“Kryeministri ka hipotekuar, një gabim historik në emër të liberalizmit anarkist me të cilin ai e vështron historinë. Është larg saj dhe unë e kuptoj. Nuk është hera e parë që gabon. Shpresoj që të jetë e fundit” – thotë në këtë intervistë botuar sot në Dita, historiani Paskal Milo.
“Luftën Antifashiste dhe Nacional-Çlirimtare e bënë shumica e shqiptarëve, ndërkohë që një pakicë nacionaliste shqiptare tentoi të bëj në fillim një rezistencë antifashiste. Për fat të keq kjo pakicë që pati mes saj edhe idealistë nuk ishte e përgatitur dhe as nuk e kuptoi thirrjen e kohës për të luftuar me përkushtim e deri në fund, por në luftën për pushtet me shumicën e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe e trysnuar nga kundërshtarët e saj politikë, komunistët, bëri gabimin fatal historik duke rrëshqitur në kolaboracionizëm” – shton ai lidhur me debatin e hapur në Dita që tashmë ka marrë përmasa kombëtare.
Më poshtë intervista e botuar sot me profesor Milon dhënë gazetarit Xhevdet Shehu:
– Profesor Milo, ky është viti jubilar i 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Si historian i asaj lufte, mendoni se ka ende të pathëna për atë luftë?
– Po iu përgjigjem pa asnjë hezitim: ka akoma shumë punë për të thënë të gjithë të vërtetat rreth asaj Lufte, për të nxjerrë nga arkivat e historisë fakte të reja e për të gjetur detaje që shpesh flasin shumë në kërkimin shkencor e në historishkruarjen e ngjarjeve.
Mjaft historianë seriozë kanë dhënë kontribute të çmuara në këto afro 30 vitet e fundit për të ndriçuar më mirë e për të qartësuar më saktë ngjarje e fenomene të veçanta të Luftës, për ta sjellë atë sa më pranë të vërtetës historike.
Por ka ende shumë punë, jo aq në aspektet politike dhe ushtarake të saj, se sa në ato sociale, ekonomike, kulturore e njerëzore.
– A ka gjasa që nga kërkimet dhe zbulimet që janë bërë e do të bëhen të ndryshohet thelbi i saj?
– Jo. Kolonat e mëdha të trajtimit të historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri janë të paluajtshme e të pazëvendësueshme sepse janë vendosur mbi themelet e vlerave antifashiste shqiptare që kanë qenë e mbetur vlera universale të patjetërsueshme.
– Mirëpo, është ndezur një debat i madh lidhur me ca përpjekje që po bëhen për ta lexuar ndryshe atë luftë, pra për ta kthyer përmbys, ku fitimtarët të zbresin nga piedestalet dhe në to të ngjiten ata që bashkëpunuan me pushtuesit. A është normale kjo?
– Ky debat nuk është i ri por i vjetër sa edhe vetë Lufta. Po të shikoni dokumentet e trashëguara nga kjo Luftë, të prodhuara nga palët shqiptare në konflikt në formën e qarkoreve, letrave, fjalimeve apo trakteve, do të shikoni po të njëjtat akuza e pretendime që po manifestohen edhe sot.
Duket se nuk ka ndryshuar asgjë, nuk është nxjerr asnjë mësim, duket se koha është ndalur në vitin 1944. Është për të ardhur keq që shqiptarët, veçanërisht brezi i ri, 75 vjet pasi ka mbaruar kjo Luftë, mbahen peng i mendësive të vjetra që synojnë të pengojnë vështrimin përpara për të ndërtuar më në fund një Shqipëri evropiane.
Luftën Antifashiste dhe Nacional-Çlirimtare e bënë shumica e shqiptarëve, ndërkohë që një pakicë nacionaliste shqiptare tentoi të bëj në fillim një rezistencë antifashiste. Për fat të keq kjo pakicë që pati mes saj edhe idealistë nuk ishte e përgatitur dhe as nuk e kuptoi thirrjen e kohës për të luftuar me përkushtim e deri në fund, por në luftën për pushtet me shumicën e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe e trysnuar nga kundërshtarët e saj politikë, komunistët, bëri gabimin fatal historik duke rrëshqitur në kolaboracionizëm.
– Duket se ajo luftë antifashiste anatemohet për faktin se atë e udhëhoqën komunistët me në krye Enver Hoxhën, apo jo?
– Gjykimi i ngjarjeve historike, veçanërisht i atyre që janë madhore, përcaktohet nga komponentët kryesorë të saj si dhe nga përputhshmëria me tendencat e rrjedhat objektive të historisë.
Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare nën udhëheqjen e komunistëve, me gjithë gjynahet jo të pakta të tyre në këtë kohë, u përputh me objektivat e Aleancës Botërore Antifashiste, të SHBA, të Britanisë së Madhe, të Bashkimit Sovjetik e të të gjithë kombeve të tjera antifashiste.
