Vendimi për pafajësinë e Saimir Tahirit nuk është marrë në unanimitet nga të gjithë anëtarët e trupit gjykues. Madje, kjo ka qenë edhe arsyeja, se përse u deshën më shumë se 10 orë “debat” në dhomën e këshillimit për të dalë me vendimin përfundimtar për ish-ministrin e Brendshëm.
Burime të sigurta në Gjykatën e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur për Gazetën Shqip, se gjyqtari Ardit Mustafaj, që në fakt lexoi vendimin përpara Tahirit, përfaqësuesve të tij ligjorë, medias dhe mbështetësve të tjerë të ish-ministrit nuk ka qenë dakord me rrëzimin e të gjitha akuzave.
Mustafaj ka kërkuar që të pranohej dhe të merrej vendim dënimi për njërën prej akuzave të Prokurorisë. Gjyqtari nuk ka qenë dakord me ndryshimin e klasifikimit të veprës penale ndaj Tahirit, teksa shfaqi rezerva. Sipas gjyqtarit, nëse do të kishte një riklasifikimit të veprës penale ndaj ish-ministrit, detyrimisht duhet të ishte ajo e përkrahjes së organizatave kriminale për shkak të funksionit të tij publik dhe jo ajo e shpërdorimit të detyrës, sikurse këmbëngulnin dy anëtaret e tjera të trupit gjykues.
Kjo ka qenë edhe pika shumë e debatueshme e gjyqtarëve, që nuk kanë qenë në një mendje. Në fakt, një pjesë e provave të Prokurorisë ishin të dukshme në fajësinë e tij, ashtu sikurse kishte edhe mjaft të tjera në mospërputhje të plotë me çfarë deklarohej – ka pohuar gjyqtari Mustafaj.
Ndërkohë, dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues të Krimeve të Rënda, respektivisht Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka kanë qenë të bindura plotësisht për dënimin e Tahirit vetëm për shpërdorim detyre, një akuzë e papërfillshme dhe thuajse e pashënuar në dosjen e Prokurorisë, kur kjo e fundit kërkoi 12 vjet heqje lirie.
Prokuroria e akuzonte Tahirin për “Trafikim të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Por për Gjykatë këto akuza nuk u faktuan me prova dhe madje për këtë u bë edhe ndryshimi i cilësimit të veprës penale, duke e gjetur fajtor për “Shpërdorim detyre”.
“I pandehuri Saimir Tahiri, duke mbajtur kontakte të tilla të pashpjegueshme me Habilajt, si dhe mosmarrja e masave për kanabizimin dhe përfshirjen e Policisë në këtë fenomen, ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, tha gjyqtari, teksa lexoi arsyetimin se pse trupi gjykues kishte bërë ndryshimet.
Teksa lexoi edhe vendimin e Gjykatës së Katanias për pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit, Mustafaj tha se bisedat e anëtarëve të grupit të Habilajve, të cilët pretendojnë për dhënien e përfitimeve ish-ministrit, nuk vërtetohen me asnjë provë dhe fakt tjetër, duke mbetur vetëm në kuadrin e dyshimeve.
Më tej, Gjykata arsyeton në ndryshimin e veprës edhe me faktin se nuk vërtetohet një marrëveshje mes Tahirit dhe qoftë një anëtari të vetëm të Habilajve për krijimin e lehtësirave. “Vërtetohet se Moisi Habilaj ka përdorur emrin e ish-ministrit për të krijuar idenë e fuqisë, por nuk vërtetohet marrëveshja e tij me të paktën një anëtar të grupit, duke bërë që të mos vërtetohet akuza”, tha gjyqtari.