Një ditë pas emërimit të Marsida Xhaferllait si anëtare e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, presidenti Ilir Meta ka renditur arsyet e këtij vendimit.
Sipas Metës kryeinspektorja e inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Marsida Xhaferllari ka mbaruar studimet e larta me rezultate të shkëlqyera dhe ka një eksperiencë pune të larmishme prej më shumë se 20 vite.
“Zonja Marsida Xhaferllari, gëzon integritet të lartë moral, etik dhe cilësi të larta profesionale të cilat janë kërkesa të domosdoshme dhe në koherencë me besimin që kërkon publiku për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Përgjatë karrierës së saj ka reflektuar aftësi vendimmarrëse dhe bashkëpunimi”, thuhet ndër të tjera në argumentimin e kreut të shtetit.
Kujtojmë që Marsida Xhaferllari është njëkohësisht partnerja dhe bashkëjetuesja e ish-deputetit të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.
Deri tani anëtarët që përbëjnë momentalisht Gjykatën Kushtetuese janë: Vitore Tusha, Besnik Muçi, Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari.
ARGUMENTIMI I PLOTE I PRESIDENTIT ILIR META
ARSYET
“PËR
PËRZGJEDHJEN E KANDIDATURËS TË ZONJËS MARSIDA XHAFERLLARI, PËR T’U EMËRUAR GJYQTAR NË GJYKATËN KUSHTETUESE DHE PROCEDURA E NDJEKUR PËR PLOTËSIMIN E KËSAJ VAKANCE”
I.Shpallja e vakancës për aplikim dhe dërgimi i listave për shqyrtim në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi
Presidenti i Repubikës pasi administroi njoftimin nr. 620 prot., datë 25.02.2019 të Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet Dekretit nr. 11133, datë 04.03.2019, ka vendosur “Shpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vakancë kjo e cila ishte krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të rregullt të znj. Altina Xhoxhaj më datë 25.05.2019.
Kjo shpallje për aplikim u publikua sipas kërkesave të ligjit, që prej datës 04.03.2019 në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe në Fletore Zyrtare. Gjithashtu, njoftimi ka qenë i publikuar në shtypin e shkruar nga data 7 deri në datën 11 Mars 2019, në gazetat “Panorama”, “Gazeta Shqiptare” dhe “Koha Jonë”.
Në përfundim të afatit ligjor të shpalljes dhe administrimit të aplikimeve (25 mars 2019) për plotësimin e kësaj vakance, aplikuan gjithsej 13 kandidatë, ku për secilin prej tyre është mbajtur një procesverbal për inventarizimin e të gjithë dokumentacionit që përmbante dosja e aplikimit, të dorëzuar në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Mënjeherë pas përfundimit të afatit të aplikimit, në përputhje me përcaktimet e nenit 234 pika 1 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës është publikuar lista me 13 aplikantë që kishin shprehur interesin për të konkuruar për plotësimin e kësaj vakance. Më datë 27.03.2019 menjëherë pas publikimit të listës së aplikantëve, kjo e fundit e shoqëruar me dokumentacionin përkatës të dorëzuar ju përcoll Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikim dhe vlerësim sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka kryer verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për këtë vend vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe në përfundim të këtij procesi ka rezultuar se janë lejuar për kandidim dhe kanë ngelur në garë vetëm 4 (katër) kandidatë nga 13 aplikantë që shprehën interesin.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me shkresën nr.553 prot., datë 08.10.2019, administruar me nr. 3535 prot, datë 08.10.2019, ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019”.
Nga shqyrtimi paraprak i praktikës rezultoi se:
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me Vendimin nr. 132, datë 21.09.2019, ka miratuar “Listën përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019”;
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me Vendimin nr. 133, datë 21.09.2019, ka miratuar “Raportin për renditjen e kandidatëve të lejuar për plotësimin e vendit vakant të krijuar në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019”.
Bashkëlidhur praktikës së dërguar janë përcjellë nga KED vendimet e marra nga ky organ për lejimin e kandidimit, vlerësimin dhe pikëzimin e katër kandidaturave të ngelur në garë. Ndërkohë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka përcjellë gjithashtu edhe vendimet e tij për ndalimin nga kandidimi të 5 (pesë) aplikantëve, si dhe vendimet për përfundimin e procedurës së verifikimit për shkak të dorëheqjes nga kandidimi të 4 (katër) kandidatëve.
Sipas Vendimit nr.132, datë 21.09.2019, Këshilli ka miratuar “Listën përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019” me këtë renditje;
Arta Vorpsi 89.642
Fiona Papajorgji 88.785 pikë
Elsa Toska 85.428 pikë
Marsida Xhaferllari 82 000 pikë
Presidenti i Republikës, në shqyrtimin paraprak të kësaj praktike dhe dokumentacionit të përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, konstatoi se:
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, (Kryetari) në të njëjtën ditë (datë 08.10.2019) me shkresën 552 prot., datë 08.10.2019, ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës edhe “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, (vakanca e parë), e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.10722, datë 07.02.2018”. Kjo praktikë i referohet plotësimit të vendit vakant të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit Sokol Berberi.
Në këtë mënyrë rezultoi se Kryetari i KED-së, në të njëjtën datë 08.10.2019, ka realizuar procesin administrativ të dërgimit të listave pranë Presidentit të Republikës për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi, gjë kjo e cila bie ndesh hapur me Kushtetutën
Nuk rezultoi që KED-ja, në mënyrë kolegjale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr.115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës.
I gjendur para kësaj situate të administrimit të dy listave njëherazi që i përkasin plotësimit (emërimit) të 2 (dy) vakancave të shpallura nga Presidentit të Republikës, me shkresën nr. 3571 prot., datë 10.10.2019, Institucioni i Presidentit të Republikës iu drejtua Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me një kërkesë për informacion mbi faktin nëse ky organ (KED-ja) ia kishte përcjellë ose jo Kuvendit të Shqipërisë listat përfundimtare të renditjes së kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për dy vendet vakant, të shpallura nga Kuvendi në datën 12.02.2018 dhe datën 04.03.2019.
Në këtë letër Institucioni i Presidentit të Republikës, përveç se kërkoi informacion nga KED, i vuri në dijeni këtij organi se dispozitat Kushtetuese dhe ligjore diktojnë zbatimin e radhës së emërimit/zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, rregulla këto që janë thelbësor për t’u respektuar jo vetëm nga ana e Presidentit dhe Kuvendit, por dhe nga ana vetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), si një detyrim edhe për veprimet administrative fundore të KED-së që duhet të realizoheshin nga ky organ.
Presidenti i Republikës vlerësoi se ky verifikim administrativ dhe ky informacion paraprak ishte i domosdoshëm me qëllim që:
Së pari, të fillonte sa më parë procesi i plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese;
Së dyti, ripërtëritja e Gjykatës Kushtetues me gjyqtarët e rinj, të ndjekë radhën kronologjike të diktuar nga Kushtetuta dhe ligji, ku Presidenti i Republikës të emëronte gjyqtarin e parë kushtetues, vetëm pasi Kuvendi të kishte administruar nga KED-ja listën përfundimtare me numrin e nevojshëm të kandidaturave (jo më pak se tre);
Së treti, sepse respektimi i kësaj radhe kronologjike të plotësimit, përveç se është detyrim kushtetues do të shërbejë edhe si rregull bazë për përtëritjen e tyre në të ardhmen.
Së katërti, për të ruajtur të pacenuar kushtetutshmërinë dhe mbarëvajtjen e të gjithë këtij procesi, pasi në të gjitha vakancat aktuale për të cilat KED-ja ka zhvilluar procedurën e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes, kishte aplikantë, të cilët gjendeshin njëkohësisht në cilësinë e kandidatit si në vakancat që i përkasin për plotësim Presidentit ashtu dhe në vakancat që plotësohen nga Kuvendi.
Emërimi eventual i njërit aplikant në listën e Presidentit, afekton domosdoshmërisht edhe numrin e aplikantëve që gjenden në listën/at e Kuvendit.
Duke qenë se Kushtetuta parashikon që Kuvendi duhet të ketë në dispozicion apo administruar 3 (tre) kandidatura për të bërë përzgjedhjen e vet, Presidenti duhej të vihej në kushtet që emërimi që ai duhet të bënte, të mos cenonte hapësirën vlerësuese të Kuvendit, në përzgjedhjen e tij.
Fakti që të njëjtët aplikantë në numër të kufizuar gjenden edhe në listën e Kuvendit, përveç se nuk ofron një mundësi reale zgjedhjeje për organet e emërtesës (President, Kuvend) komplikon edhe vetë ushtrimin e kompetencës kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kështu, një përzgjedhje e mundshme dhe e menjëhershme e Presidentit për plotësimin e të dy vakancave njëherazi në momentin që sapo administroi listat e aplikantëve do të sillte praktikisht vendosjen e KED-së në kushtet e pamundësisë faktike për t’i dërguar Kuvendit listat me së paku tre kandidatë për secilën vakancë, duke sjellë kështu anomali në procesin e plotësimit të dy vakancave që i takojnë për plotësim Kuvendit të Shqipërisë.
Po kështu një përzgjedhje dhe emërim nga Presidenti pa ruajtur radhën kronologjike që Kushtetuta dhe ligji përcakton, do të sillte teorikisht deri në pamundësi të Kuvendit për të patur numrin e nevojshëm të kandidatëve për zgjedhur anëtarët që i takojnë.
Presidenti nisur nga ky vlerësim i rrezikut që krijonte kjo çështje kërkoi informacion nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për t’u siguruar që Kuvendi të administronte listat nga KED.
Presidenti mbajti këtë qëndrim nisur nga parimi kushtetues i luajalitetit (bashkëpunimit) midis organeve shtetërore dhe nga gjetja e mundësive që Gjykata Kushtetuese të plotësohet sa më parë.
Në përgjigje të kërkesës së Presidentit për informacion, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresën nr. 655 prot., datë 14.10.2019, informoi Presidentin e Republikës me një letër me këtë përmbajtje: “Ditën e sotme me shkresën nr.653 prot., datë 14.10.2019 dhe me shkresën nr. 654 prot., datë 14.10.2019, ka përcjellë dhe ka dorëzuar pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë:
Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 02.2018;
Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 04.03.2019.”
Pra nga ky informacion i përcjellë rezultoi se: KED në datën 14.10.2019, (pra pas 6 ditëve nga dërgimi i dy listave njëherazi pranë Institucionit të Presidentit) ka realizuar procesin administrativ të dërgimit të listave në Kuvend, për plotësimin e të dy vakancave njëherazi, që i përkasin Kuvendit për zgjedhje.
