Historia e internimit dhe përndjekjes së Alma Liços, mbesës së Muamer Liços, të diplomuar në Harvard dhe të pushkatuar nga regjimi komunist. Edhe pse vajza e dy mësuesve dhe nxënëse e shkëlqyer, komunizmi nuk i dha asnjë mundësi arsimimi tej vitit të parë të shkollës së mesme, duke e detyruar të punonte në bujqësi që në moshën 15 vjeçe… siç i kishte thënë mësuesja e fillores
Ditën kur familja u internua nga Tirana në zonën e Dumresë, Alma mbushi 10 vjeç. Ishte dita e fundit e fëmijërisë. I ati filloi t’i tregonte, duke e parë në sy, arsyen e ndryshimeve që goditën jetën e tyre. Babai i tij, Muamer Liço, kishte qenë avokat i diplomuar në Harvard dhe ishte pushkatuar nga regjimi komunist në vitin 1945. Për këtë arsye, në kuadër të luftës së klasave, e cila prodhoi shumë viktima gjatë viteve të diktaturës, edhe pse Shqipëria zyrtarisht ishte në gjendje paqeje, ata nuk do të kishin më punën, shtëpinë, shkollën, shokët dhe mësuesit që kishin pasur, por do t’iu nënshtroheshin vendimeve të Partisë e cila i shihte si armiq. Pikërisht këtu, edhe pse mund të mos ketë perceptuar gjithçka saktë, Alma ndali së qeni fëmijë.
Sigurisht, fjalët e të atit, u bënë më të thjeshta, nga pamja e banesës që i priste në Belsh: një kasolle e mbuluar me kashtë dhe e shtruar me dhe, ku do të jetonin dy prindërit dhe tre fëmijët, nga të cilët ajo qe më e madhja. As mësuesja nuk do të ishte shumë miqësore, duke ndihmuar që 10-vjeçarja të kuptonte më mirë çfarë do të thoshte të ishe pjesë e një familjeje të internuar.
Në librin e botuar pak vite më parë, “Krahë të këputur”, Alma Liço Gjurgji, e përshkruan me detaje këtë episod që nuk i është fshirë nga kujtesa.
“Ndërsa marrëdhëniet me fëmijët e tjerë po ecnin drejt normalitetit, nuk mund të them të njëjtën gjë për mësuesen. E krahasoja me mësuesen time të mrekullueshme në Tiranë dhe ndjeja se ajo nuk donte t’ia dinte fare për ata fëmijë, që ndonëse frekuentonin shkollën, ishin pothuajse analfabetë. Ndryshe nga ata, unë kisha pasur fatin të më rrinin mbi kokë tre mësues në shtëpi. Sigurisht, këtu përfshij edhe gjyshen. Prindërit e atyre të ngratëve gdhiheshin e ngryseshin arave për të siguruar bukën për fëmijët e shumtë që sillnin në jetë. Në shenjë hakmarrjeje, me pushtoi dëshira ta sfidoja. Ishte një formë rebelimi. Veçanërisht në orën e matematikës, që ishte lënda ime e preferuar. I bëja pyetje me të cilat e vija në vështirësi. Madje, ndjeja një lloj kënaqësie të pakuptueshme, kur asaj i ndryshonte ngjyra e fytyrës. Kishte raste kur i kërkoja mënyrat alternative për zgjidhjen e disa problemeve. Duke kërcitur dhëmbët, ajo e duroi disa ditë këtë situatë, por një ditë në pamundësi për t’iu përgjigjur pyetjes sime, në kulmin e tërbimit më tha: “-Mëso sa të duash, kazma të pret”. Ky shpërthim ndodhi në klasë, në sy të gjithë fëmijëve, të cilët shihnin të habitur herë mua, herë mësuesen. Unë kisha pritur një reagim prej saj, por kurrë kaq të pamëshirshëm dhe vrasës të shpresës dhe ëndrrave. Isha aq e mpirë, gati të qaja.
Në atë regjim çnjerëzor kishe ndrojtje edhe të qaje… Lotët mund të konsideroheshin pakënaqësi dhe sfidë për sistemin. Lotët e pafajshëm të një krenarie të vrarë ishin kërcënim. Ka disa momente në jetë që lënë gjurmë të thella dhe ky ishte një prej tyre. Ndjeva të ndahesha në copëza të brishta e të dëshpëruara, të cilat më zbehën besimin se një ditë do të arrija t’i mblidhja e t’i ngjisja sërish.”
