurorit Artur Selmani se kishte fituar 10 mijë dollarë në loto sportive e shenjoi procesin e tij të vetingut në shkallë të parë, duke e penalizuar në kriterin e integritetit. Sipas deklaratave të pasurisë, shuma e fituar në loto sportive së bashku me disa dhurata shërbyen si burim për krijimin e një depozite prej 2.5 milionë lekësh dhe kursimeve në cash prej 950 mijë lekësh.
Në ankimin e dorëzuar përballë Kolegjit, Selmani e kundërshtoi konstatimin e Komisionit se sjelljet e tij të lidhura me lotaritë sportive kanë cenuar figurën dhe integritetin si dhe kanë ulur shkallën e besueshmërisë së publikut. Selmani ka pretenduar në ankim se Komisioni ka shkelur parimin e ligjshmërisë lidhur me konkluzionin se pjesëmarrja e subjektit në lotaritë sportive, si “ves i keq”, ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, duke e konsideruar të pambështetur në ndonjë ligj apo kod etik sjelljeje, por vetëm tek prania e opinioneve negative në media.
Në vendimin e arsyetuar, tre anëtarët e trupës gjykuese të KPA-së, kryesuesja Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Luan Daci argumentojnë se të ardhurat e pretenduara nga lotot nuk janë të ligjshme, pasi subjekti nuk i ka justifikuar ato me dokumentacion. Megjithatë, tre anëtarët e KPA-së gjykuan se këto veprime nuk e cenojnë figurën e magjistratit.
Shumica e trupës gjykuese konstatoi gjithashtu se nga Prokuroria e Përgjithshme nuk ka pasur asnjë procedim disiplinor, edhe në kuptim të shkeljes së rregullave të etikës, edhe pse Selmani i kishte deklaruar shumat e fituara në vitet 2006-2008 në deklaratat e tij të pasurisë. Shumica shton si rrethanë lehtësuese edhe faktin se nuk është provuar që Selmani të ketë vazhduar të luajë loto për një periudhë të paktën 10-vjeçare.
“…subjekti i rivlerësimit ka shprehur si në përgjigjet ndaj rezultateve të hetimit, si në seancë dëgjimore në përgjigje të pyetjes së vëzhgueses ndërkombëtare dhe në ankim, një pendesë të dukshme për këto veprime të tij…,” citohet në vendim.
Kolegji konstaton se Selmani nuk është shkarkuar nga detyra për shkak të aftësive profesionale, por vetëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë.
“…Trupi gjykues i Kolegjit e gjen jo të drejtë konkluzionin e Komisionit, sipas të cilit subjekti i rivlerësimit, duke marrë pjesë në lojërat e fatit në vitet 2006-2008, ka cënuar figurën dhe integritetin e tij, duke ulur shkallën e besueshmërisë te publiku,” shtohet në vendim.
Ndryshe nga shumica, relatorja Natasha Mulaj dhe anëtarja Rezarta Schuetz mendojnë se konstatimi i Komisionit ka qenë i drejtë.
Pavarësisht se pjesëmarrja në lojëra fati nuk është parashikuar shprehimisht si sjellje e papërshtatshme për një magjistrat, Mulaj dhge Schuetz janë dakord me Komisionin. Një nga arsyet, sipas tyre është qëndrimi i prokurorit Selmani që e ka distancuar veten nga këto sjellje të shkuara.
“…Me mënyrën se si i sheh ai tanimë veprimet e tij të shkuara, çmojmë se pretendimi i tij në ankim se vendimi i Komisionit bazohet në një vlerësim subjektiv dhe të padrejtë, bie ndesh edhe me shpjegimet e veta,” thonë dy gjyqtaret. Mulaj dhe Schuetz arsyetojnë se Selmani kundërshton veten me ankimin e tij në raport me qëndrimin që ka mbajtur gjatë procesit të rivlerësimit.
“Si prokuror me përvojë që ka shërbyer në institucionet më të larta të prokurorisë së Republikës së Shqipërisë, subjektit i binte barrë të analizonte gjithë sjelljet e tij në punë dhe jashtë saj, në funksion të pasojave që kishte sjellja e tij në perceptimin e publikut, dhe të vepronte në përputhje me standardet profesionale që priten nga një funksionar i nivelit dhe profilit të tij të punës,” thuhet në mendimin paralel.
Për arsyetimin e tyre, ato i referohen edhe kodeve për standartet ndërkombëtare të etikës së magjistratëve si dhe Deklaratës së Bordosë si dhe Komentarit të Bangalores për sjelljen e gjyqtarëve, që sipas tyre ndalet veçanërisht tek angazhimi në lojërat e fatit nga magjistratët.
“…Ndryshe është një vizitë rastësore në garat e kuajve ose në një kazino jashtë vendit gjatë pushimeve, ose lojëra me letra me shokë dhe familje. Mund të jetë diçka krejt e ndryshme që një gjyqtar të qëndrojë rregullisht në dritaret e basteve ose korsitë e garave apo të bëhet një bixhozxhi i përhershëm ose klient i rregullt,” përshkruhen në vendimin paralel.
Në fund Mulaj dhe Schuetz konkludojnë se frekuentimi i ambienteve të lojërave të fatit nga subjekti i rivlerësimit, është sjellje që ndikon negativisht në perceptimin e publikut për figurën e një magjistrati dhe e çmojnë të drejtë konkluzionin e Komisionit.
Qëndrimi ndryshe për masakrën e Çoles
Trupi gjykues i Kolegjit ka dhënë gjykim të ndryshëm nga Komisioni edhe në lidhje me përfaqësimin e prokurorit Artur Selmani përballë Gjykatës së Lartë për ngjarjen e njohur si Masakra e Çoles, ku tre të rinj u vranë në vitin 2015 pas një përplasje me armë.