Nga gjithë informacioni i administruar, rezultoi se KED-ja renditjen e kandidatëve dhe krijimin e 4 listave, për të dy institucionet – President i Republikës dhe Kuvend – i ka bërë në mënyrë të njëkohshme, brenda të njëjtës datë 21.09.2019, ku madje dhe numërtimi i vendimeve të KED për miratimin e listave dhe raporteve përfundimtare të vlerësimit është i alternuar sipas radhës së shpalljes dhe plotësimit të vakancave që i përkasin për plotësim Presidentit dhe Kuvendit.
Ndërkohë, në aktet e dërguara pranë Institucionit të Presidentit të Republikës nuk paraqitet asnjë e dhënë që të shpjegojë arsyet se përse janë dërguar dy lista njëherazi tek Presidenti, apo shkaqet e vonesës dhe të dërgimit të dy listave njëherazi me një javë diferencë pranë Kuvendit.
Ky veprim administrativ i Kryetarit të KED-së nuk respekton as kohën e përpilimit të listave (listat janë miratuar brenda të njëjtës ditë), as radhën e miratimit të tyre (lista e parë e miratuar është e Presidentit, lista e dytë është e Kuvendit, lista e tretë është e Presidentit, dhe lista e katërt është e Kuvendit) dhe as rendin kronologjik të detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e vendeve vakante.
II.Parashikimet Kushtetuese dhe ligjore për trajtimin e radhës së dërgimit dhe plotësimit të vendeve vakant në Gjykatën Kushtetuese.
Ndryshimet kushtetuese të realizuara në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë në datat 21-22 korrik 2016, i kushtuan rëndësi të lartë mënyrës se si do të zgjidheshin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, si dhe mënyrës së si do të ripërtërihej përbërja e kësaj gjykate.
Kushtetuta e Republikës në neni 125, pika 1 dhe 2 parashikon:
“1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.
Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar”.
Ndërkohë radha përcaktohet në nenin 179 pika 2 të Kushtetutës, si më poshtë:
“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
Ky rregullim ka qenë me shumë rëndësi për Kushtetutëbërësin, aq sa, në të njëjtën dispozitë të nenit 179, në pikën 12, paragrafi i fundit, e ka përsëritur sërish këtë rregull duke saktësuar:
“ 12. Presidenti i Republikës vazhdon të qëndrojë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës. Presidenti plotëson vakancën e parë në Gjykatën Kushtetuese sipas paragrafit 2, të këtij neni, dhe nenit 125 të Kushtetutës”.
Sipas këtyre dispozitave Kushtetuese, Presidenti i Republikës, nuk mund të emërojë dy gjyqtarë njëherazi, apo dy gjyqtarë njeri pas tjetrit, por vetëm anëtarin e parë, ndërkohë që anëtari i dytë i Gjykatës Kushtetues duhet të emërohet nga Kuvendi, ndërkohë që anëtari i tretë do të duhej të emërohej aktualisht nga Gjykata e Lartë nëse gjëndja e plotësimit të vendeve vakant do ta mundësonte edhe këtë organ emërtese aktualisht në vlerësim nga KED.
Ndërkohë që, në kushtet aktuale që paraqitet gjendja e plotësimit të vakancave referuar përcaktimeve kushtetuese, Presidenti i Republikës, pas emërimit të gjyqtarit të parë nuk mund të emëronte gjyqtarin tjetër të Gjykatës Kushtetuese, së paku pa u shprehur më parë Kuvendi i Shqipërisë, për zgjedhjen e gjyqtarit të dytë të saj.
Këto rregullime kushtetuese sa i takon radhës së emërimit/zgjedhjes, kanë gjetur zbërthim në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ku pasqyrohet me hollësi sesi këto detyrime duhen përmbushur.
Në nenin 86, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, përcaktohet:
“4. Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë:
- a) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2016, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi.
- b) Gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe qëndron në detyrë deri në vitin 2025.
- c) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2019, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi.
ç) Gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe qëndron në detyrë deri në vitin 2028.
- d) Gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2022, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, nga Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë.
Për të mbrojtur gjithë procesin e emërimit/zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe për të respektuar radhën e emërimit të tyre, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, domosdoshmërisht, në fazën përfundimtare të miratimit dhe dërgimit të listave përfundimtare, duhej të mbante parasysh dhe të respektonte kërkesat e mësipërme të kushtetutës dhe ligjit.
Secili prej organeve të emërtesës President-Kuvend ka në dispozicion 30-ditë për të shqyrtuar dhe për tu shprehur në lidhje me emërimin/zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas momentit të dërgimit të listave ky afat për Presidentin ka filluar të ecë prej datës 9.10.2019 dhe për Kuvendin prej datës 15.10.2019.
Lind e nevojshme të evidentohet se ku janë përcaktuar afatet për secilin nga organet e emërtesës? Për Kuvendin e Shqipërisë afati 30-ditor dhe mekanizmi zhbllokues nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë gjyqtarin është parashikuar në Kushtetutë, ndërkohë që një afat i tillë nuk ekziston në Kushtetutë për Presidentin e Republikës.
Kjo situatë e krijuar e diktuar nga momenti i dërgimit të listave prej Kryetarit të KED do të përkonte me faktin se Presidenti do të duhej të shprehej brenda datës 07.11.2019 për të emëruar dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese njëherazi, ç’ka përbën ndalim të drejtpërdrejtë nga neni 179 pika 2, 12 të Kushtetutës dhe neni 7, 7/b, 86 pika 4/a/c të ligjit nr.8577/2000.
Kjo gjendje antikushtetutshmërie krijohej sepse Kuvendi mund të zgjidhte që ta ushtronte të drejtën e tij, ashtu siç dhe ndodhi në realitet që të votonte për anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtuese, pas datës 7 nëntor, moment ky që përkonte me përfundimin e afatit sipas ligjit për Presidentin e Republikës.
Në këtë mënyrë Kryetari i KED-së me përcjelljen e njëkohshme të listave të kandidatëve për plotësimin e të dy vakancave që i përkasnin Presidentit të Republikës, e vendosi Institucionin e Presidentit të Republikës në vështirësi, duke u përpjekur që të krijojë një gjendje fakti, ku Presidenti do të duhej të shprehej brenda afatit ligjor 30-ditor (neni 7/b, pika 4 e ligjit nr.8577/2000) edhe për emërimin e gjyqtarit tjetër eventualisht përpara se Kuvendi të shprehej për emërimin e gjyqtarit të dytë kushtetues.
Nëse Presidenti i Republikës, do të ndiqte logjikën dhe procedurën administrative të krijuar nga Kryetari i KED-së, kjo do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të dispozitave të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8577/2000, sa i takon respektimit të radhës së emërimit të gjyqtarëve kushtetues.
Për ta thënë edhe më thjeshtë vetëm një shkresë administrative e Kryetarit të Këshillit të Emrimeve në Drejtësi, që përcillte dy lista të kandidatëve për dy vakanca njëherazi, provokonte që t’i impononte “një rregull të ri” Presidentit të Republikës, që të shkelte hapur Kushtetutën dhe radhën e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo manovër ishte e papranueshme për Presidentin e Republikës.
Respektimi i radhës së përzgjedhjes së përshkruar më sipër diktohet dhe është e lidhur edhe nga një çast tjetër shumë i rëndësishëm procedurial.
Organet e emërtesës (President, Kuvend) e kanë vënë në lëvizje Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vakancave që u përkasin atyre për plotësim si organ emërtese, në momente kohore të ndryshme, sipas një radhe kronologjike, e cila duhej respektuar domosdoshmërisht edhe nga KED-ja.
Kjo radhë kronologjike është e njëjta me radhën kronologjike që kërkon edhe ligji. Konkretisht:
Plotësimi i vakancës së krijuar nga përfundimi mandatit të ish-gjyqtarit Sokol Berberi (2016), është shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës me dekretin e datës 02.2018 dhe listat e kandidadëve janë dërguar në KED-së me shkresën nr. 2668/2 prot, datë 28.02.2018.
Plotësimi i vakancës së krijuar nga përfundimi mandatit të ish-gjyqtarit Vladimir Kristo (2016), është shpallur për aplikim nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 02.2018 dhe listat e kandidatëve janë dërguar në KED-së me shkresën nr. 1031/2 prot, datë 25.04.2018.
Plotësimi i vakancës së krijuar nga përfundimi mandatit të ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj (2019), është shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës me dekretin e datës 03.2019 dhe listat e kandidatëve janë dërguar në KED-së me shkresën nr. 930 prot, datë 27.03.2019.
Plotësimi i vakancës së krijuar nga përfundimi mandatit të ish-gjyqtarit Bashkim Dedja (2019), është shpallur për aplikim nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 03.2019 dhe listat e kandidatëve janë dërguar në KED-së me shkresë nr. 1446 prot., datë 04.04.2019.
III.Emërimi i gjyqtarit të parë të Gjykatës Kushtetuese.
Në shqyrtim të praktikës së administuar referuar parashikimeve kushtetuese dhe dispozitave të mësipërme të ligjit nr.8577/2000, Presidenti i Republikës, shqyrtoi praktikën dhe dokumentacionin e përcjellë në datën 08.10.2019 nga KED-ja, që i përkiste emërimit të gjyqtarit të parë kushtetues dhe në përfundim me dekretin nr. 11313, datë 15.10.2019, ka emëruar zotin Besnik Muçi, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Ky emërim ju njoftua zyrtarisht Kuvendit të Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit, Këshillit të Larë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Në Institucionin e Presidentit të Republikës, në datën 18.10.2019, ora 18:00 në prani të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, ambasadorëve si dhe përfaqësuese të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u zhvillua ceremonia e betimit para Presidentit të Republikë, Sh.T.Z. Ilir Meta, të anëtarit të parë të Gjykatës Kushtetuese, Gjyqtarit Besnik Muçi.
Zoti Besnik Muçi pas bërjes së betimit përpara Presidentit të Republikës, në datën 18.10.2019 ka filluar ushtrimin e detyrës dhe të mandatit së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sipas nenit 129 të Kushtetutës ku citohet se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikë, si dhe nenit 8 pika 3 të ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, ku citohet se mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese fillon nga data e betimit dhe mbaron në datën e njëjtë të atij muaji të vitit të nëntë, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.
Në këtë mënyrë Presidenti i Republikës, përmbushi pa asnjë vonesë detyrimin kushtetues dhe ligjor për ripërtëritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe emërimin e ANËTARIT TË PARË, të kësaj gjykate, i cili aktualisht ka filluar ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
IV.Pezullimi i procesit administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019.
Presidenti i Republikës pas emërimit të gjyqtarit të parë të Gjykatës Kushtetuese në datë 15.10.2019 dhe betimit të tij në datë 18.10.2019, sipas parashikimeve të kushtetutës dhe gjendjes së vakancave për plotësim ka ndjekur në mënyrë të drejtpërdrejtë zhvillimet mbi këtë çështje dhe ka qenë në pritje që Kuvendi i Shqipërisë të tregonte luajalitet dhe të zgjidhte anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, përpara datës 7 nëntor 2019 me qëllim që pas këtij vendimi të Kuvendit, Presidenti të shprehej menjëherë me dekret për emërimin e anëtarit tjetër që i takonte si organ emërtese.
