Qeveria vendosi dje zbatimin e ligjit të vitit 2014 për të detyruar ndërtuesit që të sigurojnë çdo apartament apo ndërtesë në momentin e dorëzimit. Vendimi i djeshëm i qeverisë tregon se ligji i miratuar nga Parlamenti nuk është zbatuar, është anashkaluar, duke i detyruar me një VKM antisizmike ndërtuesit që të hyjnë në një marrëdhënie të re me kompanitë e sigurimeve.
“Ndërtuesi/zhvilluesi/investitori i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat 10-(dhjetë-)vjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve, në zbatim të pikës 9, të nenit 42, të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë për Sigurimin e Ndërtimeve. Por, VKM-ja e djeshme i tejkalon dëmet e tërmeteve dhe i detyron kompanitë e sigurimeve që të dëmshpërblejnë pronarët e shtëpive, edhe nëse banesa e tyre pëson dëme për shkak të cilësisë së dobët të ndërtimit.
“Kjo kontratë sigurimi mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda”, thuhet në vendim. Nëse nuk bëhet sigurimi i shtëpive nga ndërtuesi, objekti apo pallati nuk do të regjistrohet nga zyra e kadastrës.
“Kërkesa për regjistrim në regjistrin e pasurive të paluajtshme të kontratave të kalimit të pronësisë së ndërtesës nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori te blerësi, shoqërohet edhe me kontratën e sigurimit 10-(dhjetë-) vjeçar në favor të blerësit/blerësve, të kryer nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori. Në rast mungese të kontratës së sigurimit, kërkesa për regjistrim të kontratës së kalimit të pronësisë nuk administrohet nga sporteli i shërbimeve kadastrale”, thuhet në vendim.
Kryeministri Rama, gjatë konferencës së djeshme për mediat, tha se ky propozim i hershëm i tij ishte paragjykuar. “Është një element që më në fund besoj se gjen konsensus. E kam propozuar shumë vite më parë, ka hasur gjithmonë rezistencë. Nuk mund të kontrollohen dot godinat e ndërtuara për qëllime fitimi, flasim për pallate dhe për godina me karakter biznesi, hotele, apo të gjitha këto, thjesht dhe vetëm me inspektorate, qoftë me polici, qoftë me Inspektorat të Mbrojtjes së Territorit e kështu me radhë, por duhet futur dhe do të futet mekanizmi i vetëkontrollit përmes marrëdhënies me kompaninë e sigurimit”, u shpreh Kryeministri.
ASHENSORËT
Kryeministri Rama tha dje se qeveria ka vendosur pjesën e Fondit Rezervë me Akt Normativ, janë rreth 6 milionë dollarë në dispozicion sot për të përballuar dëmet e tërmetit, por është një shifër bazë, sepse kostot janë më të larta dhe që do të duhet të pasurohen edhe me elemente të tjera. Qeveria vendosi dje që të kontrollojë të gjithë ashensorët ekzistues në pallatet e ndërtuara pas viteve ’90 për të verifikuar nëse kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 21 shtatorit.
“Ekzaminimi i plotë i ashensorëve ekzistues, të vendosur në shërbim deri më 31 dhjetor 2019, të kryhet jo më vonë se data 31 dhjetor 2020. Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi ‘struktura përgjegjëse’ zëvendësohet me ‘Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut’”, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Kreu i qeverisë sqaroi dje se cili ishte qëllimi për përmirësimin e Rregullit Teknik “Për Sigurinë e ashensorëve në përdorim”.
“Po ashtu kemi vendosur që të sigurojmë një ekzaminim të plotë për ashensorët për të cilët personat përgjegjës nuk disponojnë dokumentacionin e plotë dhe faktikisht e kanë të pamundur të realizojnë një vlerësim konformiteti. Objektivi është që të sigurohemi se ashensorët në përdorim plotësojnë kriteret dhe nuk janë të impaktuar teknikisht pas tërmetit”, tha Rama. Kreu i qeverisë siguroi se lejet e ndërtimit për të rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti do të merren brenda 5 ditëve.
“Po ashtu kemi vendosur të bëjmë një përshpejtim maksimal të procedurave për lejet e ndërtimit për riparime dhe rregullime të godinave që kanë patur dëme nga tërmeti. Ka një numër të konsiderueshëm familjesh që duan të bëjnë ndërhyrjet përkatëse aty ku e kanë të mundur, madje ka familje, të cilat kanë kërkuar që t’u lehtësohet procedura, sepse nuk dëshirojnë të ecin me projektet tip, që ne kemi tanimë përgatitur për rastet kur do na duhet të bëjmë ndërtimin nga e para të godinës. Këta, jo vetëm që do të marrin lejen pa paguar asnjë taksë, por do ta marrin edhe brenda vetëm 5 ditëve”, tha kreu i qeverisë.
Ndërtuesi/zhvilluesi/investitori i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat 10-(dhjetë-)vjeçar me përfitues blerësin/ blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve, në
zbatim të pikës 9, të nenit 42, të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.
Kjo kontratë sigurimi mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet
rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda.
Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme.
Tarifa vjetore e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 (zero pikë një) për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit.
Noterët lidhin kontratën për kalimin e pronësisë së ndërtesës nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori te blerësi, shoqëruar me kontratën e sigurimit 10-(dhjetë-)vjeçar në favor të blerësit/blerësve të kryer nga shitësi, në përputhje me pikën 9, të nenit 42, të ligjit nr. 107/ 2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, si dhe me ligjin nr. 110/2018, “Për noterinë”.
Kërkesa për regjistrim në regjistrin e pasurive të paluajtshme të kontratave të kalimit të pronësisë së ndërtesës nga ndërtuesi/ zhvilluesi/investitori te blerësi, shoqërohet edhe me kontratën e sigurimit 10-(dhjetë-)vjeçar në favor të blerësit/blerësve, të kryer nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori. Në rast mungese të kontratës së sigurimit, kërkesa për regjistrim të kontratës së kalimit të pronësisë nuk administrohet nga sporteli i shërbimeve kadastrale.
Elementet dhe kushtet e përgjithshme të kontratës së sigurimit të detyrueshëm për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimit miratohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pas marrjes së mendimit nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe ministria
përgjegjëse për financat.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Drejtësisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ekzaminimi i plotë i ashensorëve ekzistues, të vendosur në shërbim deri më 31 dhjetor 2019, të kryhet jo më vonë se data 31 dhjetor 2020.
b) Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “struktura përgjegjëse” zëvendësohet me “Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut” Përjashtohen nga pagesa e kësaj takse investimet për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtesave të destinuara për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e fatkeqësive natyrore, sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile.
Personat që aplikojnë për t’u pajisur me leje për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtesave të destinuara për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e tërmetit të datës 21 shtator 2019, përjashtohen nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit në
infrastrukturë.
OSHEE-ja dhe kompanitë e ujësjellësve në zonat e dëmtuara do të marrin vendime për të zeruar detyrimin e familjeve të dëmtuara që janë në kushte pabanueshmërie, që këtu të mos kemi spekulime.
Që do të thotë se për të gjitha këto familje do të zerohen të gjitha borxhet dhe do të subvencionohet 100%, tarifa që paguhet edhe kur hyjnë të tjerë aktualisht në banesë./ PANORAMA.al