Nga Fatos Baxhaku
Të dashur e të nderuar kolegë e kolege!
Pasi u mendova gjatë, pasi pashë shumë, shkrova e rishkrova, vendosa më në fund t’ ju nis një letër. Po e bëj publike jo për faktin se hallet e telashet tona duhet t’i marrë vesh e tërë dynjaja, megjithëse kam besuar e besoj se jemi një pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë me një mijë halle, një ndër më të shëndoshat. Jo aspak! Përse t’u shtojmë telasheve të këtij mileti një më tepër?
Përse të sajojmë një sebep më shumë për të diskutuar me zjarrin ballkanik që na vlon gjenetikisht në gji?
Thjesht sepse vetëm kështu besoj se do të kenë mmundësi ta lexojnë sa më shumë prej jush.
Kuptohet se nuk kisha se si t’jua dërgoja secilit një për një.
Kjo letër u drejtohet në rradhë të parë kolegëve që punojnë për informacionin televiziv.
Me në të gazetave shpresojmë të merrni ju. Vetëm ju, duke qenë disi më larg, si ne në rastin tuaj, do të keni mundësi të zbuloni mëkatet tona, të cilat sigurisht që janë të shumta.
Por këtë muhabet mund ta lëmë ndoshta për një herë tjetër. Unë vetë e kam të vështirë të jap mend.
Nuk jam aq i ri, sa të lajthis nga trutë e të më frymëzojë e verdha lozonjare e vjeshtës, dhe as aq i moshuar, sa të kem të drejtë ta bëj këtë gjë.
Ata prej jush që më njohin mirë, besoj se e kuptojnë ndrojtjen time dhe se sa kam hezituar për ta botuar këtë letër.
Por ja që më në fund, kështu vendosa.
Mbase ka qenë dhe ai trishtimi i shiut që nuk ka reshtur së rëni këto ditë, mbase. Një pjesë të mirë tuajën i njoh nga afër.
Me shumë të tjerë kam punuar ndër redaksi të ndryshme televizive.
Jua njoh mirë vlerat morale, mencurinë, integritetin professional, pasionin, sakrificat pa fund, punën e rëndë dhe orar pa orar.
Këto veti tuajat nganjëherë më bënin të harroja të gjitha ato që kisha ndërmend t’u shkruaja por mesa duket ka ardhur koha që t’i shërbejmë më mirë detyrës dhe fatit të shenjtë që na ka rënë në dorë.
Në radhë të parë unë desha t’ju them se dashur pa dashur ju keni bërë një “zbulim” të madh. Dhe prandaj, si për cdo zbulim duheni uruar.
Ju keni “sajuar” një Shqipëri tjetër.
Në vendin që ju e quani ende Shqipëri, ndodhin vetëm tre gjëra bazë: Politikë, krim, që hera herës ndërrohet me korrupsionin, dhe aksidente të përgjakshme automobilistike.
Në këtë listë, gjëja më e shëndoshë është politika. Asgjë tjetër nuk ndodh në këtë vend të cuditshëm, të cilin farë mirë mund ta quajmë “The Blackland”.
Hera-herës ka ndonjë ndeshje ku ndonjë arbitri i thyejnë nofullën si pa të keq, ka ndonjë koncert me zë të shuar dhe kaq.
Pas kësaj, këtë vend të shkretë e zë nata, e cila në fakt është një natë fare e shkurtër, sepse që në mëngjesin tjetër ne nisim sërish t’ua torollisim kokën qytetarëve të hutuar të Blackland-it.
Në vend që t’ju shërbejmë kafe me qumësht, u nxjerrim përpara konferenca shtypi, ku njerëz me sy të cakërdisur i kanosen njëri-tjetrit.
Për mendimin tim, kjo nuk është aspak një mënyrë e mirë për ta nisur ditën.
Gjithsesi, kjo mund të jetë edhe subjektive, sepse ndonjëri sikurse disa e pinë kafen me shumë sheqer ai e pi me shumë politikë.
Puna është se është tepruar vërtet me kronikat politike.
Nuk ka mbetur brockull apo budallallëk pa u thënë, e sigurt se do të dalë në lajmet televizive. Politikanët, të cilëve kjo punë u vjen për shtat, kanë të drejtë kur i shohin koleget tona më të reja si cupëlina.
Ata e dinë se marrëzitë që nxjerrin nga goja, duam apo nuk duam ne, do të dalin në edicionin e darkës. Ndërsa politikani cmpin këmbët e enjtura nga një ditë e tërë ulur, gruaja do t’i shohë dhe do të bëjë nazë.
“Alamet kingu ke dalë shpirti, vetëm herë tjetër mos vër kravatë me viza mbi këmishën me kutia. Dukesh që vjen nga fshati!”
Unë nuk e di tamam nëse e kam mirë por besoj se ju tashmë jeni shndërruar në një lloj polimeri të cuditshëm. Nga njëra anë politika është lënda e parë kryesore e industrisë tuaj, nga ana tjetër është po kjo lëndë e parë që ju kontrollon teknologjinë.
