Kur Edi Reja bëri publike listën me lojtarët e thirrur për dy ndeshjet eliminatore të shtatorit me Francën dhe Islandën, mes gjithë të tjerëve njëri bëri më tepër përshtypje.
Klaus Gjasula 29 vjeç debutoi me ekipin kuqezi në humbjen e thellë 4-1 me Francën. Pak minuta luajti në atë ndeshje, por vëmendjen e mori dhe jo vetëm për shkak të kaskës që mban në kokë, por më shumë për stilin se si luajti në ato pak minuta, kur gjithë pjesa tjetër e ekipit ishte e dërrmuar moralisht pas 4 golave të francezëve.
Ato pak minuta në “Stade d’France” zgjuan kureshtjen e të gjithë tifozëve të Kombëtares, kush është ky djalë që fshihet pas asaj maske e bën të ngjashëm luftëtarët e antikitetit.
Karriera nga amator në Kombëtare
“Spartaku”, siç prej 6 vitesh e thërrasin kudo nuk ka kaluar përmes një karriere të lehtë. I lindur në Frajburg, të vetmet gjëra që e lidhin me Shqipërinë janë origjina dhe familja e tij, e cila një pjesë është ende në Tiranë. Në gjurmët e vëllait të tij, Jurgen Gjasula e lidhi jetën e tij me futbollin.
Me hapa shumë të ngadaltë, por të sigurt, për Klausin vitet kaluan teksa ai shikonte që në kulmin e moshës së tij karrierën po bënte në kategoritë inferiore të futbollit gjerman. Nga Freiburger te Bahlinger SC, MSV Duisburg II, Offenbach, Stuttgard Kickers, te Hallescher FC dhe së fundmi te Padeborni, karriera e Klaus Gjasulës për një dekadë u end mes Kategorisë së parë dhe të dytë në futbollin gjerman. Kalimi verën e shkuar nga Hallescher në Bundesaliga 2 te Padeborn ishte lëvizja e jetës për 29-vjeçarin.
Pikërisht në këtë moshë relativisht të madhe për një mesfushorë, Klaus Gjasula bëri debutimin në elitën e futbollit gjerman, njërin nga pesë kampionatet më të fortë të Europës. Por debutimi në Bundesligë me Padebornin në gusht ishte vetëm fillimi i mrekullisë për Gjasulën, i cili falë paraqitjeve shumë të mira me këtë ekip ra në syrin e trajnerit Edi Reja. Një specialist në gjurmimin e lojtarëve si Reja nuk mund ta linte t’i shpëtonte nga dora kjo mundësi, edhe pse mosha e Gjasulës nuk është idealja për të debutuar me kombëtaren.
Nofka spartak
Klaus Gjasula përtej lojës së tij në fushë e tërhoqi vëmendjen e të gjithëve falë kaskës që ai mban përherë. Në fakt nuk e ka mbajtur gjithë karrierën e tij, por duke filluar prej vitit 2013, ku pas një dyluftimi të ai pësoi një frakturë, e cila ia bën të domosdoshme mbajtjen e kaskës gjatë ndeshjeve. Që nga ai moment ai e mban në çdo ndeshje këtë kaskë mbrojtëse për të shmangur çdo problem që mund t’i shfaqet.
Madje Gjasula është kthyer edhe në një lobues të fortë për të futur në përdorim maskën për të gjithë lojtarët në Bundesligë. “Unë mendoj se do të kishte kuptim nëse të gjithë lojtarët do të mbanin një helmetë,” tha 29-vjeçari në një intervistë për T-online.de. “Në fillim pata disa probleme me shikimin tim, por u mësova shpejt dhe u ndjeva shumë rehat pas një kohe të shkurtër. Tani mendoj se të gjithë lojtarët e tjerë të Bundesligës në të ardhmen duhet të mbajnë kaskë mbrojtëse”, thotë Gjasula.
Vëllezërit në kombëtare
Mbiemri Gjasula është i njohur për tifozët e Kombëtares. Jo më larg 6 vite më parë në 7 qershorin e vitit 2013 me fanellën kuqezi do të debutonte Jurgen Gjasula, vëllai i madh i Klausit. Jurgeni luajti vetëm një vit me Kombëtaren, pasi dëmtimet dhe karriera me luhatje të mëdha e larguan nga ekipi i De Biazit, që një vit më vonë nisi fluturimin drejt Europianit.
Kjo nuk është hera e dytë që dy vëllezër veshin fanellën e Kombëtares shqiptare, pasi më herët me ekipin kuqezi kanë luajtur edhe dy vëllezërit Basha, Migjeni dhe Vullneti. Në ndryshim nga vëllezërit Basha, ku më i miri rezultoi më i madhi, ndërsa te Gjasulat pritet shumë nga Klausi që të paktën edhe në tre vitet e ardhshme të jetë titullar i padiskutueshëm në qendër të fushës.
Impakti në lojën e Shqipërisë që në ndeshjen e parë
Niveli i Klaus Gjasulës nëse para se të zbriste në fushë mund të vihej në diskutim, tani u kuptua fare qartë. I mirë pozicionuar gjatë gjithë lojës, taktik dhe fizik Klaus Gjasula i ka të gjithë cilësitë që kërkon trajneri Edi Reja për idenë e lojës që dëshiron të prodhojë.
29-vjeçari në ndeshjen e tij të para nga fillimi me Kombëtaren në fushë nuk ngjasonte aspak me një debutues, i qetë, i saktë dhe i ofronte garanci ekipit kur topi ishte në këmbët e tij. Bashkë me Kejdi Baren që erdhi nga Kombëtarja Shpresa, Gjasula pritet të jetë boshti ku Edi Reja do të mbështet për këtë cikël të ri që po tenton të sjellë në ekipin kuqezi.