Edhe ata që i urrejnë komunistët shqiptarë të Luftës me ose pa të drejtë duhet të jenë minimalisht objektivë e të ndërgjegjshëm që të pranojnë se Lëvizja Nacional-Çlirimtare kapi trenin e kohës, u bashkua me tendencën e përgjithshme antifashiste, gjë që nuk e bëri as Balli Kombëtar dhe as Legaliteti.
Për rrjedhojë, nuk mund të përmbysen realitetet historike, nuk mund të zhbëhet historia thjeshtë se mund të kesh urrejtje e mosdakordësi me dhe për komunistët e diktaturën e pas Luftës. Ky është qëndrim jo shkencor dhe antihistorik. Pa dyshim historia e Luftës ka mjaft gjëra për të korrigjuar dhe duhen korrigjuar por ajo nuk mund të përmbyset, aq më tepër nisur nga emocione sentimentale, emocionale e politike.
– A keni zbuluar ju dokumente ende të panjohura të luftës? Nëse po, mund të na tregoni ndonjë?
– Në kërkimet e mia shkencore për Luftën, e veçanërisht gjatë hulumtimeve për të përfunduar vëllimin e dytë të librit tim monografik për Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore kam ndeshur në dokumente e fakte të reja interesante. Ato do të ndriçojnë e do të saktësojnë ngjarje e qëndrime të cilat ose janë lënë në heshtje ose nuk janë interpretuar drejt apo janë trajtuar në mënyrë gjysmake.
Lufta duhet të zhvishet nga interpretimet hipermilitantiste, nga iracionalitetet folklorike patriotike, ajo duhet të bëhet më tokësore e më njerëzore. Unë synoj të përshkruaj karakteret e aktorëve kryesorë të Luftës, të udhëheqjes komuniste apo të Ballit Kombëtar, ambiciet e tyre, kulturën e formimin por edhe marrëdhëniet e rivalitetet midis tyre.
Dokumentet dhe burimet e reja tregimtare historike që disponoj do të jenë pjesë e librit që po shkruaj dhe më lejoni që të ruaj “sekretet” e mia edhe për disa muaj. Të jeni të sigurt se nuk do të ketë tendencë për spekulime që janë të huaja për mua as edhe përmbysje spektakolare. Do të jenë thjeshtë dokumente e kujtime të shkruara nga protagonistë të Luftës.
– Po të kthehemi me imagjinatë 75 vite më parë, unë virtualisht i përkas Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër. Miq e shokë, kur diskutojmë për kohën e luftës, më pyesin pse nuk u krijua zona e dytë operative?
– Kur u krijua Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, u mendua që të vihej nën drejtimin e një komande të vetme për koordinimin e veprimeve luftarake kundër pushtuesve të huaj në Shqipërinë Jugore ku edhe rezistenca antifashiste ishte më e zhvilluar dhe më e organizuar. Nëse nuk u krijua një zonë e dytë apo edhe e tretë operative kjo ndodhi për dy arsye:
E para, se filloi krijimi i brigadave të reja partizane dhe i formacioneve më të mëdha ushtarake si divizionet e korparmatat të cilat nuk mund të vepronin vetëm në një territor të caktuar dhe pas qershorit 1944 edhe në Shqipëri të mesme e në veri të vendit. Do të kishte mbivendosje komandash që do të pengonin njëra tjetrën dhe do të pengohej vendimmarrja operative, aq shumë e domosdoshme e njësive të mëdha të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, në kohë lufte.
E dyta, kur u krijua Zona e parë Operative dhe në krye të komandës së saj u vendos Islam Radovicka shpërthyen xhelozitë, ankesat dhe kundërshtitë për dobinë ose jo të një organizimi të tillë. I pari që u ngrit kundër ishte Mehmet Shehu. Ai ka dërguar dy letra, njërën në adresë të Shtabit të Përgjithshëm dhe tjetrën Dushan Mugoshës.
Komandanti i Brigadës së I e pretendonte për vete detyrën e komandantit të Zonës së parë Operative për shkak të përgatitjes, përvojës e meritave që kishte dhe e nënvlerësonte Islam Radovickën. Po këtë qëndrim Mehmet Shehu do ta mbante edhe kur u krijua Divizioni I dhe komandant u caktua Dali Ndreu dhe ai zëvendës i tij.
– Një institut që merret pasojat dhe krimet e komunizmit ka publikuar një listë me 265 emra, të cilët pa përjashtim janë ish-udhëheqës të asaj lufte, heronj dhe dëshmorë. Besoj se e keni lexuar dhe keni ndonjë koment për të?
– Në një luftë të madhe për jetë a vdekje siç ka qenë Lufta Nacional-Çlirimtare kundër pushtuesve të huaj, fashistë italianë e nazistë gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre për fat të keq shqiptarë, ka patur edhe krime dhe akte terroriste.
Ato nuk kanë ndodhur vetëm në Shqipëri por kudo ku luftohej në Evropë e në botë e nga të gjitha palët ndërluftuese ku më shumë e ku më pak. Në Shqipëri, gjatë Luftës kanë vepruar disa qeveri kolaboracioniste me kryeministra e ministra shqiptarë me emra të përveçëm, mjaft prej të cilëve edhe me një të kaluar atdhetare.