Përkundrejt kësaj pritshmërie të Presidentit të Republikës, rezultoi se Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut në cilësinë e Komisionit Përgjegjës për shqyrtimin e çështjes, vetëm në datë 5.11.2019 ka miratuar dy Raporte për vlerësimin e kandidaturave për gjyqtar Kushtetues, për dy vakancat që i përkisnin Kuvendit për plotësim dhe sëbashku me dokumentacionin kishte vendosi t’ia përcjellë seancës plenare për votim.
Në këtë moment sipas praktikës parlamentare u evidentua qartë se Kuvendi i Shqipërisë, kishte parashikuar se do të shprehej për zgjedhjen e anëtarit/ëve të Gjykatës Kushtetuese duke shfytëzuar maksimalisht afatin 30-ditor, që përfundonte në datën 13 nëntor 2019. Ky çast tejkalon datën 7 nëntor 2019, moment ky që Presidenti do të duhet të shprehej sipas afatit ligjor që kishte filluar të konsumohej nga dërgimi i gabuar i listave nga Kryetari i KED-së në datë 08.10.2019.
Pra siç rezulton Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me dërgimin e listave për plotësimin e dy vakance në të njëjtën kohë në datë 8.10.2019, në kundërshtim të hapur me kërkesat e Kushtetutës, ka synuar të dhunojë hapur kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës.
Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nëpërmjet veprimit të tij administrativ u përpoq që ta vendoste Presidentin e Republikës përpara një situate të faktit të kryer që Presidenti të shprehej me dekret në atë moment (brenda datës 7 nëntor) gjë e cila do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të dy dispozitave kushtetuese njëherazi nenit 179, pika 2 dhe 12 dhe disa dispozitave të ligjit nr. 8577/2000.
Në këtë mënyrë vetëm një shkresë përcjellëse e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me nr.553 prot, datë 08.10.2019, rrezikonte të përmbyste të gjithë rregullin kushtetues dhe Presidenti u vendos në vështirësi për të ushtruar kompetencën e tij për të emëruar gjyqtarët kushtetues, sipas radhës që përcakton kushtetuta dhe ligji.
Për të qenë më e kuptueshme me veprimet administrative të Kryetarit të KED-së, parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të miratuar me 140 vota të deputetëve të Kuvendit në 21-22 korrik 2016 dhe dispozitat e ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, të votuar me 86 vota të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, po shkeleshin dhe po përmbyseshin me një shkresë të thjeshtë administrative dhe personale të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Kjo situatë u vlerësua si një shkelje shumë e rëndë nga Presidenti i Republikës.
Në një situatë të tille ku rrjedhja e afatit 30-ditor për Presidentin e Republikës përcaktohet vetëm në nenin 7/b, pika 4 e ligjit nr.8577/2000 dhe jo në kushtetutë, merr rëndësi respektimi i dispozitave kushtetuese mbi radhën kronologjike të emërimit që ka përcaktuar Kushtetuta, por që ka qartësuar në mënyrë shteruese edhe vetë ligji.
Ky detyrim kushtetues dhe ligjor duhet të zbatohet jo vetëm nga organet e emërtesës, por që duhej të ndiqej domosdoshmërisht në veprimet administrative të fundit të KED-së.
Referuar Kushtetutës ku është përcaktuar radha e plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe ligjit nr.8577/2000, e drejta e secilit institucion për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarit kushtetues brenda një afati 30-ditor, fillon efektin, vetëm pasi procedura për plotësimin e vakancës pararendëse të ketë përfunduar ose, së paku, të ketë filluar më parë në kohë.
Për sa më sipër, me qëllim përtëritjen e rregullt dhe sipas parashikimeve kushtetuese, të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, nisur nga fakti që çdo organ emërtese në këtë rast (Presidenti, Kuvendi) ka në dispozicion 30 ditë kohë, për t`u shprehur në lidhje me emërimin/zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës, siç do të trajtohet hollësisht më poshtë ka analizuar shkresën nr. 553 prot, datë 08.10.2019 të dërguar nga KED-ja, nën dritën e rregullimeve të Kodit të Procedurave Administrative (KPrA).
Vërtet dy organet President-Kuvend kanë në dispozicion të njëjtin afat kohor prej 30-ditësh për tu shpehur respektivisht me emërim/zgjedhje, por secili prej këtyre organeve këtë afat e ka të përcaktuar në akte të ndryshme ligjore.
Kuvendi e ka të përcaktuar afatin 30-ditor drejtperdrejt në Kushtetutë. Ndërkohë që Kushtetuta nuk ka të përcaktuar afatin 30 ditor për Presidentin e Republikës dhe as për Gjykatën e Lartë. Ky afat, për Presidentin është i përcaktuar vetëm në ligj. Asnjë dispozitë kushtetuese nuk përcakton as ndonjë afat dhe as ndonjë mekanizëm zhbllokues për Presidentin e Republikës.
Konkretisht Kushtetuta në nenin 125 pika 2, parashikon se:
“2. Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar”.
Pra për Kuvendin e Shqipërisë kushtetutbërësi ka vlerësuar që afati 30-ditor për tu shprehur dhe mekanizmi zhbllokues në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë gjyqtarin kushtetues të jetë i parashikuar drejtpërdrejtë në Kushtetutë, ndërkohë që për Presidentin një gjë e tillë nuk është parashikuar në Kushtetutë.
Ndërkohë që i njëjti mekanizëm zhbllokues dhe i njëjti afat prej 30-ditësh ekziston edhe për Presidentin, por ai është i caktuar në një akt të një niveli më të ulët se Kushtetuta dhe konkretisht në ligjin nr.8577/2000, neni 7/b pika 4, ku citohet se:
“ 4. Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar”.
Nisur nga fakti që, afati 30-ditor për Presidentin e Republikës është i përcaktuar vetëm në ligj kjo natyrshëm kuptohet që brenda këtij afati Presidenti i Republikës, si organ publik kryen brenda këtij afati edhe veprime dhe vendimmarrje të karakterit administrativ, të cilat i paraprijnë një vendimmarrje përfundimtare që është shprehja me Dekret për emërimin e gjyqtarit kushtetues.
Kjo do të thotë se brenda këtij procesi shqyrtimi si të listave ashtu dhe të dokumentacionit Presidenti, si çdo organ tjetër publik, duhet apo mund të kryejë disa verifikime dhe vlerësime që hyjnë në sferën e veprimtarisë administrative për të vërtetuar faktin nëse, ekiston ose jo ndonjë pengesë për marrjen e vendimit prej tij, dhe nëse po, duhet të ndërmarrë të gjitha masat apo vendimet paraprake të cilat shmangin çdo mundësi që veprimtaria e Presidentit të mos bjerë ndesh me aktet të tjera ligjore, apo me Kushtetutën.
Veprimtaria administrative paraprake e Presidentit është e lidhur ngushtë edhe me vet veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë, i cili nuk është një organ gjyqësor, por një organ që veprimtarinë e tij e ushtron në kuadër të veprimtarisë së mirëfilltë të një organi administrativ kolegjial, i cili ka për detyrë që gjithë veprimet e tij ti ketë në funksion për ti dhënë organeve të emërtesës (President, Kuvend, Gjykatë e Lartë) mundësinë që të zgjedhin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në respekt të Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
Në këtë veprimtari administrative të KED-së përfshihen dhe veprimet fundore të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili ka për detyrë vetëm të përcjellë listat dhe dokumentacionin përkatës pranë organeve të emërtesës, por duke përllogaritur mirë radhën që dikton kushtetuta në emërimin e gjyqtarëve kushtetues si dhe afatet që secili institucion ka në dispozicion.
Referuar sa më sipër duke marrë në konsideratë përtëritjen e rregullt dhe sipas parashikimeve kushtetuese, të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës, ka analizuar shkresën nr. 553 prot, datë 08.10.2019 të dërguar nga KED-ja, nën dritën e rregullimeve të Kodit të Procedurës Administrative (KPrA) dhe rregullave kushtetuese e ligjore të përshkruara më sipër.
Kjo sepse sipas nenit 3 pika 9 të Kodit të Procedurave Administrative (KPrA-së), procesi që kryen Presidenti i Republikës pasi i është paraqitur shkresa përkatëse nga KED-ja, është një procedurë e mirëfilltë administrative. Në këtë dispozitë të KPrA-së, citohet se:
“ Procedurë administrative është veprimtaria e një organi publik, me qëllim përgatitjen dhe miratimin e veprimeve konkrete administrative, ekzekutimin e tyre dhe rishikimin e tyre me mjete ligjore administrative”.
Pikërisht në këtë rast afatet dhe procedura fillojnë të ecin dhe marrin shkas nga çasti që formalisht paraqitet një praktikë dokumentare nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili në rastin konkret nëpërmjet Kryetarit me aktin administrativ shkresë nr. 553 prot, datë 08.10.2019, ka përcjellë pranë Presidentit të Republikës, listën e kandidatëve dhe raportin përfundimtar të renditjes për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti për aplikim me dekret nr.11133, datë 04.03.2019.
Në vetvete, praktika dokumentare e paraqitur nga Kryetari i KED, si veprimtari administrative fundore e saj, merr vlerën e një kërkese për të filluar këtë procedurë në kuptim të nenit 41 të KPrA-së, në të cilin parashikohet se:
“Neni 41
Fillimi i procedurës administrative
Procedura administrative fillon kryesisht ose me kërkesë.
Fillimi i procedurës kryesisht është në diskrecionin e organit publik. Organi publik është i detyruar të fillojë procedurën administrative kryesisht kur:
ligji ose akti nënligjor parashikon fillimin e procedurës;
situata faktike është e tillë që organi publik duhet të fillojë procedurën administrative për mbrojtjen e interesit publik.
Procedura administrative konsiderohet e filluar:
- a) me kryerjen e çdo veprimi procedural nga organi publik në rastin e procedurës së filluar kryesisht; ose
- b) me paraqitjen e kërkesës përpara organit publik, në rastin e procedurës së filluar me kërkesë”.
Në këtë mënyrë duke qenë se ligji nr.8577/2000, parashikon fillimin e procedurës me paraqitjen e listës nga Kryetari i KED, atëherë shkresa nr. 553 prot, datë 08.10.2019, sipas parashikimeve të nenit 41 të KPrA-së, merr vlerën e një kërkese për nisjen e procedurave të mësipërme.
