Të bukura, me humor, joshëse, shpeshherë naive, të qeshura, të ëmbla, që diku rastësia i përballi me njerëzit e “gabuar”. Dashuritë e të fortëve shqiptarë dhe historitë që i futën edhe vajzat në telashe. Nga Aldo Bare, Dritan Dajti, Emiljano Shullazi, e Lul Berisha, sot do të shkruajmë për lidhje të furishme, që dështuan e më sot asgjë nuk dihet për to.
‘Më përdhunuan’, vuajtjet e dashurisë së Aldo Bares, Luiza Beqiri doli edhe në gjykatë
Luiza Beqiri, e dashura e kapos së bandës së Lushnjes, Aldo Bare dëshmoi në favor të Bares në seancën e zhvilluar te “Krimet e Rënda”, në vitin 2010. Me statusin e dëshmitares, Luiza Beqiri tha në gjykatë se Gramoz Selmani dhe Artur Daja e kanë përdhunuar.
Në shenjë hakmarrjeje, Aldo Bare vrau Artur Dajën dhe kokën e tij të prerë e lëvizi nëpër qytetin e Lushnjes në mënyrë demonstrative në vitin 1998. Me lot në sy, ajo tha në gjykatë se pasi e kishin përdhunuar në Shqipëri, të akuzuarit prej saj e kishin trafikuar në Itali. E gjitha kishte nisur në Shqipëri, ku ajo punonte si sekretare në Ndërmarrjen Elektrike të Lushnjës për pesë vjet, deri në vitin 1997.
“Atë ditë po shkoja në punë kur më ndalon në rrugë dhe nisi të më bënte komplimente. I thashë “Ik qërohu!”. Më pas arrita në zyrë dhe pas pak minutash futet brenda Artur Daja së bashku me tre persona të tjerë. Mbylli derën, i la ata jashtë dhe nisi sërish të më komplimentonte. I thashë të dilte jashtë, por aty nisi të më kapë me forcë dhe më përdhunoi. Askush nuk mundi të më ndihmonte, se kishin frikë”, – ka treguar Beqiri.
Një muaj më vonë, tmerri për të dashurën e Aldo Bares ishte përsëritur. Ajo tregoi se pas kësaj, sërish e kishin përdhunuar. “Më futën në makinë dhe qeshnin e talleshin me mua. Shkuam në një banesë në hyrje të Fierit. Aty gjeta dhe tri vajza të tjera që punonin si prostitute.” Një muaji pasi u prostitutua në Itali, ajo ia doli të largohej, dhe më pas përmes njohjeve të përbashkëta, ajo u prezantua me Aldo Baren dhe ishte e dashura e tij, deri në momentin kur ai u arrestua. Sot, asgjë nuk dihet më për të, ndërsa Bare vuan dënimin në burg.
Zani Çaushi, dashuria me Arjanën dhe pëllumbat në qeli.
Myrteza Çaushi, kapobanda i lagjes Çole në Vlorë, i arrestuar dhe i dënuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të viteve ’97 kur në Vlorë sundonte anarkia, është i njohur për banorët e Burrelit edhe për “mirësinë e tij”. Çaushi ka lënë gjurmë në këtë burg, ku ndryshe nga të tjerë të dënuar me burgim të përjetshëm, Çaushi besoi se jeta për të ende s’kishte përfunduar…
Ai ndërtoi familje brenda qelisë së ftohtë të burgut të Burrelit, ku u martua me Arjana Panxhën, dhe u bë babai i një djali… marrëdhëniet e mira të Zani Çaushit me drejtorët e burgjeve, sfiduan rregulloren duke bërë që çifti të ruante dashurinë që kishte krijuar me njëri-tjetrin. Pas transferimit të tij në burgun e Korçës, banorët e Burrelit thanë se Çaushi ishte shpirtmirë, dhe brenda burgut mbante pëllumba.
Edhe sot vijojnë teoritë konspirative nëse Çaushi i mbante këta pëllumba si simbolë paqeje apo si “korrierë” për të tejçuar mesazhe jashtë burgut. Pasioni i tij për pëllumbat e çoi deri në izolim, pasi rrahu gardianët e burgut kur tentuan që t’ja hiqnin. Pas transferimit të Çaushit, bashkëshortja e ndoqi pasi në Korçë, ku mori një shtëpi me qira, që të ishte pranë tij.
Dritan Dajti, dashuria e madhe që e çoi në arrestim.
Dritan Dajti, me gjasë krimineli më i zgjuar shqiptar, që ka arritur të arratiset në vitin 2003 nga brenda gjykatës, duket se ka qenë i butë në dashuri…
Efektivët e zbulimit, arritën që të gjenin fortesën ku fshihej Dritan Dajti me anë të gjurmëve të bashkëshortes së tij, emri i të cilës nuk ka dalë asnjëherë në media. Teksa ruhej me kujdes pas arratisjes nga gjykata, që të mos arrestohej, ai u “tradhtua” nga gruaja, e cila shkonte për t’a takuar shpesh në Durrës, por që efektivët e pikasën atë dhe lëvizjet e shpeshta.
Për 4 muaj, policia gjurmoi gruan e Dritan Dajtit për të mbërritur tek “preja”, dhe kështu ndodhi. Nga survejimi që iu bë shtëpisë së Dritan Dajtit në Tiranë, u ngritën dyshimet se ajo ishte shtatzënë dhe se çifti kishte nisur bashkëjetesën në Durrës.
Ditën që ndodhi masakra e Durrësit, agjentët e policisë kanë vëzhguar në itinerarin Tiranë-Durrës bashkëshorten e tij, e cila fillimisht ka ndaluar në afërsi të pistës “Iliria” në Durrës. Agjentët e policisë kanë marrë kontakte me drejtuesit e Policisë së Shtetit se kishin zbuluar fortesën e Dajtit në Durrës, e cila ishte një papafingo në katin e gjashtë të një pallati, në afërsi të vendndodhjes së gruas.
Sipas prokurorisë, gjatë zhvillimit të operacionit gruaja nuk ka qenë në automjet, por në një lokal aty pranë ku e priste. Gjurmimi i bashkëshortes së Dajtit realizohej prej katër muajsh dhe ditët e fundit çifti kishte menduar që të kalonin së bashku pushimet e verës, madje do të bashkëjetonin në “fortesë”.
Lul Berisha dhe Fiorentina Kotorri, biondja e apasionuar pushimeve që dëshmoi në gjykatë.
Lulzim Berisha, i njohur si kapoja i bandës së Durrësit, u arrestua në një apartament në Shkup, ku ndodhej bashkë edhe me të dashurën e tij, Fiorentina Kotorri. Njësoj si për Dritan Dajtin, edhe për Berishën, fati i keq që i solli policinë tek dera ishte dashuria e tij.