Emri i kryeministrit Edi Rama është një nga më të lakuarit si në fushën e politikës ashtu edhe jashtë saj, që pas tërmetit 6.4 ballë që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, ku mbetën të vdekur 51 persona dhe u plagosën mbi 900 të tillë.
Së fundmi, ish-deputeti Dashamir Shehi, i ftuar në RTV ora është shprehur se edhe pse kryeministri Rama po përpiqet ta shfrytëzojë politikisht këtë situatë, ky fakt nuk i jep aspak pikë.
Shehi është rikthyer pas në kohë duke kujtuar kohën kur ka vdekur ish-diktatori Enver Hoxha dhe shton se shqiptarët lanë rrugën me lot kur vdiq ai por 6 vjet më pas donin t’ja hiqnin bustin zvarrë.
“Populli shqiptar kur vdiq Enver Hoxha i lau rrugët me lot. Më vjen turp që jemi akoma popull në këtë gjendje, halli që na ka rënë është shumë i madh por nuk duhet të na bëjë të humbim dinjitetin fare. Nuk duhet ta bëjë politikën kaq cinike që të shfrytëzojë çdo gjë që ndodh këtej rrotull. Çfarë është ky vajtues? Punët që duhen bërë nuk janë bërë asnjë.Kanë dalë 50 vetë për të punuar dhe kanë 100 kamera nga mbrapa.”, u shpreh Dashamir Shehi.