Siç u përmend edhe më sipër, në zbatim të nenit 44/2 të KPrA-së, Institucioni i Presidentit, ka shqyrtuar paraprakisht praktikën dokumentare të paraqitur nga ana e KED-së, duke marrë në analizë secilin prej elementeve të parashikuara nga kjo dispozitë apo nga ligje të tjera. Konkretisht në nenin 44 pika 2, citohet se:
“ 2. Organi publik shqyrton paraprakisht kërkesën lidhur me përmbushjen e kritereve formale ligjore, si kompetenca e organit publik, legjitimimi, afati, forma dhe çdo kriter tjetër të parashikuar nga ligji dhe në përfundim:
- a) njofton palën kërkuese me shkrim se kërkesa është pranuar për vazhdimin e procedurës;
- b) njofton palën kërkuese me shkrim për plotësimin e të metave lidhur me plotësimin e kritereve formale ligjore, duke caktuar një afat të arsyeshëm. Në këtë rast organi publik ndihmon në mënyrë aktive palën për plotësimin e të metave të Mosplotësimi i të metave brenda afatit të caktuar përbën shkak për mospranimin e kërkesës. Kundër këtij vendimi pala mund të ankohet sipas procedurës të parashikuar në këtë Kod;
- c) njofton palën kërkuese se janë të nevojshme veprime të mëtejshme administrative para se të vendosë pranimin ose jo të kërkesës. Në këtë rast organi cakton edhe një afat të arsyeshëm për kryerjen e veprimeve të mëtejshme”.
Nga verifikimi i këtyre çështjeve dhe pas marrjes së informacionit nga KED me shkresën e këtij organi nr.655 prot, datë 14.10.2019, rezultoi se e drejta e Presidentit të Republikës për të operuar me përzgjedhjen e një kandidati dhe emërimin e tij si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese për vakancën në shqyrtim, fillon dhe bëhet operative vetëm pasi një organ tjetër, në këtë rast Kuvendi, të shterojë çështjen që ai ka në kompetencë dhe aktualisht në shqyrtim, pra, zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese që, sipas radhës, i takon ta zgjedhë ky organ.
Vetëm pasi të shterohet dhe të zgjidhet kjo çështje paraprake, (pra, emërimi i anëtarit të dytë nga Kuvendi) e cila sipas afatit kushtetues, duhet të përfundojë brenda datës 13 nëntor 2019, atëherë Presidentit të Republikës i lind detyrimi dhe mund të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për emërimin e anëtarit tjetër të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë mënyrë, Presidenti arriti në përfundimin se shqyrtimi në themel i propozimeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk mund të realizohej, pasi sipas nenit 179, pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës, si dhe neneve 7 pika 2 dhe 86 pika 4/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ishte radha e Kuvendit të Shqipërisë që të shprehej për zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti i Republikës në ndjekje të procedurave prej tij për të përmbyllur me vendimmarrje këtë proces brenda një afati të përcaktuar në ligj, konstatoi se ishte përballë një parakushti të nivelit kushtetues që duhej të përmbushej nga një tjetër organ që ishte Kuvendi, në mënyrë që më pas të vijonte procedura e emërimit të gjyqtarit të radhës nga Presidenti.
Presidenti i Republikës konstatoi se nëse do të vijonte shqyrtimin atëherë kjo do të përbënte veç të tjerash jo vetëm cënin të dispozitave kushtetuese, por shkelje të drejtpërdrejtë të tyre.
Gjithashtu një tjetër fakt i konstatuar përgjatë shqyrtimit administrativ të praktikës dokumentare të komunikuar administrativisht nga KED-ja, rezulton se bazuar në nenin 44/2 shkronja ”c” të KPrA-së, ishte e nevojshme kryerja e veprimeve të tjera administrative prej kësaj të fundit (KED), përpara shqyrtimit përfundimtar lidhur me këtë praktikë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresën e tij përcjellëse nr. 553 prot, datë 08.10.2019 i vendosi në dispozicion Presidentit të Republikës, vetëm aktet e krijuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Për vlerësimin e disa rrethanave, Presidenti i Republikës, në zbatim të nenit 92/h të Kushtetutës dhe nenit 44/2 shkronja “c” e KPrA-së, vlerësoi të domosdoshme plotësimin e praktikës me të gjithë dokumentacionin e administruar e të shqyrtuar nga KED-ja që përmban dosja e kandidimit e secilit prej 4 (katër) kandidatëve të lejuar dhe të listuar nga KED-ja për plotësimin e kësaj vakance.
Vetëm pas plotësimit të kësaj kërkese Presidenti i Republikës, do të mund të vlerësonte objektivisht listën e kandidatëve në dispozicion pasi Kuvendi të ishte shprehur për zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese.
Nevoja për të patur dokumentacionin e plotë në dispozicion ishte parashikuar nga vet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në faqen 10, paragrafi i parafundit të Raportit Përfundimtar të renditjes së kandidatëve, ku KED është shprehur për vënien në dispozicion të një kopje të plotë të dokumentacionit, në rast se kjo do të kërkohej nga Presidenti i Republikës.
Në lidhje me këto konstatime dhe vlerësime të kryera nga Presidenti i Republikës, përgjatë procedurave administrative të ndjekura prej tij, në zbatim të nenit 44/2 shkronja “c” dhe neni 66/1 të KPrA-së, ishte e detyrueshme marrja e një vendimi paraprak nga Presidenti i Republikës.
Në këtë dispozitë të KPrA-së, citohet shprehimisht se:
Neni 66
Çështjet paraprake
Nëse organi publik që zhvillon procedurën përballet me një çështje, zgjidhja e së cilës është parakusht për zgjidhjen e procedurës dhe që përbën një çështje ligjore të pavarur, për zgjidhjen e së cilës është kompetent një gjykatë ose organ tjetër (“çështja paraprake”), organi publik që zhvillon procedurën administrative pezullon procedurën deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë për çështjen paraprake dhe njofton palën në lidhje me këtë.
Pasi u sigurua që Kuvendi i Shqipërisë deri në datën 05.11.2019, nuk ishte shprehur dhe nuk kishte planifikuar asnjë seancë plenare për të zhvilluar procesin e votimit për zgjedhjen e gjyqtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim ruajtjen e kushtetutshmërisë së këtij procesi; respektimin e parashikimeve kushtetuese të radhës së përzgjedhjes; me vullnetin e qartë për tu shprehur për emërimin e gjyqtarit kushtetues, Presidenti i Republikës, në mbështetje të neneve 4, 92, 179, pikat 2, 12 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, 7/b, dhe 86 pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, si dhe neneve 44/2 shkronja “c” e 66 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”, nëpërmjet Aktit Administrativ nr. 3535/1 prot, datë 05.11.2019, vendosi paraprakisht:
Të pezullojë procesin administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, përcjellë nga KED me shkresë nr. 553 prot., datë 08.10.2019, deri në zgjedhjen e anëtarin të dytë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë apo deri në përfundimin e afatit kushtetues, brenda të cilit Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e dy vakancave që i përkasin atij si organ emërtese dhe që, sipas përllogaritjes, ky afat përmbushet në datë 13 nëntor 2019;
t’i kërkojë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm plotësimin e praktikës dokumentare dhe dërgimin brenda 5 (pesë) ditëve të kopjes së dokumentaciont të administruar e të shqyrtuar nga KED-ja që përmban dosja e kandidimit e secilit prej 4 (katër) kandidatëve të lejuar dhe të listuar nga KED-ja për plotësimin e vakancës së shpallur nga Presidenti me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, me qëllim vijimin e shqyrtimit;
të kërkojë bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë që të vlerësojë mundësinë për të përfshirë për shqyrtim në seancë plenare, brenda një kohe sa më të shpejtë, zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që Presidenti i Republikës, të ushtrojë kompetencën e tij, sipas radhës së diktuar nga Kushtetuta dhe ligji nr.8577/2000.
Ky akt ju përcoll menjëherë për njoftim Kuvendit të Shqipërisë, Avokatit të Popullit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresë nr. 714 prot, datë 07.11.2019, i është përgjigjur kërkesës së Presidentit të Republikës, duke përcjellë të gjithë praktikën dokumentare të administruar dhe vlerësuar nga KED për të katër kandidatët në listën që i është përcjellë Presidentit të Republikës.
Ky vendim paraprak me efekt pezullues të vijimit të procesit administrativ të shqyrtimit të listës dhe dokumentacionit të përcjellë nga KED-ja, deri në realizimin e zgjedhjes nga Kuvendi të anëtarit të dytë (datë 13 nëntor 2019), kishte për qëllim së pari respektimin e kushtetutës në procesin e emërimit/zgjedhjes së anëtarëve të rinj të kësaj Gjykate sipas radhës që dikton kushtetuta; ruajtjen e të gjithë procesit në tërësi, si dhe të siguronte njëkohësisht afatin e nevojshëm procedurial në dispozicion, në mënyrë që Presidenti të ushtronte kompetencën kushtetuese për të zgjedhur anëtarin e radhës të Gjykatës Kushtetuese.
Siç është bërë publik dhe në vendimin e pezullimit, Presidenti i Republikës, ka shprehur qartë se në cilësinë e organit të emërtesës, Presidenti ka të gjithë vulletin dhe dëshiron të shprehet për të emëruar anëtarin e radhës të Gjykatës Kushtetuese nga lista e kandidaturave të përcjella nga KED-ja.
Shprehja e vullnetit prej Presidenti publikisht se do të zgjedhë me dekret emërimin e gjyqtarit Kushtetues dhe akti administrativ nr. 3535/1 prot, datë 05.11.2019, janë akte të cilat tregojnë se mekanizmi zhbllokues në këtë rast, i parashikuar në nenin 7/b, pika 4 të ligjit nr.8577/2000, nuk mund të aplikohet.
Presidenti me këtë vendim paraprak, ka rregulluar gjithashtu një situatë jo të zakonshme të krijuar nga veprimtaria administrative e dërgimit të listave të keqmenduar nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
V.Efektet e aktit të pezullimi të procesit administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare, si dhe rifillimi i ecjes së afateve proceduriale.
Akti Administrativ nr. 3535/1 prot, datë 05.11.2019, nëpërmjet të cilit Presidenti pezulloi procedurën administrative të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, normalisht që sjell edhe efekte sa i takon pezullimit të ecjes së afatit ligjor deri në përmbushjen e kushtit që përbënte dhe shkakun kryesor të pezullimit të procedurës nga Presidenti.
Nëse data 08.10.2019 moment ky kur KED ka përcjellë listën dhe dokumentat shoqëruese në institucionin e Presidentit të Republikës, do të vlerësohet si momenti fillestar nga i cili duhet të fillojnë të ecin afatet proceduriale për Presidentin e Republikës, atëherë deri në datën 05.11.2019, kohë kjo kur Presidenti i Republikës mori vendimin e pezullimit, në zbatim të nenit 56 të Kodit të Procedurave Administrative, rezulton të jetë konsumuar gjithësej 27 (njëzeteshtatë) ditë.
Pra pasi të bjerë shkaku i pezullimit që është momenti që Kuvendi i Shqipërisë me vendim zgjedh anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, duke përjashtuar edhe këtë ditë si ngjarje, Presidenti i Republikës, ka në dispozicion edhe 3 (tre) ditë të tjera për të vlerësuar dhe për tu shprehur me Dekret për emërimin e gjyqtarit të radhës përpara se t’i përfundojë afati 30-ditor në dispozicion.
