Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës, në librin “Blloku”, botim i “UET PRESS”, hedh dritë në mjaft nga misteret e familjeve të liderëve komunistë. Njëherazi, me raportet e veçanta prindër-fëmijë ai zbulon episode të panjohura nga sjelljet e këtyre të fundit jashtë mureve të hekurta të rezidencave qeveritare.
Pavarësisht privilegjeve të përftuara nga pozicioni i prindërve në hierarkinë politike, jo pak syresh, siç tregon Kalo, shfaqnin herë pas here pakënaqësinë e tyre për mosndryshimin e gjendjes dhe kufizimin e të drejtave njerëzore. Sakaq, mjeku personal i diktatorit ka ruajtur në kujtesë edhe mjaft nga flirtet dhe dashuritë rozë të fëmijëve të Bllokut. Njëra ndër to, që i ka bërë më shumë përshtypje, ka qenë lidhja intime e djalit të njërit prej udhëheqësve të lartë me gruan e një artisti të njohur, asokohe me dy fëmijë…
Disa nga të rinjtë e Bllokut, falë kontakteve më të shpeshta me jetën perëndimore, e njohën më thellë sistemin kapitalist lidhur me iniciativën e lirë, konkurrencën, rolin e sindikatave, nivelin e universiteteve, mënyrën e funksionimit dhe të financimit të shëndetësisë, të cilat baballarët e tyre i kritikonin ideologjikisht, ose i mohonin me slogane shablloniste dhe sipërfaqësore, pa i njohur thellësisht. Ata mendonin se në rrugëtimet e gjata “karroca ecën më shpejt po të ndërrohen kuajt”.
Shumë vite më pas, Moikom Zeqo, një nga iniciatorët e reformimit të ish-Partisë së Punës, në librin e tij “Universi së prapthi” do e përcillte në formë alegorike, të letrarizuar këtë mendësi, ku shkruan: “Pasi kalon shumë kohë dhe banorët binden se forca mbijetuese e prijësit të vjetër (që Moikomi në libër e quan Mrutn) duhet të zëvendësohet në mënyrë ripërtëritëse, me një më të ri.
Ata e nxjerrin atë nga “rrethi mbrojtës” dhe e copëtojnë duke marrë diçka nga fuqia misterioze e tij, ndërkohë që edhe “Ai i futur në ta shndërrohet në Ata”. Analisti ynë Mustafa Nano ka thënë diçka që vlen edhe për ata: “Është zotësi e madhe (dhe fat duhet thënë) të jesh syhapur, në një kohë që kjo përbënte krim të madh”. BLLOK-LAKMIA Ekzaltimi për Bllokun hasej kryesisht jashtë territorit të tij. Djemtë dhe vajzat e lindura e të rritura aty nga prindër të fuqishëm të elitës udhëheqëse përgjithësisht ishin “fëmijë të mbarë”, korrektë e modestë në shoqëri e mjaft prej tyre edhe të dalluar në mësime. Ata ishin rritur në atë mjedis së bashku, si shokë e shoqe fëmijërie, ose siç thuhet, si motra e vëllezër, por silleshin modestë, miqësorë e pa diskriminim me shokët e shoqet e shkollës, bashkëmoshatarë me ta. Vajzat adoleshente dhe të reja të Bllokut binin në sy si të ishin një “racë” tjetër, me tipare të ëmbla, lëkurë të freskët.
Ato ishin të mirushqyera, me veshje ndryshe, më të hijshme, më të bukura dhe mirësjellje të rafinuar, që reflektonte edukatë dhe kulturë. Teuta Çarçani, Teuta Nesho, Shpresa Ngjela, Mimoza Spahiu dhe Natasha Konica ishin pesë bukuroshe të Bllokut, që zakonisht shkonin dhe vinin nga shkolla e Vila e Enver Hoxhës në Bllok Fiqret Shehu, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Nexhmije Hoxha dalë në vilën e tyre. 1980 shëtisnin bashkë të buzëqeshura, duke tërhequr vëmendjen dhe admirimin e kalimtarëve, sidomos të të rinjve beqarë. Djemtë dhe vajzat single të popullit e ëndërronin lidhjen martesore, bashkëshortore të Bllokut si “kulm i fatit”, që jo vetëm do u krijonte kushtet maksimale jetësore, por edhe rritje të statusit e të prestigjit shoqëror të atyre e të familjeve respektive.
E thënë ndryshe, Blloku perceptohej nga jashtë jo vetëm nga të rinjtë beqarë jashtë atij territori, por edhe nga prindërit dhe të afërmit e tyre si “parajsë apo një lloj oborri mbretëror”, ku atyre po të hynin aty si nuse apo dhëndurë, do t’u qeshte fati, do t’u thoshin “lamtumirë halleve” e do të shndërroheshin në “princesha e princër” elegantë, pjesëtarë “të aristokracisë së re”, të pasur, të fuqishëm e të famshëm, me emër të madh. Trendi i ri i martesave të të rinjve të Bllokut me partnerë “outsiders” (jashtë Bllokut), mbi baza kryesisht pragmatike, shtoi dhe nepotizmin si fenomen shoqëror. Edhe pse pas martesës rishtarët e ardhur në Bllok, duke jetuar aty e kuptonin që imazhi “princëror” dhe gama e favoreve që patën ëndërruar qenë të ekzagjeruara e disi utopike, përsëri statusi social i tyre gëzonte jo pak favore e privilegje.
