Media franceze “France 24” i ka kushtuar një dokumentar vendit tonë, të cilin e cilëson si një trashëgimi të sistemit komunist. Në dokumentarin e “France 24”, bëhet me dije se për gati 50 vjet Shqipëria ishte e mbyllur hermetikisht nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës dhe se nuk kishte asnjë komunikim me Europën. Në dokumentar theksohet se sot pas 30 vitesh, Shqipëria po del gradualisht nga izolimi, por viktimat e diktaturës ende kërkojnë drejtësi. Sipas “France 24”, edhe pse Shqipëria ka dalë gradualisht nga izolimi dhe po integrohet në evropë, sërish plaga në këtë vend është shumë e madhe.
Konkretisht dokumentari është fokusuar tek vendet emblematike të diktaturës në Shqipëri, siç është “Bunk Art”, i cili është hapur tre vite më parë për publikun dhe “Shtëpia e Gjetheve”. Në fokusin e kamerës së “France 24” kanë qenë bunkerët e shumtë nëpër qytetin e Tiranës, të cilët janë dëshmi të gjurmëve diktatoriale që kanë mbetur në vendin tonë edhe sot pas 30 vitesh demokraci.
Në dokumentar mund të dëgjojmë dëshmitë e dy viktimave të diktaturës, Saimir Maloku dhe Luljeta Lleshanaku. Maloku bën me dije se u akuzua nga sistemi si agjent spiun, pasi kishte komunikuar me disa turistë anglezë, e nga ana tjetër gjatë një vizite të cilën po e zhvillonte për herë të parë në “Bunk’Art”, Luljeta Lleshanaku tha se të dëgjonte zërin e Enver Hoxhës, zë i cili ishte makthi i shumë personave ishte tronditëse për të.
Nga ana tjetër, dokumentari i ka kushtuar disa minuta edhe kryeministrit Rama për të cilin shkruan; “Edi Rama, tani drejtues i qeverisë shqiptare ka një qasje që të lërë qytetarët të njihen me shumë muze, institute apo edhe ngjarje të çuditshme që burojnë nga ky sistem.” Teksa shumë media ndërkombëtare shkruajnë sesa mirë i zhvilluar është shteti shqiptar dhe sesa pranë Bashkimit Evropian ndodhet vendi ynë, kjo media franceze duket se e largon Shqipërinë nga Bashkimi Evropian shumë hapa pas. Ky dokumentar vjen vetëm disa ditë pas vendimit për moshapjen e bisedemive për negociatata e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.