Një ngjarje e pazakontë dhe në kufijtë e llahtarisë ka ndodhur në Tiranë, ku një manjak seksual i fiksuar pas katër vajzave që qëndronin me qira, i përndiqte dhe masturbohej përballë derës së apartamentit të tyre në Tiranë.
Ngjarja e tmerrshme ishte kthyer në një ritual për Ervis Sallakun, i cili në mënyrë të vazhdueshme ndiqte vajzat dhe pasi shkonte në sheshpushimin e shkallëve të pallatit 7 katësh, ku ato qëndronin, hiqte pantallonat e niste masturbohej, ngjitur me derën e apartamentit të tyre.
Sjellja e pahijshme e këtij personi, kishte lemeritur dhe banorët e pallatit ku qëndronin me qira vajzat, por akush nuk kishte marë guximin ta denonconte në polici. Të trembura dhe llahtarisura nga ky ritual i pazakontë i manjakut Ervis Sallaku, njëra nga vajzat ka vendosur ta filmojë me telefon nga syri magjik i derës, video kjo tashmë e administruar në dosjen e prokurorisë së Tiranës.
“Shqiptarja.com” mëson se autori i këtij krimi, është arrestuar nga forcat e policisë të komisariatit nr.2 në Tiranë, menjëherë pas denoncimit të dy vajzave me inicialet E. H. dhe S.P.Ndërkohë çështjen penale e administroi prokurori Gjergji Tako, i cili në gjykatë kërkoi dënimin e Ervis Sallakut me 4.5 vite burgim për akuzën e “Ngacmimit seksual”. Por në fund të gjykimit, Sallaku u shpall fajtor nga gjykata dhe u dënua me 3 vite burgim, por duke pasur parasysh gjykimin e shkurtuar ky dënim u zbrit me 1 vit dhe përfundimisht, manjaku seksual u dënua me 2 vite burgim.
Në materialin hetimor thuhet se në datën 21 shkurt 2019,rreth orës 20:20 E.H dhe S.P janë paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë për të depozituar kallëzim penal ndaj Ervis Sallaku. Në këtë kallëzim ato shprehen se: “…është bërë një problem për mua dhe shoqet e mia që jetojmë në një shtëpi po ashtu dhe për banorët e pallatit.
Ky person ka kohë që na ndjek dhe po ashtu dhe na vjen dhe te pallati ku sa hyn lart te shkallët e shesh-pushimit të katit të shtatë aty ku kemi hyrjen, ai heq pantallonat dhe fillon të masturbohet. Për këtë i kemi bërë dhe video ku e kam filmuar nga syri i derës së apartamentit. Dua të them se sa herë që ne dalim nga shtëpia apo kthehemi për në shtëpi ai vjen dhe na ndjek nga pas.
Nuk na thotë ndonjë gjë, por bën veprime të turpshme. Më herët nuk kemi bërë kallëzim pasi kemi menduar se do të marr vesh. Ditën e sotme ai na është vënë nga pas dhe më ka ndjekur deri në afërsi të hyrjes së pallatit, por nuk u ngjit lart pasi nuk ishim vetëm, por edhe me gocat e tjera. Kur jemi dy ose tre shoqe nuk ngjitet lart, por kur jemi vetëm ai ngjitet deri lart dhe fillon e masturbohet para derës së apartamentit…”.
Menjëherë është lokalizuar dhe arrestuar ky person i cili rezultoi të jetë Ervis Sallaku. I pyetur nga policia si person ndaj të cilit zhvillohen hetimet, i pandehuri Ervis Sallaku e pranon akuzën, por ai shprehet se nuk është e vërtetë që këto veprime i ka bërë në mënyrë të vazhdueshme, por me raste. Të gjitha dëshmitë e provat e tjera shkresore të shqyrtuara në këtë gjykim hedhin dritë plotësisht mbi mekanizmin e ngjarjes, mënyren e kryerjes së veprës penale, qëllimin dhe fajësinë e Sallakut./Shqiptarja.com