Nuk është vetëm mungesa e Kushtetueses, Gjykatës së Lartë, por e gjithë klima e krijuar nga Reforma në Drejtësi po çon drejt rritjes dhe jo uljes së korrupsionit.
Në një analizë, ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, qartëson pse është arritur në këtë pikë ku “prej më shumë se një viti, gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë mund të japin çfarëdolloj vendimi dhe askush nuk mund t’i kontrollojë për korrupsionin eventual”.
Por ish-nënkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi jep edhe zgjidhjen dhe tregon se si bankat e nivelit të dytë, të paktën dy prej më të mëdhave, e kanë gjetur çelësin.
“Bankat kanë bërë një ‘listë të zezë’. Ato kanë të dhëna të plota të anëtarëve të ‘KÇK’ dhe një vendim gjyqësor i SPAK nesër (kur të krijohej SPAK) mund t’i merrte këto të dhëna”, thekson Halimi në analizën e tij.
EDUARD HALIMI
KÇK, BANKAT DHE ILD SI SHPËTIM
Prej më shumë se një viti, Shqipëria është i vetmi vend në botë që nuk ka as Gjykatë të Lartë dhe as Gjykatë Kushtetuese. Edhe në vendet e botës së tretë apo në vendet diktatoriale, të paktën formalisht, ka një Gjykatë Supreme. Te ne jo!
Si askund në botë, te ne Gjykatat e Apelit kanë “pushtetin” e “përkohshëm” që të marrin vendime, të cilat janë përfundimtare (as pezullohen dot dhe radha për në Gjykatën e Lartë nuk dihet pas sa vitesh vjen). Por, përveç kësaj, druaj se në situatën ku jemi sot ne, jemi unikë për të paktën 3 rekorde:
1) I vetmi vend bote pa Gjykatë Supreme (Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese)
2) I vetmi vend në botë ku gjyqtarët dhe prokurorët nuk kontrollohen për vendimet që japin aktualisht (vetingu kontrollon pasuritë, etikën dhe formimin) dhe procesi i llogaridhënies ndaj korrupsionit eventual për vendime është zero,
3) I vetmi vend në boten demokratike që institucionet e drejtësisë do krijohen/votohen nga një Parlament i një partie politike. (opozita ka djegur mandatet).
Nuk ka dyshim se formimi i institucioneve të reja në drejtësi do të marrë akoma shumë kohë. Siç shkruam para rreth një muaji, krijimi i Gjykatës Kushtetuese është ende larg. Në atë kohë, shumë thoshin se GJK do të krijohet në korrik, disa në gusht dhe të tjerë përbetoheshin se shtatori do ta gjente të krijuar.
Më vjen mirë që pas reagimit të Presidentit, KED reagoi pozitivisht dhe rihapi garën. Më vjen mirë që edhe KED ndoqi variantin pozitiv, për të cilin shkruam, rihapjen e garës dhe një listë prioritare për vetingun e tyre.
Por këto vakanca të forta nuk është se nuk priteshin apo që as nuk i kishim menduar. Opinionet e Venecias 2015-2016, të cilat pasqyronin shqetësimet e PD-së, e shprehnin qartë skepticizmin për krijimin e vakancave nga mungesa e oazit të profesionistëve që do krijonte vetingu. Pritej, po ashtu, edhe destabilizimi i sistemit gjyqësor. (paragrafët 99-102, opinion i Venecias, dhjetor 2015).
Nuk ka asnjë shenjë dyshimi sot se PD ka pasur të drejtë që BKH të mos ngrihej nën Ministrinë e Brendshme; (mendoni sikur PD të kishte qenë jashtë reformës, PS ta kishte miratuar e vetme dhe BKH të ishte nën Ministrinë e Brendshme prej 2015) siç nuk ka pikë dyshimi se PD ka pasur shumë të drejtë për SPAK (që e miratoi me 140 vota).
E thënë shkurt sot: PD nuk ka qenë kurrë kundër reformës! Ka qenë kundër draftit të hartuar në mënyrë të njëanshme derisa erdhi në formën e duhur pas ndërhyrjes së Venecias, dhe siç del e qartë sot e çdo ditë, vërejtjet e saj kanë qenë thelbësisht racionale.