Nëse momenti kur KED ka përcjellë përfundimisht dokumentet shoqëruese të kërkuara nga Presidenti i Republikës (data 07.11.2019), do të vlerësohet si moment procedurial që konsideron një praktikë administrative të plotë ligjërisht për tu shqyrtuar, atëherë ky është dhe momenti që fillon të ecë afati procedurial 30-ditor i përcaktuar për Presidentin e Republikës në nenin 7/b, pika 4 të ligjit nr.8577/2000.
Edhe sikur me keqdashje ta vlerësojmë shkakun e pezullimit të rënë, sërish Presidenti i Republikës, nën këtë llogjikë është brenda afatit për shqyrtimin e praktikës.
Referuar këtyre përllogaritjeve të bëra sipas Kodit të Procedurave Administrative dhe duke marrë për referencë se shkaku i pezullimit ka rënë në datë 11.11.2019, ditë kjo kur Kuvendi i Shqipërisë është shprehur me vendim për emërimin e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, në të dy variantet e përllogaritura më sipër Presidenti i Republikës, është brenda afatit ligjor për tu shprehur me dekret. Kjo sepse në variantin e parë Presidentit të Republikës i përfundon afati në datë 14.11.2019 dhe sipas variantit të dytë Presidentit të Republikës, i përfundon afati në datë 6 dhjetor 2019.
VI.Veprimtaria dhe vendimmarrja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Kuvendit të Shqipërisë pas nxjerrjes së Aktit Administrativ nga Presidenti për pezullimin e procesit të shqyrtimit të listave prej tij, si dhe rënia e shkakut të pezullimit.
Siç dhe u trajtua më sipër Akti Administrativ nr. 3535/1 prot, datë 05.11.2019 i Presidentit të Republikës, që vendosi paraprakisht “Pezullimin e procesit administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, përcjellë nga KED me shkresë nr. 553 prot., datë 08.10.2019, deri në zgjedhjen e anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë apo deri në përfundimin e afatit kushtetues, brenda të cilit Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e dy vakancave që i përkasin atij si organ emërtese dhe që, sipas përllogaritjes, ky afat përmbushet në datë 13 nëntor 2019, ju njoftua menjëherë Kuvendit të Shqipërisë, Avokatit të Popullit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi pasi është njohur me aktin në datë 06.11.2019, nëpërmjet rrugës elektronike ka njoftuar thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në datë 07.11.2019, në orën 13.00, me rendi dite “Diskutim mbi qëndrimet e Presidentit të Republikës lidhur me procesin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese”. Në këtë mbledhje u thirrën dhe kanë qenë të pranishëm përfaqësuesi i Presidentit të Republikës, Avokati i Popullit dhe përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Në këtë mbledhje Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u vu në dijeni të qëndrimeve të Presidentit të Republikës të shprehura me anë të shkresës nr. 3535/1 prot, datë 05.11.2019, me lëndë “ Mbi zgjedhjen/emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese sipas radhës që dikton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligji nr. 8577/2000”. Pas shtrimit për diskutim të qëndrimit të Presidentit, anëtarët e Këshillit të pranishëm në mbledhje u dakordësuan se nuk mund të komentojnë përmbajtjen e letrës së Presidentit me argumentin se nuk kanë autoritet që ta kryejnë anatemimin e vendimit të Presidentit, ku për më tepër nëse do ta bënin ata do të përfshihen në ndërhyrje të kompetencave dhe rrjedhimisht në një konflikt institucional kompetencash.
Për më tepër anëtarët evidentuan se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e ka përmbyllur procesin e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve që prej datës 21 shtator 2019, dhe procedurat e mëpasshme janë procedura administrative. Përfaqësusi i Presidentit të Republikës, mbajti në këshill qëndrimin se Presidenti nëpërmjet vendimit të tij paraprak shpreh vullnetin se do të shprehet me dekret për emërimin e gjyqtarit kushtetues menjëherë sapo të bjerë kushti i pezullimit që është zgjedhja nga Kuvendi i Shqipërisë të anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë mënyrë, në kushtet kur i ka përfunduar procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve për katër vende vakante, dy për secilin organ emërtese, përkatësisht për Presidentin e Republikës dhe Kuvendin, duke dërguar pranë tyre edhe Listat Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve, Këshilli pa ndonjë vendimmarrje dakordësoi që t’i përcillen Institucionit të Presidentit të Republikës kopje të dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidateve të listuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11133 datë 04.03.2019.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk diskutoi asnjë çështje tjetër në këtë mbledhje. Po në të njëjtën ditë pas përfundimit të mbledhjes KED me shkresë nr. 714 prot, datë 07.11.2019, i është përgjigjur kërkesës së Presidentit të Republikës, duke përcjellë të gjithë praktikën dokumentare të administruar dhe vlerësuar nga KED për të 4 (katër) kandidatët të listuar për plotësimin e vendit vakant nga Presidenti i Republikës.
Ndërkohë për çudi, në Fletoren Zyrtare nr.151, ditë e shtunë datë 9 nëntor 2019, është botuar në format elektronik Vendimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nr. 132, datë 21.9.2019 “Për listën përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vanakt, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019”, pikërisht vendim ky që i është përcjellë Presidentit të Republikës që prej datës 08.10.2019 nga KED.
Në lidhje me botimin e këtij akti në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë është e nevojshme të sqarohet fakti se, ligji nr.78/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare” dhe ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, nuk e përcaktojnë këtë lloj vendimi të KED-së, si një akt të botueshëm në Fletoren Zyrtare.
Neni 3, pika 1 e ligjit nr. 78/2014, përcakton se “Akte të botueshme” janë të gjitha aktet, botimi i të cilave është i detyrueshëm në bazë të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi. Në vijim, në po këtë nen në pikën 5, saktësohet se botimi në Fletoren Zyrtare është bërja e njohur botërisht, në formë të shkruar dhe elektronike, e akteve të botueshme, sipas legjislacionit në fuqi.
Ndërkohë në nenin 6, pika 2 të po këtij ligji përcaktohet se:
Në Fletoren Zyrtare botohen:
- a) ligjet;
- b) dekretet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë;
- c) aktet normative të Këshillit të Ministrave;
ç) aktet normative të ministrave dhe drejtuesve të institucioneve qendrore;
- d) vendimet, rezolutat dhe deklaratat e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;
- dh) vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për çështjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë;
- e) vendimet e Gjykatës Kushtetuese;
ë) vendimet e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, të cilat botohen në numrin më të parë të Fletores Zyrtare;
- f) të gjitha aktet e tjera, botimi i të cilave është i detyrueshëm sipas legjislacionit në fuqi;
- g) indeksi vjetor i Fletores Zyrtare.
Ndërkohë që në nenin 8, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 78/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”, përcaktohet se:
“ 1. Aktet e botueshme, të parashikuara në nenin 6, të këtij ligji, publikohen në Fletoren Zyrtare, vetëm atëherë kur versioni përfundimtar në origjinal i aktit është nënshkruar nga organi që e ka nxjerrë atë dhe me kërkesën e tij.
Teksti i akteve të botueshme në Fletoren Zyrtare i dërgohet Qendrës së Botimeve Zyrtare në formatin e shkruar në letër dhe në formatin elektronik nga institucionet shtetërore përkatëse që kanë miratuar aktin”.
Ndërkohë për të shteruar edhe më tej trajtimin ligjor të kësaj çështje, është me vend të evidentohet se lidhur me sqarimin në detaj nëse Vendimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nr. 132, datë 21.9.2019, është një nga ato akte që mund të botohet në Fletoren Zyrtare, sipas ligjit të posaçëm, kjo situatë gjen rregullim edhe në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, ku neni 232 ku përcaktohet se:
Neni 232
Publikimi i akteve
Lista e kandidatëve që nuk i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur, e shoqëruar me arsyetimin përkatës për përjashtimin tyre, lista e kandidatëve që vijojnë konkurrimin dhe renditja e tyre publikohen në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.
Të gjitha aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes për secilin kandidat, të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëhen publike në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Lartë, të shoqëruara me shpjegimet dhe arsyetimet përkatëse si dhe me një përmbledhje të procesverbalit të nënshkruar nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në mbledhje.
Për më tepër edhe vet Vendimi i KED-së nr. 132, datë 21.09.2019 që rezultoi se u botua pa kuptim dhe në kundërshtim me ligjin në Fletoren Zyrtare, në pikën 2 të tij, citon shprehimisht se:
“Ky vendim publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në pjesën e përcaktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”.
Referuar të gjithë bazës ligjore të mësipërme dhe fakteve të konstatuara, rezulton e provuar se:
Vendimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nr. 132, datë 21.9.2019 “Për miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019”, nuk hyn në llojin e atyre akteve të lejueshme për botim në Fletoren Zyrtare;
Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është titullar i KED-së dhe sipas ligjit është ai autoriteti përgjegjës për dërgimin për botim në Fletoren Zyrtare. Me dërgimin e aktit për botim është kryer shkelje e rëndë e ligjit nr.115/2016, gjë për të cilën duhet të fillojnë procedurat disiplinore. Sipas nenit 226, pika 2/e, Kryetari nënshkruan aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe ia përcjell ato organit të emërtesës, pra Presidentit të Republikës.
Me dërgimin e këtij akti në Institucionin e Presidentit të Republikës në datë 08.10.2019 dhe botimin e Vendimit nr. 132, datë 21.09.2019 në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, Kryetari i KED e ka përmbushur funksionin e tij. Çdo veprim tjetër i kryer përtej kërkesave të ligjit dhe pa vendimmarrje të KED-së si organ Kolegjial, përfshihet në llojin e veprimeve që përbëjnë shkak për procedim disiplinor sipas nenit 242/dh të ligjit nr. 115/2016.
Nëse Kryetari i KED-së, ka vepruar në këtë drejtim duke dashur të bëjë publike idenë se KED-së është një organ që konstaton fakte që krijojnë idenë se kandidatë të caktuar janë vetzgjedhur për efekt të funksionimit mekanizmit zhbllokues që ka ligji, kjo do të rëndonte pozitën e tij përballë procesit disiplinor. Kjo sepse këto veprime shërbejnë vetëm për ndërlikimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe trajtimit të çështjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke sjellë njëkohësisht humbjen e besimit të publikut tek integriteti i procesit të zgjedhjes të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo veprimtari për dërgimin për botim të një akti të Këshillit që sipas ligjit nuk botohet në Fletoren Zyrtare e lidhur edhe me veprimtarinë tjetër antikushtetuese të Kryetarit të KED, në dërgimin e listave pranë organeve të emërtesës, krijon bindjen tek Presidenti i Republikës, se Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i ka kryer të gjitha këto veprime aspak nga pakujdesia, por me ndërgjegje të plotë, me qëllim vënien përpara faktit të kryer të Presidentit të Republikës, për të kryer një shkelje kushtetuese në procesin e përzgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas një radhe të diktuar nga Kryetari i KED dhe që bie në kundërshtim të hapur me parashikimet kushtetuese.
