“Miss Universe Albania”, e etiketuar në media si “Gangsterja e Elbasanit”, ka pushtuar mediat së fundi duke u shndërruar në “personazhin” kryesor të kronikës për shkak të të fejuarit të saj, Leonard Duka.
Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi të tërheqë për hetim të gjitha dosjet e të kërkuarit Duka, person i shpallur në kërkim pas vrasjes së ish-policit, Santjago Malko.
Leonard Duka është pronari i lokalit ku dyshohet se u thur plani për vrasjen e ish-policit Malko.
Ndër dosjet që Prokuroria ka tërhequr për të verifikuar të gjitha veprimtaritë kriminale të tij, rezulton të jetë edhe ajo e prillit 2019, kur forcat e posaçme operacionale kanë marrë informacion se në katin e 12-të të një pallati pranë Medresesë ndodhej një grup personash të armatosur dhe ndërhynë duke arrestuar Leonard Dukën e tre persona të tjerë.
Në fashikuj është e zbardhur edhe dëshmia e Trejsi Sejdinit, e cila rezulton të jetë e dashura e tij dhe ditën e operacionit, më 8 prill 2019, është gjetur në banesën e tij. “BalkanWeb” siguron dëshminë e Trejsi Sejdinit asokohe, e cila ka rrëfyer për grupin hetimor të gjitha veprimet e saj atë ditë.
“Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, shtetasja Trejsi Sejdini, e cila është e dashura e shtetasit Leonard Duka dhe u gjet në banesën e tij në kohën që kanë shkuar punonjësit e Policisë.
Ajo ka shpjeguar veprimet e kryera prej saj gjatë asaj dite dhe faktin që ka folur në telefon me Leonard Dukën, të cilin e njihte prej dy vitesh, pasi ishte i fejuari i saj. Kur ka shkuar në banesën e tij, ka parë se aty ishin tre persona bashkë me Leonardin.
Sa ka hyrë në banesë, ka shkuar për të fjetur në dhomë me Leonardin, pasi ndihej e lodhur. Në mëngjes, rreth orës 08:00, ka qenë në gjumë, nuk e ka ndier Leonardin kur është ngritur, po ai i ka thënë të ngrihej se kishte ardhur Policia për kontroll.
Ajo nuk kishte dijeni në lidhje me fishekët e gjetur në banesën e Leonardit, armën e zjarrit të gjetur jashtë pallatit dhe sende të tjera”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, sipas të njëjtit burim.
Kujtojmë që kjo ngjarje e distancoi Trejsin nga rrjetet sociale, por ajo u kthye në maj me disa foto të nxehta, që nga mediat u komentuan “si festë e saj” pas lirimit të të dashurit nga burgu.
Me të brendshme të bardha dhe duke tymosur cigare, Trejsi vendosi të shfaqej mjaft e kuruar pas telasheve me të dashurin, i cili ra në pranga bashkë me tre personat e tjerë si kokë e grupit të kokainës “Duka” në Tiranë, i skeduar si grup i strukturuar i trafikut të drogës Shqipëri-Gjermani.
Më pas, mediat shkruanin se i dashuri ishte liruar, që do të thoshte se Trejsi i rikthehej jetës së lumtur me udhëtime dhe blerje super të shtrenjta që ai i bën. Ajo i injoroi komentet për fotot e nxehta të atyre që i bënë për daljen nga burgu të të dashurit pas një operacioni të bujshëm, duke mos thënë asgjë në lidhje me faktin që u përfol dhe ajo në shkrimet për këtë çështje.
Në dosjen e ardhur nga Gjermania, me kod “ZF/13-442 AL” dhe në 7 raportet e SHISH-it për vitin 2018, në skedën ”Leonard Duka dhe Grupi” u bashkëngjit edhe emri Trejsi Sejdini, si e dashura e tij, pjesë përfituese e trafikut të drogës, faktuar kjo lidhje e të dyve edhe me një foto, të publikuar në “Instagram” nga vetë “gangesterja e Elbasanit” ditën e Shën Valentinit, më 14 shkurt 2019.
Trejsi Sejdini u bë e famshme pas një rrahjeje publike që i bënë një shokut të tyre të gjimnazit në Elbasan, ndërkohë që më pas imazhi publik i saj u “zbut”, pasi u shpall edhe “Miss Universe Albania”.
Trejsi bëri përshtypje në postimet online me detajet nga jeta e saj luksoze, siç ishte ky Shën Valentin kur çifti zgjodhi ta shijojë nga Bali. Si asnjëherë më parë, Trejsi publikonte një foto me partnerin e saj, të cilën e fshiu vetëm pas pak minutash.
Për djalin në fjalë u tha se ajo ka një lidhje prej disa vitesh dhe se tani lidhja ishte konsoliduar edhe më shumë. Në rrjetet sociale në Tiranë ai njihej si biznesmen, ndaj dhe të dy e kanë luksin që të bëjnë një jetë superluksoze.
Prej disa muajsh, ata bashkëjetonin në një nga zonat më elitare të Tiranës, ndërsa në lidhje me luksin e saj, ajo ra në sy fillimisht për orën e dorës, e markës “Audemars Piguet”, që kushton plot $63,998. Ndërsa në ‘story’- n tjetër, ajo postoi një video ku shihej me të dashurin e saj, ndërsa shkruante: “E dua BAE-n time”, duke pohuar kështu se ai është mbështetësi dhe siguruesi i të mirave materiale.
Pas shpalljes në kërkim të Dukës, Trejsi i ka çuditur të gjithë me situatën. Vetëm pak orë pas lajmit, ajo bëri një postim në “Instastory”, ku shkruan: “Divat nuk bëjnë drama, ne bëjmë biznes”.