Ekzistenca e pjesës së sëmurë, të korruptuar të sistemit të drejtësisë, ishte arsyeja më racionale e gjithë Reformës së Drejtësisë dhe nëse vërejtjet racionale të PD-së do ishin dëgjuar, procesi i reformës, përfshi dhe vetingun si proces i luftës ndaj pjesës së sëmurë sot do të ishte më i thellë, më i vërtetë e i paanshëm, dhe mbi të gjitha më i besueshëm.
E thënë sot, larg debateve politike, përtej çdo ekuivoku, shumica e qëndrimeve të PD-së, në kohën e hartimit/diskutimit të reformës, kanë qenë tejet racionale dhe kjo është faktuar ditë pas dite. Por, përveç mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si vend unik në botë, nga ana tjetër, prej më shumë se një viti, gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë nuk i kontrollon askush. Askush.
Ata mund të japin çfarëdo lloj vendimi dhe askush nuk mund t’i kontrollojë për korrupsionin eventual. Inspektorati i ish-KLD nuk funksion, Ministria e Drejtësisë nuk ka të drejtën t’i kontrollojë dhe po ashtu edhe Prokuroria e Përgjithshme nuk i kontrollon prokurorët. Vendimet që ata japin çdo ditë, nuk i nënshtrohen asnjë lloj inspektimi, pasi ILD nuk është krijuar dhe as nuk dihet se kur do të krijohet.
KÇK
Ndërkohë që KLP, KLGJ, KPK, KPA dhe KED janë krijuar dhe po ecin, jemi akoma larg krijimit të GJK, GJL dhe ILD, një tjetër “institucion” po merr formë çdo ditë e më tepër: “KÇK”.
KÇK është sot “organizata” me numrin më të madh të gjyqtarëve e prokurorëve në sistemin e drejtësisë. Ajo ka më shumë anëtarë se KLP, KLGJ, KED, KPK etj.
Ajo nuk ka kryetar. Nuk ka as strukturë të posaçme, as rregullore dhe anëtarët e saj shtrihen te të dyja anët e sistemit të drejtësisë. Sa te Gjyqësori, aq dhe Prokuroria. Ajo po rritet çdo ditë, njëlloj si molekula antimaterie që paraqet Dan Broën tek “Origjina”, në fjalimin mbresëlënës të Edmond Kirshit.
Hyrja në fuqi e paketës për decentralizim e Prokurorisë e rriti fuqishëm ndikimin e antimateries në sistemin e drejtësisë në këtë sektor. KÇK po bëhet organizatë, pa rregulla, duke përfshirë të mirë e të këqij, po kthehet gati në sindromë. KÇK nuk i përket asnjë force politike, ata janë “të pavarur”, i shërbejnë zakonisht kujt merr pushtetin, por dhe gjithë vektorëve pa dallim feje, krahine dhe ideje.
KÇK ËSHTË “KAP Ç’TË KAPËSH”
Po e them që në fillim se unë jam kundër gjithë kësaj organizate, pavarësisht se nuk kam asgjë personale me asnjë prej anëtarëve të kësaj organizate, edhe pse disa i kam njohur kohë më parë, ndërsa disa të tjerë po i njoh këto kohë virtualisht. Madje, kur një prokuror, në një kafe rastësore, ma tha për kolegun e tij se ai tjetri është anëtar i KÇK, qesha me të madhe me metaforën.
Në të vërtetë, ka aq shumë arsye për të kundërshtuar këtë organizatë, por ka dhe justifikime nga ana e tyre për gjendjen ku ndodhen. Kur shohin se si një gjyqtar i GJL largohet sepse me demek paska pirë kafe me dikë që paska qenë i dënuar para 15 vjetësh në Itali dhe thotë se nuk e ka ditur, por që të gjithë bashkë me vetingun i thanë sa mirë ia bënë gjyqtarit, ky i fundit dhe shumë prej tyre zgurdullojnë sytë kur hapin lajmet.
Në çdo ekran del se persona me rekorde të tmerrshme kanë ngrënë, pirë, fjetur, punuar e bashkëpunuar dhe gjithë qeveria (që ka gjithë mekanizmat e kontrollit) ulëret në kor: “nuk e dinim që ky paska qenë i dënuar”.