Gjithashtu edhe vet botimi i Vendimit nr. 132, datë 21.09.2019 të KED-së, nga Qendra e Botimeve Zyrtare, është kryer në kundërshtim me kërkesat e ligjit 78/2014, pasi ky akt nuk është i detyrueshëm për botim në Fletore Zyrtare dhe QBZ duhet të kishte refuzuar botimin e tij.
Edhe pse paligjshmëria e botimit në Fletore Zyrtare, është trajtuar si diçka normale nga organet e përfshira në këtë proces, sërish botimi i tij nuk krijon asnjë pasojë juridike, për procesin e emërimit të gjyqtarit Kushtetues nga Presidenti i Republikës.
Kjo sepse vetë Vendimi nr. 132, datë 21.09.2019, ka qenë në fuqi që prej datës kur ai është nxjerrë. Nëse Kryetari i KED ka patur dëshirë të shoh të botuar në Fletoren Zyrtare një akt të nënshkruar prej tij, kjo është realizuar nga Qendra e Botimeve Zyrtare. Nëse ai ka menduar se me botimin në Fletore Zyrtare, ky vendim merr fuqi juridike, kjo duhet të ishte ndjekur për të gjitha vendimet e tjera.
Por nëse një mendim i tillë do të ishte i bazuar, atëherë i bie që përllogaritja e afatit 30 ditor për Presidentin do të fillonte nga data e botimit të këtij akti. Do të ishte një absurditet i madh ligjore.
Ndërkohë pasi Presidenti i Republikës përcolli pranë Kuvendit të Shqipërisë vendimin e tij të pezullimit, nr.3535/1 prot, datë 05.11.2019, siç rezulton nga praktika parlamentare e publikuar, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë ka nxjerrë Urdhërin nr. 35, datë 7.11.2019, “Për mbledhjen e Kuvendit në Sencë Plenare në datë 11.11.2019”.
Sipas rendit të ditës së miratuar në pikën 5 dhe 6 ishin përfshirë dhe dy projektvendime për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për vakancat e shpallura nga Kuvendi respektivisht në datë 12.02.2018 dhe 04.03.2019.
Sipas këtij akti rezultoi e provuar se Kuvendi i Shqipërisë, nuk i ishte përgjigjur thirrjes së Presidentit të Republikës, për të votuar në seancë plenare vetëm anëtarin e dytë, në mënyrë që Presidenti të shprehej më pas për zgjedhjen e anëtarit tjetër.
Ndërkohë, përgjatë kësaj periudhe nga data 8 nëntor e në vijim përfshi dhe diskutimet në seancën plenare, eksponentë të mazhorancës kanë anatemuar në mënyrën më të padrejtë një nga kandidatët që gjendet në listat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në vakancën për plotësim nga Presidenti, duke hedhur akuza dhe duke përdorur fjalor të papërshtatshëm në adresë edhe të Presidentit të Republikës.
Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë përgjatë diskutimeve në publik por dhe në seancë plenare përsa është bërë publike përgjatë transmetimeve live të seancës plenare edhe përse pranonin faktin që ishin njohur me vendimin e pezullimit të Presidentit, sërish artikulonin pa asnjë mbështetje ligjore dhe pa ndonjë akt se kandidatja e listuar e para konsiderohet e zgjedhur në vakancën që i takon për plotësim Presidentit.
Me këtë argument Kuvendi i Shqipërisë, në seancë plenare përjashtoi nga votimi për anëtare të Gjykatës Kushtetuese zonjën Arta Vorpsi kandidate kjo e renditur e para në vakancat për plotësim nga Kuvendi. Ky përjashtim nga procesi i votimit, pa një vendim të Kuvendit të Shqipërisë, përbën një shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ndaj kësaj kandidate, pasi në këtë mënyrë asaj ju mohua pa të drejtë nga Kuvendi e drejta për të marrë pjesë në një garë, që kishte konkuruar sipas Kushtetutës.
Kuvendi i Shqipërisë në kundërshtim me çdo normë kushtetuese, e konsideroi apriori të zgjedhur zonjën Arta Vorpsi në vakancën që i përket Presidentit të Republikës edhe pse Kuvendi në praktikën e tij kishte adminsitruar dhe ishte njohur me vendimin paraprak të Presidentit për pezullimin e procesit.
Këtu lind natyrshëm pyetja, a ka të drejtë Kuvendi e aq më pak KED të bëjë një vlerësim të kësaj natyre dhe të konstatojë këtë fakt. Në lidhje me këtë çështje është me vend të sqarohet se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ligji nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, si dhe ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nuk përcaktojnë në asnjë dispozitë të tyre se cili është ai organ kushtetues që konstaton faktin se një prej kandidatëve konsiderohet i zgjedhur për shkak të mekanizmit zhbllokues.
Në këtë mënyrë, referuar praktikës parlamentare të ndjekur për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ka përjashtuar pa të drejtë nga votimi kandidaten Arta Vorpsi dhe ka vijuar procesin e votimit vetëm me kandidaten e ngelur në garë për plotësimin e vakancës së shpallur nga Kuvendi në datë 12.02.2018.
Me Vendim nr.133, datë 11.11.2019, Kuvendi ka zgjedhur zonjën Elsa Toska anëtare të Gjykatës Kushtetuese, si të vetmen kandidate të ngelur në garë për vakancën e shpallur në datë 12.2.2018.
Pas këtij votimi, edhe për vakancën tjetër Kuvendi i Shqipërisë ka ngelur me vetëm një kandidate. Me Vendim nr. 134, datë 11.11.2019, Kuvendi ka zgjedhur zonjën Fiona Papajorgji anëtare të Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e vakancës të shpallur nga Kuvendi në datë 04.03.2019.
Në këtë mënyrë, rezulton e provuar se:
Kuvendi i Shqipërisë, votoi në seancën plenare dy anëtarë njëherazi të Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e dy vakancave;
Kuvendi i Shqipërisë me vlerësimet apriori mbi numrin dhe statusin e kandiatëve në listat e administruara krijoi një problematikë, pasi i mohoi me pa të drejtë kandidates Arta Vorpsi, të drejtën për të marrë pjesë në votim, për të konkuruar në mënyrë të lirë dhe për t’u zgjedhur;
Kuvendi zgjodhi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në kushtet kur në garë për secilën vakancë ngeli vetëm 1 kandidat i vlefshëm për përzgjedhje;
Me nivelin e diskutimit të deputetëve të caktuar në seancë plenare duke adresuar sulme ndaj kandidatëve në garë dhe Presidentit të Republikës, si dhe me procesin e ndjekur Kuvendi cenoi rëndë besimin e publikut tek Gjykata Kushtetuese;
Kuvendi shkeli parashikimet e nenit 179, pika 2 të Kushtetutës dhe nenit 7, 86 pika 4/ c të ligjit nr. 8577/2000, duke votuar zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në kundërshtim me radhën e caktuar;
Me votimin për dy kandidatë njëherazi dhe zgjedhjen e tyre si Gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ka cenuar edhe mundësinë e Presidentit të Republikës për zgjedhje, duke ulur numrin e kandidatëve të parashikuar në kushtetutë nga 3 në 2 kandidatë;
Me veprimtarinë e tij, Kuvendi humbi shansin të ndihmonte në ruajtjen e integritetit të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse Presidenti i Republikës, bëri thirrje në mënyrë të përsëritur;
Edhe pse u kërkua në mënyrë shkresore dhe me mesazhe publike të Presidentit, sërish Kuvendi nuk tregoi asnjë shenjë bashkëpunimi ndaj Institucionit dhe kërkesës së Presidentit, në kushtet kur ky bashkëpunim ishte me rëndësi për shkak se kandidatët në listat e të dyja institucioneve ishin thuajse të njëjtit emra;
Kushtetuta është e qartë. Ajo përcakton radhën e përzgjedhjes së kandidatëve nga secili institucion;
Vlerësimi apriori i Kuvendit se Presidentit i ka kaluar afati 30 ditor i përzgjedhjes së një kandidati, është i pambështetur në Kushtetutë. Në Kushtetutë, ndryshe nga Kuvendi, për Presidentin e Republikës nuk ka asnjë afat të përcaktuar të detyrueshëm për tu shprehur.
Presidenti është betuar se do t’i bindet vetëm Kushtetutës dhe për respektimin e saj që në këtë rast është respektimi i rradhës së përgjedhjes së anëtarit të dytë, pas Kuvendit, Presidenti paraprakisht që prej datës 05.11.2019 ka pezulluar procesin e shqyrtimit të listave dhe dokumentacionit, deri në përmbushjen e këtij kushti. Në këtë mënyrë vlerësimi i Kuvendit është i pabazuar në fakte, në kushtetutë dhe në ligj.
Gjendja e kandidaturave pas vendimmarrjes së Kuvendit dhe vlerësimi i situatës së krijuar.
Pasi Kuvendi i Shqipërisë është shprehur me vendim për emërimin e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në seancën e datës 11.11.2019, rezulton se gjendja aktuale e plotësimit të katër vendeve vakant (2 Presidenti dhe 2 Kuvend) të plotësuara apo në plotësim nga secili organ emërtese paraqitet në tabelën e mëposhtme. Në këtë tabelë për qartësi pasqyrohet si informacion ish-gjyqtarët dhe koha e përfundimit të mandatit të tyre kushtetues, radha e shpalljes së vakancave dhe emërimit të gjyqtarëve, përkatësisht nga Presidenti dhe Kuvendi i Shqipërisë, si dhe emrat e kandidatëve të emëruar/zgjedhur për secilën vakancë, deri më tani.
Radha | ISH – GJYQTARËT, MANDATET E TË CILËVE PLOTËSOHEN | VITI
I PËRFUNDIMIT TË MANDATIT |
ORGANI EMËRTESËS
QË I PËRKET EMËRIMI-ZGJEDHJA |
KOHA E SHPALLJES SË VAKANCËS PËR APLIKIM | KANDIDATI I EMËRUAR/ ZGJEDHUR | DATA E ENËRIMIT |
1. | Sokol BERBERI | 2016 | PRESIDENTI | 07.02.2018 | Besnik MUÇI | 15.10.2019 |
2. | Vladimir KRISTO | 2016 | KUVENDI | 12.02.2018 | Elsa TOSKA | 11.11.2019 |
3. | Altina XHOXHAJ | 2019 | PRESIDENTI | 04.03.2019 | ||
4. | Bashkim DEDJA | 2019 | KUVENDI | 04.03.2019 | Fiona Papajorgji | 11.11.2019 |
Në këto kushte edhe përse Kuvendi ka shkelur radhën e emërimit të përcaktuar nga Kushtetuta, duke emëruar dy gjyqtarë kushtetues njëherazi në datë 11.11.2019 moment ky kur Kuvendi ka shprehur vullnetin e tij, rezulton e provuar se ka rënë dhe shkaku kryesor mbi të cilin Presidenti i Republikës, vendosi pezullimin e procedurës së shqyrtimit të listës dhe dokumentacionit shoqërues për vakancën për plotësim prej tij.
