Një letër nga babai dërguar të birit po qarkullon në rrjetet sociale, pikërisht dje në ditën e parë të shkollës.
Në letër shkruhen këshillat që një baba ka për djalin e tij, të cilin e udhëzon që të mos bëhet ziliqar por të ndihmojë personat në nevojë.
Për të ironizuar letrën si foto kryesore e saj është vendosur djali i ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Eriku.
LETRA PREKESE E ISH – GUVERNATORIT FULLANI PER DJALIN E TIJ ERIK
Bëhu njeri!
Biri i im, e di që nuk mund të t’i plotësoj dot të gjitha. E di që dikush apo shumë nxënës në klasën tënde do të të mburren me iPhone, tablet, ora e biçikleta të shtrenjta.
Bëj durim bir, se ky është momenti i ditës së parë të shkollës, por edhe i burrërisë. Nuk mund të t’i shpjegoj dot të gjitha sepse nuk do të më kuptosh, por jeta vazhdon dhe ky nuk është momenti që duhet të ndalesh.
Në moshën tënde shumë gjëra që i kisha ëndërruar, nuk munda t’i kem në jetë, por Zoti bir më dha shumë gjëra të tjera me vlerë. Më dha të kuptoja se buzëqeshja e një nevojtari vlen më shumë se pasuria e një prindi mendjemadh që kompleksohet, e fëmijërinë së tij e përmbush duke tjetërsuar fëmiun e vet.
Durim bir, nëse nuk mund të të dhuroj dot gjërat e fundit të teknologjisë, veshjeve, babai yt të dhuron gjumin e qetë, besimin, fjalën e mirë, këto kanë më shumë vlerë se çdo pasuri. Të jesh mbi të gjitha njeri, të japësh dashuri dhe të durosh pa u bërë si ata që këtë jetë e kanë garë dhe mburrje, është sfida me të cilën nesër do krenohesh…
Për ata që nuk e kujtojnë Banka e Shqipërisë u përfshi nga një skandal i përmasave të pazakonta në vitin 2014, kur në bilancet e saj mungonin jo pak por 713 mln lekë të reja ose e 6.6 mln dollarë. Mes të arrestuarve ishte edhe ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Por Fullani u la i lirë me vendim të Gjykatës së Tiranës, edhe pse Prokuroria kërkoi 5 vite burg për të me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ky i fundit jo vetëm që nuk u dënua por mori dëmshpërblim me një vlerë prej rreth 42 mln lekë të reja.