TREJSI SEJDINI, “GANGSTERJA” E VIDEOVE ME RRAHJE, QË U BË MISS
Trejsi Sejdini, e cila u bë e njohur pas një videoje ku shfaqej duke rrahur një djalë, tërhoqi në fillimet e saj mjaft fansa në rrjetet sociale. Vajza shtatlartë nga Elbasani, pas kësaj buje mori nofkën “gangsterja” e Elbasanit, edhe pse është vetëm 19 vjeçe dhe hyri në një garë bukurie, ku vajzat që marrin pjesë japin mesazhe paqeje.
E komentuar për pushimet luksoze në Dubai, ajo i mahnit të gjithë me linjat e saj. Po kush është fituesja e “Miss Universe Albania” e vitit të kaluar, që përfaqësoi Shqipërinë në “Miss Universe” ndërkombëtar? Më parë njihej vetëm nga videoja tek rrihte një djalë në rrugicat e Elbasanit, por për publikun u bë e njohur si e ftuar në “Top Show Magazine”.
Trejsi Sejdini iu rikthye edhe një herë videos së publikuar rreth 4 vite më parë në rrjetet sociale, ku ajo shfaqej duke goditur një djalë. Ajo tregoi se ishte penduar për atë që kishte bërë, duke i kërkuar falje djalit. “Kur jam filmuar tek ajo video, unë kam qenë vetëm 13 vjeçe.
Por që në moment i kam kërkuar falje djalit. Realisht, më vjen turp kur e shikoj atë video, por shyqyr që nuk më ka dalë fytyra, që kam fytyrë të vij sot këtu”, tha Trejsi në panelin e “Top Show”.
Më tej, vajza tregoi se ishte studente, ndërsa merret edhe me modeling. Por nuk zgjati shumë pendesa, pasi ajo iu rikthye zakonit pak kohë më parë. Trejsi u përfshi në një tjetër konflikt në një prej clube-ve të Tiranës, tek shihej në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.
Ajo u filmua teksa debatonte dhe më pas godiste me këpucë e shishe birre një person tjetër në club, ndërkohë që të tjerë ndërhynin që sherri të mos vijonte më tej. Megjithatë, me hiret e saj Trejsi ka tërhequr jo pak vëmendjen në club, çka me sa duket ka qenë edhe shkaku i sherrit.
Sa i takon stilit të jetës, ajo njihet si një vajzë pa tabu.
Në “Instagram”-in e saj, ku ka mbi 60 mijë ndjekës, shihen edhe punët e saj si modele, pasi ka marrë pjesë në klipe të ndryshme si modele; kujtojmë “Gang Gang” nga Fero dhe “Xhelozia” nga Mozzik.
Së fundmi, mund të themi se ka çmendur rrjetin me videon e postuar në “Instastory” gjatë një udhëtimi në Milano.
E veshur sportive, po me tufa eurosh në duar, ajo jep imazhin e një vajze të pasur dhe që shijon jetën në maksimum. Ndërkohë, në intervistat që ka dhënë më vonë është shprehur se tashmë ka ndryshuar dhe se dëshiron ta shohin si vajzën e mirë dhe seksuale, që tërheq vëmendjen me sensualitetin e saj, siç ka bërë me fotot e fundit.
RRËFIMI I TREJSI SEJDINIT: TANI MENDOJ SI TË FITOJ PARA, PLANI PËR TË JETUAR DIKU LARG
19-vjeçarja mbi 1 e 80 e gjatë, Trejsi Sejdini konkurroi në “Miss Universe” 2018 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fituesja nga Elbasani e “Miss Universe Albania 2018” realizoi klipin, ku zbulonte jetën e saj të përditshme dhe pamjet nga Shqipëria, si përfaqësuesja e edicionit të 68-të, një kompeticion me 500 milionë shikues, që transmetohet “live” në FOX News.
Në një intervistë për “Panorama Plus”, ajo shprehej: “Ky epiteti ‘Gangsterja e Elbasanit’ më ka shoqëruar gjatë dhe të them të drejtën, nuk është në shijet e mia. Dua të cilësohem si Trejsi që është përkushtuar në këtë kompeticion me gjithë qenien e saj, për të zënë një ndër vendet më të mira. Sigurisht që e shikoj ‘Miss Universe’ si një trampolinë suksesi dhe që do më hapë mjaft dyer në mbarë botën”.
Po ç’tha ajo për klipin, me të cilin u prezantua në këtë garë ndërkombëtare? “Në këtë fabul jam munduar të tregoj anën time humane, të shfaq sa më shumë peizazhe të Shqipërisë sonë të bukur.
Gjithashtu, në klip ka edhe pjesë të jetës sime të përditshme”. Pyetjes pse mund ta quajmë të bukur dhe pse bishë, ajo i përgjigjet: “E bukur dhe bishë janë dy epitete që shkojnë mirë me njëra-tjetrën dhe i kam dëgjuar shpesh teksa m’i përmendin.
Por nuk më takon mua të them pse jam cilësuar si e tillë, por publikut, i cili më shikon si të tillë”. Po a e tundojnë diamantet dhe kartëmonedhat euro, ashtu siç është komentuar në disa media?
“Nuk besoj se ka njeri që nuk i pëlqejnë gjërat materiale, por nuk mendoj se janë prioritetet e mia aktualisht.
Shpresoj të fitoj goxha para dhe me to t’u përkushtohem fondacioneve të ndryshme në ndihmë të fëmijëve në nevojë, pasi e shoh si një ndër problemet më kryesore që bota përballet”.
Po kur e imagjinon veten të martuar Trejsi? “Sigurisht, pas disa vitesh e shikoj veten time diku larg, në një vend të qetë, me një familje të madhe./ Panorama Plus