Në këtë mënyrë pas datës 11.11.2019 që Kuvendi ka zgjedhur gjyqtarin e dytë Kushtetues, Presidenti i Republikës, konstaton rënien e kushtit pezullues dhe në këtë mënyrë Presidenti vijon shqyrtimin e kësaj praktike për tu shprehur për emërimin e Gjyqtarit Kushtetues, vend vakant ky i shpallur për aplikim nga Presidenti në datë 04.03.2019.
Siç është parashtruar në hyrje të këtij arsyetimi Këshilli i Emërimeve në Drëjtësi me Vendimin nr. 132, datë 21.09.2019, ka miratuar “Listën përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019”, me këtë renditje:
Arta Vorpsi 89.642 pikë
Fiona Papajorgji 88.785 pikë
Elsa Toska 85.428 pikë
Marsida Xhaferllari82.000 pikë
Tre kandidatet të renditura në vendet e para në këtë listë kanë qenë kandidate edhe në listat e Kuvendit të Shqipërisë.
Pasi Kuvendi në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta në datë 11 nëntor 2019, zgjodhi zonjën Elsa Toska dhe zonjën Fiona Papajorgji si Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, tashmë në këtë gjëndje të procedimit në vakancën e Presidentit rezulton se në garë për konkurim për plotësimin e vakancës së shpallur nga Presidenti i Republikës, kanë ngelur vetëm 2 (dy) kandidatë:
Arta Vorpsi me 89.642 pikë
Marsida Xhaferllari me 82.000 pikë
Në këto kushte, Kuvendi i Shqipërisë, duke mos iu përmbajtur rregullit për të zgjedhur sipas radhës që dikton Kushtetuta, si dhe duke mos treguar asnjë shenjë për bashkëpunim me Institucionin e Presidentit, me zgjedhjen e dy gjyqtarëve njëherazi, ka cenuar njëkohësisht edhe numrin e kandidaturave që duhet të ketë Presidenti në dispozicion për të emëruar gjyqtarin e ri kushtetues.
Kushtetuta, pohon në mënyrë të qartë një rregull sa të thjeshtë aq edhe të rëndësishëm sipas të cilit, anëtarët e gjykatës kushtetese përzgjidhen ndërmjet tri kandidatëve. Pavarësisht se çfarë veprimi (ose mosveprimi) do të bënte Presidenti, së paku deri në momentin kur ai të vendosë të shprehet me Dekret për emërimin e njërit prej tyre, ai duhet të ketë “në dispozicion” 3 kandidatë. Këtë numër kushtetuta e sheh si një numër objektiv kandidaturash në mënyrë që organi i emërtesës të ushtrojë objektivisht dhe substacialisht të drejtën për të vlerësuar se cili prej tyre është kandidatura më e përshtatshme që mund të ushtrojë funksionin e gjyqtarit kushtetues, sipas vlerësimit të organit të emërtesës.
Ky rregull është i parashikuar në nenin 125 pika 1 e Kushtetutës[1]. Në fjalinë e dytë të kësaj pike pohohet se “Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit”.
Kuvendi duke zgjedhur dy gjyqtarë njëherazi dhe duke mos marrë parasysh kërkesën e Presidentit për respektimin e radhës, cenoi numrin e kandidatëve në dispozicion të Presidentit. Nëse Kuvendi në datë 11.11.2019 do të kishte zgjedhur vetëm anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, atëherë Presidenti do të kishte në dispozicion numrin 3 (tre) të kandidatëve të nevojshëm.
Gjithashtu në këtë procedurë është për t’u evidentuar se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk arriti të përmbushë kërkesat e nenit 7/b, pika 3 të ligjit nr. 8577/2000, ku citohet se:
“3. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe të kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve nga zhvillimi i mbledhjes harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. Nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit.”
Duke qenë se Presidenti i Republikës kishte për plotësim dy vakanca njëherazi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka mundur të përmbushë këtë kërkesë të ligjit.
Përveç shumë elementëve të tjerë, në funksion të këtij arsyetimi, dy janë elementët kushtetues që shërbejnë në ushtrimin e kompetencës së Presidentit për të emëruar anëtarin e Gjykatës Kushtetuese: elementi i parë është mundësia objektive që duhet të ketë një organ emërtese për të përzgjedhur midis tre kandidatëve dhe elementi i dytë është cilësori “kandidatë” i vendosur menjëherë pas shifrës.
Këto dy elementë, një sasior dhe tjetri cilësor, duhet të jenë prezent jo vetëm në fazën fillestare, pra atëhere kur fillon të marrë jetë efektivisht kompetenca emëruese e Presidentit (pra në start të numërimit të afatit 30 ditor, teksa Kuvendi ka ezauruar kompetencën e tij pararëndëse për të zgjedhur), por domosdoshmërisht deri në momentin fundor, pra momentin e emërimit me dekret të Presidentit.
Të dy elementët janë qartësisht të kuptueshëm në brendinë e tyre dhe nuk lënë shkak për dyshim, interpretim apo dyzim kuptimesh. Teksti kushtetues dhe ai i ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i ka detajuar secilin prej tyre.
Kështu, përsa i përket shifrës “3”, kuptimi kushtetues është mëse i qartë. Në çdo rast Presidenti duhet të ketë efektivisht mundësinë teorike të përzgjedhjes mes 3 alternativave (kandidatëve), qartësisht të dallueshme nga njëra-tjetra.
Përsa i përket termit “kandidat”, Kushtetuta edhe në këtë rast është e qartë. “Kandidat” do të konsiderohet çdo aplikant, i cili së pari, ka kaluar procedurat e verifikimit/vleresim/renditjes prej KED, dhe paskëtaj është prezantuar si pjesë e listës totale që KED depoziton tek Presidenti.
Kuptohet se “kandidati”, duhet të ruajë këtë cilësi përgjatë gjithë periudhës deri kur Presidenti të shprehet për emërimin përkatës. Por derisa Presidenti të shprehet, gjatë kësaj ndërkohe, mund të ndodhin disa ngjarje të cilat mund t’ia heqin atij paraprakisht këtë cilësi.
Kështu, mund të ndodhin ndërkohë, ngjarje të tilla si p.sh; heqja dorë, vdekja, humbja e shtetësisë shqiptare, verifikimi i kushteve të “dekriminalizimit” sipas ligjit, etj., të cilat bëjnë që ai aplikant të mos jetë më një “kandidat” i aftë për t’u emëruar.
Një tjetër ngjarje e ngjashme por dhe specifike është edhe rasti kur, kandidati në fjalë, është emëruar/zgjedhur, ndërkohë si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga një tjetër autoritet vendimmarrës (meqënëse në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese kontribuojnë njëkohësisht 3 autoritete të tilla: President, Kuvend, Gjykatë e Lartë.
Kushtetuta në fakt, është përkujdesur që një “konkurrim” i njëkohshëm në emërim/zgjedhje të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të mos ndodhë.
Ajo ka parashikuar “radhën kronologjike” të emërimit, duke alternuar kompetencën midis Presidentit, e pastaj Kuvendit e pastaj Gjykatës së Lartë. Arsyeja ka qenë e thjeshtë: një kandidat në listën e njërit autoritet vendimmarrës, nëse zgjidhet/emërohet nuk qëndron më si “kandidat” në listën e autoritetit vendimmarrës pasardhës.
Megjithëse ekziston ky urdhërim kushtetues, KED në mosrespektim të këtij rregulli të rëndësishëm kushtetues, mund të dërgojë paralelisht, listat përkatëse drejt autoriteteve vendimmarëse të ndryshme, të cilat, përgjatë kohës prej 30 ditësh që kanë në dispozicion, të ndodhen përballë rrezikut, teksa një kandidat që ndodhet në listën e tij, të jetë edhe në listën e një autoriteti tjetër, i cili, mund të ketë vepruar ndërkohë duke e zgjedhur/emëruar de facto po atë kandidat.
Me verifikimin e kësaj ngjarjeje, ky aplikant që ndodhet si “kandidat” në listën e një autoriteti vendimmarrës, e humbet këtë cilësi, sepse ai tashmë është zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga një autoritet tjetër vendimmarrës. Do të ishte më së pari jo logjike, që të konsiderohej “kandidat” një anëtar i zgjedhur/emëruar i Gjykatës Kushtetuese.
Këto janë pra, dimensionet juridike të konceptit “kandidat” që përdor Kushtetuta në nenin 125/1 të saj.
Në funksion dhe në harmoni të plotë të parashikimit kushtetues si më lart, është edhe parashikimi i nenit 149/d pika 1 e Kushtetutës[2]. Fjalia e fundit e kësaj pikë parashikon se “Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati.
Kjo do të thotë që lista, përsa i përket tre emrave që duhet të përmbajë domosdoshmërisht nuk është e ngurtë. Ajo mund të plotësohet me kandidatët që pasojnë në rastet kur 1 apo më shumë kandidatë, nga 3 nivelet e sipërm, nuk janë më të tillë (kandidatë) për arsye të ndryshme.
Nëse do të ishte ndryshe Kushtetuta nuk do ta kishte këtë parashikim, madje mund të pohonte se lista është e mbyllur dhe se emërimi/zgjedhja duhet të bëhej vetëm nga 3 kandidatët që përmbante në fazën fillestare lista, madje të parashikonte se autoritetit vendimmarrës i përcillen vetëm 3 emrat e kandidatëve të parë, kurse kandidatët e tjerë, as që nuk i përcillen autoritetit vendimmarrës.
Në fakt neni 125 pika 1 parasheh se lista e përcjellë nga KED mund të përmbajë emrat e më shumë se 3 kandidatëve, por se emërimi/zgjedhja mund të bëhet vetëm ndërmjet 3 kandidatëve të renditur më lart.
Lista “ngurtësohet” vetem në një rast, por ky rast ka të bëjë me variantin kur autoriteti vendimmarës hesht brenda afatit 30 ditor. Edhe në këtë rast, “ngurtësimi” i listës i referohet vetëm kandidatit të renditur i pari prej KED.
Pra në këtë rast autoriteti vendimmarrës nuk ka të drejtë të rirendisë hierarkisht 3 kandidatët e parë, sepse në këtë mënyrë do të kompromentohej mekanizmi zhbllokues që parashikon Kushtetuta (i pari i renditur konsiderohet i emëruar në rast heshtjeje).
