Më 11 shtator u lançua një forcë e re policore, “Njësia Speciale e Kërkimit të personave që i shmangen drejtësisë”. Në prezantimin e kësaj force ku ishte i pranishëm vetë ministri Sandër Lleshaj, e cilësoi të parën forcë elite policore që do t’i shërbejë zbatimit të reformës në drejtësi.
Kjo forcë e re policore prej 35 personash është strukturë mikse, pasi në të bëjnë pjesë policë dhe ushtarakë që kanë marrë pjesë në misione të ndryshme nën flamurin shqiptar si pjesë e trupave të NATO-s, në Irak apo Afganistan.
Rruga për krijimin e kësaj force u hap muaj më parë, kur Parlamenti miratoi propozimin e ministrit Lleshaj që të ndryshonte ligjin “Për policinë e Shtetit” ku në përbërje të uniformave blu të lejoheshin edhe dhe ish-ushtarakët.
Ministri Lleshaj deklaroi se kjo njësi elite policore do të jetë pjesë e rrjetit policor europian dhe do të veprojë jo vetëm brenda territorit shqiptar, por edhe jashtë saj. “Kjo Njësi do të jetë edhe një element i rëndësishëm bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtar, për arsye se së shpejti, Njësia do të jetë pjesë e rrjetit europian të njësive që merren me kërkimin e personave që i janë shmangur drejtësisë. Në këtë kuadër përgjegjësia juaj del përtej kufijve të Shqipërisë, për arsye se ju do të jeni të angazhuar për të kërkuar jo vetëm personat që i janë shmangur drejtësisë në Shqipëri, por edhe persona që i janë shmangur drejtësisë në vende të tjera”, deklaroi Lleshaj.
Krijimi i kësaj Njësie të re policore ka ngritur pikëpyetje se në varësi të kujt do të jetë kjo strukturë e re dhe mbi të gjitha a do të krijojë përplasje me strukturat e tjera si Drejtoria e Forcave Lëvizëse Operacionale (FLO), si niveli i parë, si dhe ato të renditura si nivele të dyta dhe të treta si Reparti i Neutralizimit të Elementëve të Armatosur (RENEA) dhe Repartet e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).
Në nenin 121 të ligjit “Për policinë e shtetit” përcaktohet se për kryerjen e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhjen e situatave, të cilat nuk mund të përballohen nga shërbimet e tjera të Policisë, përdoren struktura speciale operacionale rezervë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Përgjegjësitë e këtyre strukturave janë: çlirimi ose shpëtimi i pengjeve; kapja e personave të armatosur me rrezikshmëri të lartë dhe transportimi i tyre në mjediset e Policisë; mbështetja e strukturave, të cilat sigurojnë personalitetet e larta shtetërore, të vendit ose të huaja, në rastet kur ka të dhëna për akte terroriste ndaj tyre; rivendosja e rendit dhe e sigurisë publike, kur kjo është e pamundur vetëm me strukturat e tjera policore. Punonjësve të strukturave speciale operacionale u garantohet fshehtësia e identitetit për veprimtarinë operacionale.
Sadetin Fishta, drejtues i Sindikatës së Policëve, një ish-efektiv i forcave speciale ngre disa pikëpyetje në lidhje me krijimin e kësaj force speciale që në përbërje duhet të jetë mikse, me policë karriere dhe ish-ushtarakë që do të jenë në njësinë e re speciale për kapjen e të fortëve. Në një prononcim për Gazeta Si, Fishta shprehet se nuk ka mundësi që të krijohet një forcë speciale e tillë pa e përfshirë më parë në ligjin “Për Policinë e Shtetit”.
“Forcat speciale në Shqipërisë janë RENEA, FNSH, apo forcat e tjera operacionale që cilësohen si Brisku, Shqiponja. RENEA dhe FNSH janë të përcaktuara për të realizuara detyrat për kapjen e personave në kërkim apo të cilësuar si të rrezikshëm. Pra kjo është propagandë, pasi strukturat janë për kapjen e këtyre kategorive personash. Një tjetër çështje është se pranë kujt do të atashohet kjo forcë? A do të ndryshojë struktura apo do të veprojnë brenda Drejtorisë së Forcave të Posaçme?”, shprehet Fishta.
Sipas tij, kjo mund të sjellë edhe një dublim të kompetencave mes forcave speciale, duke shtuar shprehjen se ushtarakët nuk mund të dinë që të zbatojnë ligjin, pasi janë mësuar vetëm të zbatojnë urdhrat që i jepen.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ardi Bita në një prononcim për Gazeta “Si” bën të ditur se me krijimin e kësaj force speciale nuk ka mbivendosje me RENEAN, sepse kjo është forca pa uniformë, është Operacionale për personat në kërkim”. Kjo njësi e re sipas tij, do të jetë brenda strukturës së Policisë së Shtetit.
Osman Levanaku, ish-drejtori i Repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (RENEA), i liruar nga detyra menjëherë pas Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, shprehet se nuk ka nevojë për njësi shtesë, pasi forcat e policisë ekzistojnë. “Nuk mund të vij njeri nga rruga, ose nga ushtria të bëhet polic, se dhe polici nuk bëhet dot Kambale dhe Gavetë. Policia prej këtyre është kthyer 20 vite mbrapa. Ka forca tjera në terren që e bëjnë këtë punë në qoftë se janë të motivuar dhe që janë dhe të specializuara, por duhet vullnet policor dhe jo politik. Kush ministër vjen dhe shpik diçka të re. Jo nuk nevojitet, forcat janë dhe të shumta madje”, thotë Levanaku për Gazeta SI. Më tej ai rrëfen se nga nga 2013 që e morën u ndryshua qeverisja janë shtuar 2000 forca të reja policie.
Ai shprehet për Gazeta Si se këto struktura që po ngrihen tregojnë një mungesë besimi te RENEA, ku pjesëtarët e saj janë ndër më të aftët. “Këta që do të vijnë, ose po i trajnojnë janë komplet politik. RENEA e kryen me profesionalizëm detyrë dhe janë më me përvojë dhe me emrin e rëndësishëm që ka dhe vendosur prej shume vitesh. Çfarë do të bëjnë RENEA, FNSH dhe Operacionalja kur të dalin këta forca speciale? Është absurd ta mendosh? Nuk mund të shkelësh ligjin e “Policisë së Shtetit” me urdhra të brendshëm pse Ministri vjen nga ushtria. E thekson se është e kundërligjshme, nuk ekziston në ligjin “Për policinë e shtetit”. Është turp ta mendosh të ngresh një forcë për hajdut xhepash dhe të kontrollohet nga Kryeministri. Të fortët i njohin mirë Repartin RENEA e FNSH sidomos këto të lagjes që dalin në pah kur do politika”, shprehet Levanaku .
Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur ose shkurt RENEA janë forcat më elitare policore të Shqipërisë. Dhe një nga grupet me përgatitjen me të larte fizike dhe ushtarake në Shqipëri. Ky repart u krijua në vitin 1982, kur u krijua Batalioni 326 i Ministrisë së Brendshme, i cili fillimisht pati detyra antidemonstratë. Elementët e përzgjedhur ishin ushtarakë profesionistë dhe vinin kryesisht nga policia, Garda, ushtria dhe nga zhytësit e Marinës Luftarake. Kjo do të shërbente edhe si bërthama e mëvonshme për ngritjen e RENEA-s. Presidenti i Republikës i ka akorduar Medalja e Artë e Shqiponjës.