Apo kur shohin se si një gjyqtar i Kushtetueses ikën sepse me demek nipi i tij paska pirë hashash dhe pastaj shohin se ata që bërtasin janë marrë vetë me trafik kokaine, kanë vëllain, motrën, kanë ngrenë, kanë pirë në fushatë dhe i kanë rrahur shpatullat dhe janë aty në krye. Sa nipër e mbesa kanë gjyqtarët që nuk e dinë ku janë!
Apo kur shohin se iku nga vetingu një gjyqtar që ka 20 vjet që punon dhe jeton akoma në shtëpinë e kohës së diktaturës, por paska fituar kredi të butë jashtë kritereve, ndërkohë që numri i zyrtarëve të këtij vendi me kredi të butë është pa fund etj., etj..
Stop! Të kuptohemi: Gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë idiotë, naivë apo të keqedukuar. Ata e shohin se si po shkon vetingu dhe nuk kanë shpresë. Ndaj kanë gjetur strehë te KÇK. Në fund të fundit, a nuk iku një gjyqtar që kishte votuar kundër lirimit të kreut të një bande?
A nuk iku një gjyqtare që nuk justifikonte 5.000 $ të të shoqit inxhinier në Arabi? A nuk kaluan vetingun gjyqtarë që kishin shumë probleme apo prokurorë që kishin liruar krerë bandash apo kishin ikur nga frika?
Ja pra, këto janë arsyet që ndoshta justifikojnë zgjerimin e kësaj organizate antimaterie të quajtur KÇK. Sepse përveç kësaj, KÇK është e paprekshme dhe nuk e gjen gjë, ndaj dhe ajo po përhapet, sepse mungon ilaçi që të thotë STOP.
Nga kjo organizatë nuk vuajnë politikanët, sepse KÇK nuk ka ngjyrë, as parti. Shembulli maqedonas “reket” është po aq domethënës. Por, vuajnë qytetarët, biznesi, banka. Dhe sërish shembulli maqedonas është domethënës.
Unë e di se disa do të thonë se janë kosto që duhen paguar, se, bizneset duhet të durojnë. Por si t’ua shpjegojmë këtë mijëra qytetarëve dhe bizneseve që po dëmtohen kaq rëndë nga këto kosto? Pse duhet t’i paguajnë ata këto kosto? A do të këtë dëmshpërblim për kostot nga vendimet abuzive të anëtarëve të KÇK? A është gati qeveria që të bëjë një hap të tillë që të përballojë kostot e KÇK?
SI ZGJIDHET?
Unë di që ju po prisni të dëgjoni: Si zgjidhet? Nuk e kishit menduar? Për çfarë ju paguan? A nuk mendoni se keni gabuar? E kishim menduar. Ekzistenca e pjesës së sëmurë të sistemit ishte arsyeja më racionale e vetingut prej ditës së parë. Kjo nuk ka diskutim.
Por pretendimit tonë të kahershëm për përdorim politik të mundshëm dhe destabilizimin edhe të pjesës së shëndoshë të sistemit, Komisioni i Venecias, burrat dhe gratë e mençur iu përgjigjën pozitivisht në dhjetor 2015. Në paragrafin 100, ata na dhanë të drejtë.
Pastaj pati edhe arsyetime qesharake në atë kohë (sot duken akoma më shumë), se procesi do mbyllej shpejt, për 2-3 vjet, dhe akoma më naiv mendimi i një tjetri se zgjidhja ishte largimi i të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve se me demek të gjithë ishin njësoj.
Sot na bën të qeshim, por edhe të mësojmë nga gabimet. Kjo këshillë shkon më shumë për ata që kanë mundësi të marrin vendime dhe duhet të mësojnë nga gabimet tona. Zgjidhja racionale që ne kërkuam në atë kohë ishte krijimi i institucionit imunitar ndaj kësaj antimaterie që do ta monitoronte deri në shërim, pra, përfundimin e procesit të vetingut apo krijimin e institucioneve përgjegjëse (ILD).
