Kushdo që ndjek lëvizjet e protestave nëpër botë e ka të vështirë të mbajë ritmin. Demonstrata të mëdha anti-qeveritare, disa paqësore dhe të tjerat jo, po mbahen javët e fundit në vende të ndryshme të çdo kontinenti: Algjeri, Bolivi, Britani, Katalonja, Kili, Ekuador, Francë, Guinea, Haiti, Honduras, Hong Kong, Irak, Kazakistan, Liban dhe më shumë.
Më 1 nëntor Pakistani iu bashkua listës së gjatë pasi dhjetëra- mijëra protestues dolën në rrugë në kryeqytetin Islamabad për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Imran Khan brenda 48 orësh.
Ndoshta që prej valës së lëvizjeve ‘pushteti për popullin’ që kapluan vendet aziatike dhe europiano-lindore në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, bota nuk ka përjetuar të tillë vërshim të zemërimit popullor në rrugë. Përpara kësaj, vetëm protestat globale të fundviteve ’60 mund të ngjasojnë sa u përket numrit të vendeve të përfshira dhe njerëzve të mobilizuar.
Megjithatë edhe në atë kohë, ato dy valë trazirash globale dukeshin më të bashkuar sesa lëvizja aktuale dukshëm pa lidhje dhe spontane. Protestuesit në vende të ndryshme kishin ankesa dhe qëllime të ngjashme. Këtë herë, këto tema shfaqen në mënyrë të pashmangshme vend pas vendi. Pakistani i ilustron të tre arsyet: pakënaqësinë ekonomike (inflacionin në rritje dhe shtrëngimin e imponuar në koordinim me FMN-në), korrupsionin e perceptuar zyrtar dhe pretendimet për mashtrim elektoral (votimet e vitit të shkuar instaluan në pushtet qeverinë e zotit Khan).
Por kjo duket më shumë koincidencë sesa koherencë. Shkaqet fillestare të protestave variojnë fort: në Liban ishte jnë taksë për telefonatat me shërbimin WhatsApp; në Hong Kong ishte një ligj i propozuar për ekstradimin e kriminelëve të dyshuar në Kinë; në Katalonjë ishin dënimet e gjata për mbrojtësit e pavarësisë; në Britani kërkesat për një referendum të dytë. Larg përfaqësimit të një lëvizje globale të bashkuar rreth kërkesave të zakonshme, slogani i përbashkët i protestuesve, nëse do kishte një të tillë, mund të huazohet nga personazhi i Marlon Brandos në filmin e ndaluar të vitit 1953, ‘I egri’. I pyetur se përse po rebelohet, ai përgjigjet: për çfarë të dalë.
Vështirësia për të dalluar një model natyrisht nuk i ka penguar ekspertët që të përpiqen. Në përgjithësi, shpjegimet bien në tre kategori: ekonomike, demografike dhe konspirative.
Shpjegimet ekonomike përbëjnë pjesën më të madhe të mënyrës se si goditje të vogla në dukje ndaj standardeve të jetesës (një rritje prej 4 përqind e biletave të metrosë në Kili për shembull) mund të jenë goditje finale për njerëzit që mezi rezistojnë në shoqëritë gjithmonë e më shumë të pabarabarta. Për të majtën, ky është vetëm paroksizmi i fundit i një kapitalizmi jofunksional dhe të dështuar. Siç shkruan Flamuri i Kuq, një revistë socialiste australiane: “Për më shumë se katër dekada, vend pas vendi janë rrënuar nga politikat neoliberale, të projektuara për t’i bërë të varfërit dhe masën punëtore që të paguajnë për atë që është një krizë në rritje e sistemit”.
Edhe tifozët e tregjeve të lira e shohin pabarazinë në zgjerim në një numër vendesh si shkakun e zemërimit të përbashkët. Kili, theksojnë ata, shihet prej kohësh si një strehë e stabilitetit në Amerikën Latine, por trazirat aktuale kanë anuluar dy samite ndërkombëtare që do mbaheshin në Santiago, çka tregon se është në një mënyrë vendi më i pabarabartë në OECD- një klub i vendeve kryesisht të pasura.
Shpjegimi demografik thekson se protestat janë, përgjithësisht, një aktivitet i të rinjve, dhe njerëzimi është akoma relativisht i ri, me një moshë meshatare thuajse 30 vjeç, dhe një e treta e njerëzve janë nën 20 vjeç. Në gazetën ‘Times’ të Londrës, historiani Niall Ferguson e çon më tej argumentin kur heq një paralele me vitet ’60, duke theksuar se në të dy periudhat kishte një ‘tepricë të të rinjve të arsimuar’, për shkak të një bumi në arsimin universitar, duke prodhuar më shumë të diplomuar nga sa ka vende pune.
Sa u përket teorive konspirative, sigurisht që qeveritë dëshirojnë të sugjerojnë se pas protestave fshihen forca të errëta manipulative nga jashtë. Në Hong Kong, ministria e jashtme kineze sugjeroi në korrik se protestat ishin një vepër e amerikanëve. Në Amerikën Latine, teoritë e përhapura janë se regjimet socialiste të Kubës dhe Venezuelës po nxisin trazira në të gjithë kontinentin për të larguar vëmendjen nga problemet e tyre.
