Zgjohen prej javësh sa buzë detit, sa majë malit, pa asnjë “hall” financiar, nëse do t’u dalë apo jo “rroga” që të bëjnë pushimet e kësaj vere. I fusin nga një mesazh në “Facebook” apo “Twitter” që në të gdhirë. “Mirëmëngjesi” na thonë pa hapur sytë mirë.
Foto e video ndajnë pastaj. Sa me arritje dhe aq me dështime për palën tjetër. Komentojnë zhvillimet e ditës. Ato të rejat dhe të vjetrat. Drejtpërdrejt apo tërthorazi. I çojnë mesazhe sa njëri-tjetrit, aq edhe partnerëve ndërkombëtarë. Akuzojnë ata që ndodhen në llogoren tjetër. I tregojnë me gisht për çdo dështim të tyren. Secili tregon se është “i virgjër” dhe i kulluar. “Punon” për popullin, edhe kur është me pushime. Por kundërshtarit i fut gjithmonë stërkëmbësin.
Ndodhen në Tiranë, apo edhe kilometra larg saj dhe ndërsa rrëkëllejnë gotat e verës së shtrenjtë në freskinë e plazhit, apo ajrit të pastër, mendojnë për mesditën.
Kush zhvishet dhe del fotografi ballore, kush me profil apo kurriz, e kush nuk ka foto të këtij viti, sa herë i përmendin pushimet, i nxjerrin ato të vjetshmet nga arkivi. Me një peshk të egër e fruta deti, apo mish të pjekur në hell, stafet ua kanë bërë gati postimet e dyta të ditës. Ua “servirin” dhe më pas i postojnë.
Aty vërshojnë komentet e atyre që u lëpihen me titujt “gjigant”, “burrë shteti”, “Skënderbe”, “shpëtimtar” i shqiptarëve dhe “kombit”. Po ashtu edhe ata që i shajnë “tradhtar”, “hajdut”, “vrasës” apo “kriminel”. Por, liderët gajasen me të dy palët e komenteve. Ka nga ata që u përgjigjen edhe vetë. Por ka nga ata që lëshojnë “ushtarët” apo i fshijnë në kohë rekord mesazhet ku shahet shefi.
E kështu dreka e këtyre ditëve gushti mbyllet me plane për t’i bërë “gropën” kundërshtarit, si ta rrënojë politikisht dhe hedhin nga pushteti në vjeshtë?
Analizojnë planet e “pensionimit” të njërit dhe “çimentimin” e pushtetit të tyre, sa në parti apo në zyrat e shtetit. Llogari, hesape të vjetra, inate për ato që kanë ndodhur ndër vite, apo atë që sapo i ka bërë. Lakojnë emra e mbiemra, kë të heqin e kë të vënë në X post, kujt t’i japin koncesionin, tenderin e radhës apo ofiqin. Kujt t’i premtojnë për përfitimin që do të ketë kur të vijnë në pushtet.
Një gjumë dreke ua “kthjellon” më shumë mendimet e planet për shtatorin që po vjen. Shkodra, KQZ-ja, shkarkimi i presidentit, rrëzimi i qeverisë, SPAK-u, prokuroria, ngritja e Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme, hapja e negociatave me BE, e sa e sa çështje i presin.
Buzëmbrëmja u vjen shpejt. Telefonata, “Whats App” e mesazhe për ata që presin me celular në dorë. Një lajm nga shefi edhe në ditët me leje. Në mbyllje të ditës stafet i njoftojnë për bilancin e “bërjes” politikë në rrjetet sociale. Kush ia futi kujt dhe çfarë “mendon” populli. Sondazhe në anën tjetër që të gjithë i nxjerrin të parët. Por përveç postimeve të tyre, ata kanë organizuar edhe vartësit në qeveri e opozitë.
Këta janë të programuar, në orare të caktuara dhe që të mos kenë “përplasje” online me shefat. Nuk duhet t’i marrin hapësirën shefit, por nuk duhet që as të lënë pauza të gjata. Jo të gjithë i shkruajnë vetë hartimet e “Facebook”-ut. Ua kanë bërë gati pjesës më të madhe. Thjesht u del emri që e postoi X-i apo Y-i dhe kështu bëhet “buqeta” shumëngjyrëshe e reagimit në njërin front dhe tjetrin. Grupet e mediave në “Whats App” pranë liderëve njoftojnë për çdo postim.
Televizionet informative i lëshohen me lajm të fundit. Portalet po ashtu i vënë titullin “Çfarë po ndodh…..”. Edicionet e lajmeve i kanë përmbledhur të gjitha ciu-ciu-t. I kanë bërë kronikë. E kurojnë mirë dhe dublojnë çdo politikan. Madje ka nga ata që zgjedhin edhe zërin, si edhe porosisin që “ky të mos më dublojë më”. Dhe protagonistët shijojnë “suksesin” e një dite teksa janë në verandat e vilave qeveritare, vilave private, apo hoteleve luksoze ku bujtin familjarisht, por edhe me stafet, shoferë dhe badigardë.
Darka vjen shpejt e rreth tryezës mbledhin “dorën” e tyre. Hanë e pinë e prapë e “mendojnë” për shqiptarët. E nesërmja po vjen e duhet “sulmi” i ri online. “Mendjellinjtë” që kanë afër u bëjnë sugjerimet e ditës së re. Kush të nxjerrë gruan dhe fëmijët fotografi, kush të ulet gju më gju me fshatarin, apo bariun e deleve, kush të bombardojë me sukseset e punëve të verës që s’ndalen, kush të lëshojë bateritë me video për kundërshtarin dhe t’ia numërojë të gjitha të këqijat.
Këto ditë gushti ata janë shfaqur rrallë fizikisht në TV e publik. Por online na kanë “përmbytur”. Edhe kur ikin përtej kufijve dhe janë në fluturim, postimet i kanë gati. Mbeten “mëngëpërveshur” si të hënën e të dielën, në ditë pune dhe ditë pushimi. Edhe kjo javë me gjasë kështu do të jetë. Pushuan gjatë se “punët” e mëdha i presin. Ato për “shqiptarët”. Theken buzë detit e freskohen majë malit dhe… “mendojnë” për shqiptarët.
E ata që mezi i bëjnë ca ditë pushime, lëshohen me komente e duartrokitje në profilin e njërit apo tjetrit politikan. U shkruajnë për halle, apo edhe çështje globale. Dikujt i bëjnë gjyqin popullor. Shefit të partisë i thurin lavde. Një pjesë e mirë denoncojnë atë që shikojnë dhe i shqetëson.
Shpresojnë të zgjidhin hallet e kësaj vere nga “Facebook”-u apo “Twitter”-i dhe halli është sa personal, i komunitetit apo edhe i partisë. Liderët e bronxatuar, sportivë dhe me veshje firmato po i mbajnë “shënim”. Edhe një javë do 1 shtatori. Nuk bëhet fjalë për digjitalizimin në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe një dekoder që ju duhet për të parë televizionet. Por për “dekoderin” e betejës politike të radhës. /BURMIMI GAZETA SI