Kur them këtë, jo teknologjinë e kamerave dhe aparaturave por atë thelbësoren, raportimin, shkrimin dhe editimin e lajmit.
Sa shirita të prerë ndër inagurime keni lënë pa transmetuar?
Besoj asnjë. Sa takime ambasadorësh që bëjnë punën e tyre të përditshme dhe asgjë tjetër keni lënë pa dhënë? Asnjë.
Kulmi është kur kronikat ju vijnë të xhiruara dhe të montuara nga njerëzit e partive.
Mos vallë jeni bërë politikodipendentë?
Them se ka ardhur bash koha kur ju vetë duhet të jeni më të vendosur në përzgjedhjen e lajmeve të politikës.
Politikanët duhet ta dinë mirë se jo cdo gjë që thonë, jo cdo propagandë apo interes, do të dalë sa hap e mbyll sytë në ekranet e vogla dhe do të hyjë tinëzisht e pa u ndjerë nëpër shtëpitë e shqiptarëve të ndershëm.
Jo cdo marrëzi ja vlen të shikohet.
Cojini diku nga fundi andej nga mesnata dhe do të shihni se do të bëhen edhe më të përgjegjshëm.
Kështu do t’i shërbeni më mirë popullit, vetes suaj dhe profesionit. Besoj se e keni vënë re po aq sa edhe unë këtë fenomen.
Asnjë nga skandalet e fundit nuk është zbuluar nga mediat.
Këtu bëjmë pjesë të gjithë bashkë.
Ka qenë vetë politika, pra pikërisht ajo që i ka lindur, ushqyer , shëndoshur këto skandale, ajo që për nevojat e saj imediate i ka demaskuar ato.
Dhe kjo nuk është aspak normale. Madje është absurde, sepse politikanët në skandal ose jo , do ta gjejnë shpejt gjuhën e përbashkët. Ata punë kanë. Ju kujtohet Gërdeci? Ishte afër fare nesh, në qiell të hapur.
Ne u morëm me të vetëm pasi 26 vetë lanë kockat nën tymin e athët të barutit të porsa shpërthyer.
Për turpin tonë shkelëm shenjtërinë e këtij zanati. Kemi fatin të jemi ndër njerëzit e privilegjuar të këtij vendi.
Njësoj sikurse prifti apo hoxha kanë në dorë të vërtetat që vijnë nga Zoti, gjykatësi të drejtën ligjore ne kemi në dorë të themi të vërtetën.
Deri më tani këtë të drejtë ia kemi lënë në dorë politikës, duke e ditur fare mirë se ajo është një gënjeshtare profesioniste.
Në ekranet tuaja keni lejuar të dalin lloj-lloj OJQ, disa prej të cilave nuk është se kanë bërë ndonjë hajër të madh në Blackland. Nuk ka nevojë t’ju jap mend.
Shumë herë ato përbëjnë burim të madh informacioni, porn ë këto raste lajmi është problem që shtrohet dhe jo takimi i disa vajzave dhe djelmoshave që mezi presin të bëhet pushim që të pinë kafe.
Mua më duket se disa prej jush kanë rënë edhe në një kurth të vjetër.
Blackland është një vend fort i vogël.
Këtu nuk shpëton edhe aq kollaj nga kushëriri, shoku, bashkëfshatari, komshiu.
Qofsha i gabuar por kam krijuar një ide që edhe këto hatërllëqet prej provincialësh të vegjël e kanë dëmtuar, shumë herë dhe rëndë, cilësinë e lajmeve televizive.
Mbase po zgjatem ca si shumë, por frika ime e vetme është që njerëzit e thjeshtë, ata që duan të dinë për të gjitha: për politikën, por dhe për kulturën, për sportin por edhe për kronikën e zezë, për plagët e këtij vendi por edhe për të mirat që kanë ndodhur ndërkohë: do ju largohen pak nga pak.
Publiku duket si një gjumash i madh e i përhumbur, por në fakt është një qenie fort vitale.
Nganjëherë punët shkojnë dhe për inerci, por nuk zgjasin shumë më pas.
Në kohën që individi nuk e sheh veten të pasqyruar në ekranin e vogël ai ta kthen menjëherë shpinën.
Sot mjafton një shtypje e lehtë mbi telekomandë.
Askush prej jush nuk e meriton këtë, për hir të sakrificave, pasioneve, ëndrrave, parave që janë derdhur atje ku punoni.
Të dashur kolegë e kolege, ju lutem na ndihmoni me punën tuaj të gjejmë veten në ekranet e vogla. Ju lutem na ndihmoni të njohim Shqipërinë dhe jo Blackland-in.
Është punë vërtet e vështirë por jua ja keni dalë mbanë dhe disa të tjerave ku e ku më të sikletshme.
Më falni që bëra rolin e mësuesit. Nuk e kam zakon.
Vetëm dijeni se kam shkruar thjesht si një koleg i vjetër.
Tashmë profesioni, shokët e miqtë janë pasuria e vetme që kam.
Uroj që cdo fjalë e këtij shkrimi të jetë gabim. Do jetë një nga gabimet më të bukura që kam bërë ndonjëherë në jetë.