Pasi anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha publikoi listën me anëtarët e rinj të kësaj gjykatë ku vuri emrin e Marsida Xhaferllarit dhe la jashtë atë të Arta Vorpsit, ka ardhur dhe reagimi i presidentit Ilir Meta.
Kreu i shtetit me anë të një reagimi në rrjetet sociale, shkruan se ndaj anëtarëve të KED-it dhe konkretisht Vitore Tushës po ushtrohet presion politik.
Ndër të tjera ai paralajmëron kreun e KED-it Ardian Dvorani se do të publikojë një video, ku nuk dihet përmbajtja e saj.
Meta e krahason Dvoranin me Prokuroren Speciale të Maqedonisë, Katica Janeva e burgosur me akuzën e korrupsionit.
“Skandaloz presioni politik ndaj KED dhe anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha! I vetmi përgjegjës për aktet kriminale të militantit Ardian Dvorani është vetëm ai, përndryshe Katica jonë i Reformës në Drejtësi. Nuk ka Rilindje lokale dhe ndërkombëtare që e shpëton atë nga përgjegjësia e rëndë penale. Katica jonë bëri një akt shumë më të rëndë se vendosja e gjobës së një biznesmeni. Katica jonë donte të vidhte gjithë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Provat po shtohen. Garantët e krimit kushtetues po dalin vetë. Video po përgatitet!”, shkruan presidenti Ilir Meta.