Por këto qeveri u bënë vegla të pushtuesve dhe kanë marrë vendime e kanë hedhur firma në urdhëresa kriminale për të burgosur, vrarë e varur me dhjetëra e me qindra antifashistë shqiptarë, për të kryer deportime qytetarësh shqiptarë në kampe internimi e shfarosje apokaliptike në krematoriumet naziste.
Në mes të të gjithë këtyre kolaboracionistëve të fashizmit ka patur edhe ministra të Ballit Kombëtar që shkuan e vepruan si të tillë me miratimin e kryetarit të kësaj organizate. Veprimtari kriminale nuk cilësohet vetëm kur vret ose djeg, torturon ose deporton me dorën tënde njerëz të pafajshëm ose kundërshtarë politikë, por edhe kur i firmos e i zbaton ato.
Në parim kjo vlen edhe për Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Në luftën e veprimtarinë e saj në tërësi e të udhëheqësve të veçantë të saj, rëndojnë hije të frikshme aktesh kriminale e terroriste si vrasje njerëzish të pafajshëm të rreshtuar në formacione ushtarake të Ballit Kombëtar, të Legalitetit, të bajraktarëve të Veriut, vrasje apo urdhra për vrasje në vetë radhët e Partisë Komuniste e të udhëheqjes së Luftës Nacional-Çlirimtare, etj. Këto janë fakte të pamohueshme, por këto kanë qenë të kufizuara, nuk kanë qenë vijë dhe as kanë ndikuar në natyrën dhe boshtin e Luftës.
Ajo ishte dhe mbeti deri në fund Luftë Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kriteri themelor dhe i patjetërsueshëm për të vlerësuar një forcë politike, një organizatë, një lëvizje dhe një individ në rrethanat kur një vend është i pushtuar nga armiku i huaj, është pa asnjë diskutim qëndrimi ndaj tij.
Kjo është një aksiomë e vërtetuar në të gjitha vendet e përgjatë historisë botërore. Në Shqipëri, këtë qëndrim e këtë rol e mbajti dhe e kreu vetëm Lëvizja Nacional-Çlirimtare. Këtu qëndron merita historike e saj. Historia vlerësohet si ngjarje kur ka ndodhur dhe si ka ndodhur.
– Sidoqoftë, Profesor, jemi përpara fakti se një institut që financohet me paratë e shtetit, po përpiqet ta kthejë përmbys atë luftë, ta zhbëjë dhe ta mohojë atë dhe bash në 75-vjetorin e çlirimit të atdheut. A është normale kjo?
– Natyrisht që nuk është normale. Ata që i bën shërbimin më të madh lirisë dhe antifashizmit kanë vulosur me gjakun e tyre nderimin dhe respektin e brezave. Apostujt e lirisë vetëm nderohen e përkujtohen. Të kriminalizohet jeta dhe veprimtaria e tyre me një vullnet të institucionalizuar satanik është modeli më monstruoz i sjelljes njerëzore, është një atentat kundër vlerave që e mbajnë gjallë dhe e ushqejnë një komb.
Të shpresojmë se ishte një lajthitje. Por edhe po qe se është një strategji e një grushti njerëzish për të përmbysur këto vlera duhet të ketë ngushëllim se gjithnjë ka patur e do të ketë edhe një pakicë që shkon kundër rrymës. Vlen për ta bërë shoqërinë dhe botën e ideve më të larmishme e më interesante. Gjithsecili varet nga vullneti i tij se çfarë roli i ka caktuar të luaj në këtë skenë të përkohshme të këtij brezi njerëzor.
– Sidoqoftë me Ballin mbase duhet të tregohemi pak më shumë tolerantë. Sikurse bëri Kryeministri Rama. Apo jo?
– Unë mendoj se shqiptarët kanë nevojë për të kultivuar më shumë tolerancë si komb. Toleranca është kulturë, emancipim, vlerë demokratike dhe evropiane. Me tolerancë duhet rivlerësuar edhe historia por pa prekur në emër të saj vlerat themelore të historisë kombëtare. Historia nuk duhet të shërbej si rezervuar i urrejtjes ndërshqiptare. Ka shumë rëndësi që në momente të caktuara, kur për shkak të cenimit të vlerave historike apo të prishjes së ekuilibrave sociale mbi bazën e efekteve të shkaktuara nga këto cenime, të ndërhyjnë institucionet shtetërore që e kanë për detyrë ta bëjnë.
Por për fat të keq, kryeministri ynë u bë palë atëherë kur nuk duhej me segmentet e vjetra që nuk shikojnë përpara por që në emër të rishikimit të historisë shpresojnë përmbysjen revanshiste të saj. Kryeministri ka hipotekuar, një gabim historik në emër të liberalizmit anarkist me të cilin ai e vështron historinë. Është larg saj dhe unë e kuptoj. Nuk është hera e parë që gabon. Shpresoj që të jetë e fundit./Gazeta Dita