E veja Fluturime Xhediku i ka rritur fëmijët me sakrifica. Gruaja është nga Dibra, por jeton në Paskuqan. Punon në një furrë buke, por shqetësimi i saj nuk është që vetëm ajo çon të ardhura në shtëpi.
46-vjeçarja ka tre fëmijë, të cilët mbahen nga rroga e saj. Ndërsa dy vajzat merren me punë shtëpie, i vogli Amarildo, ka gjetur një “punë” tjetër; si të zhvasë familjen. I kallëzuari është 16 vjeç dhe është kthyer në një hajdut të shtëpisë së tij. Së fundmi e ëma e akuzon se ka vjedhur sobën e shtëpisë. Në kallëzimin që Gazeta Si disponon, Fluturimja i tregon policisë:
“Isha tek ime më për vizitë atë natë, njëra nga vajzat ka shkuar tek të afërmit në Itali, e dyta kishte tek i fejuari në Babrru. Në mbrëmje vjen im bir dhe më thotë mos hajde sonte në shtëpi.
Ai iku me një furgon të bardhë mallrash. Por unë u ktheva në banesë, më çoi im nip. Porta e oborrit ishte hapur, gjithashtu edhe dera e kuzhinës. Aty vura re se mungonte soba e druve, të cilën e kam blerë dy vite më parë 35 mijë lekë. E prita tim bir gjithë natës zgjuar, por ai nuk erdhi, të nesërmen u nisa për punë dhe kur u ktheva vendosa të telefonoj policinë”.
Gruaja rrëfen më tej se ajo ishte vjedhur edhe më herët nga i biri, i cili ka marrë çdo orendi, telefon e rroba dhe i ka shitur. Denoncimi i parë i gruas mban datën 14 korrik, ndërsa i dyti mban datën 20 korrik. Fillimisht nëna është munduar të bëjë një hetim familjar, ku ka zbuluar se shokët e të birit janë nga Kukësi e Dibra, por nuk ka avancuar dot më tej.
“Djali në kohë të ndryshme ka vjedhur në shtëpi sende të ndryshme, si televizorin, telefonin tim, telefonin e vajzës madje edhe pajën e të motrës që është e fejuar. Më pas ai i ka shitur”.
Me dhimbje, nëna e dëshpëruar i ka kërkuar policisë që ta ndjekin të birin penalisht. Ky është një nga rastet e rralla kur nga halli një prind nuk kthehet në alibi të veprimeve të fëmijës, por kërkon e kallëzon dhe më pas kërkon ndihmën e policisë së zonës “që ti gjejë çfarë shokësh ka i biri dhe që policia t’ia kthejë në rrugën e Zotit”.
E ëma mes lotëve ka rrëfyer të gjitha problemet e të birit të vetëm që ajo e do shumë, por që nuk ka mundur dot ta “bëjë të mbarë”. Gruaja ka folur me zemër në dorë në polici, teksa agjentët mbajtën shënim kallzimin e saj. Ajo ka lënë të kuptohet se djali është përdorues droge, por që tashmë i takon policisë të zbulojë se në çfarë “valleje” ka hyrë adoleshenti problematik.
“Amarildo nuk vjedh vetëm në shtëpinë e tij, ai ka disa procese gjyqësore për vjedhje biçikletash. Para gjashtë muajsh ai u kap me 8.3 gramë hashash. Ma shpëtoni djalin, më ndihmoni”. Nëna kërkon që të zbulohen emrat e të rriturve që e shtyjnë të kryejë vjedhje.
Burimet e Gazeta Si treguan se menjëherë pas kallëzimit, policia e shoqëroi 16-vjeçarin për ta pyetur, madje për shkak të moshës së tij të mitur, seanca u mbajt në prani të psikologes, por edhe të nënës denoncuese. Amarildo tha në datën 27 korrik që nuk kishte asnjë ide se kush e kishte vjedhur sobën e druve.
Sipas tij mamaja e akuzonte për sobën, por ai nuk kishte asnjë ide. “Herën e fundit që isha në shtëpi tek po haja bukë e vura re që soba mungonte, por unë hëngra bukë dhe ika, nuk e takova as mamanë”, tha adoleshenti.
Tre ditë më pas, në datën 30 korrik ai është dorëzuar pasi është ripyetur sërish. Ai deklaron:
“E mora unë sobën e druve dhe ia shita një të panjohuri që kaloi aty në lagje dhe që grumbullonte orendi te vjetra. Pasi mora sobën u ktheva dy ditë më pas në shtëpi dhe i mora mamasë telefonin tjetër. E shita për 50 mijë lekë. Më herët kisha marrë edhe Samsungun që e shita për 130 mijë lekë.
Të gjitha këto para që i mora për 20 ditë nga gjërat e shtëpisë i harxhova për nevojat e mia në Tiranë. Pas meje nuk ka asnjë person që më shtyn të bëj këto veprime. Unë rri gjithmonë vetëm dhe nuk kam shokë”.
Policia këmbënguli për të mësuar se ku i kishte çuar adoleshenti lekët e sobës dhe ai u përgjigj:
“Lekët që mora nga shitja e sobës së druve i prisha nëpër rrugën e Tiranës dhe u ktheva në banesë vetëm pasi i shpenzova të gjitha çfarë kisha fituar. Nuk kam asnjë bashkëpunëtor dhe nuk kam asnjë shok”.
Një ditë më parë gazetasi.al ngriti shqetësimin e konsumit në masë të hashashit por edhe të kokainës e ekstazisë. Mesatarisht burimet të sigurta të Gazeta Si pohojnë se çdo ditë shoqërohen 10 të rinj e të mitur me doza hashashi, prej të cilëve 3 deri në katër prej tyre përfundojnë në pranga. Por nuk ka asnjë arrestim të krerëve të rrjeteve që shpërndajnë hashash apo të atyre që shpërndajnë kokainë në lokale. Së fundmi besohet se në kryeqytet po konsumohet edhe ekstazi, thënë ndryshe “ pilula “nga trafikantët. / Gazeta Si