Prokuroria dhe Gjykata e Faktit e Apelit në Vlorë cilësuan fajtorë të akuzuarit për këtë ngjarje. Një prej tyre u dënua me burg përjetë i konvertuar në 35 vjet, ndërsa dy të tjerë me nga 22 vjet burg.
Në lidhje me çështjen penale në fjalë, Selmani ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga prokuroritë e dy shkallëve të para të gjykimit, si edhe nga vendimet penale të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Gjykatës së Apelit Vlorë, të cilat kanë përcaktuar dënime maksimale për të pandehurit. Ndërsa ish-prokurori Selmani, në seancën e datës 15 shkurt 2017, ka kërkuar ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, për sa i përket të pandehurit të dënuar me burgim të përjetshëm duke e deklaruar atë fajtor për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia dhe dënimin prej 4 vjetësh burgim; si edhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë për të pandehurit e tjerë vetëm për armëmbajtje pa leje.
Selmani nuk është penalizuar nga një procedim i nisur ndaj tij si dhe pezullimi nga detyra për këtë rast. Gjatë procesit të rivlerësimit ai është justifikuar se ka njoftuar për qëndrimin e tij nëpërmjet email-it ish-drejtoreshën e Drejtorisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Alma Muça e cila nuk ka mbajtur qëndrim. Kolegji shprehet se ky pretendim është provuar.
“…Trupit gjykues të Kolegjit i rezulton se drejtoresha ka qenë e informuar lidhur me qëndrimin që do të mbante subjekti në procesin në Gjykatën e Lartë. Për trupin gjykues të Kolegjit, nëse ajo do të kishte pasur kundërshtime, do të duhej të urdhëronte ndryshimin e qëndrimit që duhet të mbahej prej tij, ose duhet të kishte njoftuar Prokurorin e Përgjithshëm në lidhje me çështjen në fjalë,” citohet në vendimin e KPA.
KPA konkludon se ndaj Selmanit nuk ka pasur asnjë masë disiplinore për këtë rast dhe e çmon të drejtë pretendimin e tij.
“…Trupi gjykues i Kolegjit… vlerëson si jo të drejtë konkluzionin e Komisionit që subjekti i rivlerësimit, referuar urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm, por dhe komenteve në media të ndryshme, të shkruara apo audiovizive të kohës, ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, pasi vlerësimi i një subjekti nuk mund të mbështetet në artikuj të ndryshëm të medias dhe jehonës që bëjnë ato në publik, por vetëm në faktet e provuara dhe në ligj,” thuhet në vendimin e KPA-së.
Kriteri i pasurisë
Ndonëse pozitat e prokurorit Artur Selmani u lehtësuan në Kolegj, ishin problemet me pasurinë që e nxorrën atë përfundimisht jashtë sistemit. Në vendimin e arsyetuar, Kolegji del me përfundimin se Selmani nuk ka arritur të justifikojë bindshëm burimin e ligjshëm të një depozite bankare pranë Bankës Raiffeisen në shumën 2.5 milionë lekë dhe gjendjen cash në shumën 950 mijë lekë të pasqyruara në deklaratën veting.
Sipas KPA-së, Selmani nuk ka arritur të justifikojë me burime të ligjshme të ardhurat e motrës për vlerën 13.950 euro që ka deklaruar se ia ka dhuruar gjatë periudhës 2009-2013. Ndërkohë, trupi gjykues, ashtu si edhe Komisioni, konstaton mospërputhje midis deklarimeve të së motrës dhe vetë subjektit të rivlerësimit, lidhur me qëllimin e përdorimit të këtyre dhurimeve. Sipas KPA-së, motra e Selmanit ka deklaruar se i ka dhënë të vëllait këto dhurata për të mbuluar shpenzimet që nëna do të bënte gjatë qëndrimit pranë familjes së tyre në Tiranë, ndërsa vetë subjekti është shprehur se me paratë e dhuruara ka krijuar depozitën në shumën 2,5 milionë lekë.
Duke e quajtur konstatimin e KPK të paqartë lidhur me vlerat 11.880 euro dhe 600 mijë lekë të dhuruara nga nëna, Kolegji vëren se lidhur me të ardhurat e saj nga pensioni në Itali, në dokumentacionin e administruar në dosjen e gjykimit gjenden disa akte në gjuhën italiane, të papërkthyera, të panoterizuara dhe pa vulë apostile.
Kolegji sqaron se Selmani nuk ka paraqitur dokumentacion të rregullt ligjor për të provuar mundësinë financiare të nënës së tij për të kryer dhurimet në vlerat e sipërcituara dhe arrin në përfundimin që të mos i konsiderojë si burim të ligjshëm për të justifikuar dhurimet ndër vite.
Po ashtu, Selmani nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor të ardhurat nga lotaritë sportive në vlerën 10.000 USD.
“Rezulton se të ardhurat e pretenduara të përfituara nga lotaritë sportive në vitet 2006-2008 nuk janë të ligjshme, pasi trupi gjykues në bazë të arsyetimit të mësipërm vlerëson se në këtë proces, subjektet e rivlerësimit kanë barrën e provës për të provuar me dokumentacion ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurive të tyre…,” citohet ndër të tjera në vendim.
Në vendimin e KPA thuhet se nga analiza financiare rezulton se Selmani dhe personat e lidhur kanë mungesë të burimeve financiare të ligjshme në vlerën e 3,5 milionë lekëve. Në përfundim, Kolegji ka venosur të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin e ish-prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme, Artur Selmani./reporter.al