Djemtë e martuar me vajzat e udhëheqësve ngriheshin më shpejt në karrierë dhe emëroheshin shefa, drejtorë, ambasadorë apo diplomatë jashtë shtetit, drejtues në organet ekzekutive apo ato partiake, kurse vajzat e martuara me djemtë e Bllokut, pasi lindnin një a dy fëmijë dhe merrnin frenat e familjes së tyre në dorë, shndërroheshin në “Dama influenciale, autoritare”, të punësuara në poste të rehatshme të institucioneve dhe të administratës. Ndonjëra nga “Hirushet” e martuara në Bllok shndërrohej madje në “princeshë” dhe nuk ngjante më me të përvuajturën e përrallës. Ato bëheshin lakmitare, ambicioze e pretencioze për më shumë favore e privilegje dhe e humbnin thjeshtësinë e përunjësinë e tyre të dikurshme.
Ato kalonin orë të tëra të ditës e mbrëmjes të ulura këmbë mbi këmbë në kafenenë luksoze të hotel “Dajtit”, e rezervuar për të huajt dhe e ndaluar për qytetarët e thjeshtë. Brenda pak kohe jetese në Bllok, “Hirushet” ndryshonin rrënjësisht modën, visheshin firmato, modernizonin paraqitjen e jashtme, krehjen, mobilimin, aksesorët muzikorë, tonin e zërit, përdredhjet dhe gjestet, “gjuhën” e trupit, stilin e jetës dhe gamën e kërkesave e të favoreve, madje jo vetëm për vete, por edhe për anëtarët e familjeve të tyre vajzërore. Në një atmosferë të tillë hedoniste nuk mungonin flirtet dhe “historitë rozë” të fshehta, ndonëse jo aq skandaloze si ato të tipit Ana Karenina, Madamë Bovari apo Ledi Chaterli.
Ato nuk shpëtonin pa u pikasur nga rrjeti i informatorëve të Sigurimit, por mbuloheshin me kujdes në mbrojtje të privatësisë familjare të udhëheqjes së lartë dhe realisht nuk krijuan megaskandale. Më së shumti, ishin flirte, lodra dashurie rastësore nga ato që plotësonin buqetën e kënaqësive dhe privilegjeve që u pat dhuruar fati me aroma dhe ëmbëlsi suplementare të jetës. Nuk ishin dashuri pasionante nga ato që krijojnë zhurmë, skandal, sakrifica dhe fund tragjik deri vetëflijim. Sepse, pushteti i madh është toksik dhe rrallë lë vend për ndjenjat sublime vetëmohuese.
Nuk pati ndër ta asnjë të vendosur për të sakrifikuar pozitën dhe privilegjet për hir të dashurisë së vërtetë, siç e la vullnetarisht fronin mbretëror të Anglisë, Eduarti VIII. Një histori pasionante rozë, por disi naive, që më ka mbetur në mendje dhe që nuk e di pse më pat prekur, ishte ajo e njërit prej djelmoshave të mirë të rinj beqarë të Bllokut, bir i njërit prej udhëheqësve të lartë, me gruan sharmante, nënë e dy fëmijëve të një artisti të njohur, të cilët nuk dihet sesi u dashuruan “marrëzisht”.
Ndodhi t’i shihja edhe unë njëherë rastësisht, gjatë një shëtitjeje në orët e para mëngjesore buzë detit në plazhin e Durrësit, jashtë territorit të Bllokut, teksa ishin të ulur të dy në bisht pranë njëri-tjetrit, si për t’u fshehur dhe rrëmonin heshturazi në rërën e lagur sikur shpresonin të gjenin aty çelësin a zgjidhjen e rrugëdaljes së mistershme për ndjenjën e tyre magjepsëse, rreptësishtë të ndaluar.
M’u dukën si fëmijët, që bënin “kështjella” me rërën e lagur me forma e arkitekturë të çuditshme, të cilat dallga nervoze ua gëlltiste me arrogancë e shpërfillje, duke e marrë me vete në thellësitë e detit, kështjellën prej rëre së bashku me ëndrrën e tyre marroke. Ata të dy bënë sikur nuk më panë. Ashtu bëra dhe unë. Megjithatë, ishte prekëse, thuajse mallëngjyese hutimi dhe pamja e trullosur e tyre, në kërkim të së pamundurës së mallkuar. Ajo histori u krijoi kokëdhembje dhe pagjumësi prindërve të djaloshit të mirë zemërdëlirë, të cilët plot stres u përpoqën ta ruanin të fshehtë brenda familjes problemin dhe situatën që përjetonin.
Gjithçka në atë “love story” romantik u zgjidh forcërisht në mënyrë jo proporcionale, “allashqiptarçe”. Faji iu ngarkua i tëri gruas “magjistare”, të cilën e shpërngulën, madje e degdisën dhunshëm me gjithë familjen e saj diku jashtë Tiranës. Kurse djaloshi i brishtë ende adoleshent, për fat të mirë, nuk u vetëvra si “Vertheri i ri” i Gëtes. Ai me kohë u rikthye dhe u përshtat me rregullat e zakonta tradicionale të disiplinës familjare.
Gazeta Panorama