Faktorët ekonomikë dhe demografikë, madje edhe ndërhyrjet e jashtme mund të kenë luajtur rol në disa prej protestëve, por si teori unifikuese, asnjëra nuk qëndron në këmbë. Ekonomia botërore përballet me shumë telashe, por ato nuk i afrohen seriozitetit të atyre të një dekade më parë, kur bota ishte në prag të depresionit dhe papunësia ishte në rritje. Megjithatë shumë më pak njerëz dolën në rrugë. Protestat priren të mbizotërohen nga të rinjtë. Por një tipar befasues i shumë prej protestave- nga ‘Bremain’ në Londër e deri tek protestat anti-Kinë në Hong Kong- është se janë të angazhuar shumë të moshuar dhe njerëz në moshë të mesme. Sa u përket ndërhyrjeve të huaja- askush, përveç ndoshta atyre në skajet më të egra të internetit, nuk e beson se ka një mendje globale që po lëviz gjërat në mbarë botën.
Por ndoshta kërkimi për një teori unifikuese është i kotë. Në fund të fundit, kur shikoni më nga afër valët e mëparshme, përshtypja e koherencës duket iluzive. Edhe ato ishin më të ndryshme nga sa supozohet shpesh. Përpjekjet globale të fundit të viteve ’60 shkonin nga Rojet e Kuqe në Kinë, ndjekja e një kulti mijëravjeçar nga Mao Ce Dong për ta ndihmuar atë që të fitonte luftën brenda partisë, tek të rinjtë e pasur perëndimorë që kishin ngecur tek gëzimi i flokëve të gjatë, drogërat psikedelike dhe shthurja seksuale. Në mes ishin protestuesit kundër luftës në Vietnam, dominimi sovjetik në lindje të Europës dhe këmbëngulja e lodhshme për të marrë pjesë në leksionet universitare. Edhe revolucionet e pushtetit popullor të 20 viteve më vonë kishin dallimet e tyre. Autokratët e djathtë në Filipine dhe Korenë e Jugut ishin shumë larg nga banditët e Europës Lindore si Nicolae Ceausescu.
Ndoshta përgjigjia është të kthehemi te parimet e para dhe të pyesim: çfarë i bën njerëzit që të nxjerrin ankesat e tyre në rrugë? Shumë rrallë përmenden dy arsye: që, pavarësisht rreziqeve ligjore dhe fizike, protestat janë emocionuese e madje më argëtuese se mërzia e jetës së përditshme; dhe kur e bëjnë të gjithë, solidariteti bëhet modë. Çdo valë protestash ka elementin e kopjimit. Përfshirja e celularëve të zgjuar, megjithatë, ka transformuar mënyrën se si organizohen, popullarizohen dhe mbahen protestat. Aplikacionet e mesazheve të kriptuara si Telegram, u mundësojnë protestuesve që të qëndrojnë një hap përpara autoriteteve. Simbolikat dhe teknikat e reja përhapen si zjarr i egër.
Arsyeja e tretë e dukshme për të demonstruar është se përdorimi i kanaleve politike konvencionale duket i kotë. Në protestat e fundviteve ’80, shënjestra ishin zakonisht qeveritë autokratike që lejonin zgjedhjet e turpshme. Në mungesë të kutisë së votimit, rruga ishte mënyra e vetme për të demonstruar ‘pushtetin e njerëzve’. Disa nga protestat e këtij viti- kundër Abdelaziz Bouteflika në Algjeri apo Omar al-Bashir në Sudan- kanë qenë analoge. Por mesa duket edhe demokracitë funksionale janë prekur gjithashtu.
Për një numër arsyesh, njerëzit mund të ndjehen jo fort të pushtetshëm këto ditë, duke besuar se vota e tyre nuk ka rëndësi. Njëra është vëmendja në rritje ndaj çështjeve mjedisore, veçanërisht ndryshimit klimaterike. E dyta lidhet përsëri me ndikimin e mediave sociale, me tendencën për të amplifikuar ato zëra me të cilët bie dakord dhe për të heshtur zërat e tjerë, duke e bërë gjithmonë e më të fortë ndjësinë e të mosdëgjuarit kurrë. E treta është një rritje ndoshta e intolerancës, një ndarje pazaresh në zemër të demokracisë së stilit perëndimor- ku humbësit, të cilët shpesh mund të përfaqësojnë një shumicë të votave popullore, duhet të pranojnë sundimin e fituesve deri në zgjedhjet e ardhshme.
Kjo, megjithatë, nuk të ndihmon për të arritur një konkluzion të dobishëm ose shpresëdhënës. Pak shanse ka që këto tendenca të shuhen. Në këtë rast, kjo valë e tretë protestash mund të mos jetë pararojë e një revolucioni global, por thjesht një status-quo e re.