Propozimi ishte të mos e linim vakum këtë periudhë dhe të fokusoheshim më shume tek antikorrupsioni si lëndë e parë (veting+SPAK+BKH) derisa të krijoheshin institucionet e reja KLP. KLGJ etj. Propozimi ishte kaq racional sa gati u pranua në DASH në një takim të z. Basha në prill 2016, të cilën e shprehu në një intervistë në mbrëmje, në VOA.
Por mungesa e besimit mes palëve politike dhe dëshira për të mbajtur nën kontroll dhe kritikuar gjithçka racionale e përmbysi qëndrimin tonë në një mbledhje 5-orëshe në zyrën e ambasadës së BE mes 4 të pranishmëve. Dhe ja ku jemi sot. Vetingu do akoma edhe 7 vjet të përfundojë dhe molekula ka krijuar një organizatë: KÇK, nga e cila po vuajnë edhe më shume se më parë qytetarët dhe bizneset.
BANKAT
Në një përpjekje për të luftuar korrupsionin, dy nga bankat më të mëdha në vend, kanë marrë një vendim interesant: Nuk po u ofrojnë shërbime disa prokurorëve dhe gjyqtarëve. Me këtë vendim janë njohur disa gjyqtarë e prokurorë dhe po ashtu drejtuesit e disa institucioneve. Bankat kanë bërë një “listë të zezë” të atyre që mendojnë se bëjnë pjesë në KÇK.
Këto veprime janë ndërmarrë jo vetëm në Shqipëri. Nuk mund të them se vendimi i tyre është kaq i drejtë e racional. Por është përpjekje. Përpjekje që shkon në drejtimin e duhur, ndoshta për ta pasur në shërbim edhe të institucioneve të reja më vonë. Nuk di të them nëse edhe banka të tjera do të marrin këtë vendim, por di që e kanë në shqyrtim.
Bankat kanë të dhëna të plota të anëtarëve të KÇK dhe një vendim gjyqësor i SPAK nesër (kur të krijohej SPAK) mund t’i merrte këto të dhëna. Por, ky veprim, i cili u ngjan veprimeve se bankat kanë marrë në Londër ndaj zyrtarëve të Ballkanit Perëndimor, është një veprim gati dëshpërues pasi kam përshtypjen se vjen ngaqë nuk funksionojnë mekanizmat e sundimit të ligjit.
Sepse nëse do kishte sundim të ligjit, nuk kishte pse të përfshiheshin në këtë proces institucionet private siç janë bankat. Por ajo që po u ndodh disa bankave nga kjo organizatë është vërtet alarmante.
INSPEKTORATI I LARTË I DREJTËSISË, ILD
Por zgjidhja, mekanizmi ligjor, është ngritja dhe funksionimi i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. ILD do të jetë ilaçi kundër antimateries, që së bashku me SPAK do të bëjnë të mundur ndalimin dhe kurimin e plotë.
Në tryezë janë disa kandidatë dhe do të jetë Parlamenti që do ta votojë. Kur ne që diskutuam/miratuam reformën kërkuam që të ishte i pavarur, Venecia vendosi që zgjedhja të bëhej me 92 vota, maxhoranca absolute maksimale në Parlament, si ajo e Presidentit, pasi mendohej se asnjë parti apo koalicion nuk do t’i kishte.
Ja që erdhi dita që t’i këtë dhe tashmë ngelet në dorë të njërës palë të vendosë. Edhe për këtë jemi unikë, besoj në botë, që të gjitha pushtetet janë ekskluzivisht në një dorë (këtë nuk e kishim imagjinuar vërtet).
Por, që të mos ndodhemi përpara rastit REKET, do të ishte e arsyeshme pavarësia e fortë, si shtyllë kryesore e ILD që ai të jetë një institucion që të ketë besimin dhe forcën se do të godasë çdo anëtar të KÇK sot dhe në të ardhmen.
Mekanizmi kushtetues duhet ngritur shpejt dhe me kriteret e duhura.
Deri atëherë, pasojat për çdo qytetar e biznes do jenë çdo ditë dhe çdo orë shumë të mëdha. Dhe t’u thuash atyre se duhet të mësohen dhe të përtypin pasojat, është e vështirë!
* Ish-ministër i Drejtësisë dhe nënkryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi
(Marrë nga Panorama)