Alma, pas pak kohe do të kthehej sërish në Tiranë, për të jetuar me gjyshen nga e ëma, sepse gjyshja nga i ati kishte ndërruar jetë kohë më parë, para pushkatimit të bashkëshortit, duke lënë në atë kohë 4 fëmijë jetimë, përfshirë edhe babain e Almës, Nevzatin, të cilët u flakën në rrugë. Në shtëpinë e gjyshes, e cila, sipas rregullave të atëhershme kishte më shumë hapësirë nga sa shteti gjykonte të arsyeshme për një person, kishin sjellë edhe një banor, i cili vuante nga çregullimet mendore pas një aksidenti që kishte pësuar. Gjyshja dhe mbesa u mësuan të jetojnë me dyer të mbyllura brenda shtëpisë, por në vitin 1972, gjatë një epidemie gripi, gjyshja u sëmur dhe ndërroi jetë duke e lënë Almën pa mbështetjen kryesore të atyre viteve.
Si pak njerëz do të bënin në atë kohë, Almën e mori në shtëpi familja e shoqes së saj, Ritës, ndërkohë që ajo përfundoi klasën e tetë në Tiranë. Është një periudhë e mbushur me kujtime për çdo të ri të asaj moshe, por Alma e përjetonte në mënyrë të veçantë, njëkohësisht duke qenë dhe duke mos qenë pjesë e asaj atmosfere të mbushur me ëndërrime të pashmangshme, por që për të, ishin të mohuara.
“Po afronin provimet dhe isha tërësisht e përqendruar të përgatitesha sa më mirë. Me Ritën pranë, kjo gjë ishte më e lehtë, pasi mbështesnim njëra-tjetrën. Shoqet dhe shokët e klasës kishin vendosur pak a shumë si do t’i vijonin studimet më tej. Prindërit e tyre kishin filluar përpjekjet për të siguruar shkollën e dëshiruar, ndërsa unë nuk kisha kurajo të mendoja se çfarë më priste. Gjithçka ishte aq e zymtë. Veçanërisht muajt e fundit, disa nga mësueset e shprehnin hapur keqardhjen për pamundësinë e të qenit e barabartë me të tjerët. Përpiqeshin të më thoshin ndonjë fjalë inkurajuese, por pa dobi. Nuk kishin asgjë në dorë të ndryshonin fatin tim të parashkruar. Mbërritën dhe ditët e provimeve. Unë isha përgatitur mjaft mirë dhe u paraqita shkëlqyeshëm.
Pata një lloj dileme për provimin me shkrim të letërsisë. Ishte një hartim me temë që lidhej me mrekullitë e socializmit shqiptar. Duhej të shkruaja për diçka që nuk kishte lidhje fare me atë që ndjeja dhe mendoja, një hipokrizi e gjallë. Ishte si të dilja kundër vetes. U përpoqa shumë. Megjithatë, arrita të hidhja disa fjalë të bukura në ato rreshta. Në perceptimin tim, e tërë përmbajtja e asaj që kisha shkruar ishte patetike dhe pa jetë. Mora vlerësimin maksimal. Nuk isha aspak e sigurt, nëse e meritoja. Me sa duket mësuesja e letërsisë e kishte mirëkuptuar zbrazëtinë time. Ajo e njihte shumë mirë raportin që familja ime kishte me diktaturën dhe socializmin. Përfundimi i sezonit të provimeve ishte çlirim për të gjithë. Sado e përgatitur të jesh, paraqitja përpara një komisioni që kërkon të eksplorojë njohuritë e tua të fituara në vite, është shumë stresues. Organizuam një festë të vogël lamtumire. Rrugët e jetës në mënyrë të pashmangshme po ndaheshin.
