Pas konferencës vjetore, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka dhënë një intervistë ekskluzive për A2 Business të Aurora Sulçes ku shpjegon kreditimin anemik nga bankat, gjendjen e biznesit dhe ngadalësimin e ekonomisë.
Kreu i Bankës Qendrore apelon qeverinë për vazhdim të reformave strukturore, si një element për të mbështetur rritjen. Sejko ka folur për herë të parë edhe për Shengenin Ballkanik.
Aurora Sulçe: Cilat ishin mesazhet kryesore nga konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë?
Guvernatori i BSH, Gent Sejko: Kjo konferencë bëhet në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike për Shkenca Politike të Londrës. Këtë vit synon të mbulojë sfidat kryesore të sistemit bankar dhe të sistemit financiar, implikimet dhe rreziqet e ndryshme që ka ky sistem, oportunitetet e zhvillimit dhe objektivat për të ardhmen. Në këtë konferencë, ne kemi të ftuar profesorë dhe guvernatorë jo vetëm nga rajoni, por edhe më gjerë. Ne duam të shohin zhvillimet e sistemeve bankare dhe sistemeve financiare në botë, implikimet që këto kanë në ekonomitë e vendeve të Eurozonës, por kryesisht edhe në rajonin tonë dhe në Shqipëri. Ne jemi përballur dhe vazhdojmë të përballemi me këto sfida.
Aurora Sulçe: Një ndër problemet është edhe një kreditim anemik. Edhe pse të dhënat zyrtare të BSH tregojnë se në vlerë absolute huaja për ekonominë është rritur këtë vit, një raport i fundit i FMN vë në dukje se në raport me prodhimin e përgjithshëm bruto, nuk ka pësuar rënie. Cilët janë faktorët, të cilët në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, po e mbajnë të ngurtë kreditimin?
Gent Sejko: Ka disa faktorë që kanë ndikuar në një kreditim anemik ose të moderuar të ekonomisë. Këta faktorë lidhen si me ekonominë e brendshme, ashtu edhe me sistemin financiar ndërkombëtar dhe me efektet që ky sistem ka pasur nëpërmjet filialeve në tregun financiar shqiptar. Kreditimi është goditur nga një normë negative e kredive me probleme, e cila i ka trembur bankat. Ne kemi bërë një plan masash që e ka ulur kredinë me probleme nga niveli 25 përqind në nivelin 11 përqind. Ne parashikojmë që do të ulet edhe më tej. Një tjetër element negativ që ka ndikuar kanë qenë edhe politikat e bankave të Eurozonës që kanë pasur filiale në Shqipëri, të cilat kanë mbyllur disa filiale. Tashmë, ky proces pothuajse ka përfunduar. Njëkohësisht ne kemi synuar të shkojmë drejt konsolidimit të sistemit bankar, i cili konsiston në uljen e numrit të bankave. Është vlerësuar se ka pasur një numër bankash që ka qenë i mbinevojshëm. Tashmë ne kemi 12 banka nga 16 që kemi pasur. Ne do të shkojmë drejt një procesi të bashkimit dhe të përthithjeve. Menjëherë, shohim një gjallërim të kreditimit.
Aurora Sulçe: Përveç anës së ofertës, është edhe kërkesa. Si paraqitet biznesi në këtë lloj situate ekonomike ku ndodhemi. A është i interesuar për të kërkuar hua për t’u zgjeruar? A po paraqet projekte serioze, një problem i hershëm ky?
Gent Sejko: Sado e mirë të jetë oferta, nëse ka një kërkesë anemike, bankat nuk do të financonin. Një nga faktorët ka qenë kërkesa e ulët për kredi, kërkesa jo cilësore nga ana e bankave. Bankat kanë mbështetur kredinë për individë sasa për biznese. Qëllimi për të patur kreditim për bizneset lidhet dhe rritjen ekonomike. Që pas krizës së vitit 2008, ne kemi pasur efektet e saj. Në vitin 2013, rritja ekonomike arriti nivelin më të ulët. U deshën shumë reforma që ndikuan në rritjen ekonomike. Por pati një kërkesë të ulët për kredi. Numri i projekteve erdhi në rënie. Bizneset kishin detyrime të papaguara me balance jo të suportueshme nga ana e bankave. Element pozitiv është që ne po shohim gjatë këtij viti se kredia po rritet jo vetëm për individët, por edhe për bizneset për herë të parë. Kjo tregon një rigjallërim nga ana e kërkesës për kredi. Një ndikim shumë të madh, në të gjithë këto element negativ për kredidhënie ka edhe informaliteti. Prandaj ne jemi përpjekur të bëjmë reforma kundër informalitetit.
