Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte sot i pranishëm në Shkodër, ku u takua me mbështetës të tij dhe me kryetaren e Bashkisë së qytetit Voltana Ademi.
Menjëherë pas këtij takimi, në një deklaratë përpara gazetarëve, Basha u shpreh se opozita ka përgjegjësinë që t’i ofrojë shqiptarëve alternativat për zgjidhjen e kësaj krize që qeveria nuk mund ta bëjë.
“Ne si opozitë, PD, gjithë aleatët tanë të bashkuar, kemi përgjegjësinë për t’i dhënë shqiptarëve zgjidhjen që meritojnë, dhe që duhet një orë e më parë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë. Kriza është prodhuar nga bashkëpunimi i politikës me krimin dhe kriza mund të zgjidhet vetëm duke e ndarë politikën nga krimi. Ndarja e politikës nga krimi pa proces zgjedhor nuk ka. Proces zgjedhor pa garancinë që qytetarët nuk do dhunohen dhe nuk do kenë një situatë absurde si në Shkodër, pra pa një transformim të thellë politik nuk mund të ketë. Prandaj ne kemi ndërmarrë këto hapa në 6 muaj dhe do vazhdojmë betejën deri në fund”.
“Detyra jonë është që gjithë shqiptarëve t’i japim rrugën e daljes nga kjo krizë. As Rama dhe as organizata e tij kriminale nuk kanë dhe as mund të kenë as përgjigje dhe as zgjidhje. Ne jemi të vendosur për t’ia dhënë këtë zgjidhje shqiptare. Bashkë me platformën që do paraqesim në dialog me qytetarët bashkë me zgjidhjen që do parashtrojmë do të sigurohemi që rruga për zgjidhjen e kësaj krize të jetë sa më pak e mundimshme dhe e shkurtër”.
I pyetur se çfarë nënkupton kur flet për zgjidhje nga jashtë, Basha tha: “S’ka zgjidhje nga jashtë, zgjidhja do të vijë nga brenda. Nga jashtë kemi miq, siç kemi patur. Kjo krizë nuk zgjidhet duke bërë viktimën apo duke parë nga qielli. Kjo krizë zgjidhet duke u bashkuar duke marrë fatin tonë në duart tona”.
Kryetari i Partisë Demokratike ishte në Shkodër ku është takuar me drejtues të PD-së dhe me qytetarë. Më pas, ai ka zhvilluar një takim me kryetaren e bashkisë Voltana Ademin, një takim me dyer të mbyllura.
Voltana Ademi është e vetmja kryebashkiake e zgjedhur nga radhët e opozitës që nuk e ka lëshuar zyrën e saj, as pas votimit të 30 qershorit. PD-ja denoncoi me dokumente se kandidati që kishte zgjedhur kryeministri Edi Rama për të drejtuar këtë bashki, Valdrin Pjetri, kishte mashtruar në formularin e dekriminalizimit për të kaluarën e tij me precedentë penalë.