Problemet me të cilët shqiptarët pëballen çdo ditë tashmë janë të paraqitura edhe në raporte. Të gjithë jemi të vetëdijshëm mbi largimin e madh të të rinjve, cilësinë e dobët të arsimit dhe papunësinë me të cilën përballen ata, por kur e sheh ‘e zeza mbi të bardhë’ gjithçka bëhet edhe më shqetësuese.
Shqipëria vazhdon të mbetet ndër vendet e para në Europë për papunësinë e të rinjve, vrasjen e vajzave dhe varfërinë studentore, thuhet në raportin e 2-të Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2019” hartuar nga CRCA/ECPAT, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri me mbështetjen e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri.
Raporti tregon që rreth 73 % e të rinjve shqiptarë e shohin problemin e punësimit si më shqetësuesin për ta. Arsimi është një tjetër problem pasi 35% e tyre nuk janë të kënaqur me arsimin dhe kërkojnë të shkojnë studime jashtë. Niveli ekonomik i familjeve është po ashtu shqetësim dhe kjo bën që 79 përqind e tyre të shprehin dëshirën për të ikur nga vendi. Organizatat që hartuan raportin kanë për pushtetin qendror dhe atë lokal disa rekomandime për ndryshimin e situatës.