Aurora Sulçe: A po ndikon kriza ekonomike në këtë situatë të ngadalësimit të ekonomisë?
Gent Sejko: Të gjitha ndikojnë. Përveç shifrave, ekonomia është edhe psikologji. Efekti i krizave politike ka ndikimin e saj edhe në investime, në iniciativa të biznesin. Eksporti i energjisë ka qenë faktori kryesor që ka ndikuar në ngadalësimin e rritjes së ekonomisë, i cili ka pasur një impakt të konsiderueshëm gjatë këtij viti.
Aurora Sulçe: Përveç pjesës së energjisë elektrike, institucioni financiar ndërkombëtar artikuloi një kritik, duke deklaruar se reformat strukturore janë ngadalësuar. A ka filluar të ndihet kjo edhe në ekonomi?
Gent Sejko: Ecuria e reformave strukturore është një nga elementët bazë, e cila do të ndikonte në ecurinë pozitive dhe të zhvillimit të ekonomisë. Reformat strukturore kanë efektin e tyre në zhvillimin ekonomik. Janë ndërmarrë disa reforma, por përveç tyre një efekt në rritjen ekonomike ka pasur edhe situata në Eurozonë. Partnerët tanë kryesorë janë në Eurozonë. Situata e Eurozonës nuk është aq optimiste. Parashikimet kanë ardhur në rënie, norma e inflacionit po ashtu. Kjo rrefkëtohet edhe në ekonominë shqiptare. Por pavarësisht nga këto, ne duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Ne do të duhet të vazhdojmë me ecurinë e reformave strukturore pa u ndalur, duke u fokusuar në ekonominë tonë. Duhet të përmirësojmë të ardhurat, të ulim nivelin e borxhit, i cili ndikon në investimet e huaja. Ne duhet të kemi një pamje serioze të ekonomisë për të tërhequr investimet e huaja, të cilat do të ndikonin pozitivisht në rritjen e ekonomisë. Të gjithë elementët janë të lidhur.
Aurora Sulçe: Një ditë më parë është diskutuar Shengeni Ballkanik. A jeni optimist për një nismë të tillë? A është gati biznesi shqiptar që të përballojë një fluks të tillë prodhimi?
Gent Sejko: Unë them që Shengeni Ballkanik ka vetëm gjëra pozitive. Mesa pamë dje nga 3 liderët e rajonit, fillon me lëvizjen e lirë, por qëllimi kryesor është për zhvillimin e ekonomik dhe për një treg më të madh, rajonal. Në rast se ne do të prezantoheshim si një treg i madh, atëherë do të kishim mundësi më të mëdha për të tërhequr investime serioze. Po ashtu, ne kemi potenciale të pashfrytëzuara ekonomike, tregtie. Ka një marrëveshje për tregtinë e lirë me vendet e rajonit, e cila ende nuk është eficente. Me një hapje të vendeve të rajonit, ne do të zhvillonim më mirë potencialet tona të zhvillimit. Do të kishim ndoshta investime nga shtete të ndryshme, tregti, lëvizje të lirë të kapitalit, të mallrave dhe të njerëzve. Jam shumë i sigurt që kjo do të kishte një efekt pozitiv. Ne do të ishim një treg më i madh për investitorët seriozë, por edhe politikisht do të jepnim një mesazh shumë serioz. Unë jam shumë i sigurt që e ardhmja do t’i fshijë barrierat në Ballkan. Unë jam shumë i sigurt që rajoni do të moderohet, por sfida është sa shpejt ne do t’i kalojmë këto barriera.