Gjithkush do të merrte drejtimin e vet. Vetëm unë nuk kisha të drejtë të ëndërroja dhe të shprehesha për perspektivën time. Ishte kaq emocionuese dhe e trishtueshme njëkohësisht. E parandjeja se shumë prej tyre nuk do të kisha rastin t’i takoja më kurrë…Brenda pak minutash m’u rikthyen shumë situata të bukura dhe të trishtuara që kishin shoqëruar fëmijërinë time. Po të qëndroja edhe ca, isha gati t’ia plasja të qarit dhe nuk kisha kërrkënd pranë të më fshinte lotët. Pasi kontrollova edhe një herë dyert nxitova të largohem, për të mos humbur trenin. Si asnjëherë tjetër, ai nuk ishte i mbingarkuar me udhëtarë. U ula në një kabinë pranë dritares… Ditët e fundit kisha përjetuar shumë emocione që kishin në themel të tyre lamtumirën.”
U kthye sërish në Tiranë për të vazhduar shkollën e mesme teknike, por mundësia që vajza e deklasuar të arsimohej, do të zgjaste vetëm një vit.
“….Shtatori erdhi sërish shumë shpejt dhe më duhej të kthehesha në Tiranë për të vazhduar vitin e dytë të shkollës. Këtë radhë më shoqëroi vëllai im, i cili ishte rritur, madje ishte bërë më i gjatë se unë. Nuk kisha pikën e entuziazmit që po rikthehesha në shkollë. Kisha një parandjenjë të keqe. Çdo vit duhej të rikonfirmohej regjistrimi. Hyra në shkollë për të kryer këtë procedurë. Oborri ishte plot me nxënës që kishin ardhur për të njëjtën arsye. Mësimi fillonte dy ditë më pas. Me hapa të shpejtuara, u shmanga të mos takoja asnjërin. Me një lloj pasigurie dhe ndrojtjeje u futa në godinën e degës elektrike. Ngjita me shpejtësi shkallët dhe vura re se dera e zyrës së drejtorit, në katin e dytë ishte gjysmë e hapur. Ai ishte mësues fizike dhe matematike, me autoritet të padiskutueshëm. Trokita lehtë. Drejtori më ftoi të futesha në zyrë, por njëkohëshisht vura re që u prish në fytyrë. Pasi më pyeti sesi i kisha kaluar pushimet, i vënë dukshëm në vështirësi, më tha se ishte i detyruar të më informonte se unë nuk mund të vazhdoja më shkollën aty.
Më tej vijoi me fjalë ngushëlluese se isha e re dhe nuk duhej të dekurajohesha, se jeta do të më ofronte mundësi të tjera. Ndonëse për një moment u mpiva, në të vërtetë për mua ishte fundi i një ankthi, e kisha parandjerë, e kisha pritur një fund të asaj natyre. E mësuar me goditje dhe shtypje të tilla, u përpoqa të mblidhja menjëherë veten dhe me gjysmë zëri e pyeta se kush ishte shkaku i këtij përjashtimi. Dhe përgjigja që mund të tingëllojë shumë e çuditshme dhe gati e pabesueshme ishte kjo: “…nuk duhej të merrje dhjeta në mësime, dikush të ka njohur nga fotoja në tabelën e nderit dhe morëm urdhër të prerë që të mos vazhdosh më këtu”. Nuk kishte vend për asnjë koment. Me zemër të copëtuar i dhashë dorën dhe njëkohësisht lamtumirën. Në të vërtetë nuk pata më rastin ta takoja kurrë këtë profesor që ia lexova keqardhjen e të qenit i detyruar të flakte në rrugë një nxënëse 15-vjeçare, e cila kishte “guxuar” të merrte vlerësime maksimale në mësime. Me të njëjtën shtysë për të mos takuar askënd, u largova me shpejtësi nga ajo shkollë për të mos u kthyer më…”
Siç kishte ikur një vit e ca më parë nga oborri i tetëvjeçares dhe nga nxënësit, me të cilët e dinte që nuk do të kishte të njëjtin fat. Ajo ishte mbesa e një armiku, ishte bija e një familjeje të internuar, nuk mund të ishte nxënësja e dalluar e një shkolle të mesme në kryeqytet. Alma u kthye në Dumre, ku punoi në bujqësi, u martua, u bë nënë e dy fëmijëve dhe jetoi deri në vitin 1991, kur tashmë kishte mbushur 33 vjeçe.
Mësuesja e fillores kishte pasur mizorisht të drejtë…/kujto.al