Në këtë mënyrë, referuar dispozitave të mësipërme, rezulton se Presidenti i Republikës, i gjendur përpara kësaj situate të shkaktuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe e pasuar me vendimmarrjen e Kuvendit në datë 11.11.2019, sot gjendet përpara faktit që aktualisht në garë ka vetëm 2 ( dy) kandidatë për të emëruar njërin prej tyre si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.
Duke vlerësuar objektivisht të gjithë situatën e krijuar, ku kjo gjendje ka ardhur për pasojë të veprimeve të organeve të tjera (KED-Kuvend) të cilat prishën radhën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues, Presidenti i Republikës, përfundimisht ka vendosur të procedojë me këtë numër kandidatësh, për zgjedhjen e gjyqtarit kushtetues, për plotësimin e vakancës së shpallur prej tij për aplikim me Dekret nr.11133, datë 04.03.2019, pasi ekzistojnë mundësitë për përzgjedhjen e kandidatit të përshtatshëm për t’u emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Edhe pse Kushtetuta dhe ligji, kërkojnë numrin 3 të kandidaturave, Presidenti i Republikës vlerëson, se në rastin konkret, pasja e 2 (dy) alternativave garanton thelbin e së drejtës së zgjedhjes dhe se fryma e Kushtetutës ruhet.
Për Presidentin e Republikës, garantohet kështu hapësira diskrecionare e vlerësimit midis më shumë se 1 kandidati. Ndryshe do të ishte një emërim automatik, pra që të drejtën e emërimit ta merrte një organ tjetër që nuk e ka në kompetencë kushtetuese. Për këto shkaqe vlerëson të operojë me përzgjedhjen mes tyre të kanadidatit që do të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Arsyet për përzgjedhjen e kandidaturës të zonjës Marsida Xhaferllari, për tu emëruar gjyqtar në gjykatën kushtetuese dhe procedurën e ndjekur.
Presidenti i Republikës, pasi shqyrtoi të gjithë praktikën dhe dokumentacionin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në përfundim ka vendosur që të përzgjedhë kandidaten Marsida Xhaferllari për t’u emëruar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, kryesisht mbështetur në këto arsye të cilat evidentohen dhe janë vlerësuar edhe më hollësisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në vendimet e tij.
Zonja Marsida Xhaferllari, në vitin 1997, është diplomuar “Jurist”, në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, me rezultate të shkëlqyera.
Në vitin 2000 zonja Xhaferllari ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe është diplomuar “Magjistrat Gjyqtar” me rezultat “Shumë mirë”.
Zonja Marsida Xhaferllari ka një eksperiencë të larmishme pune prej më shumë se 20 vitesh, si Gjyqtare, Drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit, Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe që prej janarit 2013 në detyrën e Kryeinspektorit të Inspektoritatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Zonja Xhaferllari ka qenë përfaqësuese e Këshillit të Ministrave në shqyrtimin e mbi 50 çështjeve në Gjykatën Kushtetuese, si dhe përfaqësuese e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në çështjet në Gjykim pranë kësaj gjykate.
Ushtrimi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Kodifikimit tregon për një kontribut në lidhje me harmonizimin e projektakteve ligjore dhe nënligjore me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe aktet ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.
Përgjatë periudhës 2015–2016 zonja Xhaferllari ka qenë eksperte në Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë në Drejtësi, për përfaqësimin e KLD-së, në tryezat e punës të drejtuara nga ekspertë ndërkombëtarë dhe shqiptarë, në hartimin e legjislacionit për gjyqësorin.
Zonja Marsida Xhaferllari, ka qenë gjithashtu e angazhuar si eksperte dhe pedagoge e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, në lëndët e së drejtës publike. Gjithashtu, për 5 vite, ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Zonja Xhaferllari është autore edhe e disa botimeve, kryesisht në fushën e të drejtës administrative.
Zonja Marsida Xhaferllari, gëzon integritet të lartë moral, etik dhe cilësi të larta profesionale të cilat janë kërkesa të domosdoshme dhe në koherencë me besimin që kërkon publiku për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Përgjatë karrierës së saj ka reflektuar aftësi vendimmarrëse dhe bashkëpunimi.
Për më tepër pas konstituimit dhe fillimit nga funksionimi të organeve të rivlerësimit kalimtar, zonja Xhaferllari në detyrën e Kryeinspektores së KLD-së, ka treguar një nivel të lartë bashkëpunimi me të gjitha institucionet e reja të sapo krijuara dhe duke ndikuar pozitivisht në nisjen e këtij procesi.
Me angazhimin profesional të zonjës Xhaferllari u hartuan dhe miratuan nga Këshilli aktet nënligjore dhe format standarte të komponentit profesional të vlerësimit për gjyqtarët në funksion të procesit të rivlerësimit kalimtar. Përgjatë periudhës shtator 2017 – nëntor 2018 nën mbikqyrjen e zonjës Xhaferllari Inspektoriati i KLD-së, ka hartuar dhe miratuar mbi 100 raporte vlerësimi për gjyqtarë të ndryshëm për efekt të procesit vetting sipas kërkesave dhe drejtimit të këtij procesi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Në lidhje me këto kushte dhe kritere që duhet të plotësojë një kandidat për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për kandidatin Marsida Xhaferllari është shprehur qartë dhe ka bërë vlerësimet përkatëse në Vendimin nr. 111, datë 06.08.2019 për “Lejimin e kandidimit të zonjës Marsida Xhaferllari në vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019” dhe në Vendimin nr.126, datë 10.09.2019, për “Vlerësimin dhe pikëzimin e kandidaturës zonjës Marsida Xhaferllari për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019”.
Presidenti i Republikës, pasi iu vu në dispozicion praktika e plotë e KED-së, analizoi edhe dokumentacionin bashkëlidhur.
Përpos kësaj përfaqësuesi i Presidentit të Republikës ka qenë prezent në të gjitha mbledhjet e Këshillit dhe është njohur me veprimtarinë e tij.
Nga përmbajtja e dokumentacionit, rezultoi në mënyrë të qartë, se veprimtaria e KED-së, lidhur me ketë kandidaturë, ishte ndjekur në mënyrë jokorrekte dhe në shumë raste edhe me shkelje ligjore që synonin qartazi, diskriminimin e kandidaturës në fjalë, me qëllimin fillestar për ta s’kualifikuar në mënyrë të padrejtë apo edhe atë fundor për ta vlerësuar dhe renditur me po kaq të padrejtë, sa më poshtë në listë, për ta eleminuar nga mundësia e përzgjedhjes.
Nga informacioni i siguruar dhe veprimtaria e KED rezulton se ka patur një korrespondencë intensive të kandidates me KED lidhur me këtë proces. Presidenti i Republikës, është i kujdesshëm, për të mos ndërhyrë në një veprimtari të brendshme të një organi tjetër siç është KED, por i gjendur para situatave të tilla i merr ato parasysh, në vlerësimin dhe përzgjedhjen që duhet të bëjë.
Ka rezultuar se për këtë kandidate, dy anëtare të KED-së, në mënyrë të paarsyeshme, e kanë vlerësuar kandidaten me 0 (zero) pikë. Për asnjë kandidat tjetër nuk ka ndodhur një vlerësim kaq ekstrem.
Vetëm për arsye të këtij vlerësimi diskriminues nga dy anëtarë të KED-së, kandidatja në fjalë, u rendit e 4-ta në radhë në listën fillestare.
Presidenti i Republikës, ka analizuar dokumentacionin edhe në prizmin për të kuptuar shkaqet e vërteta të kësaj sjellje të disa anëtarëve të KED. Ka rezultuar se ndaj kandidates në fjalë është ndjekur një proces i verifikimit të kushteve të kandidimit, i ndryshëm nga kandidatët e tjerë, me nota të forta diskriminimi.
Përsëri KED ka vlerësuar përfundimisht se zonja Marsida Xhaferllari i plotësonte kushtet e kandidimit.
Nga shqyrtimi i plotë i kësaj çështje Presidentit të Republikës i rezulton se qëndrimi i kandidates, në raport me veprimtarinë e KED-së, ka qenë dinjitoz, profesional dhe në lartësinë e kurajos civile që duhet të karakterizojë një anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Edhe pse vazhdimi i kandidimit të mëtejshëm varej nga sjellja paragjykuese e KED-së, edhe pse dukej qartë tendenca diskriminuese e disa anëtarve, ajo nuk ka bërë kompromis me këto vlera.
Këto janë vlera thelbësore që qendrojnë në themel të përzgjedhjes që Presidenti i Republikës dhe kushdo autoritet tjetër duhet të udhëhiqet. Posti i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, si edhe të tjera poste të rëndësishme shtetërore, kërkojnë që zyrtari publik të udhëhiqet nga këto vlera.
Janë këto vlera të demostruara, të cilat japin garanci, se një anëtar i Gjykatës Kushtetuese, nuk do të përthyhet nga presioni shtetëror apo politik apo i çdo natyre, se nuk do të bëjë kompromis në dëm të Kushtetutës dhe se do mbajë lart reputacionin e Gjykatës Kushtetuese.
Janë pikërisht këto vlera dhe cilësi të larta profesionale që ka aspiruar edhe Reforma në Drejtësi të arrijë përgjatë miratimit dhe zbatimit të saj.
Ndaj Presidenti i Republikës, pa asnjë mëdyshje ka bërë këtë përzgjedhje, për vendin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese që i takon atij të përzgjedhë.
Po kështu Presidenti i Republikës vlerëson shumë faktin se, kjo kandidate ka vendosur të kandidojë vetëm për një vend vakant nga 4 (katër) vende që kanë qenë të shpallura për aplikim nga organet e emërtesës (President, Kuvend).
Ky fakt, tregon integritet dhe personalitet, pasi edhe pse ligji nuk e mohon si mundësi për të konkuruar njëherazi në shumë vakanca, kjo kandidate nuk e ka shfrytëzuar këtë mundësi.
Duke vlerësuar shumë të rëndësishëm rolin dhe rëndësinë që ka Gjykata Kushtetuese në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës, Presidenti i Republikës edhe pse ka ende afat në dispozicion ka vendosur sërish që të shprehet pa vonesë edhe për emërimin e kandidatit të përzgjedhur prej tij, në mënyrë që gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të fillojnë sa më shpejt detyrën që u është besuar dhe të ushtrojnë sa më shpejt mandatin qoftë dhe për vendime apo çështje që mund të shqyrtohen në kolegjet me tre anëtarë të kësaj gjykate.
Për gjithë sa u parashtrua më sipër, në mbështetje të 93, 125 pikat 1 e 3, 129, 149/d pika 1, 179 pikat 2 e 12, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 8 dhe 86 pika 4, shkronja “c” të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Presidenti i Republikës në cilësinë e organit të emërtesës ka vendosur që nga dy kandidatët të mbetur në garë nga lista e kandidatëve të përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të përzgjedhë dhe të emërojë zonjën Marsida Xhaferllari, gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.