Gazetarja Klodiana Lala thotë se vrasja e Santiago Malkos do të zbardhet dhe nga kjo ngjarje do të preken emra të njohur të botës së krimit, që mund të jenë të përfshirë në ekzekutimin e tij, por edhe në shumë ngjarje të tjera kriminale.
“Kjo ngjarje do të zbardhet, madje mendoj se do të preken emra të njohur të botës së krimit, që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje, por edhe në ngjarje të tjera kriminale. Nëse SPAK do hetojë gjitha pasuritë e tyre, lidhjet e tyre me politikën dhe zyrtarë të lartë, do të kemi një sërë ngjarjesh të tjera që do të zbardhen. Nëse dosja nuk do fokusohet vetëm te vrasja e Malkos, do zbulohen shumë vrasje të ndodhura në Tiranë, Laç e Durrës, në të kundërt këta persona do të arrijnë t’ia hedhin. Kjo do ishte një dramë e madhe, pasi askush nuk kishte të drejtën t’i merrte jetën Malkos. Secili duhet të mbajë peshën për atë që i takon”, tha gazetarja në rubrikën “Opinion”.
Më tej, gazetarja Lala deklaroi se banda kriminale që ekzekutoi ish-policin Malko merrej edhe me trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht drogërave të rënda, si kokaina.
“Ka dyshime të forta që ky grup kriminal merret dhe me trafikimin e lëndëve narkotike. Leonard Duka u arrestua në prill të këtij viti. Në momentin e arrestimit, ai hodhi pistoletën nga banesa. Janë një grup i organizuar dhe më parë janë sekuestruar dy automjete të blinduara me targa ruse. Eksponentë të krimit të organizuar kanë lidhje të ngushta e të forta me punonjës të policisë, ndaj dhe ndonjëherë duke i përdorur ata, e ndonjëherë duke paguar shuma të mëdha, ja kanë hedhur drejtësisë.
Kjo ngre dyshime të forta për mënyrën se si funksionon policia shqiptare. Leonard Duka ka dyshime të forta se është kreu i një grupi që merret me trafikimin e drogërave të forta. Është arrestuar një herë për kokainë, ndërsa tani rezulton të jetë organizator i Santiago Malkos.
Ai rezulton i përfshirë dhe në një vrasje në Laç, i përfshirë në vrasjen e ndodhur në zonën e ish-Bllokut. Ishte filmuar me armë në dorë, por policia nuk kishte reaguar për ta arrestuar. Ka dyshime që Duka ka vepruar si grup i strukturuar kriminal, ndaj dhe Prokuroria e Tiranës e kaloi dosjen te Krimet e Rënda, dosje që pritet të sjellë mjaft surpriza”, theksoi Lala./ BW